Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhosh Gaçe: In memoriam, Heroi i Popullit, Sali Vranishti!

Përgjatë viteve 1800 dhe deri në Luftën e Dytë Botërore, në trevën e Labërisë ka një numër të konsiderueshëm të figurave popullore, të cilat përveç fatit të pjerrët, morën në fuqinë, shpirtin burrëror dhe veprimtarinë e tyre atdhetare përfaqësimin e fshatrave, krahinave dhe më gjerë, ku shpesh herë populli iu ngjiti nga pas tipare dhe karakteristika të cilësueshme të këtyre trevave si elementë të rëndësishëm të identifikimit të tyre kohorë dhe historik. Njëri prej tyre është edhe Sali Vranishti, në të vërtetë Sali Murati, i cili nuk u bë i njohur nga  pasuria e tundshme apo e patundshme, por për burrëri dhe fisnikëri; për trimëri dhe atdhetari; për besnikëri  dhe sakrifica sublime.

Sali Murati (Vranishti)  lindi në 20 Mars të vitit 1880, një kohë absolutisht me trazira të mëdha kombëtare, kur Shqipëria dhe shqiptarët në një dakordësi kombëtare kërkonin të shkëputeshin nga Perandoria Otomane për t’u pavarësuar, një periudhë që në tokën e Labërisë kishte “mbjellë” një brez të rinjsh dhe luftëtarësh, të cilët shpejt do t’i dilnin zot jo vetëm Labërisë a Vlorës, por gjithë Shqipërisë dhe kombit. Sali Vranishti ishte një nga hallkat e çelikta të këtij brezi. Duke u rritur në një mjedis të tillë, ai u edukua me ndjenjën e lartë të Atdheut dhe të lirisë, ku çdo pushtues shihej si okupator, si një diçka të cilën shqiptarët nuk e kishin pranuar dhe as do të mund ta pranonin kurrë. Ky ishte thelbi shpirtëror i thellë, që gjithë jetën mbijetoi në shpirtin rebel dhe të bukur të Sali Muratit.
Mjedisi epik,  trashëgimia historike, varfëria dhe mjerimi në fshatin e tij; nderimi për burrat e njohur si Mete Çobo, Beqir Memua, Balil Seferi,  Zenel Çelo, Kamber Shyti, Rahit Myftari, Dervish Sinani, Axhem Zeneli dhe të tjerë, përbënin një bazë të mirë për kapedanin e ardhshëm, i cili e adhuronte shpirtin liridashës tradicional dhe atë bashkëkohorë, që tashmë kishte marrë karakter kombëtar pas daljes në skenë të Rilindjes Kombëtare dhe të Lidhjes së Prizrenit.

Sali Muratit i takoi fati, që të përballet me një nga aksionet më të rënda dhe  të ashpra që pushtuesi osman kishte kërkuar të vepronte në trevat shqiptare, atë të të marrit nizam. Është momenti që ai del në skenën shoqërore, me një lloj ndjesie përfaqësuese për Vranishtin, kur iu kishte kërkuar bashkëfshatarëve të tij që të mos japim nizamë. Për perandorinë e kohës, e cila ishte në rrënim të brendshëm të pandalshëm, kjo ishte një diçka e rëndë, nga cilido që e kundërshtonte një gjë të tillë.
Vranishti, ashtu si mbarë vendi, ishte në një gjendje të vështirë ekonomike. Paguante vergjinë, të dhjetën, xhelep dhe detyrime të tjera të rënda. Ndërkohë popullsia ishte e ekspozuar ndaj sëmundjeve dhe epidemive të kohës, çka kishte nxjerrë në pah paaftësinë e shtetit otoman për të krijuar kushte normale jetese për shqiptarët. Kjo kishte krijuar një ndjenjë armiqësie dhe revolte tek shumë njerëz atdhetarë dhe patriotë të kohës. Në këtë vorbull ishte përfshirë edhe Sali Murati.   Përplasja  e tij fizike me një kalorës të armatosur, do të shndërrohej në një konflikt të thellë të tij  me përfaqësuesit otoman dhe të vetë perandorisë.  Në këto kushte, Sali Vranishti detyrohet të largohet komit në mal.
Sali Vranishti, pavarësisht presionit të madh që pushteti i kohës ushtroi mbi vranishtiotët, ai nuk u braktis kurrë prej tyre. Pas disa kohësh nëpër male dhe shpella, Sali Vranishti  kaptoi malet dhe zbriti në Janinë. Janina ishte një shkollë e madhe për të. Janina lidhej dhe kumtonte histori të rëndësishme për burrat, luftëtarët, për kapedanët dhe princërit. I punësuar në Bogdan të  Janinës, ku  shërbente për të ruajtur pasuritë e një njeriu  shpirt mirë, ai përsëri mbeti me armë në sup si një komit. Janina e mbushte me krenari dhe e bëri më burrëror dhe më të guximshëm djaloshin nga Vranishti. Anës së liqenit të Janinës, ku mblidheshin kryesisht shqiptarë dhe zakonisht këndoheshin perla trimërie, kishte shkuar një ditë edhe Sali Vranishti. Por në kënaqësinë që këto këngë i jepnin të tjerëve dhe atij, një zabit turk dëgjohet të thotë ”Pis arnaut, këto s’janë këngë, janë kuje!” Sali Vranishti nuk e përballoi fyerjen e turkut, e godet atë për vdekje.

