Albspirit

Media/News/Publishing

Balil Gjini: Egrushja

Mbase gratë kishin pasur të drejtë që ishin ankuar te shefi i Lënxatës, Qesimi, sepse meshkujt, tani, s’merreshin më me ato vajzat e katundit, të cilat skuqen akoma dhe u dridhet gjithë trupi kur u vendos dorën te gjinjtë, vajza nga ato që bien era djersë dhe virgjëri të leshtë; të leshtë e të lashtë; s’merreshin më as me lajmet që ndodhnin në botë, pra me emisionet televizive, emisione që fillonin duke treguar një glob që vërtitej, apo me atë hartën e botës të ndarë në dy hemisfera, jo, pra, s’merreshin me to, sepse kishin dy hemisferat e vitheve të Huldrës, që përdridheshin gjithë hijeshi e naze rrugëve: fap, fup, fap, fup! Majtas, djathtas!
Majtas, djathtas!… O Zot!
I parafytyronin këto hemisfera, të bardha, të bardha si cipa e qumështit, pra pa ato hartat bezdisëse të shteteve vizatuar mbi to, kështu që gjithsecili, sipas takatit, kishte mundësi t’i përmbyste ato me ujërat e spermës së vet, të shkaktonte një lloj apokalipsi, pa varka Noeje dhe pëllumba që ktheheshin me degën e ullirit në sqep. Pasi mbaronte ky akt dhe ujërat e bardha të spermës tërhiqeshin, secili mund të vizatonte mbi to shtetet që i pëlqenin, të zhyste në ujërat e zeza të detit të harresës të tjerë, me një fjalë, gjithkujt i shfaqej mundësia që mbi mishrat e bardha të vitheve të Egrushes të bënte Zanafillën. Dhe ç’mrekulli që gjithkush mund të bëhej për disa çaste Zot dhe të niste një Zanafillë nga ato mishra, dhe jo nga kaosi… Apo, më mirë, nga kosi i spermës dhe jo nga kaosi. Kishte gjasën që t’u ndryshonte vend kontinenteve dhe shteteve: Amerikën, për shembull, ta vendoste në vend të Afrikës (të shikonin gringot që tërë jetën e kishin kaluar mes pasurisë e mirëqenies ç’do të thotë të përvëlohesh mes diellit dhe t’ia mbathnin, pastaj, mes rërave të shkretëtirës – ndjekur këmba-këmbës nga cfrukthat dhe devetë – të etur për një pikë ujë, me thirrjet e tyre të preferuara:
“Oh, my God, my God!”), kurse Kinën e vendoste diku, andej, nga Skandinavia (të kishin mundësi edhe kinezët e gjorë që, jo vetëm ta ndërronin atë verdhësi tuberkulare, por, mbi të gjitha, të mos jetonin më bashkërisht në koloni milingonash, por në vetmi ujqish të bardhë polarë).
Vetë Australinë, me kangurët marsupialë, ta vendoste në një vend të vogël, të quajtur Shqipëri. Boll ky vend ishte mbushur me ujq e dhelpra ordinere, le të vinin tani kangurët me kërcimet e tyre të bukura, të konkurronin gjithë vallëzueset dhe velinat e bukura të dancingjeve nëpër TV. Po të vinin ata, nikoqiret e këtij vendi, dembele, ashtu siç janë, s’kishin pse ngriheshin që me sabah për të blerë qumështin e lopëve që e sillnin katundarët nëpër trasta leshi, jo, sepse shishet me qumësht do t’i kishin në vetë xhepin e këtyre kafshëve të bekuara.
Kaq keq kishte marrë kjo punë e vitheve, sa vetë Kajami, historiani, teksa po pinte një kafe me priftin, në vend të shprehjes së njohur “me ç’duket bathët janë larg Pashkët”, kishte thënë “me ç’duken bythët janë larg pushkët”, shprehje kjo që e bëri tjetrin të gërdoqte sytë dhe të vendoste dorën te goja, i bindur se pas kësaj, s’kishte si të mos të dilte prej andej zogu pendëlarmë i çudisë.
