Albspirit

Media/News/Publishing

Ndahet nga jeta aktori dhe regjisori Enver Petrovci

Enver Petrovci, aktori i mirënjohur i skenës dhe ekranit, u nda nga jeta sot, në moshën 71-vjeçare.

Ai ishte aktor dhe regjisor. Lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Fillimisht Petrovci studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë në degën e aktrimit, më pastaj mbaroi studimet Universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit.

Petrovci është njëri prej themeluesve dhe profesorëve të parë të degës së Artit Dramatik pranë Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1989 ai u kthye nga Beogradi për të ligjëruar lëndën e aktrimit në Universitetin e Prishtinës, ku u formuan kuadrot e reja të aktorëve në Kosovë.

Enver Petrovci pati karrierë të suksesshme në teatër, sidomos në “Atelieja 212”, duke u bërë i njohur në mbarë ish Jugosllavinë. Pas vitit 1999 vazhdoi me sukses karrierën e tij artistike kryesisht në Kosovë e Shqipëri.

Petrovci ishte gjithashtu regjisor dhe skenarist. Një vit më parë ai botoi librin “Amanete zemre”. Siç shprehej edhe vetë, “libri lindi kur mori lajmin se ishte i sëmurë me kancer”. Fillimisht la këshilla e amanete për miq e shokë, por pasi pati një përmirësim, vendosi të hiqte emrat, e të linte të shkruara veç mendimet e tij.

Ai aktroi në veprat shekspiriane si: Jul Çezari, Makbethi dhe Hamleti. Sa i përket filmografisë, Enver Petrovci ka qenë aktiv vazhdimisht. Filmi i fundit në të cilin aktroi, është prodhim i vitit 2024. Filmi “Konsulli rus”, i regjisorit Miroslav Lekic, rrëfen trazirat e vitit 1973 mes shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, një histori që përshkruan fillimet e krizës së Kosovës.