Lumnie Thaçi-Halili: KADARE NË RRËFIMIN MEMORIAL TË SULEJMAN MATOS

(Hulumtim letrar për librin “Kujtime të kohës me Kadarenë”, të Sulejman Matos; URA, Prishtinë, 2025)
Vërtetësia si bosht i rrëfimit letrar
Letërsia e kujtimeve është një nga hapësirat më delikate ku ndërthuren kujtimi dhe arti. Ajo fiton një dimension të veçantë kur autori zgjedh të shkruajë jo për veten, as për veprën e një kolegu, por për njeriun që fshihet pas figurës publike të shkrimtarit. Në këtë territor, sinqeriteti bëhet një akt letrar po aq i rëndësishëm sa gjuha apo stili: të portretizosh mikun me gjithë dritëhijet e tij është të afirmosh se e vërteta, sado e ndërlikuar, i shërben më mirë kujtesës sesa thurja e lavdit.
Shembuj të tillë gjenden në letërsinë botërore, si Ernest Heminguei (Hemingway, E. (2009). A moveable feast: The restored edition. New York, NY: Scribner), i cili na dhuron një Paris të viteve ’20 ku shfaqen figura si F. Scott Fitzgerald jo vetëm si mjeshtër i prozës, por edhe si njeri i brishtë, me veset, frikërat dhe bukurinë e tij njerëzore. Më pas Constantine P. Curran (Curran, C. P. (1968). James Joyce remembered. Oxford, England: Oxford University Press), që i rikthehet viteve të hershme të Joyceit në Dublin, duke e paraqitur jo si monument i modernizmit, por si shok i gjallë, me humor e zakone të zakonshme. Ndërsa Truman Capote (Capote, T. (1987). Answered prayers: The unfinished novel. New York, NY: Random House), i cili e çon sinqeritetin deri në kufirin e thashethemit, duke e shndërruar rrëfimin për miqtë në një provokim mbi marrëdhënien mes kujtimit dhe etikës.
Në këtë traditë dhe me ndryshueshmëri kontekstesh, hyn natyrshëm edhe libri “Kujtime të kohës me Kadarenë” i Sulejman Matos, i cili e sheh shkrimtarin më të njohur shqiptar jo si ikonë të fiksuar, por si shok të afërt (mik), bashkëkohanik dhe dëshmitar të jo vetëm një kohe. Mato ruan në kujtime biseda, situata dhe fragmente të përditshmërisë, duke ia dhënë lexuesit Kadarenë me ngjyrat e gjalla të njerëzores, pa ia mohuar aspak madhështinë krijuese. Ashtu si Hemingway, Curran apo Capote, edhe Mato zgjedh rrugën e ndershme, ta gdhend portretin e mikut me penën e së vërtetës, duke treguar se respekti më i madh për një shkrimtar është t’ia ruash origjinalitetin ashtu siç është. Veprat e lartëcekura, nga Parisi i Hemingueit te Dublini i Curranit, nga sallonet e Capotes te kujtimet e Matos për Kadarenë, dëshmojnë se miqësia dhe letërsia krijojnë një hapësirë ku e shkuara bëhet rrëfim i gjallë dhe portreti i mikut mbetet i paharrueshëm, vetëm atëherë kur është i vërtetë. Mirëpo, vlen të përmendet se, edhe në letërsinë shqipe tashmë ka vepra të tilla, për shembull njëra prej tyre si vepër me peshë madhore është shkruar për disa figura të letërsisë a personalitete nga Ibrahim Kadriu , Buzëqeshje miqsh-reflekse biografish, Faik Konica, Prishtinë, 2025.
Për dallim prej të gjithave, libri i Matos vjen i hartuar ndryshe, ai qëndron diku midis kujtimit personal, kronikës historike dhe kritikës letrare, një zhanër që në botë njihet si memoar biografik-kritik, (shënime biografike me qasje analitike) më afër “bisedave” dhe “portretit” sesa jetëshkrimeve faktike e të thata. Përveç se dallon që bart një frymë shqiptare shumë të veçantë, ai gërsheton intimitetin miqësor me kontekstin e diktaturës, duke sjellë jo vetëm Kadarenë si shkrimtar, por edhe jetën e njerëzve të kohës së tij. Mbi gjithçka, është, në thelb, një rrëfim me shumë shtresa motivuese, ku ndërthuren natyrshëm arsye personale dhe publike. Në planin më intim, ndjehet si një dëshmi malli dhe mirënjohjeje, ku autori kërkon të ruajë gjallë kujtimin e një miqësie që e ka shoqëruar nga vitet e rinisë deri në prag të ndarjes nga jeta e shkrimtarit Kadare (2024). Shumë fragmente në libër, kanë një butësi që e tejkalojnë tonin kritik, janë rrëfime ku ndihet nostalgjia për kohët e përbashkëta, për udhëtimet, bisedat, librat e dhuruar njëri-tjetrit, për ngrohtësinë dhe dritëhijet e marrëdhënies me një njeri që mbetet i jashtëzakonshëm, por edhe i thjeshtë në përditshmëri. Ky mall shndërrohet në një mënyrë për ta mbajtur Kadarenë të gjallë, jo vetëm përmes veprës, por si figurë njerëzore. Megjithatë, libri nuk kufizohet vetëm te privatësia. Ai tejçon edhe një synim publik, një përpjekje për t’i ofruar lexuesit një Kadare “tjetër”, atë që qëndron pas romaneve, poemave dhe poezive: njeriun që u përball me diktaturën, që ruajti hapësirën e lirisë krijuese, që u përfshi në marrëdhënie miqësore, me grindje, me humor, me brenga… Autori e shpreh këtë qëllim më së miri në pasthënie, kur thekson se ka dashur të ndërtojë një portret “me imtësi jete”, për ta bërë më të plotë kuptimin e kësaj vepre të Kadaresë. Kështu, libri merr natyrën e një dëshmie historike dhe letrare, një mozaik që u flet brezave mbi mënyrën sesi lundron një shkrimtar i madh mes presioneve të kohës dhe thesarit të fantazisë.
Në disa fragmente ndjehet edhe një frymë homazhi, autori i kësaj vepre, ia njeh mirë mikut të tij vendin që i takon në kulturën kombëtare dhe në kujtesën e qytetëruar evropiane. Por ky homazh nuk është i ngurtë, është i shoqëruar nga humori i lehtë, nga kujtime të çiltra, nga episode ku Kadareja shfaqet si njeri i zakonshëm, ndonjëherë edhe me dobësi e ngurrime, duke e shpëtuar librin nga egzagjerimi i madhështisë (patetizmi).
Më tej, në këtë kuadër, mund të thuhet se motivi nuk është thjesht një, por një rrjet arsyesh: mall dhe nostalgji për mikun, nevojë për të ruajtur kujtesën e një kohe, dëshirë për të dhënë një dëshmi për jetën nën diktaturë, dhe vullnet për t’ia dhuruar publikut një portret më të plotë të Kadaresë, përtej aureolës së autorit kanonik. Këtë e ndriçon edhe ky shënim i I. Kadriut:“Do kohë kanë mbetur peng në kujtesë, peng me plot sharmë të një afrie njerëzore, kur ajo afri ndodhte me vullnetin e autorit” (Ibrahim Kadriu, Buzëqeshje miqsh, Faik Konica, Prishtinë, 2025, f. 531). Nga ana tjetër, ky libër mund të shihet edhe si një lloj kritike e butë dhe “zhveshjeje” të figurës së Kadaresë nga idealizimet e tepërta. S. Mato nuk shkruan vetëm për ta lartësuar, ai kërkon ta vendosë mikun e tij në një dritë më të natyrshme, ku madhështia bashkëjeton me brishtësinë njerëzore. Përmes episodeve ku Kadareja shfaqet i lodhur, i tërhequr, herë-herë i ftohtë ose i zhytur në mendime, Mato afron një portret të vërtetë, larg ikonës së paarritshme (gjithmonë duke iu referuar librit në shqyrtim).
