Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Dukuri të Artit Ushtarak të shfaqura nga çetat e Shullërit

Organizime ushtarake në bazë fshatrash e krahine

Në Luftën e Vlorës morën pjesë pothuajse të gjitha forcat e grupet shoqërore të popullsisë. Lufta mori karakterin e një lufte ballore, që dëshmonte për ndryshime në përmasat, në organizimin e veprimeve luftarake të saj. U krijua kështu një front i gjerë lufte kundër ushtrisë italiane, i cili përbënte tiparin kryesor.

Në udhëheqje të Luftës së Vlorës dolën përfaqësues të patriotizmit, njerëz fisnikë, të kamur në pasuri dhe në shpirtin atdhetar të qytetit dhe të fshatit. Kjo dukuri në udhëheqje, organizim, drejtim e plotësime të detyrave luftarake çlirimtare përbënte një tipar të ri që dëshmonte për ndryshimet cilësore të ndodhura në zhvillimin e luftës së armatosur. Për vet nismën, si dhe të shtrirjes në hapësirë të kufizuar gjeografike të saj, lufta pati në fillim karakter lokal, edhe pse drejtohej kundër një armiku të përbashkët për Shqipërinë, Italinë pushtuese. Gatishmëria e bashkëpunimi ndërmjet zonave të pushtuara të krahinës, gradualisht solidariteti ndërmjet popullsisë të gjithë treveve të ndryshme të vendit, tregonin se procesi i bashkimit të popullit shqiptar kishte hedhur rrënjë të qëndrueshme.

Ndryshime u vunë re dhe në aspektin organizativ të kësaj lufte. Dolën në skenë forma organizative demokratike. U organizuan kuvende, mbledhje, pleqësi dhe kuvendime për luftëtarët, disa nga të cilat, ndonëse kishin qenë dhe më parë, morën përmbajtje të re. Shpejt këto lëvizje e kapërcyen karakterin e ngushtë lokal dhe morën karakter përbashkues ndërkrahinor e deri kombëtar.

Në Luftën e Vlorës, prej Forcave të Shullërit u manifestua shpirti luftarak i luftëtarëve, por dhe i popullit, të cilët bënë të mundur fitoren. Zgjimi i masave të gjera të fshatit dhe të qytetit në vitet 1918-1920 ishte një nga dukuritë kryesore që i dhanë Luftës së Vlorës karakter luftarak dhe rritjen e frymës patriotike. Nga pikpamja e organizimit ushtarak, formacionet luftarake ishin bashkime fshatrash dhe krahinash me lidhje të përkohshme dhe me përbërje të thjeshtë. Një fshat ose lagje qyteti formonte një çetë prej disa dhjetra luftëtarësh deri në ndonjë rast edhe mbi njëqind. Në vartësi të numrit të shtëpive (familjeve), një krahinë formonte disa çeta dhe formonte një forcë të madhe me luftëtarë.

Lufta e Vlorës për vet kushtet në të cilat lindi e u zhvillua (pushtimi i një pjesë të territorit të gjithë vendit, lëvizje e nisur nga poshtë, nga baza dhe e mbështetur me tërheqjen vullnetare të luftëtarëve të tij) shënon një shkallë më të lartë të lëvizjeve çlirimtare kundër ushtrisë italiane si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga shtrirja e organizimi i saj. Ajo dallohet në radhë të parë për rolin aktiv të masave fshatare në mbushjen e radhëve të luftëtarëve, e sidomos në drejtim operativ e luftarak të saj. Kjo kryengritje nga vet objektivi e qëllimi final i luftës, luajti një rol të rëndësishëm për bashkimin e shqiptarëve si një tërësi etnike me interesa të përbashkëta, pavarësisht nga feja e krahina, sikurse ishte vendosur në kuvendin e Barçallasë. Ideja e bashkimit gjeti mbështetej të gjërë në dokumente, shtypin e kohës, si dhe në folklorin popullor që për shkak të vërtetësisë dhe frymës atdhetare mbijeton edhe pas 100 vitesh.

Lufta e Vlorës edhe pse me një brumë njerëzor, jo ushtarak, por vullnetarë (luftëtarë) dhe “rrebelë” popullor ka zënë një vend në studimin e Artit Ushtarak Shqiptar.