Pas një rrugëtimi të gjatë, trimi nga Vranishti kthehet në vendlindje, pritet me nderime dhe respekt, por  kapet tradhëtisht, për t’u dërguar në burgun e Janinës. Por një trim dhe komit si Sali Vranishti nuk kishte burrë që mund ta mbante brenda. Ai u arratis nga burgu, për të shkuar përsëri në malet e Labërisë, ku kishin gjetur strehë dhjetra komitë të tjerë.
Përplasjet që ai kishte krijuar me përfaqësuesit e perandorisë osmane, deri në armiqësi dhe përndjekjet hap pas hapi të tyre ndaj tij, kishin shtuar brenda Sali Muratit jo vetëm atdhedashurinë dhe trimërinë, por dhe emrin që ai po i linte Vranishtit dhe vranishtiotëve trima. Ngjarjet historike po çonin drejt një epoke të madhe, atë të Pavarësisë, ku në skenën politike kishte dalë Ismail Qemali. Revolucioni xhonturk i vitit 1908 kishte krijuar një dimension tjetër për lëvizjen atdhetare, patriotike dhe  për Pavarësi në Shqipëri. Plaku i Vlorës komunikonte me të gjithë faktorin politik të Evropës, duke pasur një aftësi të rrallë prej politikani, diplomati dhe atdhetari të regjur.

