Irena Dragoti: Epopeja e sekserëve në kënetën letrare dhe moçali i elozheve
Maratona e elozheve dhe elozhistëve, por jo ajo e emerodromit Filipid i cili pas betejës se maratonës mes grekëve e persianëve në vitin 490 p.e.s u ngarkua të çojë lajmin e fitores në Athinë, thotë Plutarku, në librin e tij “Lavdia e Athinës” duke përshkruar mijëra kilometra me këmbë e duke dhënë shpirt më pas, as ajo e Pier dë Kubertin që e futi si disiplinë sportive për herë të parë në kalendarin e olimpiadës së parë moderne në vitin 1896 si një vrapim prej 42 195 km… është një angazhim mendor herë-herë ekstrem, saqë mund të afrojë një gisht larg delirit e ngazëllimit shumë pseudoletrarë që gulçojnë të ndërkryer për finishin e madhështisë…
Maratona eshtë nje disiplinë olimpike ku mund të vërshojnë njerëz të rritur edhe pa qenë të çertifikuar si sportist mirëfillazi ndërkohë që përfundimi apo fitorja e saj kërkojnë parametrat e një supersportisti. Njëjtë dhe maratona e dashamirësve letrare ku kanë vërshuar pjesëmarrës pa kufi, por që në ndryshim nga maratona sport duhet të pranojnë se jo të gjithë e kuptojnë atë, se jo të gjithë kanë një bagazh letrar të krijuar vullnetarisht nga pasioni për të dhënë opinione reale, vlerësime mendime e madje kritika dhe akuza ndaj letërsishkruesve të cilët dhe pse kohë inflacioni letrar ku shumica mbijetojnë falë elozhistëve që shpesh nuk e njohin atë nuk mendoj se joshen njëjtë… Elozhistët jo pak herë kthehen në sekserë mes stimulimit të injorancës letrare dhe imponimit të kësaj të fundit te mbështetësit e tyre. Këta sekserë, në dallim nga ata të jetës ekonomike, nuk paguhen me përqindje monetare, por me përqindje kohe, vëmendje dhe përdëllime emocionale apo dhe me takime të bujshme a thua kanë takuar Zotin, nga pseudokrijuesit aq sa fillojnë të besojnë se është vetëm fati i keq që i ka gjetur në kahun e gabuar të vlerave, aq sa nuk arrijnë të kuptojnë se shumë nga të lumturit pas murit letrar kërcejnë mbi një kazan zifti si propaganda e të “martuarve” me të pamartuarit. Këta sekserë shpesh i gjen në çdo zhanër letërsie, të çdo gjinie apo moshe, janë në zgjerim të numrit të VIP-ave letrarë në facebokun e tyre janë gjithëpërfshirës me imponim në postime, janë të pranishëm në kritikat e debatet mbi letërsinë pa lënë pas dore sportin, politikën, ekonominë, madje here-herë bëjnë dhe rolin e revistave letrare duke shpërndarë krijime në faqen e tyre. Kjo lloj kontrate e pashkruar nuk mund të përfshijë kurrë një krijues të vërtetë. Euforia e letrarëve moçaliste i ka dhënë furi sekserëve të klasifikojnë në të vlerë, e pavlerë krijuesit… Nuk iu mjafton veç leximi, pëlqimi a mospëlqimi i krijimit, nuk iu mjafton që askush nuk iu jep mend në profesionet e tyre si ndërtues, infermierë, tregtarë, marinarë, avokatë a kuzhinjerë, nuk iu mjafton hapësira që ju jep si lexues, por duan pafund atë çka u ka munguar gjithë jetën: vëmendja, vlerësimi i vetes. Sekserët të ngecur kryesisht në moçalet letrare japin dhe verdiktin “o me ata ose kundër…” e kundër tyre e di koston. Kalojnë orë të tëra “furrnaltave” të mesengerit ku shkrijnë flori e pjekin tulla. Ata ia dinë mirë fuqinë e ligësisë që prodhon injoranca e bashkuar sepse nuk janë kurrë vetëm. Në absurdin moçalor letrar ka në çdo kohë bretkosa e krimba që ngrejnë furtuna mjerane për pak like. Aq epidemike është bërë aleanca e sekserëve me moçalin letrar sa duket sikur vlera e vërtetë letrare është dorëzuar e distancuar nga përballja. Euforia moçaliste e pseudoletrarëve në ngjizje (kimi) të plotë me euforinë prej naivësh apo vetpëlqimin e sekserëve sundojnë rrjetet sociale duke i dekretuar në një farë mënyre veprimet e tyre në të ligjshme…
Të ofrojnë si vlerë mes ndjekësve të shumtë që bëjnë pa kritet diçka që ju do pyesni kush është dëmi?! Çfarë të keqe sjell kjo lloj aleancë?!
Po e drejtë asgjë tjetër veç zgjerimit të moçalit letrar, ekzaltimit të sekserëve në limitet e shpatënxjerrjes si Skëndërbeu për të vrarë këdo që i cënon idhujt e tij dhe iluzionin se janë të pagabueshëm…
Unë, ti e kushdo në rrjete sociale, zgjedhim të bëjmë mik “sojin” tonë. zgjedhim të lexojmë pasqyrën e formimit tonë tek mIku a mikja jonë, por ne nuk zgjedhim dot të mbajmë larg të keqen që prodhon aleanca e defiçensave që është – “Unifikimi i pavlerës”- si etalon letrar, imponimin e teorisë se vlera e poezisë është numerike dhe maratonë.
Nëse ti si sekser e bën nga padija do të mëshiroj, por nëse e bën me ndërgjegje atëherë do mëshiroja ata që të ndjekin…
Sekserët duke qenë si ajo puna e erës në det që i japin krah dhe anijes, por edhe dallgëve njëherazi vazhdojnë maratonën e tyre me pathosin e një njeriu që digjet për fatin e letërsisë duke na siguruar see ardhmja e saj do jetë një fytyrë e djersitur rrëzuar në pluhur duke thënë: “Trojanët nuk vijnë dot të na shpëtojnë, se kanë një festë fetare që nuk i lejon të marrin pjesë në luftë”!
Po tani? Si do ta shpëtojmë Athinën letrare nga “persianët” e moçalit letrar dhe frustimi i “persianëve” sekserë?
Ndoshta duke brohoritur njëzëri si dikur…