Albspirit

Media/News/Publishing

Fitnete Gruda: Një mësuese e ndëshkuar për të thënë të vërtetën

LETËR E HAPUR DREJTUAR KRYEMINISTRIT TË SHQIPËRISË

Zoti Kryeministër,

Po ju drejtohem publikisht, me përgjegjësi qytetare dhe morale, në emër të një padrejtësie që nuk është vetëm personale, por është një simptomë e një sëmundjeje të thellë në sistemin arsimor të vendit tonë dhe jo vetëm. Kjo letër është vazhdimësi e artikullit tim me titull “Unë, gruaja – mësuesja, ‘kurban’ i fjalës së lirë”, botuar më 7 mars 2020 në disa media të shkruara si “Koha Jonë”, “Alb – Spirit” etj, ku e përfundoja me fjalinë: “Përpos këtyre çka shpreha më lart, ka shumë e shumë për të ditur…”.  Aty trajtohet në mënyrë të detajuar diskriminimi dhe përndjekja ndaj meje, si një zë që ngriti në mënyrë të vazhdueshme problematika brenda një sistemi që i hesht zërat kritikë. Artikulli është i aksesueshëm në Google dhe mbështetet në fakte konkrete.

Unë jam me profesion mësuese matematikë – fizike (me kategorinë e kualifikimit “Mësues mjeshtër”, me rreth 30 vite përvojë në arsim – 4 vite në drejtimin e dy shkollave në kryeqytet – vitet 2006–2010) dhe si shumë të tjerë kam besuar se fjala e lirë, përgjegjësia, transparenca dhe mbrojtja e interesit publik, janë vlera që duhet ti shërbejnë shoqërisë dhe jo të ndëshkohen. Për më shumë se 20 vite kam qenë aktive në shtypin e shkruar (gazeta dhe portale) duke trajtuar çështje të arsimit përmes opinioneve, shkrimeve / punimeve profesionale në gazetën / revistën  “Mësuesi” – organ i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit si dhe “Kurrikula dhe Shkolla” – organ i Institutit të Zhvillimit të Arsimit. Por realisht, për guximin për të folur – ngritur problematika në arsim që i mendoja edhe shqetësim publik, për të denoncuar keqpërdorime të funksioneve publike në arsim – në veçanti atë të qytetit Tiranë, shkelje në emërime dhe padrejtësi të kthyera në ligj në shkollën ku shërbeja  – jam ndëshkuar me largim nga puna në mënyrë të paligjshme. Ky akt u krye në mënyrë të hapur hakmarrëse nga drejtuesit e shkollës 9-vjeçare “Marie Logoreci” Tiranë (ish – “Androkli Kostallari”) dhe nga Drejtoria Arsimore Rajonale Tiranë – sot Zyrës Vendore Arsimore Tiranë. Kjo nuk është më një bindje personale – është një fakt i provuar nga gjykata, e cila ka shpallur absolutisht të pavlefshëm vendimin e largimit tim nga puna. Megjithatë, pavarësisht këtij vendimi, nuk më është kthyer vendi i punës, nuk më janë dhënë dëmshpërblimet që më takojnë nga ky largim i paligjshëm dhe nuk është adresuar asnjë nga shkeljet që sollën këtë situatë. Gjithçka është relativizuar me 12 paga, edhe pse pavlefshmëria absolute e aktit të largimit është vlerësuar si ndër shkeljet më të rënda. Gjithsesi kam ankimuar këto pjesë të vendimit në gjykatën e nivelit më të lartë.

