Zana Tako: E VETËQUAJTURA DEMOKRACI
Fjalët janë si degëzat e një peme që çelin e thahen, ashtu edhe fjalët e njeriut, ka edhe fjalë të mençuara por edhe fjalë të kota.
Njeriu ka lindur për të qenë i denjë për ligjin, por njeriu ligjin e ktheu me kokëposhtë e i duket vetja se qëndron përmbi ligjin. Punët i bën rrëmujë e thotë se gjithçka e bën mirë. Por mirësia e njeriut nuk përballet dot me ligjin. Sado njeriu e përdhos ligjin, përsëri fuqia e ligjit e nxjerr cullak përpara veprës së tij.
Në demokraci njeriu quhet i lirë, e liria shpallet si një Zonjë e madhe fisnike që parakalon duke përshëndetur gjithkënd, të madh e të vogël, të pasur e të varfër. Kjo Zonjë e madhe demokraci, vishet me nur e plot elegancë. Me të krenohen ata që i qëndrojnë pranë, me të krenohen ata që i shërbejnë, me të krenohen ata që e dëgjojnë kur flet, e Zonja e madhe demokraci, nuk lodhet së foluri dhe së përshëndeturi të gjithë ata që shpresojnë në fjalën dhe në veprën e saj.
Kur themi se jemi vend ku demokracia ka hedhur rrënjë që nuk shkulet, atëherë duhet të kuptojmë, se Zonja demokraci nuk e kursen mirësinë dhe shërbimin e saj pa dallim, për të madh e të vogël, për të pasur dhe të varfër.
Njeriu nuk ka nevojë për pushtet, pasi pushtetin e zotëron vetë ligji. Njeriu ka nevojë t’i shërbejë ligjit dhe të vjelë të mirat që burojnë prej tij. Por kur njeriu kuptoi rëndësinë e pushtetit të ligjit u bë lakmitar dhe ziliqar, dhe sot ëndërron po përsëri prej lakmisë dhe zilisë, të zerë edhe vendin e Zotit për të qenë i Gjithëpushtetshëm, duke shtypur të madh e të vogël nën ombrellën e Zonjës demokraci, e cila ende vazhdon të shetisë e të përshëndesë pa i shërbyer njeriut, por duke e mashtruar, gjoja me hirin dhe bukurinë e saj, se vazhdon të jetë pranë njerëzve, se nuk i tradhton ata, se ajo punon pa u lodhur për ta, por duke i mashtruar se është ende e re plot nur e sharm, duke i hedhur hi syve njeriut, kur tashmë është plakur dhe është lodhur nga përdorimi i lakmisë dhe i zilisë së atyre që vodhën pushtetin e ligjit për t’i shërbyer vetvetes. E nëse pushtetarë të veshur me pushtetin e ligjit duke shfrytëzuar Zonjën e rëndë demokraci, flasin me fjalë të kota që bien pa lulëzuar ende në trungun e besimit dhe të dinjitetit, tregojnë qartë, se mashtrimi nuk e bën njeriun të pushtetshëm, përkundrazi, ligji dënon çdo mashtrues lakmitar të të drejtave të njeriut, ligji dënon gjithkënd që hiqet se punon e lodhet për demokracinë duke shfrytëzuar lakminë për para dhe pushtet.
Jeta e njeriut është e shkurtër, por ligji mbetet i përjetshëm për t’u zbatuar, duke e bërë njeriun të lirë për të qenë në shërbim të ligjit.
Në kohën e demokracisë kemi kuptuar për të qenë të mençur. Por në kohën e shfrytëzimit të demokracisë, njeriu është burgosur si hero i demokracisë.
Falimentimi i demokracisë në mbarë botën, tregon se lakmia për pushtet dhe para të le të varfër dhe pa pushtet.
Zhgënjimi është shpërblimi i njeriut për atë që kërkoi dhe nuk e pasuroi!