Albspirit

Media/News/Publishing

CEREMONIALI – KRENARI DHE DINJITETIT PËR AKADEMINË E SIGURISË

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Etërit arkeologë, historianë dhe etnografisë në vijueshmëri kanë hedhur dritë edhe mbi ceremonitë, rritet, veshjet, traditat, mikpritjen si disiplinë e “shpirt heroik”, mbi parimet, rregullat e ligjësitë, mbi rregullat praktike që fillimisht janë shkruar në kanune, sharte nga ligjvëndësit popullorë në truallin ilirik, në Ballkan, Evropë e më gjerë. Prijësat, princat, mbretërit, sulltanët, liderat, gjeneralët që në lashtësi kanë krijuar ritet e para ceremoniale edhe në struktura policore e sidomos ato ushtarake krahas ceremonive që kanë ekzistuar edhe në aspektet e përgjithshme të jetës shoqëore, administrative si dhe besimtare. Që kur lindën “tribu-të”, fjalë pa tingëllim fisnikërues, që nuk shpreh si duhet kuptimin e “fisit” ose grup familjesh shoqëria erdhi duke u zhvilluar dhe civilizuar. Kështu edhe strukturat ndërluftuese si dhe ato të ruajtjes dhe sigurisë së brendshme.

Romakët fiset i quanin “gens” dhe jurisprudenca e Kanunit temelohet mbi nji kuptim moral krejt të veçantë, që sjell fisnikëri, krenari, dinjitet të personit si virtyte të vërteta. Në hapësirën arbërore, që në lashtësi dhe deri në ditët tona kanë vepruar kode e norma që kanë sjellë ceremoni e rite nga më të pasurat që njeh sot njerëzimi, përtej kodeve të maleve shqiptare dhe përtej të “të drejtës Romake”. Ceremonitë ishin emblema e veprimtarive jetësore të popujve dhe të qytetërimeve tek romakët, helenët, egjyptianët, mesopotamasit, kinezët etj. Imazhet e civilizimeve nga lashtësia, që nga Platoni dhe papirusët e zbuluar dëshmojnë dhe hedhin dritë mbi prijësat, organizimet, betejat, ushtritë, ceremonitë ushtarake si gjurmë të vërtetësisë, sikurse vrehet edhe tek burimet mitologjike të Homerit nga vepra “Iliada” dhe “Odisea”. Në periudha të ndryshme është pretenduar edhe për ceremonial që shkonin deri në “pavdekësi të përjetshme” etj. Përtej civilizimeve të planetit tonë, në hapësirën ilirike kanë vepruar bindshëm mbretërit e princat ilirikë dhe arbërorët mesjetarë, që në periudhën Skënderbejane ceremonitë u ngritën në art sikurse mbretëritë e sulltanatet më të shquara të Evropës. Kështu një ndër ceremonitë që ka lënë gjurmë të fuqishme ka qenë ceremonia e martesës së heroit të shqiptarëve Gjergj Kastritotit 46 vjeçar me Donikën 23 vjeçare të bijën e Gjergj Arianitit më 23 prill 1451, një ceremonial popullor, tradicional dhe ushtarak zhvilluar