Albspirit

Media/News/Publishing

Sami Shatri: SI E SHOH PROBLEMIN IZRAELITO-PALESTINEZ?

E filloj këtë shkrim me lutjet dhe dëshirën që lufta Izraelito-Palestineze të ndërpritet sa më shpejt dhe të dy popujt fqinjë të jetojnë në paqë afatgjatë!
Populli shqiptar e din më së miri se çka do të thotë fjala luftë…
Duke lexuar komente nga më të ndryshmet për këtë luftë, shpesh herë të pabazuara në fakte dhe krejt të ndikuara fetarisht, shumë edhe të ndyta e plot sharje, i dhashë vetes detyrë që të lexoj rrënjësisht për problemin mijëvjeçar, izraelito-palestinez!
Si rrjedhim, nxora një konkludim të cilin do e paraqes shkurtimisht, duke bërë një krahasim të thjeshtë:
Para së gjithash, do shtroja një pyetje madhore për të gjithë ju miq dhe gjithë shqiptarët: Sikur, Shqipëria jonë e kasapitur nga kongrese e traktate famëkeqe, do forcohej si Izraeli, a do kishte të drejtë t’i marrë-rikthejë tokat e veta, të cilat njihen historikisht, që ishin pjesë e Shqipërisë. Pra ka të drejtë ta kërkoj: Çamërinë, Kosovën, Ulqinin dhe viset tjera shqiptare në Mal të Zi, Iliridën në Maqedoni, Toplicën e Preshevën në Serbi, Sanxhakun e boshnjakizuar tërësisht…
Mendoni pak shqiptarë, them sikur të forcohej si Izraeli, do duhej t’i merrte edhe me luftë…?
Çka mendoni Shqipe, gjykoni me ndërgjegje të pastër, mendoni gjithë atë gjak të derdhur, ndjekje, plaçkitje, zullum e gjenocid qindravjeçar, që na është bërë…
Lexoni pak dhe do bindeni, identik është problemi Izraelito-Palestinez, krejt i ngjashëm!
E ne, që ende jemi të rrezikuar, nuk guxojm të harrojm kurrë:
Kur ne ishim para shfarosjes totale, na përdhunoheshin nënat, gratë, motrat e vajzat para syve tanë, na digjej Kosova flakë, shtëpi për shtëpi, na vriteshin fëmijët në masakra të papara… Në këtë katrahurë kombëtare, Izraeli ishte në anën tonë dhe dha tepër shumë për lirinë tonë…
PSE IZRAELI ISHTE DHE ËSHTË NË ANËN TONË
Ky PSE, është shumë i thjeshtë: sepse ata janë popull që nuk harrojnë të mirën, po as të keqen…
Dhe, është popull që e ka vërejtë mirë që ne shqiptarët kemi kaluar nëpër vuajtjet e njëjta gjatë historisë, krejt si ata (më mirë e kanë kuptuar ata problemin tonë se vetë ne).
Ata që thonë, na kanë ndihmuar për interes e për para, këto nuk qëndrojnë fare! Izraeli ka nevoj për miq të sigurt e të qëndrueshëm, nuk kemi ne aq para për ta paguar izraelin dhe ai nuk ka nevoj bash hiq, për parat tona.
PSE PALESTINEZËT ISHIN DHE MBETEN NË ANËN E SERBISË
Edhe ky PSE nuk është i vështirë: Palestinezët kanë mbështetë dhe mbështesin kauzën ruse, që d.m.th. me automatizëm gjithmonë, mbështesin Serbinë gjenocidiale…
Sidoqoftë, ne duhet të lutemi edhe njëmijë herë: paqë, paqë, paqë… për hir të fëmijëve që nuk kanë faj!