Dukuritë lidhen me njeri-tjetrin. Ato janë sa ushtarake aq dhe politike, të brendshme dhe ndërkombëtare. Fitoret e arritura në fazën e parë dhe të dytë i dhanë përparësi dhe vlera faktorit ushtarak, të cilat e detyruan faktorin politikë dhe qeveria italiane të pranonte nënshkrimin e protokollit, më 2 gusht 1920.

Tipare dallues masiviteti dhe vullnetarizmi

Më poshtë po japim disa nga tiparet që kjo luftë manifestoi gjatë gjithë organizimit dhe zhvillimit të saj, deri në fitore: Lëvizja patriotike e kohës e kuptoi shpejt ndërgjegjen e popullit dhe përcaktoi si të vetmin shpëtim, fuqitë e veta. Shoqëritë patriotike të ngritura në krahinë, të analizuara më parë, pati besim në mundësitë dhe forcat e tyre, duke u mbështetur në supet e bijëve të vet, u ngritën në luftë kundër një ushtrie të armatosur, siç ishte ushtria italiane. Në këtë luftë spikatën dhe u manifestua vullneti, qëndrueshmëria dhe rezistenca e një krahine të pushtuar.

Tipar tjetër dallues i Luftës së Vlorës përbënte masiviteti dhe vullnetarizmi. Numri i luftëtarëve që morën pjesë në luftë shkoi nga 4.000-6.000. Në krahasim me popullsinë përkatëse ky numër përbënte 9-10% të përgjithshëm të saj.

Parimi i pjesëmarrjes ose i mobilizimit për luftë ishte vullnetarizmi që mbështetej në zakonet dhe traditat popullore, sipas të cilëve “çdo derë” (shtëpi) nxirrte nga një luftëtar. Çdo njësi e banuar, fshat, lagje qyteti, krahinë etj., do të nxirrte çetën e grupit të vet me një numër përafërsisht të përcaktuar luftëtarësh. Zakoni po merrte formën e detyrimit të pakundërshtueshëm. Mobilizimi i forcave kryengritëse u bë mbi baza vullnetare. Në kushtet e frymës së lartë luftarake që karakterizonte popullsinë e krahinës së Smokthinës, si dhe të fshatrave Velçë dhe Vajzë, mbi baza vullentarizmi u zbatua parimi i hershëm i të drejtës zakonore “burrë për shtëpi”. Zbatimi i këtij parimi bëri të mundur që nga fshatrat e Smokthinës, Velçës dhe Vajzës, të rreshtoheshin në çetat vullnetare të fshatrave rreth 500 luftëtarë. Parimi “burrë për shtëpi”, ka qenë që herët parim tradicional i popullit shqiptar. Në përgjithësi, e sidomos nga krahinat e zonave malore, “rregulli” një për shtëpi tejkalohej. Komisioni Ushtarak i ngritur formoi pesë grupime forcash të mëdha. Secili grup kishte 500-600 luftëtarë.

Si rregull para nisjes së luftës mblidhej një kuvend krahinor ose ndërkrahinor i cili shpallte vendimet dhe përcaktonte qëllimin dhe etapat përkatëse të luftës, masat organizative, detyrat, numrin e forcave dhe detyrimin për çdo fshat e krahinë, zgjidhte prijësat apo drejtuesit e luftës. E veçantë është së në çetat e krahinave, përveç komandantit, u zgjodh dhe një sekrtear, duke përtrirë traditat e çetave patriotike në fillim të shek. XX, siç ishte dhe çeta e Çerçiz Topullit, me sekretar Mihal Grameno. Drejtuesit e luftës të zgjedhur nga populli e luftëtarët në kuvende e fillonin punën me mobilizimin e të gjithë forcave ndërkrahinore të afta për luftë në arritjen e objektivit strategjike, çlirimin e Vlorës. Ky qëllim kërkonte që përgatitjet për luftën e armatosur të Vlorës të shtrihen dhe në krahina të tjera të pushtuara nga ushtria italiane, si dhe në gjithë vendin.

Përgatitja dhe pjesëmarrja në Luftën e Vlorës, i dha karakter të organizuar jo vetëm lokal, por dhe në shkallë kombëtare. Kështu, u zgjidh problem i rezervave strategjike. Ky problem vendimtar në ecurinë e veprimeve luftarake zbuti dhe raportin e forcave midis luftëtarëve dhe pushtuesit.

