Albspirit

Media/News/Publishing

Arqile Garo: Shën Pjetri në hall…

Tri zonja që vdiqën të reja në moshë,
tek derë e Shën Pjetrit po presin “lëmoshë”,
pse atje, e dinë, s’është vend për shakara,
furrat e xhehnemit ndrijnë aty, përpara.
*
Ndaj dhe rrinë të tria zhytur në mendime,
këtu fati i tyre ndahet për një qime,
këtu nuk pinë ujë, mashtrim e gënjeshtër,
e dinë mirë ato: Shën Pjetri është mjeshtër.
*

– Hajde ti e para, – urdhëron Shenjtori,
me zë bubullues, gjëmoi korridori.
Nga frika, të gjorës, i kërcasin dhëmbët.
E zhbiron Shën Pjetri, nga koka te këmbët.
*

– Pa më thuaj xhane, veç mendohu mirë,
n’atë botë, tët shoqi, i ke ngjeshur brirë?
Ja ke mbajtur nderin, vajte me të tjerë?
Dhe ajo kokulur – Po, nja dy tre herë!…
*

– Vetëm kaq?! – Po, Shenjt! – tjetra drithërohet,
teksa ndjek Shenjtorin që rri dhe mendohet!

– Meqë janë kaq pak, po tregoj mëshirë,
çelësin e Parajsës ta fal me dëshirë!
*

– Le të vijë e dyta! – flet me zë të zbutur,
tjetra hyn në zyrë me shpirt të këputur.

– Pa ulu atje dhe më thuaj mike,
burrit, n’atë jetë, i ndenje besnike?
*
Me burra të tjerë, më thuaj ke vajtur,
apo ishe zonjë, e urtë, e përmbajtur?!

– E vërteta Shenjt është që dhe kam shkuar,
por përpara Jush bëj be: – Jam penduar!
*
Me sa burra shkova, tani s’e mbaj mend!
Dhe po i kujtova, s’janë më shumë se nëntë!

– Aha! Merr një çelës, edhe nisu vetë,
ta kalosh e lumtur, jetën në xhenet!
*
Ajo gjunjëzohet: – Të falem o Zot,
sytë nga mirënjohja iu mbushen me lot.

– Tjetra! – thotë Shën Pjetri dhe hyn zonjë e tretë,
me kurmin e bukur, me çapin e lehtë.
*

– Po ti, – flet Shenjtori dhe i bie drejt, –
pa rrëfeu mike, vetëm bëje shpejt!
Me tët shoq, na thuaj, kishit harmoni,
e ke tradhëtuar? – pa trego tani!
*

– Im shoq, o Shën Pjetër, ishte koqe e rrotës,
ndaj dhe unë dëfreja me meshkuj të botës,
kam shkuar me dhjetra, burra e djem të rinj,
pa pyetur ç’ishin, të bardhë a të zinj.
*

– Ishe prostitutë? – Jo! Nuk merrja pare!
Hedh këmbën mbi këmbë dhe ndez një cigare.

– Je penduar zemër? – Hiç fare mor Zot,
burri që më dhanë, ish një copë idiot!
*
Dhe po të më ktheje për një jetë të dytë,
do t’ia shkulja brirët t’i kërreja* sytë!

– S’më thua, si vdiqe? – Dëgjo, ka gallatë.
Ca burra, për mua, ziheshin një natë:

– Jo, do vijë me mua! – S’ma merr dot me zor!
Kërciten koburet, hëngra një plumb qorr.
O Zot! Sa kam qeshur, siç po ta tregoj,
që i lashë hajvanët, thatë, me gisht në gojë.
*
Ndaj po ta them prapë: Hiç nuk jam penduar!
N’atë jetë të shkurtër, unë veç kam jetuar!
Ra në hall Shenjtori, ecën nëpër dhomë,
nxjerr nga xhepi çelësin dhe thotë: – Pa të shomë!
*

– Ferr apo Parajsë, ku po shkoj xha Pjetër?

– Jo moj bijë, për ty, kam një zgjidhje tjetër.
Merre këtë çelës, pse je femër trime,
dhe nisu me vrap, primë* tek vila ime!

————————-

kërrej* dialektore – nxjerr, shkul diçka me rrënjë.
primë* – më prit.
Shtator 2020.