në Kaninë, në Ardenicë dhe në Krujë me prezencën edhe të ambasadorëve të Napolit, të Vatikanit dhe Raguzës. Nuk ka qenë një ceremonial martesor, por me rregulla juridike dhe tradicionale, ku përveç rëndësisë shoqërore, martesat lidhën familjet fisnike në aleanca, koalicione dhe marrëdhënie të shumëfishta, ku mosha, intelekti, formimi kulturor, gjendja shëndetësore, paraqitja e jashtme nuk kishin rëndësi për bashkëshortët e ardhshëm. Funksioni i parë i lidhjeve ishte ai politik, i cili do të forconte pozitat e familjeve, fiseve, principatave. Ceremoniali ishte “qershia mbi tortë”, që sillte ushtri të përbashkuara, tokat, prodhimet, taksat, rrugëkalimet e sigurta në dispozicion të qëllimeve. Ceremonitë çonin në organizime me unitet të faktorëve ushtarak e politik dhe deri tek ceremonitë mortore, veçanërisht për ato ceremonial që kishin të bënin me të rënët për atdhenë dhe me betimin në kauzën e tyre. Padyshim në lëmin e ceremonialeve të ushtrive të popujve, kombeve e shteteve të botës “pjesën e luanit” e zënë ceremonitë që determinojnë tre shekujt e fundit, ku paradat në lindje e në perëndim me forca e mjete tokësore, detare e ajrore kapërcejnë sot çdo lloj limiti të njohur në sasi mjetesh e forcë njerëzore, ku shpenzimet ushtarake për këtë qëllim shkojnë në shifra të marramëndëse. Ceremoni të tilla veçanërisht në periudhën e luftës së ftohtë ishin një demonstrim i hapur force, për të treguar “krenari”, demonstrim force dhe “fuqi shtetërore” në tokë në det dhe në ajër. Në aspektet e zhvillimeve policore policia e lashtë në Egjypt rreth 2500 vjet më parë kishte roje të organizuara që mbronin rendin dhe tempujt, në Athinë ka pasur roje skllevër, në Romën e lashtë ishin Cohorta urbane për të mbritur në “policinë moderne” si institucion civil shtetëror i ndarë nga ushtria më 1829, kur u krijua “Policia Metropolitane” e Robert Peel-it. Më tej edhe francezët dhe përhapja në gjithë botën. Në Shqipëri krijimi i Policisë Shqiptare daton më 13 janarin e 1913-ës dhe është binjak me krijimin e shtetit. Ceremonialet kanë filluar më vonë por pas kursit të parë policor shqiptar të 21 majit 1938, viti 1945 shënoi një hap të ri e më tej 20.1.1954, por Akademia e Policisë si IAL daton më 20.12.1971, kur edhe ceremonitë janë zhvilluar në truallin tradicional të përgatitjes së ardhmërisë policore në të gjitha nivelet në Sauk, që edhe pse ka ndërruar disa herë emërtimin, por jo misionin, konsoliduar në dhjetëvjeçarin e fundit (2015-2025) me emërtimin zyrtar “Akademia e Sigurisë”.

