Albspirit

Media/News/Publishing

KASËM KAÇI, GJENERAL I MIRËNJOHUR I POLICISË SË SHTETIT

(Në përkujtim të gjeneralit madhor të policisë së shtetit Kasëm Kaso Kaçi, drejtorit më jetëgjatë të Policisë së Shtetit, njeriut të vlerave që i ngjiti shkallët e karrierës plot dinjitet dhe krenari nga partizan i thjeshtë antifashist gjatë LANÇ-it deri në drejtuesin më të lartë të policisë, dunavatasi gjirokastrit atdhetar me rrënjë libohovite që shkroi një duzinë me libra dhe ngeli përjetësisht në kujtesën e brezave të organizatës së policisë)

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Origjina “pasaportë” bashkëshoqëruese e jetës njerëzore

Burrin e shquar të policisë Kasëm Kaçin e “njohin dhe gurët e rrugës”, të thonë burra të moçëm në Labëri, Dunavat, por dhe në Libohovë. Libohova është origjina (sipas bashkëluftëtarëve të Kasëm Kaçit gjatë LANÇ-it). Vendlindja nuk vetëm një koncept që lind në shpirt, zgjohet në mendje sa herë zemra kërkon një portë të sigurt ku të “ankorojë” anijen e jetës, në stuhitë dhe tallazet plot dallgë jetë. Njerëzit gjejnë burimin e forcës që e lidhin me të shkuarën, me frymëzimin e së ardhmes. Kështu dhe gjirokastritët e libohovitët e lidhin jetën me gurin, me malin, rrugicat e kalldrëmta, ku çdo shteg, çdo shenjë tregon “plagët e fëmijërisë”, shenjtërinë e jetës, pasi aty gjejnë hapat e parë, plagët në kalldrëme, fëmijërinë, jetën, shkollën, punën, luftën, brengat, hallet e gëzimet, të parët, shtëpinë stërgjyërore, oxhakun, vatrën, sofatë dhe portat,, por mbi të gjitha gjejnë portat e shpirtit.. Kushdo që ka lindur në Libohovë, ose ka origjinën nga Libohova krenohet me këtë perlë të Shqipërisë së Jugut në këmbët e malit Bureto. Udhëtarë, shkrimtarë, vizitorë të shekujve kanë vlerësuar këtë vend të shenjtëruar, kisha, xhami, teqe, ura, rrapi mbi 600-vjeçar, kulla e Sahatit, kështjella mesjetare e shek 18-të, ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena si pajë/prikë për të motrën Shanishanë. Këtu gjen shtëpi të gurta si thesare trashëgimie, shtëpinë e heroit Avni Rustemi, Sarajet e Myfit Bej Libohovës, “varret Pagane”.male të thyer, pyje plot gjelbërim me atraksione të shumta, lumenj e përrenj të kristaltë, janë simbolet libohovite. Lord Byron e përshkruante udhëtimin e tij në vendin e ujrave të kristalta: “Libohova..në këmbët e malit Bureto.. është vendi i gjellëve më të mira dhe i vajzave më të bukura..”. Nga ana tjetër gjirokastritët dhe libohovitët përfaqësojnë qytete histori, traditë, kulturë, si vendlindja e emrave të njohur të historisë e kulturës kombëtare, që në erën e re turistike vizitorë nga mbarë bota kanë njohur qytete-perrla. Libohova përballë Gjirokastrës është qytet piktoresk, me shtatë lagje: Hoxhallarë, Çaushllinj, Teqe, Marinë, Cuprel, Kalista, Pazar me 43 dyqane, me një pozicion gjeografik që sundon luginën magjepesese të lumit Drino, gjelbërim dehës, bukuri e freski verore, peizazhe piktoresk, ku mikpritja është “arma” më e fortë e qytetarëve të saj. Qyteti është pjesë e 15 qyteterimeve antike të luginës së Drinosit në Epir, me kryeqendër Antigonen e themeluar nga Pirro i Epirit ne shek. III para Krishtit, ndodhet 11 km nga Gjirokastra dhe 24 km nga Kakavija. Trevën libohovite me sipërfaqe 260 ha, 320-800 m mbi nivelin e detit, e ka prekur kronikani otoman Elvija Çelebi, Lord Bajron gjatë vizitës së tij më 1809, Pukëvili diplomat, shkrimtar e historian francez, ndërsa nga vendasit shquhet studiuesi Moikom Zeqo dhe shumë të tjerë. Prandaj bijtë e bijat e Libohovës krenohen në mënyrë të ligjshme, edhe ata/ato, që origjinën e kanë rreth bedenave të kalasë së Libohovës. Këtu ishte origjina e të parëve të Kasëm Kaçit, burrit të shquar të Policisë së Shtetit shqiptar që punoi dhe shkroi, jetoi në Shqipëri dhe mbylli sytë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës atje ku emigroi dikur para një shekulli dhe babai i tij Servet Kaçi. Emri “Kasëm” ishte një gjetje e vjetër, me kuptim “besë,/betim”.

