Albspirit

Media/News/Publishing

REL: Pse dronët rusë përbëjnë rrezik pë Evropën?

Hyrja e dronëve të Rusisë në hapësirën ajrore të Polonisë më 10 shtator nuk shkaktoi shumë dëme materiale në tokë, por e zbuloi një vrimë të madhe në forcat e mbrojtjes së Evropës: aleatët nuk kanë kundërmasa me kosto efektive për t’u përballur me sulmet e përballueshme të Rusisë.

Hiç më pak se 19 dronë fluturuan në hapësirën ajrore të Polonisë – pra edhe në atë të NATO-s. Besohet se katër prej tyre u rrëzuan.

Shpjegimi i disa zyrtarëve evropianë, të cilët folën për Radion Evropa e Lirë (REL) në kushte anonimiteti, është se prioritet ishte rrëzimi i atyre dronëve që dukeshin se po lëviznin drejt infrastrukturës së rëndësishme.

Duke pasur parasysh dëmtimet e kufizuara në pronë dhe asnjë viktimë të shkaktuar në tokë, një strategji e tillë dukej e arsyeshme. Por, shumë njerëz pyesin pse ishte e nevojshme të mbështeteshin mjete të shtrenjta si AWACS dhe avionë luftarakë si F-35, dhe jo një sistem shumë më i lirë antidronë, si Sky CTRL, që e përdor Polonia.

Përgjigja mund të jetë, natyrisht, se forcat ajrore angazhohen automatikisht kur ndonjë mjet fluturon mbi një lartësi të caktuar. Në shumë vende kjo zakonisht nënkupton në lartësi mbi tri kilometra.

Kreu i NATO-s, Mark Rutte, tha se përgjigja e aleancës ishte “shumë e suksesshme” dhe “tregoi se jemi në gjendje ta mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s, përfshirë, natyrisht, hapësirën e saj ajrore”.

Megjithatë, incidenti ngre pyetje të pakëndshme, veçanërisht nëse Kremlini do të vazhdojë t’i testojë vendet e NATO-s në mënyrë të ngjashme në të ardhmen. Ai gjithashtu vë në sipërfaqe të meta në mënyrën se si aleanca është përgatitur, ose nuk është e përgatitur, për një epokë të re lufte ku dronët përdoren bujshëm.

Përgjigja e NATO-s ndaj inkursionit të dronëve duket e papërballueshme financiarisht dhe e pafrytshme ushtarakisht.

Siç edhe tha një zyrtar evropian, duke folur në kushte anonimiteti për REL: “Raketat ajër-ajër janë jashtëzakonisht të kushtueshme për t’u përdorur kundër dronëve të lirë rusë dhe, nëse dërgohen 800 përnjëherë, siç ndodh në Ukrainë, Evropa do ta shterojë të gjithë arsenalin e saj brenda vetëm disa javësh”.

Prandaj edhe Këshilli i Atlantikut të Veriut i NATO-s – i cili u mblodh ditën pas incidentit në Poloni – kërkoi të rishikohet mbrojtje ajrore parandaluese e krahut lindor të aleancës ushtarake për të meta të mundshme.

Komandanti i NATO-s ka gjasa t’i gjejë disa nga ato të meta të dukshme. Vetëm këtë vit ka pasur incidente me të ashtuquajturat UAV (mjete ajrore pa pilot) ruse në Bullgari, Letoni, Lituani dhe Rumani.

Në gusht, një dron kaloi pa u vërejtur para se të shpërthente në tokën polake, sipas ushtrisë së vendit.

Fjalimi vjetor për gjendjen e Bashkimit Evropian i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, këtë javë e bëri të qartë se blloku duhet ta forcojë mbrojtjen e vet ndaj dronëve kur ajo u zotua për një hua prej 6 miliardë eurosh për t’u futur në një “aleancë dronësh” me Ukrainën.

Ajo gjithashtu përmendi një “Vëzhgim të Krahut Lindor” që tha se do të sigurojë “vëzhgim hapësinor në kohë reale” për të gjurmuar të gjithë lëvizjen ajrore nga Deti Baltik deri te Deti i Zi.

Von der Leyen gjithashtu u zotua për ndërtimin e një “muri dronësh”, diçka që vetë komisioni i saj fillimisht e kishte refuzuar për të financuar kur Estonia, Letonia dhe Lituania kërkuan para evropiane më herët këtë vit për një nismë të tillë.

Ka pak hollësi për të gjithë këtë tani për tani: asnjë shifër konkrete buxheti, asnjë kufi i saktë gjeografik, ose afat kohor përveç që pritet që Komisioni Evropian të prezantojë në tetor një hartë rrugore me projekte të reja të përbashkëta të mbrojtjes.

Por, fakti mbetet që muri i dronëve, vëzhgimi i krahut dhe prodhimi aktual i dronëve janë pjesë e të njëjtës pasqyrë, e cila po hartohet me ose pa financim të BE-së.

Mbrojtja ajrore nga Deti Baltik në Detin e Zi

Së pari, ka dy projekte të vazhdueshme dhe të ngjashme: “Linja e Mbrojtjes së Baltikut” e treshes baltike dhe “Përforcimi i Lindjes” i Polonisë.

Të dyja projektet, të shpallura vitin e kaluar, do të marrin kohë deri në një dekadë për t’u përfunduar dhe janë të dizajnuara për të “forcuar” kufijtë me Bjellorusinë dhe Rusinë, përfshirë enklavën e Kaliningradit, shkruan REL.