Ylli Pango: Çfarë nuk shkruajmë e çfarë nuk lexojmë…
(pak empati ju lutem…)
…lexoj… lexoj se më lexohet… dhe shkruaj… shkruaj e lexoj… se në pjesën më të madhe të jetës sime… mbi çdo gjë që kam bërë a kam qenë… mbi të gjitha…
…kam qenë lexues e shkrues… shkrues e lexues… madje që fëmijë…
…e më pas edhe folës a ndryshe sërish lexues e shkrues…shkrues ndër sy, me gjasë në ca raste në zemra a edhe në ajër…auditorët janë të larmishëm…
…lexoj të gjallë e të vdekur…
…edhe shkruaj… për të vdekur… e për të gjallë…
…por lexoj, edhe lloj lloj, sidomos… s’ke ç’bën… qëkurse dolën rrjetat e merimangave sociale, të rastis edhe lexon… ç’shkruajnë e si shkruajnë të gjallët për të gjallët, si shahen e si lëvdohen mes vedi, vetmburren e përkëdhelen… lexoj… edhe si lëvdohen vet me vedi… përmes vedi…
…mandej lexoj ç’shkruajnë të gjallët për të vdekurit… e ç’kanë shkruar dikur të vdekurit për të gjallët… të athershmit e të sotit…
…por edhe ç’mesazhe vazhdojnë të dërgojnë të vdekurit për të gjallët…
…e si pastaj të gjallët nuk i lenë rehat e vazhdojnë të merren me ata matanë… e t’i shajnë edhe ata (pse jo?!)… të vdekurit…
…edhe nga këto lexoj…
… lexoj gjëra të mira…e ndodh edhe jo dhe aq të këqia… a rastis… shkarazi… edhe “gjëra” të dobta… të liga… të zeza… i flak shpejt nga sytë… nga mendja…
…dhe pasi lexoj… sërish shkruaj…
…rastis edhe ju them (me mend) disave që shkruajnë: “O Zot ç’mënxyrë… ç’mllef e ç’urrejtje… ç’e zezë e ç’mellan kini derdhur e vazhdoni të derdhni në mijra e mijra fletë…
…sa keq shkruhet për ca njerëz… por edhe sa të ligj ca që shkruajnë… e mandej më tej… sa të ligj paskan qenë të gjallë-ca të vdekur… e s’e paskam ditur…
…e mendoj edhe përsa po vijon e do vijojë të mbetet e hapur e të bjerë erë kjo… m…hane pa fund… në shpirtra… kjo gropë e zezë e thellë… pa fund… zënë fill gërmimi 80 e kusur vjet më parë…
…në ndërgjegjen ende provinciale, të ligë, ambicioze… të jo pak njerëzve… ende aso kohe aq primitivë e mbetur pas bote… këndej nga anët tona…
…ka të shkruara… kinse letërsira… a gazetarira të vrerta… derdhin vrerin e gjelbër mbledhur që atëhere e deri më sot… e që më pas… pasi shterret vreri… vijojnë me të vjella… që mbeten pas vreri… ju e dini ç’ngjyra të shpifura… akoma më të shpifura kanë të vjellat (së paku vreri ka ngjyrë… është jeshil)…
…po si nuk erdhi… si nuk po vjen ende dita të lodhemi me to… me të dyja… nuk kanë të ngopur me vrer… e të… njerëzia… vazhdoni shkruani se ende gjatë do lexoheni… shkrues vreranë, vjellanë…
…ka ca personazhe përshkruar e ndriçuar nga këto pena të vrerta (t’u japim hakun)… që të bëjnë t’u ulërish shkruesve: “… po si i zini në gojë… pa le po dhe i lëvdoni… nuk kuptoni ç’gjëma kanë bërë… po ç’na i sillni… më mirë të mos na i kishit sjellë sërish nga harresa, nga gropa ca herë fatmirësisht e madhe e kujtesës tonë kolektive…
…por jo… i sjellin e i risjellin..
