Eva Vatoci: Ajo që vlen më pak në Shqipëri sot është jeta
Ajo që vlen më pak në Shqipëri sot është jeta.
Në këtë tokë të vogël, ku duhej të jetonim me shpresë e dashuri, çdo ditë derdhet gjak. Vritet njeriu për një fjalë, për një grindje, për një karrige më shumë. Diku tjetër një familje shkatërrohet në sekonda, sepse një shofer i dehur ose një rrugë e kalbur shndërrohet në kurth vdekjeje. Nëpër spitale, njerëzit shuhen jo vetëm nga sëmundjet, por edhe nga padrejtësia, nga mungesa e dorës së mjekut, nga një sistem që ka harruar se për çfarë ekziston.
Këtu, në vendin tonë, jeta është bërë më e lirë se një fjalë e keqe. Vdesim për budallallëqe, për krenari boshe, për një sekondë zemërimi. Dhe ndërkohë, njerëzit që mbeten pas mbyten në lot, në boshllëk, në heshtje që nuk shuhet kurrë.
Por a ka gjë më të shtrenjtë se fryma që kemi tani? A ka gjë më të madhe se duart që mund të shtrëngojmë, buzëqeshjet që mund të japim, dashurinë që mund të ndajmë? Nesër është vonë. Nesër, dikush që do sot, mund të mos jetë më.
Mjaft!
Mjaft të vrasim njëri-tjetrin! Mjaft të jemi të verbër!
Të duam sa jemi gjallë, të respektojmë jetën, të ruajmë njëri-tjetrin. Sepse asgjë nuk ka vlerë më shumë se një frymë, një jetë, një zemër që rreh.
Nëse nuk mësojmë ta duam jetën dhe ta duam njeriun, atëherë do të shuhemi të gjithë, jo nga plumbi, jo nga sëmundja, jo nga aksidenti, por nga urrejtja dhe ftohtësia jonë.
Duaje sot, mos prit nesër. Jeta nuk pret.