I vetmi që rrinte mënjanë kësaj zallamahie dhe ruante gjakftohtësinë, stoik në bindjen e vet se ky tipar ishte veçori e gjermanëve, siç mund ta kuptoni edhe vetë ishte Levendi, mësuesi i gjermanishtes. I mbyllur brenda mureve të akullta të gjakftohtësisë së vet, ai kishte arritur në përfundimin se fjala mollaqe vinte nga fjala mollë. Ai që e shpiku këtë fjalë, donte t’u kujtonte femrave se ju që bëtë mëkatin duke ngrënë mollën, Zoti ju dënoi të mbani peshën e dy gjysmave të saj poshtë këllqeve të trupit. Sa për kundërshtimet që i bënin, duke i kujtuar se mollaqe s’kanë vetëm femrat, por edhe meshkujt, ai, në varësi të gjendjes shpirtërore, ose ngrinte supet përpjetë, ose tundte i nervozuar shallin me tri ngjyrat e flamurit gjerman, duke përplasur edhe këmbën e djathtë në tokë: byla, o bylmezë, a s’e kuptoni se te meshkujt ato s’kanë pse quhen mollaqe, por vithe? Vithe. Neutrale. Njëlloj si të thoshim vidhe.
Sa për ëndrrat me pjesën e përparme të trupit të Egrushes, luginën e ëndjes, meshkujt e Lënxatës tregoheshin më të mëshirshëm: e linin ashtu siç ishte, me atë thellomë dëshpëruese përroi që e çante mespërmes, veçse i rrisnin përmasat: herë e shndërronin në një trëndafilishte, dhe vetë ata, ulur për të bërë sehir diku në një stol, zgjeronin flegrat e hundëve si të qenë elefantë, të cilëve, befas u kishte rënë në hise të nuhasnin një tufë zambakësh. Ia bënin “ah, ah!”, pra duke mos u ngopur së nuhaturi erërat kundërmuese të luleve; herë të tjera e shndërronin në një tokë të dystë, parakolombiane, mbuluar nga pemë e drurë të lartë, ku të pinte sytë errësira. Pyll i dendur, i frikshëm, ku edhe Zotit s’do t’ia mbante të jetonte.
E pra, nisur nga të gjitha këto, themi se gratë kishin pasur të drejtë për t’u ankuar. Garufulla paskërkish kaluar më tej dhe paskërkish thënë: meshkujt e Lënxatës s’e vënë më rriskën e bukës poshtë mishit të pjekur të bagëtive tona që kullon dhjamë mbi prush, por e ngjyejnë me lëngun e dafllakut të asaj zuskës.
Zot, deri tani kemi parë Ibrahimë që bëhen ferra, tani ka ardhur koha të tregosh kush je: bëje ferrën Ibrahim dhe na kthe në kohët e para! – thoshin gratë e shkreta, kohë kur burrat vërtet zhgërryheshin në llucën e kënetinave televizive, tamam si derra, ama në darkë dergjeshin në të njëjtin shtrat me to, të urtë, hungërues, dhe jo si tani, në parajsat e tyre të rreme; ata, vërtet shtriheshin pranë tyre, sa vinte mbrëmja, por iu kthenin kurrizin, pa i prekur me dorë (!) dhe e vetmja gjë që u kishte mbetur nga kohët e mëparshme prej derrash, ishte gërhitja epike.
Siç shihet, të gjithë merreshin me Egrushen: meshkujt me ëndërrimet e tyre të parrezikshme, femrat me veprime agresive. Sepse kështu ishte Egrushja: si të gjitha gjërat e bukura ajo të joshte, pastaj të robëronte. Duhet të kishe fuqi të ndaheshe prej saj.
Fragment nga romani “Egrushja” i Balil Gjinit, kapitulli 7.