Albspirit

Media/News/Publishing

Autoriteti i Rremë i Grenellit dhe Dështimi i Protokolleve në Ballkan

Vudi Xhymshiti

Takimet në Nju Jork që sollën liderët e Ballkanit Perëndimor në një dhomë me Richard Grenell nuk u thirrën nga Uashingtoni. Ato u organizuan nga Serbia, në kornizën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, dhe u paraqitën si një “Tryezë e Rrumbullakët SHBA-Ballkani Perëndimor.” Kjo kornizë ishte e qëllimshme: krijonte përshtypjen e një përfshirjeje zyrtare të qeverisë amerikane, kur në të vërtetë një gjë e tillë nuk ekzistonte.

Grenell, një ish i dërguar gjatë administratës së parë të Preidentit Donald Trump, nuk mban më asnjë post qeveritar. Çertifikata e tij e sigurisë iu hoq në vitin 2023 dhe ai nuk mban asnjë rol formal në politikën e jashtme që prej asaj kohe. Ajo që mbetet është një figurë që vepron përmes kanaleve lobuese serbe, duke shfrytëzuar titullin e kaluar për të projektuar ndikim.

Skenografia e ngjarjes reflekton atë mashtrim. Në fotografitë e shpërndara publikisht, Grenell është i dukshëm, por pa një tabelë me emrin “Shtetet e Bashkuara.” Në një kuadër, ai shihet me shpinë nga kamera; në një tjetër, ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriç duket se po e prezanton atë me Elisa Spiropalin e Shqipërisë. Simbolizmi është i qartë: Grenell është pozicionuar jo si përfaqësues i Uashingtonit, por si i dërguar i Beogradit.

Përfshirja e John Jovanovich, i lidhur me Bankën Eksport-Import të SHBA-ve (EXIM), shtoi më tej konfuzionin. Edhe pse Jovanovich ka lidhje me EXIM, ai nuk ishte i pranishëm në një kapacitet zyrtar. EXIM, si një agjenci qeveritare amerikane, operon nën protokoll të rreptë presidencial kur takohet me të tjerë. Takime të tilla zhvillohen në ambiente të sigurta qeveritare, jo në salla hoteli të organizuara nga ndërmjetës privatë. Prania e tij këtu krijoi përshtypjen e peshës institucionale amerikane, por në realitet, nuk ishte gjë tjetër veçse një fasadë, një prestigj i huazuar për të bindur liderët e Ballkanit se po merreshin me Uashingtonin, kur në të vërtetë nuk ishte kështu.

Në fakt, drejtuesit e EXIM nuk gëzojnë autoritet të pavarur për t’u takuar me krerë shtetesh të huaja. Çdo kontakt i tillë, nëse ndodh, është i koordinuar dhe i miratuar nga Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit. Mandati i EXIM kufizohet në mbështetjen e eksporteve amerikane përmes instrumenteve financiare, jo në zhvillimin e diplomacisë shtetërore. Prandaj, çdo paraqitje e tyre si ndërmjetës të drejtpërdrejtë me liderë të huaj jashtë këtij kuadri është jo vetëm mashtruese, por edhe keqinterpreton rolin e vërtetë të institucionit.

Borko Stefanoviç, nënkryetar i Partisë për Liri dhe Drejtësi në opozitën serbe, e theksoi këtë farsë. Ai vuri në dukje se në darkën zyrtare të OKB-së të organizuar nga Presidenti Donald Trump, pothuajse çdo lider evropian ishte i ftuar, përveç Aleksandar Vuçiç të Serbisë. Putini dhe Lukashenko gjithashtu mungonin. “Vuçiçi mbeti në korridor me një sanduiç, duke treguar të ardhmen ku po e çon Serbinë,” tha Stefanoviç.

Ky poshtërim përputhet me raportimet e mëparshme. Në shkurt, The Gunpowder Chronicles zbuloi se përpjekja e Vuçiqit për një takim me Trump ishte refuzuar kategorikisht. Burimet konfirmuan se, pavarësisht përpjekjeve të Grenellit dhe Donald Trump Jr. për të siguruar një audiencë, presidenti Trump refuzoi, duke përmendur kalkulime politike dhe paralajmërime nga inteligjenca evropiane dhe amerikane. Ky refuzim shënoi një thyerje: rrethi i Trump-it nuk e shihte Vuçiqin si një aset, por si një barrë.

