PROF. DR. BARDHOSH GAÇE: BREGU I DETIT NË NJË VEPËR FOLKLORIKE TË FANE VEIZIT
Folklori, veçmas kënga popullore ka qenë një nga mjetet e komunikimit për gjërat thelbësore të popujve dhe krahinave, pasi kënga popullore shpeshherë ka marrë rolin e dokumenteve të shkruara, të librave historikë, të ditarëve dhe të mjeteve më të gjerësishme të kujtesës, duke na afruar kohët, njerëzit, ngjarjet, traditat, ritualet, këngët e gëzuara dhe përjetimet e hidhura në jetën njerëzore. Kjo përmbushje përveç nevojës ka qenë dhe një shprehje e shpirtit poetik të njeriut, qoftë kur shkonte apo vinte nga lufta, qoftë në mal, në arë apo në det, duke përcjellë elementin më të rëndësishëm të këtyre këngëve, burimin nga praktika njerëzore, e thënë ndryshe, të një vërtetësie epike.
Përmes këngës popullore, si në shumë popuj të therë, dhe shqiptarëve u kanë ardhur dëshmi dhe kronika historike, prerje etnopsikologjike dhe trashëgimi shpirtërore që nuk i ka libri historik, as burimet krahasimtare apo të historisë së mëhershme, ndërsa kënga popullore ka arritur të ruajë shumë nga të dhënat dhe dëshmitë bazike që një populli i duhen në këto raste. Veçmas baladat shqiptare, të cilat pleksin dhe krijojnë realitete historike-shpirtërore në rrethana ekstreme përbëjnë një arkiv të rëndësishëm për hulumtime të kësaj natyre.
Himara është një fenomen historiko-social, që dëshmohet që në burimet dhe zhvillimet antike. Për shumë arsye, veçmas ato etnologjike, ajo ka arritur t’i ruajë deri në ditët tona, pjesën më të madhe të prurjeve përtej historike përmes traditës, folklorit, këngës dhe grimcave që i ka ruajtur në rrjedhën e shekujve të mbushura me ngjarje dhe turbulenca të shumta. Është një nga vendet e rralla të Bregdetit të Jonit, e njohur përmes emrit Bregu i Detit, që në të gjithë zhvillimet e hershme deri të vona historike, Himara ka praninë e saj, për arsyet e ditura tashmë si për Lindjen dhe Perëndimin.
Himara ka një folklor të pasur, të larmishëm dhe të gjerësishëm, duke qenë njëkohësisht dhe si një trashëgimi që ka ndikim në jetën dhe kujtesën e Labërisë. Himarjotët e referojnë në një masë të konsiderueshme trashëgiminë e tyre, e cila herë është krenari, herë është mësim dhe herë motiv, pasi ndryshe gjithë trashëgimisë folklorike të trevës së Labërisë, këngët e Himarës, për shkakun e transmetimit nga njëri këngëtar te tjetri, sjellin jehonën e luftërave himarjote që nga shekulli i XVI, vitet 1500. Ky është një motiv i rëndësishëm dhe qenësor për folklorin dhe traditën himarjote. Dhe duke hyrë në një këndvështrim vertikal të historisë së Himarës, d.m.th. kujtesës historike, kupton mjaft mirë se çfarë trashëgimie e ka ushqyer mbijetesën e këtyre banorëve në aspektin më tabanor, që nga kundërshtimi i çdo pushtuesi, i etnologjisë familjare, rregullave, pasuria materiale, elementët qytetërues, struktura e komunikimit dhe marrëveshjeve, krijimin e fuqisë së mbijetesës përmes dakordësive dhe mjaft çështje të tjera të anatomisë etnologjike të saj.
