Albspirit

Media/News/Publishing

Primo Levi: Ne që kemi jetuar nga kampet e përqëndrimit nuk jemi dëshmitarët e vërtetë

…Ne që kemi jetuar nga kampet e përqëndrimit nuk jemi dëshmitarët e vërtetë.

Është një ide shqetësuese, me të cilën unë jam bashkuar pak nga pak duke lexuar atë që të mbijetuar të tjerë kanë shkruar, përfshirë dhe mua, kur unë kam lexuar shkrimet e mia pas disa vitesh.

Ne, të mbijetuarit, jemi vetëm një minoritet i parëndësishëm, por ama të jashtzakonshëm.

Ne jemi ata që shkelja e detyrës shkathtësia ose shansi që na ka ndihmuar, nuk e prekëm kurrë fundin.

Ata që e prekën dhe që panë fytyrën e Gorgonës, nuk u kthyen prej andej, ose u kthyen pa fjalë

————–

Primo Levi, kujtimi i Edith Bruck: “Auschwitz nuk mbaron kurrë”

Njëqind vjet më parë, më 31 korrik 1919, lindte në Torino, shkrimtari i famshëm hebre, Primo Levi. Pasi mundi të mbijetojë nga kampi nazist i shfarosjes i Auschwitz, shkroi faqet më të errta, më rrënqethëse, të historisë së njerëzimit. Gati-gati të pabesueshme!

R. SH. – Vatikan

“Primo Levi ishte shkrimtar i madh, dëshmitar i madh, njeri me moral të jashtzakonshëm”. Kështu e pëshkruan mikja e tij, shkrimtarja Edith Bruck. Me profesion kimist, autor i një sërë librash, shkruar me mjeshtri të rrallë, qe mbyllur në Auschwitz, më 1944. Të hapësh librat e tij, është njëlloj si të rihapësh portën e madhe prej hekuri të kampit nazist të shfarosjes e të hysh brenda, për të kujtuar, me tmerr, ç’është në gjendje të bëjë njeriu kundër njeriut. Atë, që nuk e bën as bisha kundër bishës. Primo Levi – shton mikesha e tij – i la trashëgim njerëzimit kujtimin e pavdekëshëm të një dhimbjeje të pashlyeshme.

Nëse dëshironi t’ju këshillojmë ta lexoni ndonjërin nga librat e tij, do të ndaloheshim tek “Se questo è un uomo” – “Ky, a mund të quhet njeri?”,  por edhe “Të mbyturit e shpëtuar”, e ndonjë tjetër. E do ta ndjeni menjëherë se librat e tij nuk janë thjesht kujtime të një fajtori pa faj, dënuar me vdekje të ngadalshme nga një diktaturë e çmendur. Por edhe e sidomos, të një shkrimtari të madh, që pati fatin e keq ta jetonte historinë të cilën më pas e shkroi, me bindjen se  Auschwitz nuk mbaron kurrë. Ai, që e jetoi një herë fizikisht, do ta jetojë shpirtërisht deri në vdekje. Nuk do të çlirohet kurrë prej tij, e as duhet të çlirohet. Sepse duhet t’ua lërë trashëgim breznive të cilave, pa kaluar mirë pak vite, i duken si përralla me lugetër – historitë e jetuara e të vuajtura, nga shkrimtarë si Primo Levi, të cilin jo vetëm e kujtojmë sot, por edhe e falënderojmë që na kujton se duhet të përpiqemi që të mos ketë kurrë më Auschwitz! Kurrë më kampe përqendrimi!