Juve sot, po ju drejtohem si kreu i qeverisjes së vendit prej mbi 12 vitesh, pasi rasti im është një rast i rëndë diskriminimi, dhune institucionale dhe përndjekjeje, të cilat vazhdojnë edhe sot, të pasuara me mosveprim të institucioneve shtetërore përgjegjëse dhe për pasojë, mendoj që ky rast kërkon drejtësi të plotë – përfshirë edhe drejtësi institucionale (shtetërore) të shumëkërkuar nga unë, por të munguar. Po ju drejtohem edhe si kujtesë ndaj asaj që ju jam drejtuar publikisht më 08.08.2017 në gazetën “Shqiptare” dhe “Sot” me titull, ”Meqë na pyesni zoti Kryeministër”, por edhe me një sms – urgjente për mua, nisur drejt jush më 29.03.2019 (lejuar ky lloj komunkimi nga ju si komunikim i hapur me qytetarët që në vitin 2013), pasuar kjo me një komunikim të datës 31.03.2019 me “Platformën e Bashkëqeverisjes” – ideuar nga ju (ky komunikim një javë para se drejtoria e shkollës kishte nisur – fshehurazi meje, të gatuante largimin tim – pikërisht më 05.04.2019, të cilin e finalizoi më 30.04.2019), ku bëja me dije situatën ku ndodhesha dhe thirrje për ndalimin e kësaj padrejtësie të rëndë, por Bashkëqeverisja heshti ndaj kësaj thirrje, ndoshta duke i dhënë shtysë përshpejtimit të largimit tim nga puna, të paramenduar me kohë nga ana e drejtuesve të shkollës. Nga ato që kam parë, përjetuar dhe vazhdoj të përjetoj familjarisht, më lind e drejta të them se fenomeni i heshtjes së kritikës në Shqipëri po goditet nga të gjitha anët. Parimet e mija nuk më lejojnë të them se ky fenomen lindi me qeverisjen tuaj, por në vitet e qeverisjes tuaj ky fenomen ka marrë përmasa të mëdha – edhe ato pak zëra që kishin mbetur në shkollën ku punoja u heshtën plotësisht në vitin 2017. duke mbetur unë një zë i vetëm në shkollë – pa konsideruar atë që isha dhe zë nëpërmjet shtypit. Problemet që unë kam ngritur në shtyp – me qëllim përmirësimin e sistemit arsimor dhe jo politike – siç shpesh interpretoheshin nga drejtori i shkollës apo individë të veçantë, nuk kanë qenë të panjohura për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, por në vend të reflektimit, veprimit, pasoi heshtja dhe mosveprimi duke thelluar kështu diskriminimin dhe ndëshkimin tim institucional. Në këtë mënyrë, mbrapa krahëve të mia – gati një muaj, drejtuesit e shkollës dhe Zyra Vendore Arsimore Tiranë (ish – DAR Tiranë) kanë “kopsitur” largimin tim të nisur me një procesverbal falas e të kundërligjshëm të hartuar prej 3 drejtuesve të shkollës më 05.04.2019, me letra (procesverbale / relacione) të tjera duke përdorur nxënës, prindër, psikologen dhe mësues në mënyrë të papranueshme për të krijuar një justifikim fals të largimit tim. Një nxënës u detyrua të shkruante çfarë i diktonin tre drejtuesit, pa vullnetin e tij – konfirmuar kjo edhe nga vetë drejtori në gjykim, po atë ditë në zyrën e drejtorit, vetëm që ta bazonin diku atë procesverbal që hartuan; prindi i tij u përdor më pas për të pretenduar një ankesë jo ekzistente në ZVA Tiranë – ku mbi “ketë ankesë” eshtë bazuar akti i largimit tim- faktuar kjo mosekzistencë në gjykim; psikologia e shkollës – që nuk kishte as zyrë me vite në atë shkollë dhe nuk guxonte as ta kërkonte – unë e kam ngritur si problem, ka hartuar me kërkesë të drejtorit të shkollës një  dokument të fabrikuar për një ditë mungese të saj në shkollë; një mësues – i ardhur me lëvizje të kundërligjshme paralele të një mësuesi tjetër, në mes të vitit, ka hartuar relacione –  duke keqpërdorur orën edukative për presion ndaj nxënësve të klasës kujdestari nga ana e drejtorit, zv.drejtorit të shkollës si dhe të një prindi; janë përdorur mësues për të firmosur procesverbale fals të hartuar nga drejtoria e shkollës në kohën kur disa prej mësuesve kanë qenë në orën e mësimit, sipas orarit. Të gjitha këto janë përpiluar në mënyrë të jashtëligjshme, duke keqpërdorur edhe të dhëna personale të nxënësve, prindërve të tyre dhe ndonjë mësuesi, vetëm për ti përdorur drejtori, si provë kundra meje, pa menduar se një ditë këta mësues, psikologu etj mund të dëmtohen nga këto gjëra të jashtëligjshme. Teknikën e përdorimit të nxënësve, mësuesve, prindërve, psikologut të shkollës, nga ana e drejtuesve të  kësaj shkollës,  ndaj mësuesve të tjerë që nuk heshtnin e kam ngritur në shtyp gjatë viteve të punës dhe më pas e zbatuar edhe ndaj meje. Zyra Vendore Arsimore Tiranë, ndërhyri në largimin tim – jashtë kompetencave ligjore, nëpërmjet një inspektimi të kundërligjshëm (justifikuar atë me një ankesë prindi të paqenë, e cila realisht nuk figuron asgjëkundi, por edhe nëse do të ekzistonte ligji nuk parashikon këtë procedurë) i cili prodhoi një raport inspektimi anonim, të pa nënshkruar, me konkluzione kontraditore, me qëllimin e vetëm për ta përdorur si provë kundra meje, por ky raport realisht ka paraqitur një situatë alarmante në shkollë, që as autoritetet e larta të arsimit ku