Fane Veizi, ky historian dhe mbledhës folklori, i ka afruar arkivit dhe fondit të artë të kulturës popullore një shërbim të madh; librin voluminoz “Bregu i Detit në këngë”, një vepër e ndërtuar mbi një strukturë veprore të llojit më të mirin e mundshëm. Dhe pse Fane Veizi mirëfilli nuk është i njohur si një specialist i fushës, një etnolog apo folklorist, libri në fjalë është një vepër e mirë jo vetëm për trashëgiminë himarjote në këngën popullore shqiptare, por edhe një model i shkëlqyer i kulturës së trashëguar ndër himarjotë, lidhur me këtë pasuri.
Fane Veizi ka lindur në Himarë dhe është rritur në mjedisin e djepin e këngës himarjote. Ndoshta një peshë të konsiderueshme në pasionin dhe ndërgjegjen e tij bënë raport me rëndësinë që kënga popullore himarjote ka në formimin e tij, është të pasurit njeriun e rrethit të tij familjar të Neço Mukës (kushëri i nënës), i cili përveçse e njihte kaq mirë këngën popullore himarjote, e konsideronte atë një libër të madh për historinë, njerëzit, trashëgiminë dhe etnologjinë e Himarës.
Në horizontin e Fane Veizit ndikuan vitet e shkollimit në Shkodër dhe Gjirokastër, dy qytete që janë ç’t’i japin çdo herë njeriut sado i shkolluar dhe i qytetëruar qoftë, falë kulturës dhe qytetarisë së trashëguar. Fane Veizi mori pjesë në Luftën Antifashiste Naçl, madje u plagos. Gjatë viteve të luftës demonstroi talentin si aktor në teatrin partizan.
Pas çlirimit punoi në disa punë dhe qytete, të cilat ndikuan shumë në luajalitetin dhe natyrën e tij liberale. Punoi në Vlorë, Himarë, Fier, Tiranë, në MPB, sektori i kulturës, Arkivin e Shtetit dhe së fundi në sektorin e Shpërndarjes së Librit. Duke qenë një arkivist i shkëlqyer, që i krijoi mundësinë e një njohjeje të madhe, në kontributin e tij veçojnë punime, shkrime e studime për Arkivin, Pavarësinë, Historinë e Himarës, Kongresin e Lushnjës, portrete figurash historike si: A. Pashë Elbasani, Sulejman Delvina, Bajram Curri etj., ndërsa në Fjalorin Enciklopedik me bashkautor ka shkruar zërat: “Himara qytet”, “Himara krahinë”, po ashtu ka lënë në dorëshkrim libra të tillë të titulluar: “Ndihmesë për historinë e Himarës”, “Fiset e lashta në trevën e Himarës”, ashtu siç ka trajtuar një sërë temash po mbi Himarën, mbi njerëzit e saj, punime të rëndësishme gjithsesi.
Duke pasur një formim të qëndrueshëm dhe intelektual, me interesa të qarta, Fane Veizi kishte njohje të afërta me njerëz të shquar dhe personalitete të dijes dhe shkencës shqiptare të kohës, në letërsi, histori, kulturë popullore dhe sociologji. Duke qenë një aspirues i madh i këngës popullore himarjote, Fane Veizi, ka shkelur me këmbë të gjithë fshatrat e Himarës.
Fane Veizi profilin e tij prej njohësi dhe kontribuuesi të zellshëm dhe prej profesionisti të vërtetë e ka trashëguar në kulturën që ai kishte për atë që kishte ndërmarrë, një punë 50-vjeçare për t’i mbledhur këngët popullore të Himarës, të cilën e quan trashëgimi dhe paraqitja e saj (mbledhja, botimi etj.) përbën një punë të rëndësishme dhe është njeri që lufton për të vërtetën historike, ashtu si çdo gurë ka vlerë kur ai është në vendin e vet. Fane Veizi ka qenë kaq i lidhur me punën e tij lidhur me librin “Bregu i Detit në këngë”, aq sa çdo krijimi i çdo kënge nuk i mungojnë kurrë të dhënat dhe treguesit më të nevojshëm. Këngët e kësaj përmbledhje janë shoqëruar me shpjegime, interpretime historike dhe “kartelë shkencore”. Ashtu siç tregohet, këngët janë mbledhur ku janë kënduar në ato fshatra të Himarës, të cilët shquhen për traditën dhe specifikën e këngës nga kënga popullore e Labërisë dhe pse përbëjnë një njësi të madhe të traditës dhe kulturës popullore shqiptare.