Fotografitë nga Nju Jorku tani përfaqësojnë pjesë të asaj modeli. Grenell, i zhveshur nga autoriteti zyrtar, përpiqet të rikthehet në arenën ballkanike nën sponsorizimin serb. Vuçiç, gjithnjë e më i izoluar, kërkon të projektojë lidhje me orbitën e Trump-it që nuk ekzistojnë më.

Për liderët e Ballkanit Perëndimor që morën pjesë, optika është thellësisht problematike. Historia e Grenellit nuk është ajo e një lehtësuesi neutral. Një raport i Parlamentit Evropian i vitit 2021 e identifikoi taktikën e tij si qendrore në rrëzimin e qeverisë së parë të Albin Kurtit në vitin 20204, një manovër e ushqyer nga dezinformata, rrjedhje selektive të kërcënimeve për tërheqjen e trupave amerikane dhe presion mbi partnerët e koalicionit. Diplomatët evropianë e dënuan atë si destabilizues, ndërsa Kurti e akuzoi hapur se kishte inskenuar një grusht shteti.

Përtej Kosovës, lidhjet e Grenellit shtrihen më tej në lindje. ProPublica zbuloi konsulencën e tij të padeklaruar për oligarkun pro-rus moldav Vladimir Plahotniuc, i sanksionuar nga Uashingtoni për “korrupsion të konsiderueshëm.” Grenell nuk e kishte regjistruar këtë punë sipas Aktit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA). Skandali ka rëndësi të re tani: Plahotniuc sapo është ekstraduar nga Greqia në Moldavi, ku përballet me gjyq për »vjedhjen e shekulli« një mashtrim bankar 1 miliard dollarësh që shkatërroi sistemin financiar të vendit dhe përforcoi ndikimin rus.

Firma e Grenellit gjithashtu mori pagesa nga Fondacioni Magyar, një entitet me bazë në SHBA, financuar pothuajse tërësisht nga qeveria e Hungarisë nën Viktor Orbán8. Ekspertët ligjorë argumentojnë se edhe kjo duhej të kishte shkaktuar regjistrim në FARA. Partia në pushtet e Hungarisë është një nga aleatët më të ngushtë të Moskës në BE, duke i dhënë avokimit të Grenellit pamjen e një vije të vazhdueshme: përputhje me oligarkë të lidhur me Kremlinin dhe regjime nacionaliste në gjithë Evropën.

Rreziku nuk qëndron në titullin e Grenellit, i cili nuk ka më peshë, por në vetë operacionin mashtrues të Serbisë. Edhe një herë, Serbia ka arritur të inskenojë një spektakël në skenën ndërkombëtare, duke shfrytëzuar kredibilitetin e simboleve amerikane ndërsa avancon agjendën e saj.

Mesazhi është i qartë: Grenell nuk përfaqëson Shtetet e Bashkuara. Ai përfaqëson interesat e Beogradit. Dhe në politikën delikate të Ballkanit, ky dallim ka rëndësi.

Ajo që mbetet më e dënueshme nuk është manuali i konsumuar i mashtrimeve nga Grenell, por dështimi i protokolleve shtetërore ballkanike për ta zbuluar atë. Krerë shtetesh dhe zyrtarë të lartë lejuan veten të futeshin në një lojë hijesh e skenarizuar në Beograd, duke i dhënë legjitimitet një njeriu të përjashtuar prej kohësh nga korridoret e pushtetit në Uashington dhe i lidhur me oligarkë pranë Kremlinit që tani përballen me gjyq. Ky nuk është një gabim i vogël; është një dështim tronditës i kujdesit diplomatik. Çdo lider i pranishëm duhet të kërkojë përgjigje nga zyrtarët e tyre të protokollit, të ofrojnë denoncim publik dhe të shpjegojnë para qytetarëve pse u ulën në një tryezë të inskenuar nga lobistët e Serbisë së lidhur me Kremlinin dhe të zbukuruar me teatrin e zbrazët të pranisë së Grenellit. Injorimi i këtij gabimi rrezikon të helmojë marrëdhëniet jo vetëm me Presidentin Donald Trump, i cili mbetet një forcë politike, por edhe me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe institucionet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, kujdestarët e vërtetë të pushtetit amerikan. Në politikën ndërkombëtare, optika është monedhë, dhe këtu liderët ballkanikë e shpenzuan atë lirë, duke tregtuar kredibilitetin për një takim të falsifikuar./KRONIKAT E BARUTIT