ankimova vendimin nuk e kanë konstatuar këtë dhe as drejtësia nuk adresoi këtë problematikë (këtë raport abuziv e kam paraqitur në institucionet e larta të drejtësisë), kur akti i largimit tim bazohej – edhe sipas Gjykatës së Lartë në vendimin e konfliktit të kompetencës,  mbi këtë raport të tillë dhe ankesën jo – ekzistente të një prindi – pretenduar nga ZVA Tiranë, e cila urdhëron drejtorin për largimin e menjëhershëm tim, pas këtij raporti. Këto drejtori i shkollës i konsideron procedura, kur ligji 69 / 12 “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar, i ndryshuar” dhe aktet nënligjore të tij, parashikonin procedura konkrete për largimin e mësuesve, por drejtori ka injoruar organet kolegjiale në shkollë, Komisionin e Etikës dhe Disiplinës jo vetëm për faktin se nuk kanë ekzistuar në atë shkollë – konstatim edhe i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Durrës por edhe sepse nuk ka patur asnjë ankesë realisht, pra asnjë shkak real. Kjo mënyrë e ndërtimit të “fakteve” i përngjan praktikave të errëta të së kaluarës, ku kundërshtarët ndëshkoheshin me metoda të padrejta dhe arbitrare. Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Durrës   të cilës Ministria e Arsimit dhe Sportit ia ka deleguar për verifikim  ankesën time për largim të padrejtë nga puna, ka konstatuar se procedurat e përdorura nga drejtori i shkollës për largimin tim kanë qenë në kundërshtim me ligjin; gjithashtu drejtori i shkollës nuk disponon asnjë provë e fakt për të bazuar këtë largim, si dhe ZVA Tiranë ka qenë e njëanshme…,  por edhe pas këtyre konstatimeve Ministria e Arsimit dhe Sportit nuk ndërmori masat për të më kthyer në punë, aq më tepër që raport verifikimin e DRAP Durrës e ka përcjell në gjykatë vetë ministria me shkresë. Largimi im u përdor si shembull për të friksuar mësuesit e tjerë, komunitetin e për rrjedhojë edhe nxënësit, nga drejtori i shkollës dhe ZVA Tiranë në bashkëpunim me 3 efektivë të Policisë së Shtetit dhe një civil – të pa identifikuar ligjërisht sipas rregullave të Policisë së Shtetit, duke përdorur sallën e mësuesve për izolimin tim prej dy orësh rrethuar me këta efektivë – në një ditë mësimore (30 prill 2019) në orët e mija pushim, ndërsa pjesa tjetër e shkollës vijonte mësimin dhe kalonte pushimet pesëminutëshe. Dhunë e hapur psikologjike, madje dhe fizike në një ambjent të mbyllur në vendin e punës. Drejtori, zëvendësdrejtori dhe një tjetër efektiv policie, sodisnin situatën nga një lokal përballë shkollës. As sot nuk e di kush ishin saktësisht ata persona – edhe pse i jam drejtuar institucionit të Policisë së Shtetit me kërkesa të përsëritura, përvec njërit që njoha më pas – inspektor të asaj zone dhe që vazhdonte të më intimidonte në rrugë mua dhe familjarë të mijë kudo. Megjithatë, pas këtij incidenti – ku u çfajësuan ata që më rrethonin se kishin urdhër të vepronin kështu, më urdhëruan të rikthehesha në mësim. Edhe ditën tjetër mësimore (2 Maj 2019)  drejtori vijoi të përdorte punonjës të tjerë të policisë, por pasi kuptuan qëllimin e drejtorit u tërhoqën, çka tregon qartësisht se përdorimi i policisë ishte një keqpërdorim i autoritetit si dhe një akt frikësimi dhe nëpërkëmbje e integritetit tim profesional dhe personal – jo një veprim ligjor. Këto veprime si dhe deklarata e përsëritur e drejtorit të shkollës në gjykim, që urdhërat për largimin tim i merrte nga drejtori i ZVA Tiranë, shtojnë edhe më shumë dyshimet mbi mënyrën se si u urdhërua largimi im. Edhe për ketë rast, njoftova menjëherë Ministrinë e Arsimit dhe Sportit – Sekretarin e Përgjithshëm në atë kohë, më pas Ministren, por ashtu si edhe më pare, MAS jo vetëm heshti, por tentuan në një mënyrë të më bindnin që të heshtja, paçka nuk u funksionoi. Për këtë iu drejtova menjëherë edhe Avokatit të Popullit, por dukshëm përgjigja që mu kthye ishte nga zyra, pa asnjë verifikim – kopje e përgjigjes me shkrim që u kthente shkolla dhe ZVA Tiranë. Këto dhe shumë tè tjera tregojnë që largimi im ishte një hakmarrje institucionale pasi pata guximin të kritikoj publikisht drejtues të shkollës 9 vjeçare “Marie Logoreci” Tiranë, ish – “Androkli Kostallari” ku punoja dhe Zyrës Vendore Arsimore, për abuzime të përsëritura me detyrën deri dhe emërimin e  paligjshëm të tyre, që sot nuk mbeten thjesht opinione të mija kritike, por të faktuara me këto vendime – siguruar si provë nëpermjet gjykatës, ku u identifikuan abuzime edhe më të thella se sa kisha paraqitur në shtyp – objekt manipulimi ose falsifikimi, paçka se gjykata më pas heshti. Unë nuk mund ta braktisja punën, edhe pse kuptohej qartë se çfarë synohej. Kam një jetë të tërë të lidhur me arsimin. Që në moshën 18 -vjeçare kam përjetuar emocionet e mësimdhënies në praktikat pedagogjike. Zëri i atij profesorit teksa bënte analizën e orëve të mija – gjatë praktikave mësimore me me grupin e studentëve në praktikë, i cili më thoshte: “Ti ke lindur për mësuese…; Ti i duhesh arsimit… të tjerat do t’i plotësosh rrugës” (nëse lexojnë ish – studentët e grupit të praktikës, do t’u kujtohet ky moment) më motivoi pafundësisht në ushtrimin e profesionit dhe jehona e këtyre fjalëve nuk më lejonte ta braktisja vetë arsimin. Duke u përkushtuar, u kualifikova dhe investova vazhdimisht të vetëkualifikohem për të kryer punën time me profesionalizëm, duke u përshtatur me kërkesat e kohës në mësimdhënie dhe më gjerë.  