Duke qenë një përmbledhje, e cila zë një kohë të madhe, 50 vjet punë të Fane Veizit, botimi pleks një tematikë të gjerë dhe pse autori ka një prirje ndaj temës historike, dhe të parë në një kompleks të gjerësishëm, duke mos lënë jashtë prurjes dhe aspekte të tjera të gjerësishme të jetës, të cilat përveç larmisë së këngëve që reflektojnë në skedën e tyre, krijojnë një mundësi për të evidentuar dhe elementë të tjerë kryesisht të natyrës historike për shkakun e të kaluarës së largët dhe të vonë të Himarës.
Ndryshe shumë mbledhësve të tjerë të folklorit, të cilët e kanë mbledhur këngën folklorike dhe e kanë botuar atë, Fane Veizi përveç mbledhësit të këtyre këngëve në një hapësirë të gjerë kohore, por edhe në një terren të gjerë fshatrash, si një nyjë e veçantë e prurjes në përmbledhjen e këngëve, shpërfaq edhe vlerat e një kujdesi jo vetëm si të ishte një njeri i fushës, por në këmbënguljen për ta sjellë sa më të gjerësishme dhe më informative çdo këngë që ai ka mbledhur. Lidhur me këtë përvojë, për të kuptuar stilin e gjithë kujdesit që ai e ka demonstruar në të gjithë librin, do të mjaftohemi me dy shembuj, për të kuptuar gjithë punën e tij.
Njëra nga këngët e titulluara “O Himarë plot me mënde”, që adreson kohën dhe vendin ku është mbledhur ajo Himarë-Pilur, 1972 me një shënim interesant: është gjetur edhe në Vuno. Është një këngë e vogël, prej 9 vargjesh: “O Himarë plot me mënde,/ nuk u dhe, e nuk u tunde,/ keshe bes’ edhe kuvende,/ e para kudo u gjende./Keshe kuvende të gjerë,/ dhe me gjitonin tënë (1),/ llaf,’ e besën keshe dhënë: “Pleqësimi i pleqësisë,/ është llaf i Perëndisë”, të cilën e shoqëron një kartelë interesante dhe e rëndësishme, ku shkruhet (1): “Është fjala për kuvendet shqiptare të bëra në fund të shekullit XVI-të. Përfaqësues nga Shqipëria morën pjesë në Serbi, Bosnjë, Hercegovinë dhe në vende të tjera të Ballkanit. Në këto kuvende morën pjesë dhe përfaqësues nga Himara dhe ndër to u vendos dhe armatimi i Himarës dhe u caktuan detyra të veçanta në luftën kundër pushtuesve osmanë.
(Shih: Ligor Mile, “Mbi Lëv. Fshat.”, T., 1965, f. 92), pra, një burim i dyfishtë, si nga ana e tij dhe në burimet e shkruara historike.