Në shumë fragmente ai sjell kujtime ku humori, teket, nervozizmi apo mospërfillja e shkrimtarit nuk fshihen. Këto nuk janë aspak denigrime, por një mënyrë për ta bërë figurën e tij më të plotë, për ta çliruar nga ngurtësia e legjendës. Në këtë kuptim, libri ka një dimension çmitizues, duke treguar se Kadareja, përveçse mbetet përjetësisht një gjigant i letrave, ishte edhe një njeri me dritëhije, me lodhje, me momente harrese ose mërie, me rituale të thjeshta të përditshmërisë. Portreti i Kadaresë ndërtohet me një finesë që shmang glorifikimin, duke e paraqitur shkrimtarin si njeri të zakonshëm, e tregon edhe dialogu mes Matos e Kadaresë, kur ky i pari i thotë: “Të kam bërë personazh negativ, – i thashë, sigurisht me shaka…” (Sulejman Mato, Kujtime të kohës me Kadarenë, URA, Prishtinë, 2025, f. 5). Më pas vjen fjalia e tij ironike: “ Negativ jam unë, – dukej se ishte në humor të mirë. – O pikë e zezë! Njeriu pse duhet të jetë patjetër pozitiv?! Mund të jetë edhe negativ…” (f. 6), nga kjo, lehtë vihet re se e çliron nga hirësia ceremoniale dhe e kthen tek thjeshtësia e përditshme. Ky aspekt kritik shfaqet edhe në analizat për veprat e tij, sepse Mato nuk e sheh krijimtarinë e Kadaresë si një tempull të paprekshëm, por si një univers ku ia vlen të vëzhgosh mekanizmat, të dallosh truket narrative, të krahasosh sukseset dhe vlerën estetike të secilit tekst në librat e tij. Edhe vetë gjuha e kujtimeve, me mozaikun e bisedave, shënimeve, anekdotave, krijon një ndjesi zbërthimi, që gjithsesi lexuesi ftohet të hyjë “në punishten” e shkrimtarit, të shohë procesin krijues dhe marrëdhëniet që kanë ndikuar tek ai. Prandaj, ky libër nuk është homazh apo dëshmi nostalgjike, por një portret letrar, ku dashuria dhe sinqeriteti për mikun shoqërohet me guximin për ta parë ashtu siç ka qenë, një personalitet kompleks, i jashtëzakonshëm në art, por i prekshëm nga përditshmëria, besnik sikurse e dëshmon edhe vetë në libër: “… duke nisur këto kujtime kam parasysh këshillën e shkrimtarit të shquar rus Anton Çehov: “Zoti im, shkruante Çehovi në letrat e veta, mos më lejo të flas dhe të gjykoj për atë që nuk kam njohuri!” (po aty, f. 8).
Struktura e rrëfimit në vepër përfshin një hark të gjerë, që nga kujtimet e fëmijërisë në Gjirokastër, me rrugicat me kalldrëm e deri te hyrja në jetën letrare të Tiranës. Në vepër, S. Mato nuk afron një renditje të thjeshtë faktesh, por ngre një mozaik ku politika (si vdekja e Stalinit dhe jehona e saj në qytetin e gurtë), arti (poezia e hershme e Kadaresë) dhe jeta e përditshme ndërlidhen në një kohezion narrativ të qetë e të mirëmenduar. Kjo qasje i bën kujtimet të kapërcejnë kufijtë e privatësisë dhe t’i japin rrëfimit në vepër një funksion dokumentar mbi klimën e viteve ’50-’60.
Në këtë sfond, Kadareja shfaqet si një figurë e shumanshme. Fillimisht, Mato e portretizon si djalosh me syze, që ecën mbi kalldrëmin e Gjirokastrës, me një imazh të thjeshtë e njëkohësisht elitar, që përçon premtimin e një krijuesi të ardhshëm. Më pas, portreti zgjerohet: studenti i kthyer nga Moska, i shpenguar, me humor, që provon dorëzat e boksit te Ahmet Golemi, poeti që e njeh vlerën e vet, por ruan një shpërfillje të qetë ndaj sukseseve, i dashuruari me Helenën, i përfshirë në atmosferën e mbrëmjeve studentore etj. Këto tablo e të tjera, e zhvendosin nga ikonizimi aristokratik te thjeshtësia e përditshme, pa mohuar mënyrën e tij fisnike, duke mos ia zbehur madhështinë krijuese, përkundrazi, e bëjnë më të prekshëm, më të qasshëm, më njerëzor.
Ia vlen të përmendet se, kapitulli “Berat” i librit “Kujtime të kohës me Kadarenë” përbën zemrën narrative të veprës së S. Matos. Këtu, figura e I. Kadaresë shfaqet në dimensionin e saj më të plotë: i ardhur nga fama dhe njëkohësisht i zhytur në përditshmërinë e një qyteti të vogël; i lirë, ironik, padurues, i pranishëm në skenën e zakonshme të jetës. Mato e ndërton portretin jo nga distanca e një biografie të ekuilibruar, por nga afërsia e mikut dhe dëshmitarit që e sheh shkrimtarin duke u shfaqur “njeri mes njerëzve”. Topografia e Beratit bëhet pjesë e rrëfimit: restoranti “Moska”, shëtitorja buzë Osumit, dhoma e ngushtë me dritare të mbyllur. Aty shfaqet Kadareja si njeri i zakonshëm: luan letra, gëzohet kur fiton, mërzitet kur humb, bën telefonata te kujdesari (dezhurni), kërkon të mbushë boshllëkun e ditës. Këto skena veprimi e bëjnë shkrimtarin të zbërthyeshëm dhe të kuptueshëm, duke ia hequr maskën e famës. Mirëpo, S. Mato nuk harron, përfshin edhe tensionin mes dukshmërisë publike dhe dëshirës së Kadaresë për t’u bërë i “pavërejtur”. Nxënësit që e lexojnë në shkollë dhe e shohin pasditeve në shëtitore, krijojnë një binar mes veprës të tij dhe trupit, mes figurës së njohur dhe njeriut që kërkon të mbetet, si njeri i thjeshtë i atij qyteti. Ky dyzim e bën portretin më të pasur dhe më të sinqertë. Krahas të tjerave, Mato na tregon një Kadare shkrimtar që di përmendësh edhe shumë poezi popullore, jo si koleksionist motivesh, por si laborator figuracioni. Vetëm se vërejtja e tij kritike për rimat foljore “poezia popullore ka shumë rima foljore… e bën poezinë si bejte” (f. 43) e tregon si lexues me standarde të larta prozodike, që nuk e pranon lehtësinë në dëm të disiplinës së formës, pavarësisht që vepra “Bleta shqiptare”eThimi Mitkos mbi komodinë ka peshë skenike dhe semantike. Kurse tek “Një skenar që s’u shkrua kurrë” është pjesa e veprës ku Kadareja shihet në dritën më të kthjellët të njerëzores, ngaqë ai e përmbledh realitetin në kthesa ironike, zgjedh heshtjen mbi zhurmën, ushqen ditën me rituale dhe e përkthen kohën në letërsi. Përmes syrit të Matos, portreti i shkrimtarit del i besueshëm dhe i gjallë, duke dëshmuar se gjenialiteti nuk rri në piedestal, por ecën mbi kalldrëme, buzëqesh ndaj pakuptimësisë dhe mbetet i besnik gjithmonë korrektësisë së fjalës. Ndërsa nga ana tjetër, raporti me pushtetin në rrëfim, shfaqin një Kadare që refuzon instinktivisht zyrtarët dhe ceremonitë boshe. Moskthimi i përshëndetjes, shmangia e ftesave, skepticizmi ndaj mbledhjeve, distanca nga “kuadrot” janë pjesë e një kundërprotokolli që ruan lirinë e krijuesit. Humori i tij “i mbrapshtë”, që tallet me kotësinë e mbledhjeve, është strategji mbrojtjeje, por edhe shenjë e qartë se shkrimtari nuk pranon të humbasë kohën në rituale pa substancë.
