Albspirit

Media/News/Publishing

Elham Pasha: Në duel vritem nga syri i bukurisë

Jam i përditshëm në buzët e filxhanit
Me perimetrin e tij jam shok e super shok.
Mjergullat më kanë shitur në reklama të xhamit,
hijet e trupit numëroj me miken kokë më kokë.
*
Jam i përditshëm në buzët e gotės
perimetri i pusit ma ka ngritur çarkun.
U këndoj gjithë dashnoreve të botës,
Rruazat në gotë ma tresin merakun.
*
Tek mua rruga është buzë, vetëm buzë…
S’i harroj, i ndërmend dhe buzët e tepsisë.
Nuk i ruhem as furrës zjarr e shpuzë…
Në duel vritem, më vret syri i bukurisë.
*
Jam i përditshëm në buzët e fërshëllimës,
Ta dirigjoj simfoninë e pikëllimës.
Në buzë e çdo buzë më gjitesh, veç ti
Më duartrokasin kur ngre dolli.