Kasëm Servet Kaçi djali që u burrërua para kohe

Kasëm Kaçi, është lindur më 16 qershor 1927 (burime të tjera flasin edhe për vitin 1928), në Gjirokastër. Babai i Kasëmit, Servet Kaso, e la foshnjë në bark të nënës kur vetë, Serveti, emigroi larg, në tokën e ëndërruar, të konsideruar e shenjtë për mërgimtarët shqiptarë. Ende pa lindur Kasëmi babai i tij, Serveti emigroi si gëçmen ekonomik. Ai humbi lidhjet me gruan e parë dhe nuk mundi të shohë me sy e të njohë të birin, Kasëmin, i cili u shqua në karrierën policore pas luftës çlirimtare. Sipas të dhënave nga libri i Hilë Lushakut (Drejtorët e Policisë së Shtetit 1913-2013, Tiranë 2013, faqe 255-259), i ati i Kasëmit duke qenë se humbi kontaktet me familjen në Shqipëri, ishte martuar rishtas, duke pasur dhe dy fëmijë të tjerë. Një jetë tejet e vështirë për të gjithë emigrantët veçanërisht pas izolimit të Shqipërisë në gati gjysëmshekulli dhe pa asnjë mundësi kthimi. Fëmijëria e Kasëmit ishte e vështirë dhe e mundimshme. Që i vogël ju bë krah familjes së tij të ndarë dhe që mësonte përditë mbi origjinën përballë Gjirokastrës, të shkuarën familjare të oxhakut “Kaçi”. Ai hyri në shkollë në vitin 1936 dhe mundi të kryejë pesë vitetet e para të shkollës fillore në Gjirokastër, në periudhën 1936-1941.

Pjesë e formacioneve antifashiste ushtarake partizane

Pushtimi i 7 prillit 1939 ishte një zi për vendin dhe zjarri i revoltës popullore sa vinte dhe rritej. Edhe Kasëmi dhe shokët e tij ishin të ndjeshëm dhe revoltues ndaj kushtimit dhe që në vitin 1942 ishin pjesë e moshatarëve që mendonte kundërshtimin me armë të pushtuesve. Në maj 1943, ende pa mbushur moshën 16 vjeç, Kasëm Kaçi doli partizan, duke u rreshtuar në njësitë luftarake sulmuese partizane dhe rezulton se ka marrë pjesë aktive në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në prill 1944, caktohet “përgjegjës rinie” në kompaninë e tretë, batalioni tretë, të Brigadës VI Sulmuese. Kasëmi ishte pjesë e gjithë luftimeve të BrVIS “Heroinë e Popullit”, që numëronte 912 partizanë nga të cilët 120 vajza dhe gra dhe 60 fëmijë-adoleshentë (ndërmjet tyre edhe Kasëm Kaçi). Kasëmi pa me sytë e tij se si efektivi i brigadës së tij u rrit në 1700 luftëtarë. Brigada komandohej nga Tahir Kadare, komisar Mustafa Matohiti. Lufta e partizanëve të BrVIS çliroi 8 qytete e 32 krahina, përmes luftimesh të përgjakshme të 5 batalioneve  në një rrugëtim historik luftimesh prej 3700 km, ndoqi nazistët deri në Vishegrad. Brigada që identifikohet Kasëm Kaçi la në fushën e nderit 205 Dëshmorë të Atdheut, pati 10 “Heronj të Popullit” që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë, 540 partizanë të plagosur. BrVIS ishte një nga formacionet më të lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që u shndërrua në simbolin e rezistencën antifashiste të shqiptarëve. Me betejat e zhvilluara kjo brigadë shkroi me gërma të arta historinë e saj. Shqipëria ishte ndër vendet e para të Europës që u çlirua tërësisht nga pushtuesit nazifashistë, si një meritë të padiskutueshme i takon partizanëve të BrVIS, që u bë Brigada epope lavdie e LANÇ-it, që luftoi 308 ditë lufte në Shqipëri dhe 371 ditë të tjera lufte në trojet shqiptare në ish-Jugosllavi. Por në shtatorin e vitit 1944, caktohet në detyrën “punëtor operativ” në shtabin e Divizionit II dhe pas dy muajsh kaloi në shtabin e KorpArmatës së III-të, “punëtor operativ dhe referent”, detyrë që e gjeti edhe çlirimi i plotë i Shqipërisë më 29 nëntor 1944.