Po një këngë e një natyre tjetër, në të cilën tregohet me sa kujdes dhe me ndërgjegje intelektuale ka punuar në prurjen e këtij libri Fane Veizi, është edhe kënga “Gjashtëmbëdhjetë të vitit”, e cila ka një natyrë të reflektimit të historisë përmes ngjarjeve, në të cilën në një sipërfaqe të vogël shkruhet: “Gjashtëmbëdhjetë të vitit (10),/ ditënë të Shënëmitrit (2),/ me iqmë të mexhlisit (3), (4),/ për shpëtim të Eptanisit, (5)/ mbi 100 djem të fisit,/ vanë në ndihmë të Nositit (6),/ kundër Osman pashë jezitit (7)./ Djelt’ e gjedhur, djëlm fisi,/ ç’u qepnë si miza lisi,/ pas furtunës ç’i ormisi,/ mu në det se ç’i vithisi.” (Himarë-Dhërmi, 1964), një këngë e mbushur me referenca si: 1- viti 1716, 2- më 8 nëntor festohej dita e Shënmitrit, 3- vendim, 4- pleqësisë, 5- ishullit të Korfuzit dhe ishujve përreth, 6- ishullit dhe 7:
Është fjala për kërkesën e banorëve të ishullit të Korfuzit, ndaj luftëtarëve himarjotë kundër forcave të flotës së Osman pashës që mbante të rrethuar Korfuzin dhe rrezikoheshin të vdisnin nga uria. Shpjegimi është i gjerësishëm, me ç’rast Fane Veizi e nxjerr këngën në të gjithë kompleksitetin e saj, duke shpjeguar njëherësh se në këngët popullore ka kaq shumë informacion dhe se asgjë nuk është e tepërt.
Siç dhe mund të kuptohet, ku pjesa më e madhe e këngëve ka një qasje dhe vendosje të tillë në përmbledhjen e librit “Bregu i detit në këngë”, me çfarë informacioni, dëshmish, vendndodhjesh, emra njerëzish dhe eksponentëve të caktuar të kohërave, kronika dhe veprimtaritë e himarjotëve dhe Himarës, të dhëna të gjera, të imta afrojnë këtë këngë dhe në skedën që i përcjell, përveç vetë këngës, e cila mbart idetë dhe thelbin e asaj që e ka frymëzuar këngëtarin (poetin) anonim popullor për të përjetësuar në këngë ngjarje, njerëz, fakte dhe dëshmi të kohës.
Skeda, e thënë ndryshe me një gjuhë më teknike, i kanë krijuar mundësi autorit, që ai të vendosë në kujtesën e kohëve tona, kapedanët, stratiotët, betejat, vendet historike, lidhjet (marrëveshjet), dhe si e tillë kjo marrëdhënie e brendshme mes këngës dhe kushteve apo kohës që ajo nxë brenda e bën më kuptimplote dhe më komunikuese.
Studiuesit dhe njohësit që janë marrë me studimin dhe mendimin shkencor mbi veprën “Bregu i Detit në këngë” të Fane Veizit, mendojnë se autori përmes animit nga tema historike, e cila përveçse ka qenë dhe mbetet e përjetueshme dhe në ditët tona të këngës që këndohet në Himarë, ka krijuar dhe fakte të rëndësishme dhe dritare komunikimi mbi historinë e Himarës e të Bregut të Detit, një trevë që ka qenë e ekspozuar vazhdimisht dhe më së shumti në kohët historike ndaj përplasjeve në luftëra dhe kultura, që kanë ardhur si nga Lindja dhe Perëndimi, si nga Osmanët dhe nga pushtues të tjerë.
Kënga historike popullore ngrihet zakonisht nga njerëz jo manipulatorë, dhe është produkt i të vërtetave dhe detajeve të imta, këto këngë sjellin argumente mbi rrënjët historike të trevës, origjinën e fiseve të kaonëve, lidhjet e gjakut dhe vazhdimësinë tradicionale të zonave të thella malore të Labërisë para islamizmit. Në to jepen të dhënat mbi fiset, pronat, faltoret (për fiset ndërkohë autori ka të shkruar një studim apo një monografi të rëndësishme), libri ka interes për lëvizjet demografike, një fenomen i brendshëm dhe i jashtëm me të cilin janë përballur shqiptarët në përgjithësi, që më herët se nga vdekja e Skënderbeut, veçmas ato të kohës së shekullit të XV-të.
Këngët, duke pasur një skrupulozitet të imët mbi vendet ku janë krijuar dhe këndohen, përbëjnë një interes të madh mbi emrat e vendeve, toponiminë në përgjithësi, siç janë malet, kodrat, shpellat, burimet, kështjellat, lagje të ndryshme fshatrash, në këngë të veçanta të natyrës sociale dhe të marrëdhënieve të brendshme të familjes, dhe të fshatit sjellin informacion dhe dëshmi autentike mbi natyrën e jetesës, pasi mënyra e jetesës shfaqet në gati çdo moment dhe marrëdhënie jetësore mes njerëzve, veçmas ato të shekullit të XIX.
