Çapajev Gjokutaj: Magjia e errësirës
Tri javë të shkuara bëmë një fundjavë të gjatë. U nisëm të enjten vonë nga Tirana dhe arritëm në Borsh rreth orës 10. Hoteli ishte në skajin jugor të plazhit, disi i veçuar e mes errësirës.
Si hëngrëm një darkë të lehtë, diçka që e kishim marrë me vete të paketuar, ramë të flinim dhe gjumi më zuri pa venë mirë kokën në jastëk.
U zgjova afër të gdhirit dhe, meqë ndihesha esëll e pa ndonjë gjasë të flija prap, vesha diçka dhe u çapita nja 200-300 metra nëpër errësirë, derisa arrita mbi një shkëmb buzë detit.
Prapa krahëve, diku në lindje mezi dallohej një dritë e zbehtë dhe e largët, po përpara nata vazhdonte të ishte pus. Nuk shihja as det, as qiell, vetëm dëgjoja shushurimën e valëve që përplaseshin posht. Qielli duhej të ishte me re se vetëm aty-këtu dalloja ndonjë yll që pulsonte e pastaj zhdukej.
Kishin kaluar a s’kishin kaluar 10 – 12 minuta kur nisa të ndjej një lloj gëzimi të brendshëm, të dobët e të largët si drita e mekur e ditës që po zbardhte pas krahëve të mi.
Dhe s’dija të thoshja nga buronte kjo ndjesi e bukur. Mbase lidhej me energjinë e trupit pas një gjumi të shkurtër po çlodhës, mbase e krijonte flladi i lehtë e i freskët që dukej sikur të ledhatont, po mbase buronte nga e munguara.
Logjika e thjeshtë thotë se e munguara mund të krijojë mall e dhimbje, etje a uri, po kurrsesi gëzim. Por ja që krijokej, ndaj kurrë mos thuaj kurrë.
Deti të emocionon ditën kur e sheh dhe e ndjen në gjithë detajet, nuancat, lëvizjet, aromat; por të emocionuaka jo pak edhe mes errësirës kur nuk sheh veçse 2-3 gjëra. Dhe ndjesia që të ngjallka natën kur, më shumë sesa e sheh e ndjen, qënka krejt e veçantë.
S’thonë kot, e pranishmja është fizike, e munguara është shpirtërore. Ajo që mungon të fton ta përfytyrosh, ta rikrijosh dhe, në analizë të fundit, ta mbushësh me veten tënde. Kur e sodit detin ditën je spektator që kënaqesh, kur e përfytyron natën kthehesh në krijues. Dhe duke qendruar mbi shkëmb të ngjan se nuk je buzë detit po buzë vetes tënde.
Sikur po e tepron me këto fluturime adoleshentësh, i thashë vetes dhe për t’u bërë më serioz solla në mend se disa nga gjenitë e letërsisë, duke filluar nga Homeri, duke vazhduar me Miltonin e duke ardhur te Borhes i shkruan kryeveprat e tyre kur ishin të verbër…