Në momentin kur Ismail Qemali ishte propozuar për të qenë deputet në Parlamentin turk, ai u kthye në Vlorë. Në Skelë, Vlora e priti si asnjë njeri tjetër, jo vetëm si një vlonjat i dëgjuar dhe me peshë në aktualitetin politik të kohës, por dhe si një shpresë për të ardhmen, të cilën shqiptarët po e ushqenin me luftëra, protesta, proklamata, memorandume dhe kuvende, ku bëhej thirrje për t’u pavarësuar nga perandoria otomane. Dhe në këtë rast Ismail Qemali u dëshmua për të ardhmen bashkë të shqiptarëve, për progres ekonomik dhe përparim kombëtar. Të shkuarit e Ismail Qemalit në shtator 1908 në Vranisht është një ngjarje e shënuar për këtë fshat të betuar për liri dhe pavarësi. Sali Murati nuk e humbi këtë rast, që vinte njëherë në jetën e çdo vranishtioti. Populli i trevave  të Vlorës nuk i kanë harruar kurrë këto momente, rrugëtimin e plakut të Vlorës, tek i cili ai shihte të ardhmen dhe mbështetjen për aksionin e tij politik- diplomatik ndërkombëtar për Pavarësisnë e vendit. Sali Murati kishte ardhur nga Vunoi me këtë rast. Në kuvendin e burrave dhe të odës së Vranishtit, ku Ismail Qemali bashkëbisedoi me vranishtjotët, dëgjoi dhe foli edhe Sali Murati me një pjekuri të veçantë dhe me një fuqi mbështetëse ndaj Ismail Qemalit. Takimi me Ismail Qemalin  në Vranisht është treguar dhe rrëfyer me shumë dashuri brez pas brezi nga bashkëfshatarët, pasi ai përbën një ngjarje jo të zakonshme, sepse ngjalli shpresë dhe besim tek këta njerëz që mbijetonin për shkakun e varfërisë, e cila vinte dhe nga robërimi otoman.
Aksioni politik dhe lëvizja për Pavarësi ishte kuptuar dhe gëzonte mbështetje të madhe në popullin e gjithë Shqipërisë. Veriu dhe Jugu ishin përfshirë në lëvizje të armatosura, ku çetat patriotike kishin filluar të krijoheshin në të gjithë vendin. Çerçiz Topulli gati po mitizohej dhe pse ishte një realitet i gjallë, mes njerëzve të thjeshtë. Burra të dëgjuar të kësaj krahine mbanin lidhje dhe bashkëpunonin me Topullin si shprehje e një revolte në rritje, ku jo pak luftëtarë kërkonin një mundësi ku të jepnin kontributin e tyre prej luftëtarësh. Luftëtarë të tillë si Ibrahim Abdullahu dhe Beqir Velo Kanina kishin ndikuar në krijimin e disa çetave në Labëri. Mbledhja e Shushicës , organizuar nga Klubi Labëria , sjellja e armëve nga Preveza nga Shahin Haruni  apo Sali Murati nga Himara çoi në krijimin e një çete patriotike luftarake , e cila u mbush shumë shpejt me luftëtarë. Çeta është thirrur me emrin “Firarët e Sali Kapedanit”. Në veprimtarinë e çetës së njohur dhe të drejtuar nga Sali Vranishti ka një motiv interesant, të cilën  ai e kishte të rëndësishëm dhe mjaft domethënës për kohën në rrethanat e zhvillimeve politike të kohës, kur thoshte, se autonomia sigurohej vetëm me armë në dorë, ajo fitohej me luftë e përpjekje kundër pushtuesve osmanë. Çeta luftarake që drejtoi Sali Murati pati përplasje të njëpasnjëshme me strukturat osmane të kohës. Në majin e vitit 1912 një pjesë e çetës së tij  u rrethua në Buzujk të Tërbaçit të Vlorës. Ndërsa luftëtarët respektoheshin dhe mbushnin me gëzim njerëzit e këtyre anëve, çeta spiunohet, kur Sali Vranishti gjendej në shtëpinë e bashkëluftëtarit të tij Selam Abazit, një patriot i njohur.  Sali Vranishtit i thuhet se kanë urdhër për ta arrestuar. Luftëtarët nuk pranuan. Shtëpia e Selam Abazit u kthye në istikam lufte, ku të shtëna me armë u dëgjuan deri në mëngjes. Një pjesë e çetës ishin larg këtij grupi. Kështu iu desh motrës së Selam Abazit të ndërmerrte një akt heroik për të krijuar komunikimin me luftëtarë të tjerë të çetës. Vajza trime  doli me bucielë për të shkuar me mbushë ujë dhe për të njoftuar. Luftëtari i çetës Hito Dalani sapo mësoi ç’kishte ndodhur me Sali Vranishtin, me një grusht trimash doli në shpinë të xhandarëve turq. Këta të vënë midis dy zjarreve, u shpartalluan keqas.  Ngjarja u përcoll dhe nga konsujt e kohës në njoftimet që ata iu bënin shteteve të tyre në Evropë. Kënga për këtë ngjarje i thotë të gjitha. “Sali Murati vetëtimë,/ Çau mes për mes pusinë”.