Në libër, mendjemadhësia e Kadaresë trajtohet si nyje interpretimi, krenari që ai e deklaron hapur dhe e shndërron në vetëpranim etik, duke e vendosur kundrejt mendjemadhësisë së të tjerëve: “Kam qenë mendjemadh. E pranoj… dhe s’kam pasur të keqe nga kjo” (po aty, f. 66). Në këtë rast, “mendjemadhësia” nuk nënkupton arrogancë, por krenari të qetë e vetëbesim krijues, një bindje e fortë për domosdoshmërinë e arritjes së standardit më të lartë personal. Është një mburojë që e mbron nga ceremonialet e kota dhe nga “çinovnikët e klonuar”. Andaj, shkruesi i këtij libri e shpjegon qartë, se kjo nuk është arrogancë, por njëlloj mburoje që i lejon autorit të ruajë kohën, mendjen dhe lirinë e krijimit, për të mos u marrë me të parëndësishmet.
Nga cepi tjetër i vështrimit, Mato tregon portretin e Kadaresë si autor që e ka të qartë peshën e fjalës. Ai punon me disiplinë, tri faqe në mëngjes, pak në mbrëmje. Ky regjim i rreptë e vendos larg mitit të frymëzimit spontan, duke e kthyer krijimin në një proces të matur ku talenti bashkëjeton me metodën.
Dua të ndalem pak te kapitulli “Tri letrat” (f. 89-102) që përfaqëson provën se (proza e memoareve) proza e kujtimeve mund të përmbajë edhe tensionin e një trilleri, duke ruajtur peshën e së vërtetës historike. Përmes detajeve të kujdesshme dhe skenave të paharrueshme, si: porta me hark, torta me qirinj, bezeja e kuqe e tribunës, rrëfimi e kthen një histori personale në reflektim mbi brishtësinë e intimitetit dhe dinjitetin njerëzor përballë dhunës ideologjike.
Në periudhën pasuese vjen kapitulli “Grimca jete” që sjell tabllo të veçanta, të cilat bashkohen në një reflektim të hollë mbi përditshmërinë kulturore dhe shoqërore të viteve ’60. Vetëm se këtu, merr një ngjyrë të butë nostalgjie rrëfimi, kur autori i këtij libri shkon për herë të parë në banesën e re të Kadaresë, ku përballja e tij me televizorin krijojnë një atmosferë të ngrohtë shtëpiake, ngase detaji teknik (ekrani bardhë e zi, antena pranë dritares) merr një ngarkesë simbolike. Televizori paraqitet si një dritare drejt botës tjetër për të, një “profeci e Zhyl Vernit”, që i jep lexuesit shijen e një epoke kur çdo risi teknologjike dukej si magji.
Autori i këtyre kujtimeve i jep peshë përmendjes së një fakti te “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, që shfaqet si gurthemel në krijimtarinë e Kadaresë dhe bashkon trekëndëshin me“Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”dhe“Kronikë në gur”. Në raport me Kafkën dhe Ionescon, romani tregon fuqinë e Kadaresë për të demaskuar totalitarizmin, Ebu Qerimi, burokrati i ëndrrave, mishëron mekanizmat e padukshëm të frikës. Botimi në klimën e Nenit 55 dhe kujdesi i Dritëroit në Lidhjen e Shkrimtarëve tregojnë se vepra kërkonte jo vetëm talent, por edhe intuitë për t’u përballur me censurën (f. 203).
Në veprën “Kujtime të kohës me Kadarenë”, përmendja e Çmimit Nobel, ashtu siç e përshkruan S. Mato në njësinë treguese “Çmimi Nobel” (f. 239), meriton vëmendje të veçantë, pasi reflekton mbi pozitën unike të Kadaresë dhe mbi marrëdhënien mes artit, politikës dhe përkatësisë kulturore. Ai tregon se vlera e shkrimtarit nuk matet me marrjen e këtij Çmimi, por me qëndrueshmërinë e veprës në ndërgjegjen kritike. Kadareja, edhe pa Nobel, ka fituar vlerësim e admirim ndërkombëtar, duke mbetur i pavarur nga skandalet politike që shpesh shoqërojnë çmimin. Kujtimet nga Moska dhe Parisi zbulojnë identitetin e tij si autor mes Lindjes dhe Perëndimit, ndërsa Parisi bëhet hapësira e lirisë krijuese. Përkatësia fetare e kulturore nuk shfaqet si kufizim, por si materie artistike, dhe çdo kujtim personal ose historik shndërrohet në pasuri universale. Në thelb, madhështia e Kadaresë qëndron te aftësia për ta kthyer historinë e popullit të vet në letërsi që flet me botën. Pra, ky ekuilibër midis respektit dhe zhveshjes e bën veprën e tij më të besueshme dhe më të çmueshme, sepse i jep lexuesit jo vetëm figurën publike të Kadaresë, por edhe njeriun që fshihet pas tij.
Tërësisht në libër, figura e Kadaresë ndërtohet si një mozaik kujtimesh, ngjarjesh dhe refleksionesh, jo si një portret linear e i njëtrajtshëm. S. Mato e paraqet mikun shkrimtar me një realizëm të përzier me respekt, duke shmangur dy skajet: idealizimin pa kushte dhe ekspozimin thjesht kritik. Portreti që del nga faqet e këtij libri është i gjallë, i lëvizshëm, i mbushur me hijezime njerëzore. Autori e sheh Kadarenë njëkohësisht si figurë të jashtëzakonshme letrare dhe si njeri me shprehi të zakonshme, me huqet dhe zakonet që ka. Ai kujton humorin e hollë, shpërthimet e papritura, nervozizmat ndaj kolegëve, por edhe qetësinë e një njeriu të lodhur nga lavdia e beftë që në moshën rinore. Përmenden ritualet e përditshme: kafetë, filxhani i telvesë, shëtitjet në Gjirokastër, dhënia e kujdesshme e librave dhuratë, po aq sa përshkruhen çaste të brishta intime: raporti me Helenën, dashuria për familjen, kujdesi ndaj miqve, mallin për qytetin e lindjes etj. Mato thekson edhe momentet krijuese të tij: procesin e shkrimit, mënyrën se si Kadareja përzgjidhte detaje nga kujtesa, marrëdhënien e tij me folklorin, me Homerin, Shekspirin apo Kafkën… Tregohet si lindnin librat nga “laboratori i brendshëm” i imagjinatës, si përshtateshin në rrethana politike, si mbroheshin ndaj censurës, si u hapën më vonë portat e botës etj.
