Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Protestat studentore të 1 tetorit 1997

Pakënaqësinë dhe zemërimin për mohimin e të drejtave kombëtare nga regjimi pushtues serb, populli shqiptar i Kosovës, ashtu si në të kaluarën, e shprehu me protesta të pandërprera. Dita kur në Prishtinë do të demonstronin mbi 20 mijë studentë, të prirë nga rektori i Universitetit, Dr. Ejup Statovci, i cili do të gjendej në ballë të tyre me shumicën e profesorëve dhe ligjëruesve të fakulteteve, në të vërtetë paraqet thyerjen e status quo-së, e cila kishte vazhduar që nga Marrëveshja e Dejtonit e këndej.

Të parët që reaguan me mosbindje ndaj status quo-së ishin studentët. Në pritje të zbatimit të marrëveshjes së shtatorit 1996 për kthimin e objekteve universitare, ata dëshmuan guxim qytetar dhe kombëtar. Më 1 tetor 1997, më shumë se 30.000 studentë u ngritën kundër uzurpimit serb të objekteve shkollore të Kosovës nga autoritetet pushtuese serbe.

Sipas shtypit të kohës, paraprakisht, Unioni i Studentëve të Prishtinës (UPSP) zhvilloi një takim me ambasadorin amerikan në Beograd, ku u diskutua plani i protestave studentore për lirimin e objekteve shkollore. Në vijim të përgatitjeve, Unioni i Pavarur i Studentëve të Prishtinës vendosi që protesta të mbahej më 1 tetor 1997. Për këtë arsye mori përkrahje nga Rektorati dhe nga të gjitha subjektet politike e shoqërore të Kosovës.

Vetëm LDK-ja, sipas shtypit të kohës dhe disa studiuesve, shprehën rezerva dhe brengosje për zhvillimin e saj. “Brengosja” e disa bashkëpunëtorëve të ngushtë të presidentit Rugova, se ndryshimi i kursit nga rezistenca civile në atë aktive mund t’u jepte shkas forcave radikale serbe që të ndezin luftën në Kosovë, me ç’rast do të fillonte pastrimi etnik i shqiptarëve sipas planeve të tyre të njohura, mund të ishte edhe frikë nga humbja e pozicioneve të tyre të brendshme… Kjo lidhej me dyshimin, se e gjithe kjo, mund të ishte strategji e Bukoshit dhe e Demaçit.

Shqetësime të kësaj natyre viheshin re edhe në shtypin ilegal të kohës, ku vihej në dukje se “disa të tjerëve nuk do t’u konvenonte një ndryshim, sepse do të çonte në falimentimin e ekonomisë së tyre, që e krijuan brenda këtyre pak viteve në mënyrë të pandershme, në kurriz të këtij populli”. Ose kjo kategori shkonte edhe më larg, kur deklaronin: “Më mirë të rrimë kështu siç jemi, sesa të ndërmarrim ndonjë veprim tjetër që s’dihet ku na çon”.

Ndërsa në gazetën “Bujku” të datës 26 shtator 1997, presidenti Ibrahim Rugova citohet t’ia ketë tërhequr vëmendjen Unionit të Pavarur të Studentëve të Prishtinës (UPSP): “… që të jetë e kujdesshme, sepse është pjesë e shoqërisë së Kosovës dhe ka përgjegjësi për këtë”.

Protesta e 1 tetorit 1997 hapi shtegun për një varg protestash të tjera, që ishin paralajmëruar për ditët në vijim. Shtypi pasqyronte me hollësi rrjedhën e zhvillimit të saj. Fillimisht protestës i parapriu një manifestim i mijëra qytetarëve të Prishtinës.

Prej shtatë vjetësh, më shumë se 400 mijë të rinj shqiptarë zhvillonin mësimin në shkolla dhe universitete klandestine, të papërshtatshme. Sipas dëshmitarëve të kohës (deklaratë e Prof. Agim Zogajt, dhënë autorit të librit Ismet Hajrullahu “Lufta e Fundshekullit XX për Kosovën”, maj 2012), rektori i atëhershëm i UP-së, Prof. Ejup Statovci, me qëllim të diskutimit të çështjes në nivel të udhëheqjes së LDK-së, kishte kërkuar të takohej me Ibrahim Rugovën dhe me udhëheqës të tjerë të LDK-së.

Qëllimi nuk ishte zmbrapsja nga demonstrata e 1 tetorit, por bashkëbisedimi për planin dhe objektivat e saj. Rektori Statovci dhe udhëheqja e Unionit të Pavarur të Studentëve të UP-së ishin të vendosur që me çdo kusht ta realizonin planin e demonstrimit publik kundër dhunës serbe dhe okupatorit serbo-jugosllav.

Edhe pse nuk mori përgjigje për takimin me Rugovën, një ditë para protestës, rektori Statovci qëndroi në kabinetin e tij duke u përgatitur guximshëm dhe sypatrembur për demonstratën që do të hapte një kapitull të ri në rezistencën aktive të popullit liridashës të Kosovës.

Nga mënyra se si u zhvillua protesta, ajo përngjante me modelin klasik të rezistencës gandiste. Turma me një sjellje qytetare të admirueshme nisi një marshim paqësor nga lagjja Velania në Prishtinë, ku aso kohe gjendeshin lokalet e Universitetit të Prishtinës, të vendosura nëpër shtëpi private.

Në protestën e organizuar nga Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilëve u printe rektori Ejup Statovci, së bashku me liderët Bujar Dugolli, Albin Kurti, Driton Lajçi, Muhamet Mavraj, u solidarizuan rreth 100 mijë qytetarë të Prishtinës.

Policia ndërhyri forcërisht, me dhunë barbare mbi protestuesit, dhe urdhëroi menjëherë të shpërndaheshin. Studentët nuk iu bindën këtij urdhri. Të detyruar nga bllokimi i rrugës, u ulën në shesh.

Ky veprim (qëndrimi ulur), që ka mbetur në histori si simbol i qëndresës pasive, u kundërpërgjigj me dhunë nga forcat policore serbe. Ato filluan të qëllonin mbi studentët duke përdorur shkopinj gome dhe lëshuan gaz lotsjellës.

Ndërkohë, në lagjen Velania kishin mbërritur forca ushtarake serbe shtesë, të pajisura me autoblinda, me tuba uji dhe me armatime të rënda. Ato e bllokuan Rektoratin e Universitetit, ku qenë strehuar shumë studentë të lënduar.

Rreth 100 mijë qytetarë çanë shtetrrethimin policor dhe mbushën rrugët e Prishtinës, në shenjë solidariteti me studentët. Manifestime të tilla u shtrinë edhe në qytete të tjera të Kosovës. Policia i bllokoi rrugët që lidhnin Prishtinën me qytetet e tjera, për të mos lejuar ardhjen e protestuesve të tjerë.

Protesta përfundoi me një bilanc tragjik dëmesh, një numër i madh studentësh protestues u keqtrajtuan, u rrahën dhe u lënduan. Më shumë se 100 të tjerë morën plagë të rënda, kryesisht me fraktura në këmbë, në duar, në brinjë etj. Policia arrestoi një numër të konsiderueshëm studentësh, të cilët i dërgoi në qendra policore ose në burgje të qyteteve të tjera. Ajo ndaloi gjithashtu stafin drejtues të Unionit Studentor, në krye me Bujar Dugollin, Mentor Bogajn dhe rektorin e universitetit Ejup Statovci.

Protesta studentore nxorri në pah karakterin tiranik dhe represiv të regjimit serb.