Vera e vitit 1912 ishte e ngarkuar me tensione të madha diplomatike për Shqipërinë. Shqipëria rrezikohej nga fqinjët shovinistë. Populli shqiptar ishte ngritur në luftë. Çetat patriotike ishin përfshirë në aksionet luftarake të vazhdueshme për ta goditur ku nuk e priste perandoria.  Krahas  përplasjeve fitimtare që çeta e Sali Vranishtit kishte bërë nëpër zona të ndryshme, ajo nuk kishte ndërmarrë një aksion në qytetin e Vlorës.  Mendimi i kapedan Saliut për të goditur burgun( hapsanën) e Vlorës u pëlqye menjëherë nga pjestarët e çetës.. Në burgun e Vlorës kishte të dënuar dhe të arrestuar.  Ata duhet të fitonin lirinë. Sali Vranishti, Azem Sulo, Mehmet Beqo, Ymer Bega, Sulo Murati, Selam Abazi nga Tërbaçi, Tahir Miftari nga Kanina, Remzi Janji nga Kallarati, Goxho Aliu nga Brataj dhe Abedin Kanani nga Smokthina përbënin bërthamën e çetës dhe të aksionit. Duke ecur  nëpër ullishta, në mesnatën e 24 Gushtit 1912 grupi rrethon burgun. Sali Vranishti iu foli rojeve, të cilët nuk kishte dëshirë t’i vriste, duke iu thënë: ”Të dalë dikush jashtë! Unë i siguroj jetën. Jam Sali Vranishti me çetën”…! Përfundimisht ai iu kërkon të lirohen të burgosurit. Pas kundërshtimit nga ana e rojeve të burgut, kur u dëgjuan dhe zërat e të burgosurve, që thërritnin “Liri! Liri!”, Sali Vranishti shkreh i pari pushkën, pastaj dhe nëntë të tjera, por ai duke njohur artin e luftës dhe në këtë rast kumton me zë: ”Thirrni shokët, të vijnë të 100-tët shpejt, ju të tjerët hidhni shkallët!…” Pas pak , përgjegjësi i rojeve hapi derën dhe foli: ”Urdhroi kapedan, nxirri të burgosurit!” Pasi luftëtarët i çarmatosën rojet dhe i lidhën, njëri prej tyre hapi dyert e burgut. Aksioni rezultoi i suksesshëm. Ngjarja mori përmasa kombëtare. Njoftimet për të kapërcyen vendin në perandori dhe vendet e tjera të Evropës, ndërsa populli i përjetësoi në këngë.  “Hapsanat kush i hapi: /Kapedan Sali Murati”. Rrugëve të Vlorës, tellalli njoftoi popullin. Pas këtij aksioni të bujshëm, forca ushtarake vihen në ndjekje të çetës së Sali Vranishtit. “E rrethojnë në Qishbardhë,/ Por s’i qaseshin dot pranë”.

Vjeshta e dytë e vitit 1912 e gjeti Sali Vranishtin në pellgun e Delvinës, ku duhej të luftonte kundër  shovinistëve grekë si Thimjo Lolit dhe Jani Putecit. Agjenturat vorio-epiriote po eliminonin me mjete dhe forma të ndryshme patriotët dhe udhëheqësit e klubit të Janinës, siç qe Kadri Gjata. Lufta e qarqeve shoviniste greke kishte bërë një dëm të madh në rrethet atdhetare patriotike të Jugut, qoftë përmes vrasjeve në pritë, por dhe vrasjet pas shpine. Këto ngjarje shqetësuan personalitetet shqiptare të kohës. Çeta e Sali Vranishtit bëri një rrugëtim të gjatë:  Kallarat, Kuç, Qafë e Dërrasës, Fterrë, Qafa e Rrëmullës, Tatzat, Kalasë, Vergo, Kopaçes dhe kodrat mbi Delvinë, ku prisnin dhe luftëtarë të tjerë. Kjo është një ngjarje nga më të rëndësishmet e kohës. Thimjo Loli ishte një agjent në shërbim të shovinizmit grek, i cili qe bashkuar me bandat e Jani Putecit dhe Grigor Farmaqit, rreth të cilëve ishin afruar 200-300 evzonë. Bandat e tyre grabisnin, krijonin armiqësi, terrorizonin, kërcënonin dhe kërkonin të aneksonin Delvinën si territor grek. Çeta e Sali Vranishtit e përgatiti betejën në varësi me kushtet. Sali Vranishti zuri një nga pozicionet më të ngritura të terrenit, ngaqë mendonte se aty ishte strehuar Thimjo Loli, i cili përpiqej të mashtronte luftëtarët e tij. Dhe pse Loli mendohej si i zgjuar dhe dinak, me Sali Vranishtin nuk i funksionoi aspak logjika. Çeta e Vranishtit kishte emër dhe njihej në të gjithë Jugun. Pasi iu bë thirrje që të gënjyerit nga radhët e Lolit, Putecit dhe Farmaqit të largoheshin, se nuk do t’i vriste askush, beteja filloi. Thimio Lolit iu kërkua burrërisht nga Sali Vranishti të dilte në dyluftim me të. “Dil pusht të shohim sho-shoqnë,/ Se trimat fshehur s’luftojnë”.  Thimjua plagoset dhe banda e tij  tenton të çajë rrethimin, duke marrë drejtimin e kodrave të Çukës, por trimat e Sali Vranishtit e ndjekin nga pas dhe në katundin Çukë e rrethojnë dhe e shpartallojnë keqas. Krahas shumë shovinistëve, vriten edhe  Jani Puteci me Grigor Farmaqin.  Ngjarja u bë e njohur në të gjithë vendin. Për të shkruajtën gazetat e kohës, që nga “Drita” (Manastir), “Atdheu” (Konstancë, Rumani), pa harruar përjetësimin në këngën popullore të Jugut.