“Bregu i Detit në këngë” apo thënë më ndryshe “Këngët e Himarës” është një lloj enciklopedie, është një mozaik i jetës dhe ngjarjeve të Himarës dhe të Labërisë në kontekstin e përgjithshëm të jetësimit të tyre, pasi përmes tyre mëson dhe njoftohesh për zhvillimet social-kulturore, ndërsa në të gjithë arealin e tyre, ajo që i shquan në zhvillimin e tyre, aty tregohet për prirjen e të resë dhe përparimtares siç mund ta themi ndryshe.
Përmbledhja prej 435 këngësh që ka sjellë në librin “Bregu i Detit në këngë”, me ç’rast që në pjesën titullore të librit, shquan një-dy vargesh popullor “Himarë i thonë çdo fshat,/ që në Gumenicë e lart…”, duket se “qerthulli” në të cilin është zënë ky libër është i madh, emocionues dhe me një ngarkesë të madhe shpirtërore, kulturore, krenarie dhe dinjiteti, pasi kënga popullore sjell nga thellësitë shpirtin e një populli. Nëse këngët himarjotët i këndojnë pak më ndryshe se një pjesë e mirë e trevës së Labërisë dhe pse polifonia është njësoj në trashëgiminë dhe emocionet që përcjellin këto këngë, shpeshherë ato, për shkakun e ngjarjeve dhe rrethanave, shembujve të rëndësishëm të figurave dhe akteve interferojnë në gjerësi, duke plotësuar njëra-tjetrën nga një vend në tjetrin në të gjithë Labërinë.
-Himara dhe himarjotët shquhen për luftëra dhe luftëtarë, këngë të tilla janë të shumta në Himarë, ku kohët përcjellin kohët, si: “Diqe, more Nile, diqe” (fq. 403), “Që kur erdhi osmanllia” (fq. 481), “Pesëqind vjet të Turqisë (f. 504), “Nëpër det si mal i zi” (Nëpër det si mal’ i zi,/ vjen vapori zehirli,/ vështron vendin me dylbi./Ku bie Lëkurësi?, f. 353) dhe shumë këngë të tjera flasin vetëm për luftëra dhe psikologji luftërash, pasojat dhe përgjigjet që u kanë dhënë himarjotët.
-Himarjotët shquhen për njerëzit e luftës, në historinë e tyre ka mbi 100 kapedanë të njohur, përmes të cilëve është shpalosur shpirti heroik dhe i përbashkët e himarjotëve, të cilët janë mbledhur rreth atyre që u kanë prirë në luftëra, Himara ka rreth 102 luftëtarë që janë quajtur kapedanë: “Kush është lule vilajeti?” (Nase Beni, f. 473), “Ra një ves’ e zbuti dhen” (ra një ves’ e zbuti dhen,/ ra Tafili Tepelenë…, f. 287), “Në Skalomë në dyqanë” (Polo Prifti dhe Jorgo Prifti, fq. 138), “Qeparo do të kujtoj” (luftëtarë që shërbenin në Mbretërinë e Napolit, f. 22), “Ç’thotë padishahu, ç’thotë” (f. 49).
Himara është një trevë e gjerësishme me zakone dhe një kulturë të rëndësishme kolektiviteti, një kulturë e nxënë në traditën që ajo ka krijuar nëpër shekuj dhe kohë, një kulturë që përthuhet që në traditën e ndërtimeve për të mbrojtur kulturën, për të edukuar dhe për t’i nisur a pritur luftëtarët nga luftërat: “Kur vijoja në Padova” (…lashë vajçë e lashë gjënë,/ lashë të bukurinë vëndë,/ andaj lashë këtë këngë,/ këtë, për mall e për gjëmë…. f. 41), “O Himarë plot me mëndje” (…Keshë kuvende të gjerë,/ dhe me gjitonin tënë… f. 80), “Ngrehu, kapedan me pallë’ (f. 84), “Thoraktova një lundretë” (f. 104) dhe këngë të tjera që lidhen me një trashëgimi të rëndësishme himarjote përballë kohës.