Ngjarjet e luftës nuk harrohen kurrë. Mysafir në Vajzë të Vlorës tek xha Zagolli

Dallgët e luftës e çuan Kasëmin me trup ende të imët si korier lufte, por dhe si pjesëmarrës në luftë sidomos në kujtesën e tij ishte skalitur Lufta e Gjormit (31.12.1942 deri më 2.1.1943), por dhe pjesëmarrja në shumë fshatra të Labërisë, ku ishte prushi i parë luftarak i nacionalçlirimtares dhe ku u krijua edhe Zona e Parë Operative dhe e vetmja në Shqipëri. Në rrugëtimin përmes Labërisë, nga të dhënat e bashkëkohësve por dhe në tregimet që vetë Kasëm Kaçi tregonte i kishte ngelur një natë dimri në fillim të vitit 1943, ku ishte mysafir tek konaku mikpritës i Zagoll Hodo Bilbilaj në Vajzë të Vlorës. Kasëmi e përmendëte shpesh Zagoll Bilbilaj, ku gjeti zjarrin e ngrohtë në oxhak por dhe zemra të ngrohta, mikpritjen tradicionale të vajziotëve, pasi ishte mysafir në kohë lufte. Këtë nuk e harroi kurrë Kasëm Kaçi edhe kur u bë me detyra të larta, edhe drejtor Policie dhe kujtonte me mall përsheshin me kulloshtër në vatrën e Bilbilajve në Vajzë. Ai nuk harroi asnjëherë atë burrë babaxhan që nuk hapi vetëm portën e shtëpisë, por edhe zemrën dhe që folën gjatë atë natë dimri, për vendin e origjinës së tij, Libohovën, Dunavatin e Gjirokastrës ku ishte vendosur babai i tij, për miqësinë dhe krushqitë, për luftrat dhe kapedanët, për luftën epope të ’20-ës dhe sidomos për zjarrin e ri të luftës kundër nazifashizmit që sapo kishte nisur. Folën dhe për lidhjet e ngushta të miqësisë të libohovitëve të mençur dhe të shkolluar, për mësuesa e hoxhallarë, për legjendën e arsimimit të përvitshëm të 60 libohovitëve në portat e Konstandinopojës në mënyrë të përvitshme (një premtim i sulltanatin për trimëritë dhe mënçuritë e Libohovës), për lidhjet e shumta të burrave si male dhe mbi të gjitha për luftën e madhe të shqiptarëve që kishin nisur dhe për besimin në fitore.

Misionar dhe kontribues në ngritjen e konsolidimin e Armës së Policisë së Shtetit

Pas çlirimit të Atdheut detyrat ishin edhe më të vështira dhe komplekse. Krahas një “mal” me problem që vinin nga branda vendit më të varfër dhe më të shkatërruar të Evropës, plaga e analfabetizimit ishte ndër më të rëndat të trashëguar që prej pushtimit Osman. Kështu me bindje dhe energji të reja pas çlirimit Kasëm Kaçi filloi shkollën e mesme nnë Shkodër, pa shkëputje nga puna. Ishte fakt se në muajin shtator 1945 ishte caktuar “referent” në degën e informacionit në Tiranë, ndërsa pas katër muajsh, më 16.1.1946, emërohet “komandant” i stacionit të Qendrës në Sektorin e Punëve të Brendshme në Shkodër.