Ishte ky kontribut  i pandërprerë dhe kjo famë  e gjerë e Sali Vranishtit si patriot  vendosur,  që  me shpalljen e Pavarësisë, kryeministri Ismail Qemali t’i besonte këtij kapedani drejtimin e Sigurisë Publike. Plaku i Vlorës në këtë vendimarrje krahas trimërisë së Sali Muratit, çmonte dhe besnikërinë e tij.  Dhe nuk gaboi!

Një aktivitet të rëndësishëm luftarak Sali Vranishti bëri në luftën kundër forcave të shovinizmit vorio-epiriot,  të cilat pretendonin për territore greke dhe inspironin një luftë fetare në jugun e vendit. Kjo situatë e rëndë tashmë po shqetësonte qeverinë e Ismail Qemalit, i cili në dhjetor të vitit 1912 thirri Sali Vranishtin për të shkuar në frontin e Lumit të Vlorës, pasi forcat greke të kryesuara nga Spiro Milo kishin kaluar Himarën. Gjatë kësaj kohe, Sali Vranishti ishte në luftimet e Gurrës, në malin e Bogonicës, ku deklaronte:”Do ta bëjmë që Spiro Miloja të mbajë vrapin në Strakëna”! Dhe pse luftimet në Gurrë ishin të vështira, forcat shoviniste- kundërshtare nuk arritën ta kalonin dot atë.

Viti 1913 ishte një vit i tmerrëshëm. Shovinistët grekë ushtronin terror në Jug.  Sali Vranishti përgjatë viteve 1913-1914 mori pjesë në të gjithë luftimet e kohës në Kurvelesh, Himarë, Borsh, Tatzat, Qafën e Skërficës etj vende, krahas forcave të komanduara nga  Çerçiz Topulli. Kronikat e këtyre luftërave kishin shkuar në të gjithë kancelaritë e Evropës. Kënga rregjistron: “Kalanë e Borshit e zure,/ Kapedan more Sali,/ Dhe nga vendi nuk u tunde,/ Kapedan more Sali”.

Pjesën më të madhe të jetës Sali Vranishti e kaloi në luftëra të ashpra dhe në beteja, ku shquan karakteri atdhetar patriotik lokal dhe kombëtar. Ngjarjet e rëndësishme të kohës ai i priti në frontet e luftërave me armiqtë e vendit të tij. Pas shpalljes së Pavarësisë dhe vitet më pas, ku ra në sy lufta për të vazhduar copëtimin dhe aneksimin e tokave shqiptare në Jug dhe në Veri, Sali Vranishtit iu desh të qëndronte në gatishmëri bashkë me forcat që komandonte. Mitingu i Vlorës i 28 nëntorit 1919 dhe ngjarjet e Konferencës së Paqes në Paris shpjegonin se vendit i duhej të mbrohej me luftë. Kështu Sali Vranishti në vitin 1918 e riorganizoi çetën e tij, e cila pati një gjerësim dhe në Lumin e Vlorës, Kurvelesh apo Tepelenë, pasi ajo gëzonte një emër të madh në historinë e luftërave në Jug. Sali Vranishti mori kontakte të shumta gjatë kësaj kohe në pjesën më të madhe të trevës së Vlorës.
Pas Kongresit të Lushnjës pati një dimension tjetër të këtyre lëvizjeve. Sali Vranishti merr pjesë në luftime të ndryshme deri në Mezhgoran, ndërsa mban  kontaktet me parinë patriotike  të Vlorës.  Sali Vranishtit është pjesëmarrës në Kuvendin e  Barçallasë, ku u mor vendimi historik për Luftën e Vlorës.

