Anglia vendos sanksione të reja ndaj Rusisë pas shkeljes së hapësirës ajrore polake
Britania e Madhe ka vendosur 100 sanksione të reja mbi burimet e të ardhurave dhe dërgesat ushtarake të Rusisë – pas shkeljes së hapësirës ajrore polake nga dronët rusë dhe dëmtimit të ndërtesave qeveritare në Kiev për shkak të sulmit masiv ajror rus ndaj Ukrainës, këtë javë.
Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe njoftoi sot se sanksionet do të mbulojnë 70 anije të të ashtuquajturës ‘flotë hije’ të Rusisë, të përdorura për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare ndaj eksporteve të saj të naftës.
Për më tepër, 30 subjekte dhe individë, përfshirë kompani nga Kina dhe Turqia, të cilat ndihmojnë makinën e luftës së Rusisë – duke e furnizuar atë me pajisje elektronike, kimikate dhe eksplozivë, janë subjekt i sanksioneve.
“Sulmet e fundit ruse kanë goditur drejtpërdrejt Kabinetin e Ministrave të Ukrainës, kanë dëmtuar rëndë ndërtesat e Këshillit Britanik dhe delegacionit të BE-së në Kiev dhe kanë çuar në një shkelje të hapësirës ajrore të NATO-s mbi Poloninë”, tha ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe në deklaratë.
“Britania e Madhe nuk do të rrijë duarkryq ndërsa Putini vazhdon pushtimin e tij në Ukrainë. Shpërfillja e tij e plotë për sovranitetin është treguar këtë javë kur ai dërgoi dronë në hapësirën ajrore të NATO-s”, tha sot sekretarja e Jashtme, e sapoemëruar e Britanisë së Madhe, Yvette Cooper, ndërsa udhëtonte për në Kiev.
“Siguria e NATO-s dhe Ukrainës është thelbësore për sigurinë e Britanisë së Madhe”, shtoi ajo. /atsh