Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Kur historia gjykohet


Krijimi i Dhomave të Specializuara jashtë juridiksionit të Republikës së Kosovës përbën një ndërhyrje të thellë në sovranitetin juridik dhe kushtetues të shtetit.
I imponuar në rrethana presioni diplomatik dhe pa një proces të mirëfilltë demokratik, ky institucion ka prodhuar jo vetëm tension institucional, por edhe një krizë të besimit publik ndaj drejtësisë ndërkombëtare…
Në vend që të kontribuojë në forcimin e besimit ndërmjet komuniteteve dhe në konsolidimin e paqes, ai po funksionon si një platformë për delegjitimimin e luftës çlirimtare të Kosovës.
Liderët që sot po mbrohen në Hagë, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk janë figura të zakonshme politike, ata janë bartës të legjitimitetit historik të rezistencës shqiptare, të cilët jo vetëm udhëhoqën një popull drejt lirisë, por edhe ndërtuan themelet institucionale të shtetit të Kosovës.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ishte një konflikt i zakonshëm, por një përpjekje e organizuar për t’i dhënë fund një regjimi shtypës, e mbështetur nga aleanca më e fuqishme demokratike në botë.
Të gjykosh liderët e saj pa kontekstin e dhunës sistematike që e parapriu është të relativizosh agresionin dhe të deformosh narrativën historike…
Është e vërtetë që Hashim Thaçi, në cilësinë e Presidentit të Kosovës, ka mbështetur krijimin e Gjykatës Speciale në vitin 2015, por kjo mbështetje nuk ishte akt i vullnetit të lirë politik, por zgjedhje e detyruar nga rrethanat ndërkombëtare.
Thaçi vetë ka deklaruar se Kosova ishte përballë dy alternativave, ose ta themelonte vetë gjykatën, duke ruajtur një minimum sovraniteti, ose ta linte në dorë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku ndikimi i Rusisë dhe Kinës do të ishte i pashmangshëm. Zgjedhja për ta themeluar vetë ishte një përpjekje për të ruajtur kontrollin institucional dhe për të mbrojtur integritetin e shtetit.
Megjithëse u paraqit si një kompromis i domosdoshëm, praktika e Gjykatës ka ngritur pikëpyetje serioze mbi objektivitetin dhe koherencën me parimet e drejtësisë tranzicionale. Në vend që të trajtojë krimet në mënyrë gjithëpërfshirëse, ajo ka fokusuar veprimtarinë e saj pothuajse ekskluzivisht ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë në hije krimet e dokumentuara të forcave serbe. Kjo qasje selektive ka prodhuar zhgënjim publik dhe perceptimin se drejtësia po instrumentalizohet për qëllime politike.
Ata që sot po gjykohen nuk dolën në luftë për të ndërtuar karrierë, as për të siguruar privilegje personale, por i dolën përballë një makinerie shtypëse me vetëdijen se mund të humbnin gjithçka jetën, familjen, të ardhmen, por jo dinjitetin.
Lufta e tyre nuk ishte për pushtet, por për mbijetesë kolektive…
Dhe sot, kur këta burra po përballen me një proces gjyqësor që perceptohet si i njëanshëm dhe i ndikuar nga logjika politike, heshtja nuk është thjesht mungesë qëndrimi, por është dorëzim i ndërgjegjes kombëtare…
Të heshtësh përballë këtij deformimi është të pranosh që liria jonë ishte gabim, që sakrifica ishte e tepërt, dhe se ata që na udhëhoqën drejt shtetësisë duhet të turpërohen, jo të nderohen…
Gjykimi i Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit nuk është vetëm një çështje juridike, por është një përpjekje për të zhbërë narrativën e një lufte të drejtë,një përpjekje për ta kthyer rezistencën në faj, për ta barazuar viktimën me agresorin, për ta zbehur të vërtetën me dyshime të ndërtuara e te fabrikuara…
Kosova nuk u ndërtua mbi kompromis me padrejtësinë, por mbi qëndresë ndaj saj, dhe sot, ajo qëndresë duhet të vazhdojë me zë të lartë, me argument të fortë dhe me bindje të palëkundur se e vërteta nuk mund të gjykohet, sepse ajo është themeli mbi të cilin kemi ndërtuar lirinë tonë.
Mbrojtja e tyre është mbrojtje e vetë Kosovës dhe kush e kupton këtë, nuk mund të heshtë!