Albspirit

Media/News/Publishing

Dënimi i ish-bashkëshortit në Itali, Prokuroria sekuestron pasuritë e noteres

Prokuroria e Tiranës njoftoi të hënën se kishte sekuestruar 18 pasuri në emër të noteres Sanja Telhallari dhe të familjarëve të saj, me dyshimin se ishin financuar nga ish-bashkëshorti i dënuar për krime të rënda në Itali.

“Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se gjatë periudhës 2013–2024, shtetasja S.T. ka kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh për blerjen e pasurive të paluajtshme, përfshirë apartamente, dyqane, poste parkimi dhe një vilë në kompleksin ‘Rolling Hills’. Në total janë evidentuar 13 pasuri të paluajtshme, me vlera të larta monetare si dhe llogari të shumta bankare”, thuhet në njoftimin për shtyp të prokurorisë.

Prokuroria ngre dyshime se të ardhurat që kanë shërbyer për pasurinë vijnë nga ish-bashkëshorti i saj Klodian Porja, i identifikuar në njoftim si K.P. Sipas prokurorisë, ky i fundit “është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe është dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë veprën penale të ‘Shfrytëzimit të prostitucionit’, me një dënim maksimal deri në 21 vjet burgim”.

Në një njoftim paralel policia bëri me dije se vlera e pronave të sekuestruara llogaritej rreth 3 milionë euro, përfshirë 13 pasuri të paluajtshme dhe 5 llogari bankare.

Prokuroria tha se noterja, pronat e të cilës u sekuestruan, nuk e justifikonte pasurinë me të ardhurat nga puna. “Kjo shtetase ka investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, kryesisht në makina luksoze dhe sende me vlerë të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike me të ardhurat nga aktiviteti i saj si notere”, thuhet në njoftim.

https://shqiptarja.com/lajm/dyshohen-te-ardhura-nga-krimi-ishnoteres-ne-tirane-i-sekuestrohet-pasuri-me-3-milione-euro-mes-tyre-edhe-nje-vile-dhe-5-llogari-bankare