Në të njëjtën kohë, libri ndriçon marrëdhëniet shoqërore: miqësitë e hershme, admirimin për disa autorë, si dhe tensionet me disa të tjerë (p.sh. Neshat Tozaj, Nasho Jorgaqi, Bilal Xhaferi), kujdesin e matur për t’u kërkuar falje atyre që mund t’i kishte lënduar nëpërmjet artit… Këtu, figura e Kadaresë nuk shfaqet si hero pa të meta, por si personalitet kompleks, ku gërshetohen modestia e përhershme e shkrimtarit me krenarinë e ligjshme për veprën; humori me heshtjen; dashamirësia me distancën. Kujtimet nuk janë renditur sipas një vije kronologjike me rigorozitet, përkundër kësaj ato ndërtojnë një portret të ndërzëshëm, të ndërtuar nga episode, biseda, analiza letrare, shënime udhëtimi dhe skena intime.
Në fund, lexuesi merr parasysh jo vetëm monumentin e Kadaresë, por edhe njeriun që qëndron prapa tij: krijuesin e madh, me zemër të mbushur nga kujtime, me talent që shpërthen mbi realitet, por edhe me përvuajtjet, lodhjet, zhgënjimet, gëzimet dhe trishtimet e një jete të atëhershme. Kjo ndërthurje e bën librin të besueshëm dhe emocional për lexuesin, duke i dhënë një dimension njerëzor figurës së shkrimtarit që zakonisht shihet nga larg, vetëm përmes veprës së tij.
Vetvetiu shtrohet pyetja: a sjell kjo vepër një dimension që kritika letrare nuk arrin ta përfshijë tërësisht? Dhe, për më tepër, çfarë vlere i shton ajo kujtesës letrare e kulturore të kohës, kur lexohet e interpretohet nga vetë lexuesi?
Si rrjedhojë edhe përgjigjet vijnë vetvetiu, se ky libër qëndron shumë më lart se një kujtim i zakonshëm, sepse i bashkon tri shtresa që rrallë takohen në një të vetëm: rrëfimin personal, vëzhgimin kritik dhe reflektimin filozofik mbi letërsinë dhe kohën. Në këtë frymë kujtojmë shprehjen e Rexhep Ferrit :“Koha mund të paraqitet edhe si hapësirë e largët apo e afërt për marrëdhënie njerëzore” (R. Ferri, Gabime të bukura, ASHAK, Prishtinë, 2015, f. 139). Ky libër nuk sjell fotografi të jetës së Kadaresë, por përçon tërësisht ndërgjegje letrare. Episodet janë përzgjedhur me kujdes nga përvoja e shkrimtarit, i cili di të nxjerrë vetëm çastet me kuptim, duke ia lënë lexuesit mundësinë ta konceptojë veprën si një album fotografish. Vlera e tij kryesore është se e zbret figurën e Kadaresë nga piedestali i miteve dhe e vendos në dritën e butë të njerëzores. Kritika letrare ka folur gjatë për veprat e tij letrare, por nuk mund të tregojë dot si qeshte ai në një kafene, si ngurronte të kërkonte ndonjë ndihmë praktike, si heshtte për të mos e lënduar dikë, si mbrohej nga vetmia me humor ose me punë… Këtu Mato e nxjerr në pah “pulsin e brendshëm” të mikut, si një përzierje të thjeshtësisë, krenarisë, drojës dhe ironisë, e cila nuk mund të shihet në analizat akademike.
Ky libër është një shtesë e çmuar për kujtesën letrare dhe kulturore të kohës. Ai rindërton një peizazh të tërë të botës shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI, si: Lidhjen e Shkrimtarëve, kafet e Tiranës, qytetin e gurtë të Gjirokastrës, Beratin e një mbi një dritareve, Sarandën e pushimeve, krejt më vonë Qerretin e qetë, auditorët e konferencave, ceremonitë zyrtare, por edhe tavolinat intime ku lindnin ide dhe projekte letrare. Përmes shumë rrjetëzime skenash, lexuesi sheh jo vetëm Kadarenë, por edhe historinë e një brezi krijuesish që përballuan censurën, ruajtën humorin dhe e ngritën letërsinë mbi llogaritjet e frikës.
Më thellë akoma, libri është një letërsi e përkujtimit. Ai e shndërron të shkuarën në material poetik, duke e veshur kujtesën me hijen dhe të vërtetën e fjalës. Portreti i mikut bëhet një dëshmi njerëzore e çliruar nga retorika, ndërsa autori ndërton një hapësirë intime, ku lexuesi hyn pas kulisave apo skutave të mitit dhe sheh njeriun real ashtu siç si është me shpresat, mëdyshjet, krenarinë. Nga kjo del se kujtimet nuk janë thjesht arkiv, por energji që ringjallin kohën, një mënyrë për të shpëtuar nga harresa njerëzit dhe librat që kanë formësuar kulturën tonë. Në këtë kuptim, ato shndërrohen në një dëshmi të vetëdijshme kulturor, që u ofron brezave të vërtetat e përjetuara mbi mënyrën se si letërsia shqipe u shkrua, u mbrojt dhe u ngjit në majat e saj. Si një homazh i përmbajtur, i ndërtuar mbi një rrëfim me ngjyra njëherësh intime dhe publike, libri shfaqet si thesar i mbamendjes kombëtare, ku miku shkrimtar dhe autori, gjithashtu shkrimtar, bashkohen në një narrativë që zbulon bukurinë dhe tragjiken e rrugës krijuese.
Natyrshëm del pyetja tjetër: a pasurohet bibliografia rreth Kadaresë përmes një dëshmie njerëzore? Përgjigjja është po. Vepra e S. Matos e pasuron ndjeshëm këtë bibliografi, duke hyrë në një hapësirë ku studimet kritike zakonisht nuk depërtojnë dot: në jetën e shkrimtarit dhe në atmosferën e marrëdhënieve të tij me njerëzit dhe kohën. Studiuesit e veprës së Kadaresë janë përqendruar kryesisht në veprimtarinë letrare, ato ofrojnë analiza të çmuara, por zakonisht mbeten në planin e ftohtë të argumentit teorik. Libri i Matos e ngroh peizazhin kritik, duke sjellë zërin e gjallë të krijuesit, gjestet e përditshmërisë, bisedat spontane dhe përjetimin emocional. Ai ofron atë që kritika teorike shpesh e anashkalon: portretin njerëzor të Kadaresë, me dritëhije, rituale krijuese dhe marrëdhënie shoqërore. Vepra e lidh shkrimtarin me kontekstin kulturor e historik, Lidhjen e Shkrimtarëve, qytetet formuese, skenën e diktaturës, emigrimin dhe kthimin në atdhe. Kështu, kujtimi personal shndërrohet në burim dokumentar, që pasuron studimet kadareane me të dhëna të pakapshme përmes analizës së ftohtë teorike. Në këtë gërshetim mes dokumentit dhe përjetimit qëndron vlera e tij: një dëshmi e gjallë e jetës letrare shqiptare.