“Nuk i zunë këmbët dhe”, pasi pas gjashtë muajve, më 15 shtator 1946, transferohet në Llakatund, Vlorë, në detyrën “zëvendësshef policie”. Në muajin mars 1947, emërohet “instruktor” në Drejtorinë e Punëve të Brendshme, në Vlorë, por edhe këtu nuk qëndroi gjatë mbasi u rikthye në Shkodër, në muajin shtator 1947, i caktuar në detyrën “referent politik”. Pas dy vjetësh, në shkurt 1949, transferohet në Tiranë, i emëruar “instruktor” në Shkollën e Policisë në Sauk të Tiranës. Edhe në këtë detyrë nuk qe e thënë të qëndronte për shumë kohë, mbasi në muajin maj 1949, u emërua në postin “shef sektori i zhdukjes krimeve”, në Durrës. Në nëntor 1949, transferohet në detyrë paralele në Tiranë, ku punoi me përkushtim dhe devotshmëri të lartë. I vlerësuar për punën shumë të mirë në funksionin e shefit të sektorit të krimeve në Tiranë, në tetor 1952, ngrihet në përgjegjësi duke u emëruar “zëvendësshef policie” në Drejtorinë e Punëve të Brendshme në Tiranë. Pas një viti me qëllim rritjen e efikasitetit të punës kriminale në Shkodër, në shtator 1953, transferohet në rrethin veriperëndimor të vendit, i emëruar në detyrën “shef i sektorit të zhdukjes së krimeve”.

Kasëm Kaçi bën pjesë në kontigjentin policor të përzgjedhur dhe është dërguar për specializim në Moskë “për specialist në drejtësinë penale për shërbimet e Policisë”, kështu më janar 1954 niset me studime në BRSS. Pas kthimit nga shkolla ruse, (nga Moska), në prill 1955, emërohet “shef policie”, në Fier, në gusht të këtij viti emërohet “shefi i Seksionit II” në qarkun e Vlorës. Arsimin e lartë e vijoi me korrespondencë Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike, në Universitetin Shtetëror të Tiranës, duke u diplomuar “jurist” për periudhën 1956-1959.

Në prill 1957, u transferua nga Vlora në Korçë, i emëruar në postin “shef policie” dhe zëvendësdrejtor i Degës së Punëve të Brendshme. Në mars të vitit 1966, duke qenë në këtë post, i riemëruar “shef policie dhe zëvendëskryetar Dege” është shpërblyer tre herë. Vlerësimet e mira të punës dhjetë vjeçare, në Korçë, ndikuan që Kasëm Kaçi të emërohej në shkurt 1968 në postin e lartë “Drejtor i Policisë Popullore”, ku qëndroi për dymbëdhjetë vjet deri në janar 1980. Në janar 1980, është emëruar “drejtor i zbatimit të vendimeve penale”, ndërsa nëë gusht 1982, është rikthyer përsëri në detyrën “Drejtor i Policisë Popullore”, ku shërbeu deri në dhjetor 1984, kohë kur doli në pension përtej moshës së pensionimit. Kasëm Kaçi punoi në strukturat Policore dhe ka pasar si vjetërsi shërbimi policor 41 vitë dhe tetë muaj. Gjenerali i policisë Kasëm Kaçi punoi me ndërgjegje dhe përkushtim për zbatimin e ligjit ku ishte Gjenerali i Policisë së Shqipërisë jetëgjatë dhe shkroi e botoi një duzinë me libra duke mbetur krenar për trashëgiminë shqiptare dhe ishte i përfshirë në komunitetin lokal shqiptar në “Worcester”.

Edhe gradimet kanë qenë kronologjike dhe graduale duke vlerësuar një personalitet policor që ishte gjithmonë në rritje dhe konsolidim. Kasëm Kaçi ka i fituar gradualisht të gjitha gradat ushtarake-policore dhe konkretisht: më 1945 gradohet “kapter”, më 1947, fiton gradën “aspirant”, më 1949 gradohet “nëntoger”, në vitin 1951 gradohet “toger”. Ngjitjen e shkallëve të gradimit dhe hierarkisë ka ruajtur njëtrajtshmërinë edhe në gradimet e mëvonshme. Kështu në dhjetor 1955 Kasëmi u gradua “kapiten II”, më 1.7.1957 fitoi gradën “kapiten I”; më 1.7.1959 gradohet jashtë radhe “major”, duke u shpërblyer për punën e mirë, më 1.7.1963 gradohet “nënkolonel”, të cilën e mbajti deri në reformimin e gradave, kur u hoqën përfundimisht më 1.5.1966, deri sa u rivunë sërish me ligj më 28.11.1991.