*

“Kartëvizita” e krenarisë dhe dinjitetit në edukimin policor

Praktika dokumentare e ceremonive në Akademinë e Sigurisë është duke u konceptuar si një dokument administrativ teoriko-praktik që përcakton rregulla teknike, protokollare, etike, profesionale, funksionale të pranueshme të mbështetura në legjislacion, në aktet dokumentare të mirëfunksionimit institucional bazuar në aktet ligjore, nënligjore dhe administrative. Zhvillimi i Ceremonive në Akademinë e Sigurisë është vijueshmëri logjike dhe kronologjike e “Rregullores së Ceremonialit në Republikën e Shqipërisë”, por edhe e “Procedurave dhe rregullave për zhvillimin e  ceremonive, bisedimeve, takimeve dhe vizitave zyrtare në Policinë e Shtetit”, të miratuar me urdhër të DPPSH (nr. 208 datë 21.02.2019), por edhe veçoritë dhe karakteristikat që lidhen me misionin dhe funksionin e Akademisë së Sigurisë në veprimtaritë ceremoniale të ndryshme që zhvillohen brenda vetë misionit të Akademisë së Sigurisë.

Në radhë hierarkike Akademia e Sigurisë nderon dhe respekton rregullat e ceremonialit shtetërore, të Ministrisë së Brendshme dhe të Drejtorisë së Përgjithëshme të Policisë së Shtetit. Ceremoniali policor është një instrument juridiko-administrativ nëpërmjet të cilit strukturat kompetente të AS-së urdhërdhënëse ushtrojnë veprimtarinë protokollare mbi bazën e legjislacionit dhe në përputhje me të, në funksion të realizimit të detyrimeve kushtetuese, akteve ligjore e nënligjore, për kryerjen e një sërë aktivitetesh që lidhen me nderimet, respektimet, ngritjen e moralit të kursantëve/studentëve të FSH-së, me ceremoni zyrtare të diplomimit/ certifikimit, me ceremoni të vendosjes së kurorave me lule në varrezat e dëshmorëve të Atdheut, me ceremoni të paradave dhe betimit, me marrje e dorëzim të flamujve, me ceremoni dekorimesh dhe gradimesh, ceremoni pritjesh e përcjelljesh, me ceremonitë në Akademinë e Sigurisë ose jashtë saj, me nderime në ditë festash kombëtare ose të miqve e partnerëve tanë, me ceremoni për nderim dëshmorësh të rënë në krye të detyrës, ceremonitë e pritjes së personaliteteve në Konferencat Shkencore të AS-së, me ceremonitë e prezantimit në detyrë, ceremonitë e daljes në pension të punonjësve të policisë të AS-së, me ceremonitë specifike në strukturat e vartësisë së Akademisë së Sigurisë, ceremoni të përcjelljes në banesën e fundit ose “ceremonia e apelit të fundit”, si dhe ceremoni të veçanta të miratuara nga Drejtoria e Përgjithëshme e Policisë së Shtetit, etj. Objekti i ceremonialit në AS është që të përcaktojë qartësisht rregulla të përcaktuara të formatit konkret të veprimit teknik, mendimit e veprimit policor të kornizuar për organizimin e ceremonive të të gjitha llojeve, në formulimin e rregullave strikte etiko-prefesionale të punonjësit të Policisë së Shtetit, vlerësimi i rolit dhe funksionit të tyre. Ceremonitë e policisë janë paraqitje dinjitoze të të gjithë spektrit policor duke paraqitur në këtë rregullore përcaktime të gjithëpranuara nga opinioni shoqëror për ceremonitë policore në sinkron të plotë edhe me ceremonitë e partnerëve të policive të vendeve aleatë e partnerë, por mbi të gjitha do të spikasi identiteti kombëtar shqiptar dhe i strukturës që përfaqëson.

Koncepti ceremonial policor nuk është “pronë” vetëm e strukturave civilo-policore ose të marrëdhenieve me publikun, por i përket drejtuesve të Akademisë së Sigurisë strukturave të vartësisë në të gjithë piramidën e funksionimit të një paraqitje dinjitoze dhe krenare në planin e brendshëm por edhe në planin e bashkëpunimit ndërrajonal dhe ndërkombëtar, në misione ose në komanda e shtabe të vendeve mike, aleatë e partnerë, ku ka pjesëmarrje edhe nga institucioni i Akademisë së Sigurisë. Veprimtaritë ceremoniale në Akademinë e Sigurisë duhet të kenë rregullat e tyre plotësisht të qartësuara me qëllim që të mos ngatërrohet me një nderim të thjeshtë ose “për mirësjellje”, “për njerëzillëk” etj., por opinioni i përgjithshëm, komuniteti civil dhe policor, dhe mbi të gjitha media e shkruar dhe ajo elektronike të jetë plotësisht e informuar mbi mënyrat dhe rregullat që veprojnë prerazi në strukturat policore. Çdo lloj veprimtarie ceremoniale që kryhet në AS ka gjithmonë një skenar të gatshëm të qartësuar në këtë rregullore.

