Albspirit

Media/News/Publishing

Artan Xh. Duka: Përtej farsës për reformimin e Kuvendit

Koshere bletësh apo fole grenxash!

Ideja e Ramës se Kuvendi duhet të tkurret në 101 përfaqësues vlen vetëm nëse rishikohet e ndryshon rrënjësisht ligji zgjedhor. Se sa numri i përfaqësuesve në Kuvend, ka rëndësi mënyra sesi hyjnë atje ata sepse me listat e ligjit zgjedhor të vitit 2008, “përfaqësuesi” i popullit mbetet vetëm dekor. Vota e qytetarit ka humbur peshë dhe besnikëria e përfaqësuesve në Kuvend është eskluzive ndaj kryetarit të partisë që harton listat e emëron “fatlumët” çdo katër vjet dhe kjo domosdo paragjykon çdo karton të ngritur e ligj që pason.  

Kuvendi është tempulli, mishëruesi e trumbetuesi i parë i demokracisë ndaj dhe kur ai degradon sikurse ka degraduar në “fole grenxash” për hir të interesave të kujtdo përveçse atij të qytetarit, atëhere ai i pari nëpërkëmb e fashit besimin qytetar tek sistemi dhe e ardhmja në vënd me rrjedhojë topitjen qytetare, emigrimin masiv etj. 

Ndryshe nga sistemi dikur mazhoritar kur qytetari, mirë a keq, diktonte me votë kush dilte e kush hynte në Kuvend dhe nuk kishte kë të fajësonte tjetër veç vetes sa herë zhgënjehej me përfaqësuesin e tij, sot Kuvendi i ka dalë nga duart atij. Indiferentizmi, mosbesimi e cinizmi qytetar ndaj politikës kanë shkuar në pikë kritike ndaj që të rikthehet besimi e angazhimi qytetar ndaj politikës, ligjit, sistemit e demokracisë në tërësi, është e domosdoshme “rilindja” (term që Rama e pëlqen) e votës e peshës së saj përmes rikthimit të sistemit zgjedhor mazhoritar.   

Mëlçitë në qafë!

Politika është në konflikt direkt interesi me ligjin zgjedhor aq më tepër tek ne nisur nga interesat e përfitimet që ajo gëzon falë pushtetit dhe që garantohen në vijimësi po prej tij. Afërmënd nuk pritet që ajo t’ia bëjë vetes e ndërmarrë një reformë zgjedhore që rikthen peshën e votës si dikur para vitit 2008 e mjerisht këtu edhe partitë që shiten si e reja në politikë po zhgënjejnë. Ndaj edhe “vulosja” e sistemit zgjedhor nuk duhet të jetë atribut i politikës por i votuesit dhe kjo e bën të domosdoshme miratimin e tij në referendum kombëtar.  

Përvoja jonë tregon se i vetmi sistem që respekton votën qytetare e mbjell besim në demokraci është ai mazhoritar. Çdo sajesë tjetër, nga “arnimet” e ligjit të tanishëm zgjedhor, hapja e “lojës” ndaj diasporës, idea për uljen e numrit të përfaqësuesve në Kuvend etj, nuk është veçse humbje kohe e vyer qytetare, iluzione e shpresa të kota të rradhës etj në funksion vetëm të vijimësisë së politikës që i bën karshillëk interesit qytetar.  

Mazhoritari është i vetmi sistem zgjedhor që nxit përkushtim të përfaqësuesit ndaj atyre që e zgjedhin atë. Qytetari ka në dorë të ndëshkojë, provojë apo konfirmojë me votë çdo katër vjet ndaj dhe në Kuvënd, se sa fjala e interesi i kryetarit të partisë, peshon më shumë fjala e interesi qytetar. 

Boll të jetë mazhoritar

Mazhoritari mund të jetë i mirëfilltë apo i kombinuar me proporcional kombëtar si dikur për të cilin mund të aplikohet prag i ulët apo i lartë, mund të jetë me një apo dy raunde për të garantuar më tej përfaqësueshmëri e shmangur dilema votuesish e të tjera veçanti që koha i shterron. Cilado qoftë forma e tij, mazhoritari, ndryshe nga ligji ekzistues “spanjoll”, gjithnjë siguron garë të hapur e të barabartë mes palëve përfshi edhe të pavarurit e mënjanuar deri më sot, me qytetarin gjykatës absolut. 

Që reforma të rikthejë besimin e shpresën tek vota e politika duhet që të rishikojë edhe financimin e partive e rregullat e tjera të garës zgjedhore në vënd. Qytetari nuk ka përse të paguajë fushatat zgjedhore. Ato duhet të jenë modeste e spontane dhe shpenzimet duhet të përballohen jo nga buxheti i shtetit apo sponzorizimet private me “bishta” pas por nga vetë partitë bazuar tek kuotat e anëtarësimit. Edhe media me ligj duhet të respektojë barazinë mes palëve për të mos favorizuar në kohë e interpretim askënd. 

Profesion apo mision!

Qytetari duhet ta ndjejë që ia vlen të votosh për futur gjërat në rrugën e zgjidhjes. Vështirësi e probleme ka e do të ketë gjithnjë por ato mirëkuptohen nga qytetari kur sheh se politika nuk jeton në tjetër “planet”. Adresa e banimit të përfaqësuesit duhet të jetë zona ku votohet e ai duhet të përballet përditë me të njëjtin realitet dhe problematikat e atjeshme sepse vetëm të qënurit në të njëjtën “varkë” e bën të besueshëm si zëdhënës në Kuvend.

Rrogat, bonuset, strehimi, privilegjet etj e tepruara si deri më sot nuk ngjallin besim tek qytetari për zellin e përfaqësuesit për të folur në emër të tij në Kuvënd. Varfëria është ulur këmbëkryq në vënd dhe sjellja e politikës ndaj shtresave në nevojë, pensionistëve etj nuk dëshmon përkushtim qytetar. 

Politika nuk duhet të jetë profesion por mision ku futesh për të dhënë e jo për të marrë, ku angazhohesh jo për bollëk por për emër e nam të mirë ndaj dhe që politika të ngjallë besim duhet të dëshmojë më shumë modesti duke filluar nga heqja dorë me ligj prej privilegjeve absurde që krijojnë distancë me qytetarin e i bëjnë karshillëk varfërisë në vend, kufizimi i numrit të mandateve etj.    

Punë numrash apo lloji!

Grotesku e degradimi i Kuvendit nuk është punë numrash por punë “lloji” atje që gjen shesh e bën përshesh duke e trajtuar vëndin si trofe. Alibia e shumicave për kurs pseudo-reformash (si nga mungesa e tejdukshmërisë ashtu edhe ndërlikimet social-ekonomike më pas) është në fakt një arsye më tej për ndërprerjen e “vijimësisë”. 

Kuvendi është shtëpia e qytetarit dhe jo godina e “teatrit” apo “muzeu” i politikës së tranzicionit dhe e vetmja rrugë që “qeraxhinjtë” atje të mos bëjnë pronarin, është rikthimi i mazhoritarit votë-për-kokë. 

Mbase mazhoritari është gogol për politikën por sepse është i tillë për të është gjë e mirë për qytetarin e demokracinë. Pyesni edhe “Diellën” se në xhep e keni edhe atë. Ndryshe, gjithshka është retorikë shpërqëndruese dhe kjo e 101 karrikeve në Kuvend, nuk bën përjashtim.