Kush e ka drejtuar Policinë e shtetit shqiptar

(46 drejtuesit e Policisë së Shtetit në 113 vjet shtet shqiptar)

Policia e Shtetit ka drejtuesit e saj në të 113 vitet e ekzistencës së shtetit shqiptar. Kështu ne kemi evidentuar 46 drejtues të Policisë së Shtetit simëposhtë vijon në radhë kronologjike: Halim bej Gostivari (Gjakova) janar–maj 1913; gusht 1919–dhjetor 1920; prill–gusht 1922( ish drejtori i parë i PSH); Fehim bej Mezhgorani (Tepelena) maj 1913 – 22 janar 1914; Baroni Franc Biegeleben (në qeverinë e Vilhelm Vidit) 7.3.1914 deri më 3.9.1914;Veli Vasjari – prill – qershor 1914, janar – prill 1922; Sulejman Kërçiku 2 tetor 1914 – 27 janar 1916; Ahmet Sinani – dhjetor 1920 – janar 1922; Musa Çepelia – gusht – dhjetor 1922; Hamza Isaraj – dhjetor 1924; Qazim Bodinaku nga shkurt – korrik 1926; Rustem Ymeri nga dhjetor 1926 – 1927; Hilë Mosi nga shtator 1928 – 1929; Zef Kadarja – gusht 1940 – mars 1922; Theodhor Stamati nga mars – nëntor 1942; Shyqyri Borshi nga nëntor 1942 – qershor 1943; Gjush Deda nga qershor – gusht 1943; Kolë Radovani nga shtator – tetor 1943; Skënder Selmanaj nga tetor 1943 – janar 1944; Tahir Kolgjini nga 10.1.1944 – 24.11.1944; Namik Xhafa nga 24.11.1944 – 20.3.1947; Lako Polena (Devolli) nga 24.3.1947- 2.2.1948; Sali Ormëni nga 16.2.1948 – 2.3.1951; Maqo Çomo nga mars 1951 – mars 1952; Delo Balili nga mars 1952-maj 1956; Xhule Çiraku nga 1.5.1956- shkurt 1968; Kasëm Servet Kaso (Kaçi) – shkurt 1968- janar 1980; gusht 1982-31.12.1984; Agron Vasil Tafa nga janar 1980 – gusht 1982; Dilaver Hysen Bengasi nga 1.1.1985 – 17 korrik 1990; Fadil Sheme Cani (Canaj) nga 17.7.1990 – 1.5.1992; Astrit Mehaj nga 1.5.1992-22.6.1993; Sabri Jaçaj – 22.6.1993-15.6.1995; Agim Shehu nga 15.6.1995-30.6.1997; Sokol Baraj nga 3.7.1997 – 16.5.1998; Besnik Bregu nga 16.5.1998-4.9.1998; Hasan Ahmetaj nga 4.9.1998 – 9.11.1998; Veton Gjoliku nga 9.11.1998 – 20.1.1999; Veli Myftari nga 20.1.1999 – 22.11.2000; Bilbil Memaj nga 23.11.2000 – 19.8.2002; Bajram Ymer Ibraj nga 12.9.2002 – 30.3.2007; Ahmet Prençi nga 30.3.2007 – 28.10.2009; Hysni Burgaj nga 28.10.2009 – tetor 2013; Artan Didi nga Tetor 2013-Prill 2015; Haki Çako nga Prill 2015 – 5.2.2018; Ardi Veliu nga 18.2.2018 -6.10.2021); Gledis Nano nga 6.10.2021 -7.9.2022); Mahamet Rrumbullaku (nga 7.9.2022 deri më 30.8.2024); si dhe Drejtues Madhor Ilir Proda (2.10.2024 e në vijimësi), që është Drejtori i 46-të i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shqiptar, një oficer karriere i Policisë, i mirëshkolluar dhe i mirëtrajnuar, që ka përfunduar të gjitha shkollat dhe edukimin me rrezultate të shkëlqyera si dhe është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me VKM nr.608, datë 2.10.2024 (sipas Fletores Zyrtare e RSH-së nr. 168, Datë. 03/10/2024, faqe 19736).

