Ismet Hajrullahu: Banjska, një vit më parë
Një vit më parë, Banjska u përfshi nga një akt dhune që tronditi themelet e paqes në Kosovë. Ishte një sulm i mirëparamenduar, i orkestruar me qëllim të qartë: të sfidonte sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Ajo që ndodhi në Banjskë nuk ishte vetëm një përpjekje për destabilizim, por një përballje mes dy botëve: asaj që beson në ligj dhe liri, dhe asaj tjetër që mbështetet në dhunë e terror.
Në atë ditë, rreshteri Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës, duke u bërë simbol i qëndresës, i përkushtimit dhe i sakrificës për atdheun.
Sulmi në Banjskë nuk mund të shihet si një episod i izoluar. Ai është pasqyrë e një realiteti të hidhur, ku strukturat ilegale dhe terroristët serbë, të mbështetur mbi ideologji shoviniste, ende përpiqen të mbajnë peng të ardhmen e Kosovës. Institucionet vepruan me vendosmëri dhe profesionalizëm, duke treguar edhe një herë përkushtimin për të mbrojtur atdheun, paqen dhe lirinë.
Sot, një vit më vonë, nuk mjafton vetëm të kujtojmë këtë akt terrorist të mbështetur nga shteti serb. Duhet të pyesim veten: a kemi bërë mjaft për të garantuar që Banjskë të mos përsëritet? A kemi ndërtuar mekanizmat e duhur që mund të parandalojnë akte të tilla të mundshme?
Në këtë përvjetor, duhet të ndërgjegjësohemi dhe të jemi të përgatitur. Raste si Banjskë mund të përsëriten, dhe mund të përballemi me agresione edhe më të rënda. Serbia, si gjithmonë, ka qenë dhe mbetet një mashë e Rusisë në Ballkan.