Përmend disa prej tyre: Kurs “Drejtimi dhe Administrimi i Shkollës” – IKT; Master Shkencor në “Drejtim dhe Menaxhim të Arsimit” përfunduar në Shkollën e Lartë “Justicia” dhe pas disa vitesh kërkesash të mija –  dhe jo vetëm të mija, për njohje nga MAS, u transferua për plotësim në UT ku e ndërpreva pas largimit nga puna; Kurs Pasuniversitar “Trainer Europian” në Institutin e Studimeve Europiane, Universiteti i Tiranës – bashkëpunim CESES, UE dhe Këshillit të Europës; në grupin e punës për hartimin e “Standardeve të Mësuesit të Matematikës” për shkollat 9 -vjeçare – botim i IZHA; në grupin e punës për hartimin e “ Programeve Lëndore të Matematikës” për shkollën e mesme të ulët, dhe “Redaktore Shkencore “ e tyre – Botim i IZHA etj.  Edhe diferencat e theksuara intelektuale me drejtorinë e shkollës së bashku me korrektësinë time të madhe përbënin një shkak më shumë për të më luftuar. Ligji 69 / 12, “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar”, atë kohë, nuk parashikonte as ankimimet në institucionet eprore dhe as në gjykata, por unë i ndoqa referuar Kontratës Kolektive të Punës, ku pëgjigjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit e cila ia delegonte ndjekjen e ankesës time Drejtorisë Rajonale së Arsimit Parauniversitar Durrës (DRAP) – Raportin e DRAP Durrës, arrita ta marrë vetëm nëpërmjet Gjykatës, të cilës iu drejtova pas tentativave të mija të përsëritura. Ende pa u kthyer pergjigjet e ankimimeve të mija në institucionet eprore dhe pa u respektuar afati tre mujor sipas Kodit të Punës, u ekzekutua me nxitim  menjëherë vendimi i largimit tim dhe heqja nga sistemi. Janë gjashtë vite që kërkoj drejtësi nëpër gjykata – rreth tre vite në Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë Shkallës së Parë – e cila në fund shpalli moskopmtetencën dhe tre vite të tjera në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ku tashmë ka përfunduar vetëm gjykimi në shkallë të parë. Kjo përbën një lodhje më vete, përtej lodhjes prej shumë problematikave proceduriale dhe të trajtimit institucional, të hasura në gjyqësor dhe jo vetëm – mes tyre edhe një problematikë e kohëve të fundit – shmangien për tu regjistruar të një prej ankimimeve të mija që ka të bëj pikërisht me rrëzimin e kërkesës time “Për ekzekutimin e përkohshëm të vendimit të gjykatës” – përcaktuar si ankimim më vete, nga vetë vendimi i gjykatës që e ka rrëzuar, depozituar tre muaj më parë dhe ndjekur ecuria e tij nga unë, por nga komunikimet me të dy gjykatat ky ankimim do mbetet i paregjistruar – si procedurë juridike më vete. Edhe kjo është një shqetësim dhe lodhje më vete, ku asnjëra nga gjykatat ( shkalla e parë dhe e dytë) nuk merr përgjegjësinë dhe as të riparojë.  Kësisoj, nuk e di nëse do të kem forcën të ndjek deri në fund të gjitha shkallët e gjyqësorit, apo nëse do të gëzoj edhe nëse fitoj plotësisht. Pa dashur ta përgjithësoj, këto impakte jep shpesh drejtësia në vendin tonë dhe këtë e kuptojnë vetëm ata qytetarë që kanë trokitur në këto dyer, sidomos ata që kanë qenë të vendosur në kërkimin e së drejtës dhe ndjekjen e të drejtave proceduriale dhe Kushtetuese të shkelura. Edhe pas largimit, jam përballur me një mur heshtjeje dhe indiference institucionale, që përbën një sfidë jo vetëm për mua, por për të gjithë ata që guxojnë të flasin për të vërtetën dhe të kërkojnë drejtësi në sistemin arsimor shqiptar. Në këto vite, kam kërkuar informacione zyrtare në Zyrën Vendore Arsimore Tiranë, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe institucione të tjera të varësisë. Kërkesat e mia janë pritur me heshtje institucionale, ose janë kaluar si “top futbolli” nga një institucion në tjetrin me zvarritje që prodhinin përgjigje pa përgjigje, ku më së shumti i merrte përsipër ish – DPAP (sot Agjensia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar). Pas përpjekjeve të përsëritura, informova autoritetet e larta të MAS dhe një nga këshilltarët tuaj në Kryeministri, më 09.08.2021, por asgjë nuk ndryshoi. Po ju paraqes dy raste analoge mbi natyrën e përgjigjeve të kërkesave për informacion, që kam marrë nga MAS dhe ZVA Tiranë përkatësisht vitet 2022 dhe 2024  “përgjigje anonime, zyrtare jo e jo, por pa kokë, pa datë, pa lëndë, pa nënshkrim, pa vulë, pa informacion se kush e ka lëshuar, as kujt i adresohen që duken si letra boshe, deri në përgjigje të natyrës, “…nuk kemi qenë ne në atë kohë”.  