Strategjia ushtarake e kësaj lufte e mbështeti dhe e përshtati organizimin ushtarak në traditën popullore luftarake të trashëguar duke i dhënë përmbajtje bashkëkohore krijimit të çetave të fshatrave dhe të krahinave, si dhe të Komiteteve të “Mbrojtjes Kombëtare”. Këto dukuri të thjeshta, mbështetur në frymën atdhetare të popullit ju përgjigjën forcave, mjeteve e mundësive në plotësimin e detyrave të rëndësishme luftarake. Ato siguruan shpejtësi në mobilizimin, lehtësi në veprimet taktike dhe mundësi për të përdorur metoda të luftës tradicionale dhe të luftës me front të rregullt, që kushtëzonte karakteri deri i fortifikuar i garnizoneve armike, por në largësi nga njeri-tjetri.

Shpejtësia me të cilën luftëtarët grumbulloheshin dhe hidheshin në luftë ishte tepër e madhe, ishte një tipar karakteristik në këtë luftë. Pas lajmërimit ose thirrjes, kryengritësit brenda 1-2 ditësh grumbulloheshin në vendet e caktuara. Kështu organizimi e regjistrimi i çetave u bë më 29 maj, mbasi rigrupimi i tyre në vendet e caktuara sipas detyrave luftarake e pranë objekteve të sulmit u bë brenda 3-4 ditësh, më 2 qershor. Shpejtësia në veprimet luftarake dhe aktiviteti i forcave kryengritëse, si dhe pasiviteti në tërësi i mbrojtjes italiane, u bënë faktorë të rëndësishëm për arritjen e suksesit në luftim në të dy fazat e zhvillimit të luftës.

Faktori moral, si faktori tradicional i popullit shqiptar në të shkuarën, u shpreh në një shkallë më të lartë dhe u materializua në gatishmërinë e popullit kryengritës, në forcën shpirtërore për të duruar të gjitha privacionet e luftës, në vendosmërinë për të luftuar me një armik mjaft të madh në forca e mjete e në heroizmin masiv u bë faktori themelor i fitores. Epërsia e faktorit moral të forcave kryengritëse ndikoi edhe në thellimin e mëtejshëm të krizës morale të forcave pushtuese. Ky faktor i rëndësishëm kompesoi në një shkallë të caktuar edhe inferioritetin në forca e mjete të forcave kryengritëse dhe u siguroi atyre fitoren në fushën e luftës së armatosur. Lufta e Vlorës dëshmoi edhe një herë vlerën morale se luftën nuk e fitojnë ata që kanë shumë armë, topa dhe vegla të luftës, por e fitojnë ata që kanë vendosur të vdesin për Atdhe.

Përqëndrimi i forcave dhe mjeteve kryesore

Në drejtimet kryesore përqëndrimi i forcave dhe mjeteve kryesore mbeti një tipar karakteristik, në kushtet konkrete duke ju përgjigjur forcave dhe mjeteve të armikut, me mundësit dhe aftësitë e tyre në shfrytëzimin e terrenit në përballimin dhe mposhtjen e kundërshtarit. Ndaj strategjia ushtarake duke vlerësuar drejt armikun dhe forcat e tij, i përqëndroi forcat kryesore të saj në zonën e Vlorës. Forcat fillimisht u përdorën kundër garnizoneve të fortifikuara e të përforcuara si në Llogara, në Lumin e Vlorës, në Himarë e në Tepelenë. Plotësimi me sukses i kësaj detyre fillestare krijoi kushte për mësymjen vendimtare mbi garnizonin ushtarak të Kaninës dhe të Vlorës si qëllim përfundimtar. Kështu krahët dhe shpina e forcave kryengritëse gjatë mësymjes së përgjithshme ishin të siguruar nga goditjet e armikut. Ndaj dhe objektivat ushtarake në Luftën e Vlorës patën karakter të theksuar mësymës, në planëzimin dhe zhvillimin e veprime mësymëse në shkallë të gjërë kundër garnizoneve të armikut.

Forcat kryengritëse përcaktuan drejtimin e goditjes kryesore, përqëndruan forcat e mjetet e shumta në këto drejtime dhe në pika të caktuara, dhe pse ishin inferiore në raportin e forcave, arritën të krijojnë epërsie ose të zbusin raportin e forcave. Dhënia e goditjes kryesore kundër garnizoneve të qendrës në fazën e parë, mbështetur në një vlerësim tepër objektiv të sistemit të mbrojtjes të armikut, çoi në shpartallimin e plotë të mbrojtjes së tij, izoloi tërësisht garnizonet periferike duke ju dobësuar aftësitë luftarake të tyre deri në atë masë sa disa prej tyre të bien fare pa rezistencë, si ai në Matohasanaj, garnizoni i Himarës, i cili pa u goditur fare nga forcat u detyrua të tërhiqet me rrugë detare për në Vlorë.