…po unë nuk gjykoj… kush jam unë t’u them.. kush ka të drejtë: penat apo të gjykuarit?! Gjykatësit a protagonistet? Spektatoret që like-ojnë (lajkojnë) apo nxitësit… unë veç mund të shkruaj…
…e di vetëm se nga të gjithë ç’përmenda e që bulëron prej vitesh në media… e sot mijëfishuar në rrjeta marimangash sociale e podcastesh: më së shumti delirante… vjen era… e ujrave të zeza, të ndenjura në mendje… të sa e sa njerëzve… e moçaleve të së shkuarës… e kanaleve, gjirizeve, gropës së thellë të errët që u hap aso kohe e që jo që nuk po i gjendet fundi, por që më duket po hapet e thellohet shumë e më shumë edhe nga teknologjia e shumfishimit të erës në mijra rrjeta e vrima…
…është ende ajo… gropa që hapi ai vampiri me tufën e qenve të tërbuar… që gërmonte për kocka e hante koka e kokalla… gropa që hapi sistemi i tij sjellë këtu në një vend të humbur të vogël, nga fundi i humbëtirës së një vendi të madh të mbetur pas… të një bote të madhe… që u mbyt ai vend i pari në gjak e në mjerim e që infektoi një gjysëmbotë të tërë… që nuk po mund që nuk po mund të desinfektohet dot…
…është tamam ajo gropë e zezë… mbetur hapur që thellohet e thellohet e kutërbon…
…e pas gjithë këtyre… o Zot sa shpirtgjerë janë disa shkrues a folës, duke vazhduar të lëvdojnë për ca “vlera”, mirë spiunë a keqbërës mbetur ende gjallë por edhe njerëz kallur në dhe, që mbi çdo gjë kanë mishëruar me tërë veten e tyre, më antivlerën… ndër antivlerat… anti-njeriun… spiunimin e mikut, shokut, të afërmit, deri burrit a gruas, dorëzimin e tij sistemit e gropave të tij të zeza të denimit me burg, tortura…
…deri edhe për arsyen e paarsyes… sepse patën lexuar një libër… të ndaluar… parë ndoca piktura “dekadente”… dëgjuar muzikë të huaj… e bërë pa ditur gabimin… duke dashur ta ndajnë të bukurën a flasin për to me “shokun” që “rastisi”, të ishte spiuni i mallkuar… ende sot i lëvduar a me pushtet të llojllojshëm…
…dhe ju kini zemrën të na i merrni, të na i ngreni e të na i shfaqni sysh përsëri?!… të gjallë e të vdekur…
… jo… nuk do bëjmë gjykatësin as ca si unë e as unë… e as e do e bëjmë dot… se as jemi gjakmarrës po se edhe po të donim… paditësit, spiunët, hafijet… janë e do mbeten të mbrojtur… se ju duhen pushteteve se janë dinakë e të ligj siç i do pushteti… intrigantë e diabolikë lindur a dalë nga gropa të zeza… e të shantazhueshëm, si ma do… se i kërcënon me ç’kanë bërë e kësisoj jo që nuk i prishin punë pushteteve… por mbeten këlyshë e puthadorë të cilitdo në fron…
…por së paku do ofshajmë…
…por pak empati… pak ndjesi dhimbje nga dhimbja e tyre… ju që shkruani a flisni a ndjeni nostalgji për ish të poshtrit… lutem pak empati për të vdekurit nga ai sistem e të afërmit e tyre… e të tjerët, të gjallët që shpëtuan njerezit e tij ju lutem… për të burgosurit, të torturuarit… pak empati ju lutem… (e kuptoj që Jo! Jo sepse ai që spiunoi, as nuk spiunoi, as nuk futi në burg… as ju e as njeriun e familjes suaj (që t’ju digjte xhanin)… por thjesht jua futi të tjerëve… që nuk janë as gjaku e as lëkura juaj… eh si nuk dhimbka as edhe një çikëz ajo lëkura e shqyer e tjetrit… mor aman…)
..por gjithsesi… pak rezervë a vetpërmbajtje… ju lutem kur me afsh e përdëllim kujtoni, përmendni, rënkoni, i lëvdoni… e thërrisni edhe nga varri… spiunin, paditësin, hipokritin për të cilin ju ka marrë malli… e rënkoni me ashk nga thellësia e shpirtit: “ah sa më ka marrë malli… o mik i vjetër… o i ditur… o i hidhur… oh… ah ku je… ngrihu edhe një herë… edhe nga varri ngrihu (mos o Zot!)… dan… xhan…”.
…ja një nga këto klithma “shpirti” pa shpirt…nga shkrues të përdëllyer për hije të frikshme të së shkuarës u bë shkas o lexues… që lëshova këtë ofshamë… e që doli se siç ua thashë në fillim… më bëri që prapë lexova e prapë shkrova… s’ke ç’i bën…
23 Shtator 2025.