SHBA – Pentagoni mbështet Poloninë pas incidentit me dronët rusë
Shefi i Pentagonit, Pete Hegseth riafirmoi mbështetjen e plotë aleate dhe miqësinë e Shteteve të Bashkuara për Poloninë në dritën e inkursionit të fundit me dronët rusë, theksoi ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz.
Rreth 20 dronë rusë shkelën hapësirën ajrore polake gjatë natës nga e marta në të mërkurë, duke nxitur një reagim të shpejtë nga mbrojtja polake dhe aleatët e NATO-s të stacionuar në vend.
”Të gjithë avionët ushtarakë pa pilot që përbënin kërcënim u rrëzuan”, sipas qeverisë polake.
Inkursioni përkoi me një tjetër sulm ajror masiv rus kundër Ukrainës.
Kosiniak-Kamysz dhe Hegseth diskutuan atë që Varshava e quajti një “provokim rus” gjatë një bisede telefonike.
”Hegseth më siguroi se Polonia mund të mbështetet në miqësinë dhe mbështetjen e plotë aleate të Shteteve të Bashkuara”, shkroi ministri polak në X./atsh