Ky është formati i përgjigjeve të institucioneve të larta të arsimit – sipas hierarkisë, të papranueshme dhe që nuk nderojnë askënd. E njëjta frymë papërgjegjshmërie, fshehje e deri manipulimi vazhdoi të shfaqej edhe gjatë procesit gjyqësor nga drejtori i shkollës “Marie Logoreci” Tiranë dhe ZVA Tiranë – palë në proces, por edhe nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, paçka se gjykata ka dispozita ligjore që ndalon këtë papërgjegjshmëri, por nuk rezultoi kështu. Ashtu siç ndodhte para largimit tim, ku kërkesat e mia përfundonin në kosh – para mësuesve të tjerë, drejtori i shkollës filloi të lunate me kërkesat e mija nëpërmjet gjykatës, më të cilat kërkoja nga shkolla dhe ZVA Tiranë – bazuar në dispozitat proceduriale, dokumentacion që nuk mund ta siguroja vetë – si prova të nevojshme për zgjidhjen objektive të çeshtjes. Drejtori i shkollës sillte pothuajse gjëra jo në përputhje me kërkesën dhe jo institucionalisht – pa shkresë shoqëruese, jo origjinale, duke shmangur pikërisht ato që kishin të bënin me diskriminimin tim dhe shkeljet e rënda të drejtuesve. Të njëjtën gjë bëri edhe ZVA Tiranë në pjesën më të madhe të dokumentacionit. Procesi u mbyll pa sjellë provat e nevojshme edhe pas kërkesave të përsëritura, duke më penguar me paramendim në zgjidhjen e drejtë të çështjes dhe gjykata nuk zbatoi dispozitat ligjore përkatëse edhe pse unë bëra propozime bazuar në dispozitat proceduriale. Këto teknika të tyre kanë qenë në vazhdimësi në gjykatë, pasi edhe dekleratën e mbrojtjes si dhe provat e tyre si palë të paditura, në fillim të procesit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, i kishin depozituar në formë jo origjinale dhe ashtu mu përcollën mua si pale paditëse në fillim. Gjithashtu, kërkova nga gjykata dokumentacion mbi mënyrën e emërimeve të dy drejtuesve (drejtor dhe zv.drejtor) të shkollës “Marie Logoreci” (ish “Androkli Kostallari”) dhe të dy ish-drejtorëve të ZVA Tiranë – që ishin pjesë e diskriminimit dhe largimit tim të padrejtë, pasi këto emërime i kisha ngritur në shtyp. Ajo që rezultoi është edhe më shqetësuese nga sa kisha ngitur unë në shtyp  –  emërimet ishin bërë në kundërshtim me ligjin, në formë urdhëresh, njoftimesh dhe komadimesh të jashtëligjshme, por dhe emërim zv.drejtori nga institucione pa kompetencë, duke ngritur dyshime të arsyeshme për manipulim ose falsifikim. Kjo u bë shkak që të kërkoj nga Ministria e Arsimit dhe Sportit  interpretim ligjor të këtyre akteve – bazuar në kontrollin e pajtueshmërisë së tyre, me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqireferuar legjislacionit të asajkohe, por Ministria e Arsimit dhe Sportit bashkëpunoi në heshtje me gjykatën për të më mohuar të drejtën për të zbardhur të vërtetën. U përdorën teknika procedurale për të më mashtruar me të ashtuquajtur përgjigje boshe pranuar nga gjykata – një shkresë që nuk i drejtohej gjykatës, por ishin komunikime të brendshme të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit me institucionet e varësisë – teknika që nuk u funksionuan pasi  konstatova shkeljen menjëherë në seancë. Duke shprehur pakënaqësinë se çka po më servirej si “përgjigje” dhe për teknikën e përdorur iu ri-drejtova MAS-it përmes gjykatës, por përgjigjet shmangeshin nga objekti, duke shfrytëzuar edhe atë që gjykata – me mënyrën e formulimit të kërkesave, linte hapësirë për abuzim me përgjigjet. Ministria zgjodhi të heshtë dhe të shmangë përgjegjësinë institucionale dhe mbuluar abuzimet në emërime, por dhe gjykata u bë pjesë e mbulimit të tyre. Ky rast, i cili nuk është i vetëm, madje jo vetëm në gjykatën në fjalë, ngre dyshime serioze se drejtësia në vendin tonë shpesh varet nga pushteti. Pasiviteti i drejtorit, ZVA Tiranë dhe mungesa e tyre në seanca gjyqësore, më dëmtuan në gjetjen e së drejtës. Ata munguan muaj të tërë në seancat e fillimit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, por edhe pasi kaloi çështja në Gjykatën Administrative. Drejtori i shkollës mungoi për mbi një vit edhe pse kishte barrën e provës – duke iu shmangur përgjegjësive ndaj asaj që kishte bërë, por dhe nuk ishte as në gjendje të përballej ligjërisht (edhe kur ishte i pranishëm bënte deklerata kontraditore dhe pa asnjë argument ligjor – vetëm provokime infantile) – këtë e justifikoi duke ia lënë përfaqësimin palës tjetër – ZVA Tiranë, e cila shpesh ishte pasive në gjykim edhe me mungesa, madje dhe në etapën e seancës gjyqësore, ku parashikohen debatet. Shmangia e tyre ishte e qëllqëllimshme. Veçoj faktin që një seancë e posaçme u zhvillua për pranuar si provë disa kërcënime të ardhura drejt meje nëpërmjet facebukut tim si: ”do ti presim duart, …, do ta nxijmë jetën po shkruajte më në gazeta” etj, haptazi që vinin nga shkolla  – dora e drejtorisë kudo, por edhe kësaj procedure