Në dokumentacionin standard të ceremonialit mund e duhet të gjenden skenarë të gatshëm, të thjeshtë, të pritshëm dhe të zbatueshëm, të njohur nga komuniteti i madh e i vogël, pavarësisht kulturës, nivelit të arsimimit, përkatësisë së besimeve. Në rregullore përcaktohet qartë se mirësjellja është detyrim që përputhet me nivelin e zhvillimit kulturor si dhe i përket individit në shoqëri; ndërkohë që kjo rregullore synon bindjen në atë që, rregullat ceremoniale janë tërësia e rregullave që disiplinojnë paraqitjen formale të enteve, të titullareve e të detyrave e funksioneve që ata përfaqësojne. Rregullorja e ceremonialit në Akademinë e Sigurisë, para së gjithash nënkupton një sinkron rregullash të shkruara e të përcaktuara qartë në kohë dhe të përputhura në mendim, në traditë e në zakone shqiptare, që bashkon në një të vetme prezencën fizike, pamjen e uniformizuar, veprime të sinkronizuara dhe mirësjellje njerëzore, që të imponojë respekt dhe lë gjurmë të thella formuese, imponuese, memorizuese dhe që kryhet në kohë e hapësirë.

Zhvillimi i ceremonive në Akademinë e Sigurisë përfaqëson përmbledhjen institucionale të kritereve që rregullojnë çdo aspekt të natyrës formale dhe joformale dhe në sinkron të plotë me të gjitha rregulloret e aplikueshme të jetës së brendshme, të rregullores në rreshtime policore, të disiplinës, të uniformës, të armëve të ndryshme, që shërbejnë si pjesë e Policisë së Shtetit në të gjithë komponentët e saj, si dhe në strukturat e tjera mbështetëse, në arsimim stërvitje e trainim. Regullorja e ceremonialit përmbledh në mënyrë të detajuar dhe të specifikuar gjithë parimet e rregullat objektivisht të gjithëpranuara që rregullorjnë e sanksionojnë në mënyrë të  pëbashkuara format e marrëdhënieve ndërnjerëzore, si dhe ndërmjet strukturave, e deri tek individët në Akademinë e Sigurisë, për të formësuar norma e rregulla të përcaktuar qartë, pa kontraste, dhe që lehtesojnë raportet ndërmjet subjekteve në jetën e veprimtarinë policore, të jetesës në komunitet etj. Rregullat e ceremonialit ushtarak bëjnë njehsimin e një rregulli, një metode, një gjuhe të njehsuar, një kodi me sjelljeje, qëndrim, formë, të përbashkuar e të përshtatshem, për të komunikuar në mënyre korrekte, për të patur mendim e qëndrim unifikues edhe në kuadrin e shoqërizimit policor e civil në Policinë e Shtetit, por edhe ndaj qëndrimit institucional që duhet të mbajnë punonjësit e policisë e civilët që shërbejnë në strukturat e Akademisë së Sigurisë. Kodi i shprehjes, qëndrimit dhe veprimit do të jetë i unifikuar që rrjedh nga zbatueshmëria e misionit dhe detyrimeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, duke e parë në tërësi dhe në unitet detyrimin ligjor, detyrimin shoqëror dhe detyrimin institucional, duke synuar që çdo veprim, qëndrim apo shprehje të jetë një pasurim i mëtejshëm i vlerave në Akademinë e Sigurisë.

Protokoll është emërtimi etimologjik, që rrjedh nga “protokoll”, që tregon faqen e parë të një kodi ose dokumenti (“proto” që do të thotë “i parë” dhe “kollo” që do të thotë “ngjitës”). Kuptimi i saj vazhdon më tej për të treguar përmbajtjen e vetë dokumentit. Kuptimi i protokollit është tëresia e normave që rregullojnë ceremonialin, duke iu referuar aspekteve publike dhe praktikës që ndiqet, sipas rregullave të vendosura nga struktura eprore me të drejta ekzekutive.