Aksioni i parë i çetës së Vranishtit në këtë rast ishte ajo e sulmit mbi postëkomandën në Vranisht, dhe pas takimit në pllajat e Beunit me Osman Haxhiun (kryetar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”) asaj i caktohet fronti i Drashovicës, një betejë e fituar nga luftëtarët. Siç dhe dihet, forcat italiane pas dy orë qëndrese u dorëzuan. Shtypi i kohës ka të dhëna të shumta për një luftë të tillë ndër më të rëndësishmet e asaj periudhe. Pas luftës së Drashovicës, çeta e Sali Vranishtit u vendos në malin e Shashicës.  Këtu qëndroi dy-tre ditë. Një betejë tejet e rëndësishme ishte marrja e kalasë së Kaninës. Kjo ishte një sprovë e re për të si luftëtar i sprovuar. Më 10 qershor, në ora 23.00 filloi sulmi. Ishte një sulm i befasishëm dhe i mirëorganizuar, ku Sali Vranishti luajti një rol të madh. Pavarësisht armëve të shkrehura, ku kalaja ngjante me një vullkan, disfata qe e shpejtë mbi forcat italiane, ndërsa çeta e Sali Vranishtit u tërhoq nga fronti vetëm me urdhër të Komisionit Ushtarak.

Një betejë tjetër ishte dhe ajo e luftimeve në Vreshtat e Mëdha, ku Sali Vranishti drejtonte tashmë në një front të madh luftarak, krahas çetës së tij dhe ata të luftëtarëve të zonës së Rrëzës. Ky ishte sulmi i tretë.  Në ballë të tij qëndronte Sali Vranishti, ku edhe u plagos. Dhe pse i plagosur jo pak (“Me bombë në mes e godinë,/Tha: në tel çorra kërcinë”),  ai kërkonte të qëndronte në front, por e detyruan ta dërgojnë në spitalin e Kotës, ku gjithë kohës qëndroi me shqetësimin e luftës, bashkë me të plagosurit e tjerë. Lufta e Vlorës u fitua nga luftëtarët, por Sali Vranishti thoshte se “akoma nuk ka mbaruar lufta, koha do t’i kërkojë përsëri energjitë tona”.

Sali Vranishti mori përmasat e një luftëtari të shquar popullor. Është i njohur si kapedan, çka tregon një respekt të madh që ai kishte në popullin e Vlorës dhe të Jugut. Pavarësisht se më së shumti shkëlqeu si një luftëtar i sprovuar, i pagabueshëm, trim, largpamës, kurajoz, inteligjent, ai ishte dhe një njeri i sprovuar në situatat që kishte përjetuar, qofshin ato historike apo politike . Një luftëtar i tillë është i suksesshëm pasi i kupton dhe i njeh mirë dhe këto fusha. Lufta e Vlorës kishte krijuar një dimension jashtëzakonisht të vlerësueshëm për popullin e Vlorës, luftëtarët, parinë e vendit, njerëzit e dëgjuar, burrat e mençur, çetat luftarake etj. Sali Vranishti ishte në ballin e këtij nderimi.