iu shmangën me mungesa në seancë. Këto më privuan nga debatet gjyqësore, edhe pse kërkova dhe argumentova domosdoshmërinë e pranisë në proces, të shkollës që ka marrë vendimmarrien e largimit. Papërgjegjshmëria dhe tendenca për tu hakmarrë shkoi deri aty, sa në dekleratën e mbrojtjes të paraqitur në gjykatë nga përfaqësuesja e ZVA Tiranë, përtej gjërave të fabrikuara për të më larguar, ishin parashtruar edhe gjëra kundra meje që nuk kishin lidhje me ato që pretendohej në vendimin e largimit tim dhe as me shkollën ku punoja, por me një shkollë tjetër në varësi të ZVA Tiranë. Kjo ka qenë performanca e këtyre dy institucioneve shtetërore edhe në gjykatë – të largojnë padrejtësisht dhe si teknikë vetëmbrojtje përdorin pengimin për te gjetur të drejtën –  edhe në gjykim.  Ndërsa nga gjykata pritshmëria ime ishte e madhe, nga  këto dy institucione jo (!) pasi i dija më së miri si funksiononin dhe këtu kanë ndikuar edhe teknika e përzgjedhjes së drejtuesve. Pas vitit 2014, politika arsimore për emërimet e drejtuesve të shkollave dhe ZVA-ve ka degraduar në një sistem komandimesh të zgjatura – jo me muaj, por me vite. Një ndër to ishte edhe drejtori i shkollës ku punoja. Përtej të tjerave, edhe vetë akti i largimit tim nga puna – jo vetëm nga jashtëligjshmëria, por edhe mënyra e hartimit – përfshirë formatin e tij, tregon papërgjegjshmërinë dhe mungesën e standarteve profesionale të drejtorit të shkollës – drejtues i komanduar që nga viti 2014, pa përmbushur as kriterin minimal kategoria “mësues i kualifikuar” – të cilën e ka marrë pas katër vite drejtimi të shkollës, sipas pohimeve në gjyq. Ky ishte një drejtues që i përkiste asaj kategorie që edhe vetë ju, z. Kryeministër i keni quajtur “drejtues ‘out’ ” – i tillë erdhi dhe i tillë mbeti për më shumë se një dekadë, ku si standard drejtimi kishte “abuzimin me detyrën”. Abuzimi nuk kufizohej vetëm tek drejtori, por përfshinte edhe zëvendësdrejtorin, ish- drejtor në atë shkollë, të cilit i referohet vendimi i emërimit, nga organi jo kompetent. E njëtja gjë ka ndodhur edhe në ZVA Tiranë, ku pas largimit të drejtueses së zgjedhur me konkurs, Drejtoria Arsimore më e madhe në vend – kjo gjë dihet nga të gjithë, u drejtua për vite me radhë nga individë të komanduar, shumë prej të cilëve ishin përgjegjës sektorësh. Forma e vendosjes së tyre në ato pozita është e dyshimtë dhe ngre pikëpyetje serioze mbi ligjshmërinë e akteve të vendosjes së tyre në krye të këtij institucioni. Kjo është edhe një nga arsyet, sipas meje, që arsimi në qytetin e Tiranës ka shkuar në këtë drejtim, pa mbajtur askush përgjegjësi. Edhe konkurset kur janë bërë, një pjesë kanë qenë fals me fitues të paracaktuar. Kjo nga përvoja ime e konkurimit para dhe pas largimit nga puna – dy herë për drejtues shkolle që i organizonte ZVA Tiranë( vitet 2016 dhe 2020) dhe një që organizonte MAS, për drejtues të DPAP –së – viti 2022 – referuar teknikave të hapura përjashtuese për mua ( kritiken e arsimit dhe që këto kritika vinin nga një djathtë), si rezistencë për mospranim të kërkesës për konkurim dhe dokumentacionit përkatës, deri në ndryshim urdhri nga ana e Ministrisë “Për datën e dorëzimit të dokumentacionit nga aplikantët” – duke e shtyrë disa ditë dhe ndryshuar disa kritere të konkurimit, pikërisht pasi dorrëzova unë dokumentacionin etj makinacione, me qëllim shtimin e numrit të kandidatëve. I kam denoncuar në shtyp, por edhe në ankesat e mia zyrtare që i kam dërguar vetë Ministres së Arsimit të asaj kohe në vitin 2016, të  cilat u injoruan. Ministria nuk injoroi vetëm problematikat e ngritura nga unë  –  injoroi detyrimin ligjor për të mbrojtur punonjësit nga çdo formë diskriminimi, siç e përcakton qartazi neni 6 pika 3 e Ligjit 69/2012 “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar”. Rastin e konkursit të MAS, për drejtues të DPAP-së e kam paraqitur tek Institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, por Ministria e Arsimit dhe Sportit  arriti deri aty sa kishte manipuluar datën e dorrëzimit të dokumentacionit nga ana ime, për të mbuluar nxjerrjen e urdhrit për ndryshimin e datës së dorrëzimit të dokumentacionit, por Komisioneri tregoi njëanshmëri. nuk verifikoi as ballafaqoi. Nuk di ta them nëse është rastësi që politikat e komandimit apo delegimit të drejtuesve në arsim i gjen edhe në drejtësi. Konkretisht, në të shumtën e gjykatave në Tiranë – të të gjitha niveleve, gjen të mungojnë, ose Kryetari, ose një zv. Kryetar, ose figura të rëndësishme të administratës si Kancelari – ku funksionet mbulohen për një kohë të gjatë nga persona të komanduar ose me delegim një prej Kryesekrelarëve – të cilit i mbeten dy funksione. Këto të dhëna i kam siguruar në rrugë zyrtare, pas injorimit të disa kërkesave dhe ankesave që kisha bërë në disa gjykata, të cilat ndikuan drejtpërdrejt në mbrojtjen time ligjore.