Në vend të nekrologjisë “In memoriam”, për personalitete policore që nuk harrohen

Më 29 janarin e vitit 2022 ndërroi jetë në moshën 95-vjeçare Kasëm Kaso-Kaçi, drejtori më jetëgjatë në Policinë e shtetit shqiptar, plotë 16 vite. Kasëm Kaso, i mirënjohur nga publiku shqiptar Kasëm Kaçi, ishte lindur më 16 qershor 1927 në Gjirokastër, por që origjinën e kishte nga Libohova. Kasëm Kaçi kreu 5 klasë të shkollës fillore në Gjirokastër, në periudhën 1936-1941, ku edhe pushtimi i vendit i 7 prillit 1939, e gjeti në shkollën fillore. Më tej do të vijonte shkollën e malit pa mbushur moshën 16 vjeç, në maj 1943 në rreshtat partizane si një ndër partizanët më të vegjël në moshë në radhët e Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare partizane. I apasionuar dhe i etur për dituri si vet vendi i origjinës nga ishte vijoi shkollën e mesme në Shkodër, pas çlirimit të Shqipërisë. Më tej ndoqi edhe arsimin e lartë në Institutin Juridik, në periudhën 1956-1959. Ka kryer me korrespondencë Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike, në Universitetin Shtetëror të Tiranës, duke u diplomuar “jurist”, ndërsa u specializua në Bashkimin Sovjetik për shërbimet e Policisë. Ai ka pasur një karrierë të spikatur në polici, pasi kishte kryer disa detyra dhe poste në polici dhe Ministrinë e Brendshme, në shkurt 1968 është emëruar në postin e lartë “Drejtor i Policisë Popullore”, deri në janar 1980, ndërsa në gusht 1982, është rikthyer sërish në detyrën “Drejtor i Policisë Popullore”, ku shërbeu deri në dhjetor 1984. Ai ishte dhe mbeti një figurë profesionale e spikatur në rrugëtimin 11ë vjeçar të uniformave blu të Policisë së Shtetit. Ja çfarë shkruan, për ndarjen e tij nga jeta të tij ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,Gledis Nano, i cili ka vlerësuar rolin e tij në dërtimin e policisë së Shtetit përgjatë viteve: “Të nderuar familjarë të ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Kasëm Kaso-Kaçi. Me pikëllim morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Zotit Kasëm Kaçi, i cili për rreth 15 vite ishte në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Shqiptare, duke u veçuar si më jetëgjati në detyrë. Në emrin tim dhe të Policisë së Shtetit shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e kësaj figure të rëndësishme në rrugëtimin 109 vjeçar të Policisë së Shtetit, të cilën zoti Kasëm Kaçi e drejtoi dy herë në periudhat respektive 1.2.1968 – 15.1.1980 dhe 1.8.1982-31.12.1984. Emri i tij do të kujtohet nga gjeneratat e ardhshme si një luftëtar dhe veteran i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, por edhe si ish-Drejtor i Përgjithshëm i Policise Shqiptare në radhët e së cilës punoi mbi 40 vite. Njëherazi lutemi për përcjelljen e ngushëllimeve të afermve, miqve dhe të dashurve të zoti Kasëm Kaçi. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të”.