Autoportreti indirekt i Sulejman Matos në libër
Përgjatë leximit të librit, shihet që përveç portretit të Kadaresë, është i pashmangshëm edhe një autoportret i tërthortë i Sulejman Matos. Në çdo kapitull, teksa rrëfen jetën dhe veprën e mikut Kadare, autori nxjerr në pah edhe veten, njeriun që ka jetuar pranë Kadaresë, shkrimtarin që ka ndarë me të kohën për të cilën rrëfen, pasionet dhe ankthin e krijimit, qytetarin që ka kaluar një regjim të ashpër pa e humbur dashurinë për letërsinë. Thënë në mënyrë të drejtpërdrejtë, miqësia e tyre ka pasur respekt të ndërsjellë. Ai tregon se e ka njohur Kadarenë qysh në rininë e hershme, në Gjirokastër, në Berat, e në Tiranë, ku kjo marrëdhënie ka kaluar përmes shumë fazave: biseda mbi letërsinë, shkëmbime dorëshkrimesh e librash, udhëtime, darka miqësore, momente humori, por edhe heshtje të gjata. Mirëpo, në çdo episod ruhet një mirënjohje e thellë, Mato ia njeh Kadaresë talentin, ndikimin që ka pasur tek ai, madhështinë e fjalës, ndërsa Kadareja e ka respektuar Maton si bashkëbisedues me kujtesë të gjallë e shije të mprehtë letrare. Këtë e vërteton më vonë në një bisedë miqësore vetë Kadareja teksa shprehet kështu: “Në Berat, sikur të mos kisha pasur Sul Maton, nuk e di çfarë do të kisha bërë”. (f. 251). Ky pohim i tij e vendos Maton në një rreth të ngushtë besimi, si njeri që e ka ndihmuar të ruajë një lidhje me kujtimet e rinisë dhe me një botë që shpesh i dukej e largët.
Në kujtimet për vitet e rinisë në Berat, për aksionet rinore, për netët e diskutimeve letrare, Mato paraqet një brez që u rrit me etjen për kulturë, nën presionin e ideologjisë. Portreti i tij shfaq një natyrë të qetë e mendimtare, por edhe një vendosmëri për të mbrojtur artin e lirë në çdo rrethanë, si dhe bindjet dhe filozofinë e vet fetare, të pranishme në një episod të librit (f. 83). Në bisedat me Kadarenë ai nuk është vetëm dëgjues, por bashkëbisedues që pyet, sfidon e ndan dyshime. Ky raport i barabartë u jep kujtimeve një ton miqësor, jo servil. Për ta thënë qartë, Kadareja ka luajtur rolin e një mentori të heshtur: ka lexuar dorëshkrimet e Matos, ka bërë shënime e vërejtje, e ka mbështetur me fjalë të qeta, por të rëndësishme. Nuk ishte nga ata që lëvdonte dikë pa masë, por kur diçka e prekte, ai e thoshte qartë. Ky vlerësim ka qenë një formë e nënkuptuar e respektit për Maton.
Shpeshherë, S. Mato rrëfen për botën e tij krijuese, për tregimet e para, për librat dorëshkrime që ia ka dhënë Kadaresë, për emocionin e një vlerësimi të shkurtër nga ai. Këto rrëfime e nxjerrin si shkrimtar që kërkon autenticitet, që e sheh letërsinë si punë serioze, jo si dekor. Të gjitha këto dëshmi, të rrëfyera me sinqeritet, tregojnë se Kadareja është po aq i pranishëm edhe si qytetar në pjesën e librit “Vite ftohjeje” (f. 223), ku shfaqet i lënduar nga censura dhe pengesat institucionale, por pa mëri, me një filozofi prej urtaku të durueshëm që pranon sprovat e kohës. Por ka raste në libër, kur Kadareja shfaqet edhe i distancuar ndaj Matos, jo për mungesë respekti, po për shkak të karakterit të tij të rezervuar dhe natyrës së përqendruar në punë. Madje, ka periudha kur nuk takohen, megjithatë edhe kur takohen shfaqet një indiferencë, siç është rasti në librari kur nuk e përshëndet menjëherë, ose përgjigjet shkurt mbi lajmet e vdekjes së miqve të përbashkët. Sidoqoftë, këto nuk janë ftohtësi armiqësore, por shenja të një personaliteti të përqendruar në krijimtarinë e vet, i cili ndonjëherë humb ndjeshmërinë e çastit.
Më mirë se kudo e shfaq këtë kapitulli “Viti 1967”, i cili mbyll periudhën beratase dhe hap horizontin e Tiranës, duke u dhënë kujtimeve të S. Matos një vijë të qartë zhvillimi. Rrëfimi ndërton një triadë të natyrshme: largimin nga Berati, lindjen e një poezie të re dhe hyrjen e autorit në Lidhjen e Shkrimtarëve. Këto tri momente i japin librit një ritëm dhe e shndërrojnë atë në një nismë shtegtimi, ku bashkudhëtari i Kadaresë fiton një identitet të ri letrar e serioz.
Veç të tjerash, libri sjell disa tablo të spikatura e me domethënie të qarta, si vizita për urimin e lindjes së Besianës. Edhe pse e mbushur me pritshmëri mirësjelljeje, kjo skenë paraqet përmes një lenteje të qetë, kontrastin mes botës së pushtetarëve dhe thjeshtësisë së narratorit dhe bashkëshortes së Matos, Marias. Përshkrimi i dhomës së vogël të pritjes, e mbushur me figura të njohura të sistemit, krijon një sfond të ftohtë ku bisedat kufizohen në detaje të jashtme, buzëkuq dhe parfume si shenja privilegji dhe largësie nga realiteti i zakonshëm. Në këtë kontekst, spikat ndjeshmëria e Marias-bashkëshortes së Matos, e cila nuk hyn në garën e luksit, por mbetet e tërhequr dhe autentike. Kështu, figura e saj del si kundërpeshë e natyrshme ndaj shoqërisë së pushtetit.
Më pas ngrihet në sfond përmes librit edhe marrëdhënia e ndërlikuar ndërmjet Kadaresë dhe Enver Hoxhës, duke i lexuar si dy figura të dala nga i njëjti truall kulturor, por të vendosur në role antagoniste: politikani i pushtetit absolut dhe shkrimtari që kërkon hapësirën e vet të lirisë për krijimtari. Rrëfimi e vendos skenën si dramë të brendshme pushteti, sikurse rrëfehet për hyrjen e Kadaresë në Bllok, pritjen e tensionuar, buzëqeshjet e qeta të Nexhmijes, fjalët e matura të diktatorit. Të gjitha krijojnë një atmosferë të ngarkuar, ku nënteksti peshon më shumë se dialogu i shprehur. Prandaj, autori këtë rast e shfrytëzon përmes një kontrasti të qëndrueshëm midis miklimit dhe dyshimit. Enveri, i lodhur nga sëmundja, ka nevojë për shkrimtarin që t’u japë jetë kujtimeve të tij, por, në të njëjtën kohë, e sheh me sy kritik, i kujdesshëm për të mos e humbur kontrollin. Dhurata e veprave të Balzakut merr peshën e një ftese të fshehtë për bashkëpunim, por edhe të një prove besimi. Kadareja, me intuitën e mprehtë të njeriut të letrave, e kupton lojën e pushtetit duke e ruajtur distancën e nevojshme.
Në kapitujt e fundit “Takimi i fundit”, “Janar 2024, (f. 244”) del një Mato i brishtë e nostalgjik, i cili përballet me humbjen e mikut, të cilën e përjeton si humbje të një pjese të vetvetes. Ndjenja e mirënjohjes dhe e respektit nuk e pengon të ruajë një ton të matur, të përmbajtur, me një ekuilibër midis dhimbjes dhe qetësisë që sjell koha.