Të kërkosh të drejtën në Shqipëri, ndonjëherë është si të kërkosh një pikë dritë në errësirë. Ndërsa përpiqem të ndjek zgjidhjen e kësaj padrejtësie, hasem në padrejtësi të tjera – po të njëjtat pengesa, po të njëjtat teknika provokimesh e intimidimesh, presione psikologjike, mospërgjigje, kërcënime verbale – deri edhe pranë banesës ku jetoj dhe kam jetuar, në rrugë e kudo. Këto, pas ndonjë shkrimi në shtyp,  para seancave specifike apo kërkesave / ankesave – në drejtim të zgjidhjes së padrejtësisë, që prekin dikë dhe më duket sikur jam po në atë institucion ku lindi padrejtësia – shkolla. Këto teknika edhe në gjykata, në insitucione vendore të natyrave të ndryshme, … e deri në institucione shëndetësore ku jo vetëm jam privuar unë nga shërbimi shëndetësor dhe provokohem e intimidohem për të prodhuar ndonje skandal (paçka se skandalet u pasin nè dorë atyre që i tentojnë), por edhe familjarët e mi janë ekspozuar ndaj këtyre praktikave presioni dhe është luajtur deri me jetët e tyre. Me dhimbje them se nuk më kanë lënë të qetë as të vdekurit ti qaj, por kjo e mjekësisë lidhet me një trajtim tjetër specifik që e dëshmon përmasën e përndjekjes, monitorimit. Për disa nga këto raste kam vënë në dijeni autoritetet e larta të shtetit – deri dhe në rang ministrash në mënyrë të përsëritur (4 ministra të linjës – arsimit, nisur që nga znj. Nikolla edhe të tjera; drejtësisë, shëndetësisë dhe atë të brendshme – ku vetëm z. Balla ka vepruar. Në vitin 2024 kam vënë në dijeni edhe Prokurorinë, për disa nga problematikat, por nuk kam ndjerë se është vepruar. Ju kam bërë thirrje pubike juve – disa herë, nëpërmjet rrejteve sociale në faqen tuaj facebook – nuk e di sa jeni në dijeni, por edhe nëse i keni ndjekur ndonjë prej tyre, nuk mendoj se ju tregojnë të vërtetat, pasi të thuhen siç janë ato gjëra të rënda nuk është e lehtë. Një shkak që përzgjodha t’ju drejtohem pikërisht tani janë të gjitha që parashtrova në kompleks përfshirë indiferenca e autoriteteve përkatëse. Heshtja e institucioneve ndaj kërkesave / akesave të publikut, është shpërdorim i besimit të publikut. Kjo mënyrë funksionimi nuk jep jep shpresë. Presionet, përpjekjet për të më izoluar – më parë në vendin e punës dhe më pas në jetën shoqërore e kudo – nuk mbeten më  thjesht hakmarrje personale. Ato tregojnë për një dështim sistemik, që prek jo vetëm arsimin, por edhe sistemin e drejtësisë dhe vetë funksionimin demokratik të shtetit. Unë nuk e shoh veten si viktimë e këtij sistemi. Jam një mësuese që ka punuar me përkushtim, korrektësi të madhe dhe integritet dhe që ka dhënë kontributin e vet në të gjitha format profesionale, por  edhe duke ngritur zërin deri në shtyp për një arsim më të mirë. Nuk jam rasti që ngrita zërin pasi u largova nga puna, por në mënyrë të vazhdueshme që kur isha në marrëdhënie pune – kur gjërat nuk funksiononin siç  duhet dhe vazhdoj të ngre zërin edhe pas largimit, për arsim, për një drejtèsi të pavarur dhe efektive si dhe për një shtet ligjor. Unë kam ngritur zërin edhe për ata mësues që u heshtën, për nxënësit që e ndjeja detyrë, për ata prindër që nuk e dinin se çfarë ndodhte edhe për ata që dinin diçka dhe u heshtën, por kjo rezistencë e imja nuk e di kë preku kaq fort që u investua me vite për të më hedhur në rrugë.