Kasëm Kaçi ka bërë detyrën shtetërore në mënyrë rigoroze, ka qenë pjesë e formacioneve partizane gjatë LANÇ-it, që kur ishte adoleshent dhe më tej punonjës profesional policie nga niveli bazë deri në krye të policisë. Sikurse shprehen shumë nga bashkëkohësit e tij ai i shërbeu shtetit me dinjitet dhe profesionalizëm prandaj dhe meritoi vlerësimet më të larta duke ngelur shembull frymëzimi se si duhet të punojnë brezat e sotëm të policisë për të qenë garant të rendit dhe sigurisë publike. Vlerësimet e punës të çdo viti i ka pasar shumë të mira, inteligjent, me zell për studime, i përkushtuar në detyrë, me marrëdhënie të mira dhe reciproke, me rezultate të larta dhe cilësore në çdo detyrë ku ka shërbyer, i papajtueshmëm me thyerjet e disiplinës, njeri dinamik, njohës i mirë i rregulloreve i akteve ligjore, zbatues i përpiktë i tyre, praktik në zgjidhjen e problemeve, organizator dhe drejtues i aftë, metodist i zoti, kontrollues dhe udhëheqës me shembullin personal, i etur për dije e kulturë, këmbëngulës deri në fund për zgjidhjen e ankesave të qytetarëve, i përpiktë dhe aktivist në problemet e ndryshme, njohës i thellë i shërbimeve të policisë, kërkues ndaj vartësve, i thjeshtë dhe i dashur, njerëzor me vartësit. Prandaj edhe gëzonte respekt të gjithanshëm nga trupa policore shqiptare.

Vlerësimet, nderimet dhe dekorimet me urdhra e medalje të Gjeneral Kasëm Kaçi

Kasëm Kaçi është nderuar me shumë medalje dhe urdhra, ndër të cilët: medalje të “Kujtimit”, “Trimërisë”, “Çlirimit”, medalje që kanë qenë me detajime dhe të konkretizuara për ish partizanët që fituan luftën me nazifashistët. Le ti specifikojmë ashtu sikursa janë të dokumentuara në arkivat e zyrave shtetërore: Nga Presidiumi i Kuvendit Popullor i është akorduar “Certifikatë” me nr. rregjistrimi të dates 26.II.1945 për Kasëm Servet Kaçi me “Medaljen e Kujtimit” me këtë motivacion: “Qysh para 10 korrikut 1943 që shënon formimin e Shtabit të Përgjithshëm t’Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare, ka marrë pjesë pa ndërprerje deri në fund, me armë ose me aktivitet politik t’organizuar në luftën kundra okupatorit dhe tradhtarëve për çlirimin e Atdheut dhe të Popullit Shqiptar”; certifikata është firmosur nga sekretari Sami Baholli dhe kryetari Dr. Omer Nishani. Nga Presidiumi i Kuvendit Popullor i RPSH është akorduar “Certifikatëqë daton më 1.11.1951 për Kasëm Servet Kaçi me “Medaljen e Kujtimit” me këtë motivacion: “Qysh para 10.7.1943 që shënon formimin e Shtabit të Përgjithshëm t’Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare, ka marrë pjesë pa ndërprerje deri në fund, me armë ose me aktivitet politik t’organizuar në luftën kundra okupatorit dhe tradhtarëve për çlirimin e Atdheut dhe të Popullit Shqiptar”, certifikata është firmosur nga sekretari Sami Baholli dhe kryetari Dr. Omer Nishani. Nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSH i është akorduar “Certifikatë” që daton më 1.11.1951, për Kasëm Servet Kaçi me “Medaljen e Trimërisë” me këtë motivacion: “Luftëtar trim, ka qenë shembull qëndrese dhe vetmohimi në luftë kundra okupatorit dhe tradhtarëve për çlirimin e Atdheut dhe të popullit Shqiptar”; certifikata është firmosur nga sekretari Sami Baholli dhe kryetari Dr. Omer Nishani.

Nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSH i është akorduar “Certifikatë” që daton nga 1.11.1951 për Kasëm Servet Kaçi me “Medaljen e Çlirimit” me motivacion: “Ka marrë pjesë në rreshtat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare dhe me armë në dorë ka luftuar kundra okupatorit dhe tradhtarëve deri në çlirimin e plotë të Atdheut dhe të Popullit Shqiptar”; certifikata është firmosur nga Sami Baholli dhe Dr. Omer Nishani. Nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSH i është akorduar “Certifikatë” nr.19453 datë 23.7.1953 për Kasëm Servet Kaçi me “Medaljen e Trimërisë” me këtë motivacion: “Luftëtar trim, ka qenë shembull qëndrese dhe vetmohimi në luftë kundra okupatorit dhe tradhtarëve për çlirimin e Atdheut dhe të popullit Shqiptar”; certifikata është firmosur nga sekretari Sami Baholli dhe kryetari Dr. Omer Nishani. Kasëm Kaçit i janë akorduar gjithashtu dy medalje të “Shërbimit Ushtarak”, në vitin 1951 dhe Medalja e Shërbimit Ushtarak e vitit 1953, medaljen “10 vjetori i Ushtrisë” (1953), urdhrin “Ylli Kuq” me rastin e plotësimit të kohës 10 vjet të shërbimit në ushtri (1954), urdhrin “Gj. K. Skënderbeu” të Klasit II, për mbushjen e kohës 15 vjet të shërbimit në ushtri, urdhrin “Skënderbeu” i klasit I, për 20 vjet kohë shërbimi në polici, urdhri “Shërbimit Ushtarak” i Klasit I si dhe vlerësime të tjera të evidentuara në tre dosjet e tij personale, njera prej së cilës i përket nomeklaturës më të lartë të personaliteteve të shtetit, që natyrshëm kalonte në filtër, pasi Kasëm Kaçi ka qenë  në detyrën më të lartë që mban një punonjës policie i shtetit. Vlerësimet e punës të çdo viti i ka shumë të mira, duke cilësuar inteligjencën e tij, zellin në studime, përkushtimin në detyrë, marrëdhëniet e mira me eprorët dhe vartësit, rezultatet e larta në çdo detyrë ku ka shërbyer, ngritjen ideopolitike, papajtueshmërinë me armikun e klasës, dinamizëm në punë, njohës i mirë i rregulloreve dhe akteve ligjore, zbatues i përpiktë i tyre, praktik në zgjidhjen e problemeve, organizator dhe drejtues i aftë, me partishmëri në detyrë, metodist i zoti, kontrollues e ndihmues i kujdesshëm, i etshëm për dije e kulturë, këmbëngulës në zgjidhjen e kërkesave e ankesave të qytetarëve, e ndryshme, njohës i mirë i shërbimeve të policisë, kërkues ndaj vartësve, këmbëngulës dhe i përpiktë në detyra, jep kudo shembullin personal, i thjesht dhe i dashur me vartësit, etj. Me rastin e 50 vjetorit të lindjes, më 16.6.1977, e ka përshëndetur me një letër të posaçme nga ish-ministri i Brendshëm i asaj kohe, Kadri Hazbiu. Por vlerësimet dhe nderimet për misionarin e policisë ja kanë dhënë shokët, miqtë, kolegët, bashkëluftëtarët e rreshtave partizane, si dhe bashkëpunëtorët në ngritjen dhe konsolidimin e Policisë së Shtetit. Duke qenë dy herë Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit me një eksperiencë të konsiderueshme Kasëm Kaçi ka shkruar një libër, me karakter përshkrues, për zhvillimin e Policisë të periudhës pasçlirimit, i cili ka pasur vlerësime të mira nga kritika. Po kështu ka shkruar edhe: “Forcat ndihmëse të ruajtjes së rendit” (nuk ka vit botimi); “Krijimi i organeve të ruajtjes së rendit e të qetësisë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (20.10.1942, shkurt-mars 1945)”, Tiranë: Albpaper, 2009; “Zbulimi, parandalimi i krimeve dhe roli i qytetarit”, Tiranë: Albpaper, 2009; “Për dunavatasit”, Tiranë: Albpaper, (2007) si dhe publikime të tjera, plotë një duzinë me libra si pjesë e trashëgimisë për luftën por sidomos për Policinë e Shtetit shqiptar. Nga ana tjetër si Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shqiptare më jetëgjati, i caktuar dy herë në këtë post, përmbi 16 vjet tregon se ka qenë mjaft i vlerësuar, gjë të cilën e polhojnë bashkëkohës të tij e ish-kolegë, të cilët flasin me respekt për punën e Kasëm Koçit, këtij veterani të LANÇ-it, ku sipas zotit Hilë Lushaku, djali i vajzës së tij, Igli Toska, ka qenë ministër në kohën e qeverisë shqiptare të viteve 2004-2005. Kasëmi u shkëput nga Shqipëria dhe për disa kohë jetoi në Amerikë, aty ku edhe u shua por zemrën e la përjetësisht në vendlindje në Shqipërinë e tij të dashur.