Konkretizimi me dokument themelor të ceremonialeve në Akademinë e Sigurisë janë vijimësi dhe përmirësim i mëtejshëm i veprimtarive institucionale në institucionit e edukimit policor, duke njohur zhvillimet e deritanishme dhe duke parë në sy kritik ardhmërinë e zhvillimeve arsimore policore. Prandaj sfida e së ardhmes është një sfidë komplekse jo vetëm në fushën e ceremonialit dhe Protokollit, por edhe më gjerë. Në aspektet praktike protokolli mund të jetë ceremonial, diplomatik, policor apo i fushave të tjera. Ai është i përcaktuar si rregulli i marrëdhënieve zyrtare publike, por sipas rastit ka elemente njerëzorë, por jo liberalë. Normat e protokollit kanë jo vetem vlerë të brendshme, por dhe zyrtare, duke rregulluar aspektet formale të marrëdhënieve ndërmjet strukturave, enteve e organeve të ndryshme në AS dhe më gjerë. Përvoja dhe tradita shqiptare, por edhe ajo e vendeve partnere ka treguar se nuk mund të ketë ceremonial pa disiplinë dhe pa rregull. Prandaj ceremoniali fillon tek rregullat e shkruara e të precizuara qartë dhe përfundon me mbylljen e aktivitetit korrekt sipas skenarëve të paracaktuar. Disiplina protokollare përmban në vetëvete korrnizën e kritereve në zgjidhjen e problematikës formale duke detajuar çdo moment të rëndësishëm apo dytësor në marrëdhëniet publike zyrtare.

Teorizimet “doktrinore”, në çështjet e ceremonialit dhe protokollit si dhe dalja jashtë sistemit disiplinor protokollar është e palejueshme dhe e patolerueshme. Kështu protokolli ka rregullat e veta specifike që ushqejnë autonominë nga disiplinat juridike dhe sociale, edhe pse protokolli merr elementë të formalizimit nga këto disiplina bazë. Organizatorët e ceremonive në Akademinë e Sigurisë si dhe të protokollit mbajnë në konsideratë edhe normat dhe rregullat ndërkombëtare që disiplinojnë ceremonialin, përfshi edhe traditat kombëtare të zhvillimeve policore nga 13 janari i vitit 1913 kur u krijua Policia e Shtetit e në vijueshmëri. Ceremoniali në Akademinë e Sigurisë dhe jo vetëm është i natyrës më solemne dhe kjo natyrë buron nga misioni e përgjegjësitë të cilat e kanë burimin nga rregulloret e DPPSH-së dhe të AS-së.

Në planin historik duhet theksuar, se ceremoniali ka ekzistuar para krijimit të shtetit që në kohën që shoqëria ishte organizuar me fise e tribu dhe ka pasuar në të gjitha etapat e zhvillimit shoqëror të shoqërisë. Rregullat e ceremonialit janë formuar në shekuj dhe e kanë origjina nga më të ndryshmet që mund të lidhen me arsye praktike, të higjenës; me arsye estetike; me arsye mistike, kohore; praktike; politike; shoqërore; ambientale; ekonomike; morale; komunikimi dhe tregëtaro-komerciale etj., që janë një larmitet kohësh e traditash, por në kohët moderne edhe në spektrin e policimit dhe sidomos të arsimimit policor marrin një vlerë të re dhe të spikatur. Ceremonitë, rregullat dhe protokolli ekzistojnë në të gjitha fushat e jetës, por nisur nga pikëpamja e fushës që ato zënë ndahen në: shtetërore, diplomatike policore, etj., kategori këto që kanë lidhje të shumta e të shumëfishta me njëra-tjetren. Në rregulloren e ceremonialit do të përfshihen nenet e domosdoshme dhe shtojcat të cilat do ta lehtësojnë përdorimin e kësaj rregulloreje. Ajo të jetë në sinkron me aspektet shpjeguese dhe vepruese ekzekutive, ku protokolli i ceremonive policore do të jetë i detajuar me të gjithë elementët dhe veçoritë përbërse, që burojnë nga karakteristikat e veçanta të Akademisë së Sigurisë dhe rregulloret qe percaktojnë dhe rregullojnë aktivitetin dhe veprimtarinë në spektrin e veprimit mësimor, edukativ dhe kërkimor shkencor. Në rregulloren e ceremonialit strukturat e arsimimit dhe kurrikulave do të gjejnë një “lëndë të gatshme”, për ta përdorur në “stërvitjet ceremoniale” si dhe “rregulla të jetës sociale të ardhmërisë së Policisë së Shtetit”. Është e natyrshme se Rregullorja e ceremonialit do të përshijë masivisht jetën policore të kursantëve dhe të studentëve, por që ka brenda dhe presupozon elementë të shumtë patriotikë, moralë, psikologjikë, estetikë e profesionalë, detyrimisht dhe këto elementë gjejnë veten në protokollin e ceremonialin e AS-së duke synuar përfaqësim në nivel sa më të lartë e të qëndrueshëm. Ceremoniali në AS mund të jetë me uniformë, dekorata, flamurin, stemën, shenjat dallluese, dekoracionet, emblemat, uniformat e flamujt e strukturave që veprojnë në Policinë e Shtetit, kur është e lejueshme edhe shenjat emblemë të traditës kombëtare si kostumet ceremoniale si dhe mjaft elekentë të tjerë që shërbejnë si mjet shprehës i komunikimit me publikun vetëm me dukshmërinë e tyre. Natyrisht emblema e ceremonialeve në Policinë e Shtetit janë flamuri kombëtar, flamuri i Policisë së Shtetit, flamuri i Akademisë së Sigurisë si dhe uniforma që etiketohet “ceremoniale”.