Dinamika e veprimeve luftarake u planëzua dhe u zhvillua në dy faza duke përcaktuar dhe metodat e luftës për secilën fazë: në fazën e nismës dhe në fazën e luftimeve të karakterit mbrojtës dhe për të kaluar në kundërmësymje. Në fazën e nismës, përparësi morën krahas rigrupimit fillestar të forcave e mjeteve, dërgimi i ultimatumeve dhe të letrave komandës ushtarake italiane për të dorëzuar Vlorën dhe garnizonet pa luftë. Nga që këreksa për dorëzim nuk u muar parasysh, sipas detyrave të paracaktuara çetat mësynin forcat ushtarake italiane në garnizone ushtarake të shkëputura.

Mësymja në përgjithësi filloi nga rajonet malore dhe u drejtua mbi garnizone dhe qendra të vogla, sipas vendimit të kuvendit, çetat dhe Forcat e Shullërit u nisën në drejtimin e objektivit të mësymjes sikurse ishin garnizoni i Kotës. Luftëtarët ju afruan objektit në kolona marshimi dhe 3-4 km pranë objektit të sulmit, ndalonin në vende të maskuara. Këtu pas njohjes me terrenin dhe objektivat, përcaktuan detyrën luftarake për luftim dhe kohën kalimit në sulm me sinjale. Sulmet zakonisht ishin rrethore dhe të vrullshme mbi garnizonin. Brenda ditës u pushtua garnizoni i fortifikuara i Kotës, por dhe garnizonte të tjera dhe kështu u mbyll unaza e rrethimit të qytetit të Vlorës, të Kaninës dhe të Tepelenës.

Mbrojtja zakonisht fillonte kur luftëtarët kishin kapur pozicione të rëndësisë taktike dhe deri operative dhe ishin afër rajoneve të fortifikuara. Mbrojtja e luftëtarëve u karakterizua gjithmonë nga manovra e shpejtë dhe krahëmarrëse. Pikënisja e luftimeve ishte ndeshja në një vijë dhe pozicion të caktuar terreni, ku luftëtarët organizuan mbrojtje, prita dhe kurthe.

Gjatë fazës së parë Forcat e Shullërit kaluan në mësymje dhe duke realizuar objektivat operativë me metodat taktike, me goditje të njëpasnjëshme, e nga disa drejtime duke shfrytëzuar sistemin e mbrojtjes armike të përbërë nga garnizone të veçuara, me largësi ndërmjet tyre, si dhe përfituar nga karakteri i thyer i terrenit.

Ndërsa gjatë fazës së Dytë, në rezultat të pushtimit a dorëzimit të garnizoneve ushtarake fortifikuese kur armiku u përqëndrua në Vlorë e në periferi të qytetit, Forcat e Shullërit duke e njohur armikun, në forca e mjete dhe në mbrojtjen e fortifikuar, u përqëndruan në mënyrat e sulmit mbi objektet e fortifikuara. Objektivat u arritën duke gërshetuar drejt sulmet e vazhdueshme me karakter shqetësues, raskapitës e demostrativ, me veprime mësymëse të të gjitha çetave në kushtet e luftës frontale për shpërthimin e rajoneve të fortifikuar. Në këtë mënyrë u shmang luftimi pozicional, u përdorën metoda aktive, dinamike që ndikuan në kompesimin në forca e mjete të luftëtarëve, i dhanë luftës karakter vendimtar duke çuar në shpartallimin e armikut superior dhe çlirimin e Vlorës.

Tipare të artit taktik

Realizimi i disa masave të maskimit, si një nga tiparet e artit taktik, bëri që përgatitja e çetave në fshehtësi dhe shpejtësi, të ishte parësore në drejtim. Risi e re ishte kalimi i pengesave me tela duke hedhur përmbi mbi to guna, sharqe dhe lesa të përgatitura që më parë. Këto masa nga njëra anë, si dhe qëndrimi mospërfillës e aventuresk i gjeneralëve italianë ndaj forcave kryengritëse, e vunë komandën italiane përballë të papriturave duke u bërë faktor i rëndësishëm për suksesin.