Përmes një mënyre të kujdesshme përzgjedhjeje të episodeve, herë të ndritura e herë të mjegullta, Mato rrëfen, ndër të tjera, edhe filozofinë e tij për jetën dhe artin. Letërsia paraqitet si dëshmi dhe aventurë shpirtërore, ndërsa kujtimi nuk është vetëm arkiv, por një mënyrë për të kuptuar edhe vetveten. Miqësia, nga ana tjetër, shfaqet si hapësirë besimi, por edhe si sfidë për të ruajtur sinqeritetin. Në këtë kuptim, libri mund të lexohet nganjëherë edhe si libër i dy portreteve të ndërlidhura: njëri i Kadaresë, mjeshtrit gjeni të fjalës dhe tjetri, i autorit që e ndjek, e analizon dhe e mat me jetën e vet. Portreti i Kadaresë është ai i një shkrimtari të madh me ndërlikime nuancash njerëzore, ndërsa portreti i Matos është i një shkrimtari që zgjedh të kujtojë me mençuri, dashuri dhe integritet, duke e kthyer kujtimin në një formë vetëdëshmie të pakontestueshme për rrugëtimin e vet letrar dhe njerëzor. Në këtë prizëm, “Kujtime të kohës me Kadarenë” mund të lexohet si autoportret i Sulejman Matos në pasqyrën e mikut të madh: një shkrimtar që, duke e ndriçuar jetën dhe veprën e tjetrit, rishkruan në mënyrë të heshtur edhe historinë e vet, u jep kujtimeve përmasën më të thellë, atë të përbashkimit njerëzor dhe letrar.
Përgjatë leximit të këtij libri, mësojmë edhe për raportet që ka pasur Kadareja me kolegët shkrimtarë, që shfaqet si një mozaik marrëdhëniesh të ndërlikuara, ku ndërthuren respekti, konkurrenca, mirënjohja, keqkuptimet dhe, herë pas here edhe ndonjë ironi therëse, tipike për karakterin e tij. Ai tregon se, që në vitet e hershme, Kadareja ka pasur pranë një rreth autorësh me të cilët ndante idealin e letërsisë, por edhe sfidat e mbijetesës në diktaturë: Dritëro Agollin, Moikom Zeqon, Sadik Bejkon, Fatos Halitin, Çerçiz Loloçin më vonë etj. Me këta, marrëdhënia paraqitet e ngrohtë, e bazuar në respekt intelektual dhe në gëzimin e përbashkët për fjalën artistike. Kurse, nga ana tjetër, libri nuk fsheh as tensionet, duke kujtuar se Kadareja ka qenë i ndjeshëm ndaj servilizmit dhe karrierizmit në letërsi, nuk i ka duruar “miqtë imponues” që kërkonin favore apo e lexonin veprën e tij si trampolinë për interesat personale. Në raste të veçanta, ai ka përdorur edhe armën e artit për të stigmatizuar ndonjë koleg në poezi apo romane, madje i ka shndërruar në personazhe të koduar që bartin tipare të atyre të cilët e kishin zhgënjyer, siç ndodh me disa aluzione ndaj B. Xhaferit, A. Pipës, apo figurave burokratike që kishin pushtet mbi letërsinë atë kohë. Pra, me një fjalë, në librin “Kujtime të kohës me Kadarenë”, marrëdhënia e tij me shkrimtarët e tjerë nuk paraqitet në një linjë të vetme: herë është bashkëpunim i frytshëm (si me Dritëroin në përballjen e censurës ndaj “Nëpunësit të pallatit të ëndrrave”), herë është ftohje e qetë (si me N. Jorgaqin, pas polemikave të vonshme), herë një aleancë e heshtur përballë regjimit (me N. Tozajn apo miq të rinj në bllokun e pushtetit që i shpërndanin të dhëna). Nga ky rrëfim, del një Kadare që nuk ka kërkuar kurrë të jetë “i gjithëpëlqyeri” i shkrimtarëve. Ai ka ruajtur një distancë aristokratike, duke mbajtur pranë vetëm ata që sillnin energji krijuese, biseda serioze, ose humor inteligjent. Për të, letërsia ishte mbi shoqërinë rastësore, ndërsa marrëdhëniet mbaheshin vetëm nëse ushqenin idenë e lirisë së fjalës dhe të përkushtimit ndaj artit. Prandaj, portreti që Mato ngre për Kadarenë në raport me kolegët, është ai i një shkrimtari të kujdesshëm në miqësi, selektiv dhe shpesh kritik, por asnjëherë mizor. Ai mbetet njeri i kontrasteve: mik që gëzohet për suksesin e tjetrit, por edhe autor që e mbron me ngulm veprimtarinë e vet krijuese. Ky raport e bën figurën e tij më reale, duke e larguar nga çdo mit i rremë “gjigant pa hije” dhe duke e vendosur në skenën e vërtetë, ku krijuesit përballen me njëri-tjetrin mes pasionit, ambicies dhe kërkesës për autenticitet.
Në episodet e fundit të kësaj përmbledhje kujtimesh, Kadareja shfaqet i lodhur nga jeta, por jo i larguar shpirtërisht nga Mato. Ai e pranon praninë e tij me qetësi, qesh përsëri me humorin e tij, pranon dorëshkrimin e këtij librit të dhuruar, lënë mbi tavolinë, e dëgjon me vëmendje edhe kur nuk e ka më energjinë e dikurshme. Teksa rrëfimi afrohet drejt mbylljes, mbizotëron një pranueshmëri e heshtur që shoqëron takimet e fundit, e ngjashme me një pajtim të pashprehur mes dy miqve, të vetëdijshëm se koha e tyre së bashku po shteron.
Ekuilibri mes ndjenjës dhe krijimit
Ngjall kërshëri në libër raporti i Kadaresë së ri përballë femrave, sidomos aty ku përmenden vitet e rinisë, në Berat, në Tiranë e në Moskë, shfaqet një Kadare i ri që lëkundet mes kureshtjes, ndrojtjes dhe dëshirës për ta njohur botën femërore. S. Mato asnjëherë nuk e bën këtë temë bosht të rrëfimit, por e lëshon si rrjedhë duke e shpërndarë në disa skena. Kadareja del si një djalë i zgjuar dhe ambicioz, që ruan një elegancë të lindur në marrëdhëniet me femrat. Në Berat e Tiranë, ai shfaqet herë si shoqërues i vëmendshëm, herë si vëzhgues i heshtur, që më shumë dëshiron të kuptojë sesa të pushtojë. Në Moskë, Mato kujton prirjen e tij për të soditur vajzat ruse, por njëkohësisht edhe tërheqjen ndaj “poeteve të bukura moskovite”, një tërheqje që ai vetë e shoqëronte me skepticizëm ndaj poezive të tyre sentimentale. Sidoqoftë, libri pasqyron se për Kadarenë e ri, femrat janë një territor i dyfishtë: një frymëzim estetik dhe një provë e karakterit. Ai nuk shihet si njeri i mbërthyer nga pushtimi i pasioneve ndaj tyre, por si dikush që mban një lloj distance intelektuale, madje edhe atëherë kur humori i tij prek zonën e flirtit, aty ka më shumë lojë dhe vështrim shkrimtari sesa tundim të papërmbajtur. Rreth kësaj, Mato nënvizon se ky raport nuk ka qenë asnjëherë i mbështjellë me fshehtësi dramatike, përkundrazi, ishte i natyrshëm, i kthjellët, bile shpesh i shoqëruar nga një lloj ironie e ëmbël. Për Kadarenë, (sipas tij) shoqërimi me gra të bukura dhe inteligjente ka qenë një mënyrë për të shmangur monotoninë e bisedave burrnore, për të gjetur energji krijuese dhe për të ushqyer fantazinë. Poezitë e tij të hershme për dashurinë, të cilat Mato i risjell me citime, tregojnë se pas çdo shikimi apo bisede të shkurtër, ai dinte ta shndërronte ndjesinë në varg të përpunuar. Sipas kësaj logjike, te këto kujtime, lëkundjet e Kadaresë ndaj femrave nuk janë as aventura të ethshme, as idealizime të verbra, por momente kërkimi dhe përjetimi, të vendosura midis etikës personale dhe nevojës së artit për të ushqyer emocionin. Portreti që del nga libri është ai i një shkrimtari të ri që provon gjëra në jetë pa e thyer masën e brendshme, që di të mbajë ekuilibrin mes kureshtjes njerëzore dhe disiplinës së krijuesit.