Rregullorja e Ceremonialit në Akademinë e Sigurisë është një përmbledhje aktesh institucionale të unifikuar e standardizuar, në përputhje me historinë, kulturën, trashëgiminë, nevojat dhe kushtet e reja, për t’iu përgjigjur kërkesave e detyrimeve si dhe pritshmërinë e publikut për policinë. Gjithë sistemi i profesionalizmit policor, mirëarsimimit, mirëtrainimit, rritjes së kapaciteteve, në interes të realizimit të misionit, kontributit në zgjidhjet e çështjeve të rendit dhe sigurisë publike mbështetet cilësisht me parime, rregulla e praktika të zhvillimit të ceremonive policore sikurse edhe vendet mike e partnere të Shqipërisë. Krijimi i një standardi për vendosjen e rregullave strikte të mirëfunksionimit në të gjitha llojet e ceremonive të shkruara teorikisht dhe të sjella edhe me shembuj praktikë mbi mënyrën e veprimit për të gjitha rastet e ceremonive që zhvillohen në Institucion i Arsimit të Lartë në fushën e rendit dhe sigurisë publike në Shqipëri sjell në mënyrë definitive atë që quhet kartëvizitë e dinjitetit dhe krenarisë së strukturave policore shqiptare. Burimet e studimit: Ligji nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë”, ligji nr. 82/ 2024, “Për Policinë e Shtetit”, ligji nr. 8926, datë 22.07.2002 “Për formën dhe përmasat e Flamurit Kombëtar, për mbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së RSH dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, VKM nr. 112 datë 24.2.2025 “Për miratimin e Rregullores së Policisë së Shtetit”; VKM nr. 881, datë 28.10.2020, “Për dhënien e statusit të veçantë Akademisë së Sigurisë, si institucioni i vetëm publik i arsimit të lartë në fushën e rendit dhe sigurisë publike, si dhe organizimin e funksionimin e saj”, i ndryshuar me VKM nr. 320 datë 2.6.2021, VKM nr. 420, datë 8.6.2016, “Për miratimin e Ceremonialit Shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, urdhër nr. 208 datë 21.02.2019 i DPPSH Procedurat dhe rregullat për zhvillimin e ceremonive, bisedimeve, takimeve dhe vizitave zyrtare në Policinë e Shtetit”, Statuti dhe Rregullorja e AS-së, libra dhe tekste mbi Protokollin dhe ceremonialet brenda dhe jashtë vendit.