 Zëri im ashtu sikurse i çdo mësuesi që nuk ka pranuar të hesht ndaj problematikave dhe padrejtësive, ka mbartur në thelb edhe potencialin e madh për edukimin e nxënësve me respektimin e të drejtave të njeriut dhe emancipimin si qytetarë demokratikë aktivë dhe kritikë.

Nuk mendoj që rasti im është unik në arsim e më gjërë. Ndaj dëshiroj që kjo letër të shërbejë edhe si zëri i shumë të tjerëve që ndihen të heshtur, të përjashtuar, të shtypur, si në arsim, administratë, në sistemin e drejtësisë e kudo.

Zoti Kryeministër,

Unë nuk kërkoj ndërhyrje në vendimmarrje gjyqësore – respektoj parimin e ndarjes së pushteteve. Për të gjitha problematikat serioze të hasura në drejtësi i jam drejtuar dhe do ti drejtohem institucioneve të larta të drejtësisë, paçka se deri më tani nuk kanë vepruar. Nuk kërkoj as mëshirë.

Ajo që kërkoj nga ju, është veprim institucional dhe administrativ, në përputhje me ligjet e funksionimit tè shtetit dhe dinjitetin njerëzor.

Ju drejtohem si qytetare e këtij vendi, si grua, si nënë, por më së shumti si mësuese që ka dhënë kontributin e vet për një arsim cilësor, pa fiktivitet dhe që është larguar nga sistemi jo për shkelje, por për zë të lirë – një zë që përfaqësonte frymën e emancipimit qytetar dhe institucional, si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Ju bëj thirrje publike të merrni në dorë këtë çështje institucionalisht, duke kërkuar:

Të hetohet institucionalisht padrejtësia ime dhe problematikat e ngritura;

Të mbahet përgjegjësi për zyrtarët që kanë keqpërdorur detyrën;

Të ndalet mbrojtja institucionale për ata që përdorin pushtetin për hakmarrje;

Të ndalohet ndërveptimi / ndërhyrja e elementëve të pushtetit në drejtësi, në dëm të punonjësve të larguar.

Të ndalohet përndjekja e qytetarëve me mendime kritike, duke shtypur debatin intelektual.

Kërkoj që të më kthehet jo vetëm vendi i punës, por dinjiteti i nëpërkëmbur prej një sistemi që në vend që të ndëshkojë abuzuesit, ndëshkon denoncuesit.

Të merren masa, që asnjë tjetër të mos përjetojë të njëjtin izolim, padrejtësi dhe presion për heshtje që ka përballuar familja ime për vite me radhë.

Me respekt,, Fitnete Gruda (Musliu), Tiranë.