Vasil Dilo: PIROSTIA E TEPELENËS
(I kushtohet treshes së njohur poetike, Qazim Sheme, Petrit Ruka, Ilirjan Zhupa)
Ata të tre
Janë damarët e një violinë
Që oshëtin vetvetiu
Pa prekjen e harkut,
Ata
Janë tre shokë të përgjëruar
Më të përgjëruar
Se “tre shokët” e Remarkut.
Ata të tre janë
Tre verige përrallore rrushi
Në çdo vresht e në çdo pjergull,
Ata të tre janë
Një urë e bekuar me tri harqe
Që fillon nga Zalli i Vjosës
Dhe humbet brënda në mjegull…
Ata të tre janë
Tre qiparisa të lartë
Me rrënjët e mpleksura
Të kokolepsura gjet në Infinit,
Ata janë brinjët
E trekëndëshit të Pitagorës
Dhe s’do gjëndet kurrë kompjuteri
Që ti bëj dilit.
Ata të tre janë
Tri burime me ujë të kulluar
Që njerëzit
I përcjellin nga goja në gojë,
Ata janë tre piskama rrënqethëse
Që i merr suferina me vete
Ngado që të shkojë…
Ata të tre janë
Një pirosti mitike
Një amalgamë
E brengës, e lotit, e marazit…
Viheni atë pirosti
Mbi shtratin e zemrës suaj
Dhe do dëgjoni
Fyellin magjik të Marsiasit.
Ata të tre përbëjnë
Atë yllësi të re poetike
Që çlodhet mbrëmjeve majë kalasë
Nga bedeni në bedenë,
Ata të tre përbëjnë
Shandanin e ri hyjnor
Që qëndron i pafikur
Mbi Tepelenë…!