Çështja e furnizimit me ushqime e materiale të tjera luftarake ishte një ndër problemet e ndërlikuara që u zgjidhën në luftë e sipër. Duke vlerësuar kushtet e vështira të furnizimit, u përcaktua si e vetmen zgjidhje, mbështetja në forcat e çdo fshtai për çetën e vet. Burim kryesor i furnizimit u bënë fshatrat e Vlorës dhe e qarqeve të afërta si Berati, Mallakastra, Gjirokastra, Tepelena, Kurveleshi, etj. Masa e gjërë e fshatarësisë, megjithëse mjaft e varfër vunë në dispozicion të forcave kryengritëse të gjitha sendet e nevojshme ushqimore, blegtorale e bujqësore e siguruan ndihma të konsiderueshme dhe për mjaft materiale të tjera. Burim shumë i rëndësishëm për furnizimi u bë dhe armiku, sidomos për armatim e municion. Sigurimi i armatimit duke ia rrëmbyer armikut në fushën e luftës, ishte një nga objektivat kryesore të planit të komandës së Forcave Kryengritëse, veçanërisht gjatë fazën e parë të luftës, i cili u realizua me shumë sukses dhe i përmirësoi në mënyrë të ndjeshme kushtet e armatimit të Forcave Kryengritëse gjatë fazës së dytë të luftës.

Taktika e luftimit përdori forma e metoda orgjinale që u mbështetën në traditën e pasur luftarake të popullit dhe që u mbajtën parasysh në format e organizimit ushtarak e shkallën e pajisjes me teknikë luftarake të Forcave Kryengritëse. Forcat Kryengritëse gërshetuan drejt taktikën e luftës në front të rregullt me format e metodat e luftës tradicionale. Taktika u shqua nga aktiviteti, dinamizmi dhe shpirti sulmues. Nëpërmjet goditjeve të befasishme, sulmeve natën, vendosmërisë në luftim, manovrueshmërisë e shfrytëzimit të terrenit, përdorimit me shpirt krijues i mjeteve rrethanore, etj., Forcat Kryengritëse kapërxyen pengesat me tela, shpërthyen pozicionet e fortifikuara dhe zgjidhin detyra të vështira në luftim.

Përdorim të gjerë dhe orgjinale ishin dhe thirrjet e çuditshme dhe origjinale, që nuk përngjanin as me “allah allah” të ushtrive osmane e turke as, “urrah e urrah” të popujve të tjerë evropianë. Asnjë imitacion i tillë po gjithsekush thërriste mikun, shokun, nga njëherë dhe kundërshtarin, po jo armikun e tij, me emër dhe aq fort sa tundej mali: O o o Hasan, nga vajta o m… gomarit, del në shesh të burrave; ose o o o Kanan ku je o qen i qenit, del të shohësh se si luftojnë burrat; dhe i thirruri me emër nuk ja përtonte t’i përgjegjej me tituj dhe më të bukur. Një tjetër i largohej ftesës personale dhe hidhej në atë kolektive: Nga vatë o Kudhësjot ose o Smokthinjotë për këtë ditë, dhe kështu me radhë emër për emër e fshat për fshat.

U bënë veçori e taktikës gjatë fazës së dytë, sulmet e pandërprera me forca të kufizuara, që nuk i lanë forcat italiane të merrnin frymë, i mbajtën në panik e në tension të vazhdueshëm nervor dhe u siguruan forcave kryengritëse iniciativën. Në Luftës së Vlorës përdorim të gjerë morën veprimet luftarake mësymëse, por në momente të caktuara u përdorën dhe luftimet mbrojtëse. Taktika e luftimeve mbrojtëse u karakterizua gjithashtu nga qëndrueshmëria, aktiviteti, ndërtimi i kurtheve, pritave etj.

Lufta e Vlorës e vitit 1920 tregoi vitalitetin dhe energjinë luftarake të një populli që u ngrit në këmbë për të mbrojtur me gjak lirinë dhe pavarësinë e vet. Kjo luftë u bë një thesar i paçmuar i traditave luftarake të tij, u trashëgua e u ngrit në një shkallë të lartë nga formacionet partizane të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Këto tradita, kjo përvojë duhet të mësohen e të njihen nga ushtarakët e të gjitha strukturat e sigurisë në interes të rritjes së aftësive luftarake e të përdorimit me mjeshtëri në fushën e luftës të formave e metodave të luftimit sa më të gjalla e më të larmishme.