Roli i intertekstit dhe i referencave kulturore
Përmes këtij roli shihet se si rrëfimi ndërton dialog me veprat e Kadaresë (romane, poezi, ese) dhe me traditën botërore, duke sjellë Shekspirin, Eskilin, Homerin, Kazanzaqisin, Borgesin, Camilo José Celan, madje edhe figura të kulturës moderne si Steve Jobs. Ky dialog, i përdorur qëllimshëm nga S. Mato, krijon një hartë të gjerë kulturore ku Kadareja vendoset në qendër, duke e ngritur portretin e tij mbi një kulm intertekstesh dhe mitesh letrare. Rrëfyesi nuk e sheh mikun e tij në një hapësirë të zhveshur, por e fut në një marrëdhënie të vazhdueshme me krijimtarinë e vet dhe me kulturën që e ka ushqyer. Ai ndalet në shumë libra të Kadaresë, si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, “Kukulla”, apo “Pallati i ëndrrave”, si dhe në poezi, si “Dreri”, “Mall” e “Vjeshtë e vonë”. Këto vepra nuk përmenden vetëm për informacion, por për të ndriçuar episode të jetës së shkrimtarit, duke treguar se si përjetimet personale u shndërruan në material letrar. Madje shkon përtej, duke treguar se universi letrar i Kadaresë nuk kufizohej nga gjeografia shqiptare. Përmes këtyre referencave, Mato i jep lexuesit një perspektivë mbi Kadarenë si shkrimtar që e ndërtoi identitetin e vet në urën mes traditës klasike, modernitetit dhe përvojës shqiptare. Kjo thurje rrëfyese me shembujt e marrë në libër, krijon një peizazh kulturor, ku Kadareja shfaqet si autor i lidhur njëkohësisht me rrënjët e tij (Gjirokastra, kujtesa popullore, legjendat shqiptare) dhe me galaktikat e letërsisë botërore. Përmendja e Hamletit, Odisesë, Penelopës, Homerit, madje dhe e metaforave nga Jobsi, i jep librit një frymëmarrje universale dhe e vendos miqësinë Mato-Kadare në sfondin e madh të dialogut mes kulturave dhe kohërave. Andaj, në këtë kuptim, interteksti nuk është ornament, por një mjet kritik dhe poetik, i cili e bën Kadarenë të lexueshëm si figurë që u formua nga leximet dhe mitet, ndërsa rrëfimi i Matos bëhet vetë pjesë e një tradite më të madhe të “letrave për shkrimtarin”, ku biografia, kujtimi dhe letërsia bashkohen në një: “Kujtimet e kohës me Kadarenë”!
Qytetet si peizazhe të kujtimeve
Libri në fjalë, u jep një rol të veçantë qyteteve dhe hapësirave, duke i kthyer ato në peizazhe të kujtesës dhe emocioneve, jo thjesht në koordinata gjeografike. E para Gjirokastra, që është trualli themelor, aty lidhet fëmijëria e Kadaresë dhe rrënjët e autorit, “gurrës amë” prej së cilës Kadareja nxjerr gjithnjë materie krijues. Përmenden sokakët e ngushtë, “Sokaku i të Marrëve”, “Porta e Madhe e Shtëpisë së Vasilit”, gjimnazi “Asim Zeneli”, oborret ku fëmijët ndanin bukë me marmelatë. Ky qytet shfaqet si një mit i gjallë, si laborator i imagjinatës ku realiteti dhe legjenda bashkëjetojnë, duke u bërë burim i pandërprerë për romanet “Kronikë në gur”, “Kukulla”, “Darka e gabuar”. Më pas vjen Tirana, si hapësirë e marrëdhënieve letrare e shoqërore, Lidhja e Shkrimtarëve, zyrat, baret “Juvenilja” apo “Sky Tower”. Këtu Mato vendos skena intime (takime, biseda, dhurime librash) dhe momente zyrtare (plenume, mbledhje kritike…). Kryeqyteti bëhet simbol i jetës publike, i tensioneve mes krijimtarisë dhe aparatit politik, por edhe vend i miqësive dhe humorit. Ndryshe nga hapësirat e mëparshme, Parisi pasqyron lirinë dhe kthjelltësinë e shikimit, aty Kadareja rifiton fuqinë krijuese, shfaqet si autor me reputacion ndërkombëtar, por pa e humbur mallin për rrënjët. Në këtë kontekst përmendet poezia “E diela e Pashkëve në Paris”, ku përmes vargjeve përqafon identitetin perëndimor pa e braktisur thelbin shqiptar. Berati bart një ngjyrim sentimental, i lidhur me periudhën e rinisë, bisedat e natës dhe hapat e parë drejt letërsisë, kujtime që Mato dhe Kadare i ruajnë si thesare të një kohe të largët e të bukur. Ndërsa Saranda shfaqet me tone më të buta, si vend pushimesh dhe njëkohësisht sfond i kontrasteve mes privilegjit dhe thjeshtësisë, ku përshkruhet episodi me veturën e Kadaresë dhe reflektimi mbi ndarjet sociale në fund të viteve ’90: “Ishte rast i rrallë për atë kohë që një shkrimtari t’i vihej në dispozicion shofer dhe veturë. Këtë privilegj e kishte përfituar jo si shkrimtar, por si nënkryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë” (po aty, f. 221-222).
Këto vende nuk janë thjesht skena ngjarjesh, por pika nodale ku ndërthuren ndjenja, kujtime dhe histori, duke e kthyer rrëfimin në një strukturë emocionale. Mund të huhet se, secili nga qytetet e përmendura, pasqyron edhe gjendjet e personazheve: Gjirokastra ruan dritën dhe misterin e fëmijërisë, Tirana pasqyron tensionin mes krijimtarisë dhe kontrollit politik, Parisi jep frymëmarrje dhe perspektivë, Berati e Saranda sjellin qetësi, humor, por edhe reflektime mbi kohën dhe statusin. Në këtë mënyrë, mjediset në këto kujtime marrin vlerë simbolike dhe poetike, duke krijuar një “topografi shpirtërore” ku bashkohen jeta e Kadaresë, kujtimet e Matos dhe historia kulturore e Shqipërisë.
