Qerim Vrioni: Qoftë i paharruar aktori dhe regjizori Enver Petrovci!

Më datë 22 shtator 2025, u nda nga jeta në Prishtinë në moshën 71-vjeçare artisti i njohur nga Kosova, aktori dhe regjizori Enver Petrovci. Ky ishte një lajm mjaft i trishtë për artin shqiptar në të gjitha trojet arbërore. Vite më parë kur vinte në Shqipëri, ai shpesh kalonte edhe nga Bar ”Aleanca” në Tiranë, ku takonte kolegë e miq të shumtë, sidomos njerëz të teatrit dhe filmit. Një takim të tijin me kolegët, regjisorët e njohur, Albert Minga dhe Kiço Londo, u zhvillua edhe në një ditë të ftohtë shkurti të vitit 2012. I fotografova të tre me kafet përpara, por në padijeni të tyre. Natyrisht ata ishin duke biseduar miqësisht për teatrin, kinemanë dhe televizionin, punët e mbara dhe ndonjë herë të mbrapshta të artit dramatik në të “dy anët e Drinit”. Për fat e gjeta foton në arkivin tim, ajo do të mbetet si një kujtim i vyer për mua. Qoftë i paharruar artisti Enver Petrovci!