Vitet 1920-1922 kanë zhvillimet e veta në Shqipëri. Luftërat, marrëdhëniet feudale, pushtuesit, taksat dhe detyrime të tjera kishin krijuar një gjendje të rëndë në ekonominë e krahinave të Vlorës dhe të Labërisë. Vranishtiotët njihen për një besë-dhënie të vitit 1921 për të mos dhënë taksa, të cilët qeverinë e kohës e quajtën antipopullore. Sali Vranishti ishte në qendër të kësaj besë-dhënie të vranishtiotëve duke i detyruar xhandarët të largohen nga Vranishti. Politikisht Sali Vranishti ishte kundër feudalizmit dhe kërkonte që ai të shembej, duke mbështetur rendin demokratik. Duke qenë një mbështetës i madh i Avni Rustemit, ai përkrahu shoqërinë “Atdheu” dhe organizatën “Bashkimi”. Sali Vranishti ra në sy për idetë e tij demokratike. Jo rastësisht në zgjedhjet për Ansamblenë Kushtetuese të vitit 1923 u propozua për deputet, por kanditatura e tij  u shmang nga klanet e atyre, që kishin alergji “Opingën”. Pavarësisht nga kjo, politikisht ai ishte mjaft i fuqishëm dhe me ndikim në  Lumin e Vlorës dhe akoma më gjerë..

Vrasja e Avni Rustemit e pikëlloi, por shtoi brenda tij urrejtjen për praktikën që regjimi i kohës ushtronte për të zhdukur kundërshtarët e vet. Vdekja e Avni Rustemit u kthye në revoltë  masive në Vlorë. Sali Vranishti, Bajram dhe Sali Hallkokondi, Daut Seferi dhe të tjerë vranishtjotë morën pjesë në varrimin e tij. Ai ishte një nga mbështetësit  kryesorë të Revolucionit Demokratik. U vu në krye të forcave kryengritëse. Ai ishte i gatshëm të përfshihej përsëri në luftë në emër të një rendi demokratik, prandaj e konsideroi veten ushtar të Revolucionit të Qershorit. Pas fitores së Revolucionit , ai qëndroi me forcat e tij në mbrojte të Qeverisë Demokratike.  Gjatë kësaj kohe Sali Vranishti pensionohet nga qeveria e Nolit, por ai i vuri përsëri gjoksin istikamit, ku nga Shkalla e Tujanit priti me armë në dorë në dhjetor të vitit 1924 forcat regresive që risollën Zogun në pushtet.  Revolucioni i Qershorit dështoi. Kundërshtarët e Zogut ikën jashtë vendit, ndërsa  Sali Vranishti gjykoi të kthehet ilegalisht në Vlorë. Shkon në Kallafet të Kaninës te bashkëluftëtari i tij Mersin Karafili dhe në pranverën e vitit 1925, i rënduar fizikisht dhe shpirtërisht, kthehet në Vranisht. Nga plagët  që kishte marrë në luftë dhe në kushtet e një mjerimi të thellë ekonomik e social, zë shtratin e nuk mundi të ngrihet më, duke mbyllur sytë në 24 janar 1926, në moshën 46 vjeçare, për të mbetur një burrë dhe kapedan i dëgjuar, një luftëtar i spikatur dhe një njeri me ndikim shoqëror e politik,  një nga figurat e  shquara patriotike të  Vlorës dhe mbarë vendit, një Hero i lavdishëm i Popullit shqiptar.

Gjithë veprimtaria  luftarake, bëmat, ngjarjet dhe jeta e tij është materializuar në  krijimtarinë popullore të Vranishtit, Vlorës dhe të Labërisë. Në këto krijime, kryesisht këngë të kënduara nga polifonia labe, spikat karakteri i një burri të shquar, një trimi, i cili gjithë jetën e tij e ka lidhur me Atdheun, me lirinë dhe luftën kundër pushtuesit dhe forcave të errëta të kohës.

Për Sali Vranishtin kanë derdhur muzën e tyre poetë, rapsodë dhe vjershëtorë, si Xhemil Veli Duka, Xhebro Gjika, Selim dhe Mato Hasani,  Meto Muharrem Alikaj, Haxhikë Beqaj,  Zonjë Jonuzaj, Shaban Seferi, Muhamet Tartari, Lefter Çipa, Mehmet Karabolli, Muço Canaj, Irfan Bregu, Duro Mustafai, Kastriot Mahilaj, Avni Varfi, Badhosh Gaçe, Lavdosh Duka, Mustafa Rumani (Çamëri), Ilir Balili, Shqiponja Pazaj etj, duke e bërë këtë kapedan të vërtetë një njeri jo vetëm të dimensionit historik, por edhe të dimensionit artistik.