Metafora që sublimon kujtesën
Në tërë librin, metaforat shfaqen si ura që e lëvizin rrëfimin nga kronika biografike në një diskurs lirik të kujtesës. Sulejman Mato nuk ndalet te renditja e ngjarjeve, por u jep atyre ndërtim simbolik, duke e bërë librin të lexohet si letërsi më vete. Ndër figurat më të fuqishme është “Dreri”, kafsha me “brirë gjer në yje, e ndjekur nga qentë” nuk është vetëm aludim për një poezi të Kadaresë, por bëhet metaforë e shkrimtarit që kërkon lirinë krijuese nën trysninë e frikës dhe të pushtetit. Ikja e drerit nënkupton ikjen e krijuesit nga “qentë e kontrollit”, ndërsa brirët që “lërojnë lartësitë” sugjerojnë përpjekjen për të hapur horizonte të reja në letërsi. “Kukulla” simbolizon nënën e Kadaresë, por edhe të gjitha figurat e heshtura që ruajnë mbamendjen dhe mbajnë familjen të palëkundur përballë një bote të ashpër. Për Maton, kjo metaforë është një thirrje për ta parë Kadarenë jo vetëm si autor, por edhe si bir i një bote të brishtë, të mbështetur mbi heshtje e sakrifica të padukshme.
Një tjetër metaforë e fuqishme është “Laboratori i kujtesës”: “Kujtimet i nxjerrim nga depozita e së shkuarës, ndërkohë që fantazia ushqehet prej saj. Mund të ndodhë që kjo depozitë të jetë e ndarë nga ‘laboratori krijues’, ai laborator i brendshëm i imagjinatës dhe trillit” (f. 249). Ky laborator shfaqet si hapësira e fshehtë ku Mato dhe Kadare ruajnë përvojat, për t’i transformuar më pas në letërsi. Nuk është thjesht memorie, por një fushë krijimi ku përzihen kujtimet, mitet, leximet dhe dhimbjet, një proces që rrëfimi e paraqet si eksperiment intim, një alkimi mes realitetit dhe trillimit sipas referencës së sipërme.
Po kaq domethënëse është dhe “Odiseja e krijimit”, e përmendur në kapitullin “Takimi i fundit” (f. 244–250). Kadare shihet si udhëtar që kalon ngushticat e “Skyllës dhe Haribdës” së diktaturës, tundimeve, lavdisë dhe vetmisë, për të arritur në “Itakën” e letërsisë. Ky udhëtim është jo vetëm i mikut e krijuesit të madh, por edhe i shkrimtarit që e rrëfen, duke i bërë të dukshme përkimet mes jetës dhe artit. Përveç këtyre, libri është i mbushur edhe me metafora trojesh: qytetet shfaqen si peizazhe emocionale (Gjirokastra “pusi i kujtesës”, Parisi “rrëfyes i së kaluarës”, Berati “skena e rinisë”), duke e bërë kujtimin një atlas të brendshëm poetik. Në përgjithësi, metaforat e bëjnë rrëfimin të kapërcejë kufijtë e një dëshmie lineare. Ato sintetizojnë emocionin, reflektimin dhe historinë, duke u dhënë kujtimeve përmasën e një krijimi letrar më vete, siç u cek më sipër. Përmes tyre, Kadareja nuk mbetet subjekt me nuanca të lehta e të qarta biografie, por shndërrohet në figurë simbolike të gjeniut që jeton mes kujtesës dhe legjendës, ndërsa Mato, si rrëfimtar, dëshmon se kujtimi kur është vërtetë i sinqertë, mund të kthehet në art të kujtesës.
Elegjia e kujtimeve dhe përjetësia e fjalës
Rruga përmes kujtimeve na çon natyrshëm te “Takimi i fundit” (f. 244), me përmbylljen e qetë të librit “Kujtime të kohës me Kadarenë”. Ky takim i fundit nuk është vetëm një kujtim miqësor, por një testament mbi natyrën e krijimit, që dëshmon se arti lind nga kujtesa dhe e tejkalon atë, për ta ndriçuar botën me fjalën e së vërtetës: “U takuam në bar restorantin ‘Juvenilja’. Përshtypja e parë që më la, m’u duk i lodhur dhe paksa indiferent. Por sytë iu ndriçuan kur më pa. Pas shtrëngimit të duarve, nxora nga xhepi i xhaketës librin tim ‘Fshehtësitë’ dhe ia dhurova. E hapi menjëherë, nisi të shfletonte faqet e para me vëmendje dhe më falënderoi përzemërsisht” (f. 244), (duke e qartësuar për lexuesit e këtij qëmtimi se është fjala për këtë libër kujtimesh). Në një qetësi vjeshtore, sipas Matos, Kadare shfaqet i lodhur, por sytë i ndizen sapo merr librin në dorë, pas heshtjes fshihet një gjallëri e brendshme që e bën portretin më të thellë. Harresa që “loz me të” shndërrohet në metaforë të përplasjes mes kohës dhe artit, ndërsa dialogu me nxënësit, që kishin ardhur për ta takuar aty), zbulon krijimin si lojë të fshehtë të imagjinatës, më shumë se thjesht njohje e jetës. Kujtimet ruhen në një depo të heshtur, të ngrohura nga fantazia që i kthen në materie letrare, prej së cilës lindin personazhe më të gjallë se vetë realiteti. Krahasimi me Odisenë shënjon udhëtimin krijues si aventurë të rrezikshme, por fisnike, ku arti bëhet mision për të ndriçuar vendin dhe kohën. Kadare mbetet mjeshtër i kujtesës dhe trillimit, duke e shndërruar jetën në hapësirë ku letërsia fiton përjetësi. Kapitulli i fundit i librit merr ngjyrën e një elegjie të qetë, ku kujtimi personal i S. Matos për Mikun apo Vëllain siç e quan në fillim: “Unë, Ismailin, e kam ndjerë gjithmonë si një vëlla të madh” (f. 6), kthehet në reflektim mbi fundin e jetës dhe përjetësinë e artit. Një vizitë e papërfunduar, një libër i lënë në sportel e një derë e mbyllur, bëhen metaforë e kufirit mes jetës dhe ikjes. Kadareja shfaqet i brishtë, por i mbështjellë nga kujtesa dhe vepra, ndërsa “1 korriku i zi” shënon pajtimin e heshtur me vdekjen dhe e ngre figurën e tij nga kufijtë privatë në hapësirën e kujtesës kombëtare. Aluzionet ndaj Hesses, Hamletit e Homerit e vendosin në një panteon universal, ndërsa lamtumira “u bëre vetë Homer, Eskil dhe Shekspir” (f. 254), përmbyll mitin e tij letrar, shkrimtarin që i dha emër dhe lavdi Shqipërisë. Pasthënia shtrihet si reflektim mbi fatin e letërsisë dhe etjen e lexuesit, duke gërshetuar kujdesshëm detajin me finesën e një skice artistike. Libri mbyllet me një pohim të qartë, si perlë mendimi për lexuesin: arti i madh i mbetet përjetësisë, edhe kur jeta shuhet. Sulejman Mato ditët me Kadarenë i ka shndërruar në lëndë tregimi për librin “Kujtime të kohës me Kadarenë”, ku mikpritja për njëri-tjetrin, bisedat, debatet, heshtjet, distancat dhe buzëqeshjet bëhen pjesë e një panorame njerëzore. Përmes këtij rrëfimi ai u jep lexuesve vrojtues një portë për të hyrë në dhomën, ku princi absolut i letërsisë ndahet nga miti, dhe mbetet vetëm njeri, ndërsa vetë Mato mbetet aty i padukshëm, por i pranishëm, si një zë urtësie, që i jep qartësi kujtesës në emër të së vërtetës.