Në Himarë kanë historinë e tyre malet dhe kodrat, shpellat dhe shkëmbinjtë, brigjet e detit dhe vendet ku luftëtarët kanë treguar akte trimërie, por edhe aty ku burrat kanë bërë kuvendet e njohura të historisë, pjesë e rëndësishme e qenësisë dhe fondamenteve burrërore dhe të qëndresës: “Ka të thënë e ka të ngjarë” (Ka të thënë e ka të ngjarë,/ se Thopajtë e parë,/ ishin të fismë e bujarë,/… shtatë ishin gjeneralë…, f. 14), “Pa rirë mirë nd’allonarë” (Pa rirë nd’allonarë,/ ç’u mblodhë gjithë të parë,/ në Shëmitër në Himarë… f. 141), “Dolla Kolezë në Majë” (f. 148), ndërsa në gjithë përmbledhjen këngët e këtij libri risjellin në vëmendje dhe prurje kohësh dhe ngjarjesh në 52 emra vendesh dhe toponimesh të ndryshme, mjaft të rëndësishme për t’i kuptuar kohët, ngjarjet dhe njerëzit.
Himara vjen nga thellësitë e shekujve, dhe si e tillë, ajo mbart trashëgiminë dhe origjinën e saj, për të cilën himarjotët nëpër kohë kanë qenë krenarë dhe të detyruar ta mbrojnë emrin e njohur të Himarës, ku e përshkon një konstelacion vendesh, qytetërimesh dhe qendrash kulturore, historike dhe të rrethanave të caktuara: “Himarë, Kaninë, Drashovicë”, një konstelacion i rëndësishëm i hershëm i banuar nga shqiptarët (Himarë, Kaninë, Drashovicë,/ Tepelenë, Kardhiqë, Nivicë,/ kaonë janë të gjithë,/ nga një farë e një fis…, f. 5), “Ke narkova ke lum’ i zi”, (f. 20), “O Himarë e Kaonisë” (O Himarë e Kaonisë,/ nur lezeti i miqësisë…, f. 160), “Pano Bixhili Dhërmiu” (f. 162), mjaft nga dëshmitë mbi kulturën dhe traditën himarjote vijnë përmes personazheve të caktuar, qofshin luftëtarë apo njerëz të sferave të tëra, të cilët mbartin origjinën nga Himara.
Hapësirat, fshatrat e Himarës ngjajnë që herët me qytete të vogla, të cilët njoftojnë një qytetërim të rëndësishëm të tyre, e pikërisht për këtë arsye Himara ka pasur dhe vazhdon të ketë një marrëdhënie të harmonishme mes vetes dhe në të gjithë komunikimet e natyrave të ndryshme: “O ku je, Himara ime” (…Këto gurë e këto anë,/ nuk i dheks e nuk i mbanë,/ dhe të vdekur kur janë,… f. 17), “Vunoi në kasaba” (Vunoi në kasaba,/ me saraje të mëdha,/ pallate treqind e ca,… f. 87), “Kostë Ndruco but’ asllani” (f. 154) dhe në shumë kontekste të tjera, që lidhen me tradita të qëndrueshme si elementë të rëndësishëm qytetërimi.
Himara ka pasur kontakte të vazhdueshme me ngjarjet historike nëpër të cilët ka kaluar Shqipëria, prandaj himarjotët i gjen në të gjitha ngjarjet nëpër të cilat ka kaluar fati i Shqipërisë: “Motin nëntëqind e tetë”- kryengritja himarjote 1908 (… Pleqtë kur te ai vanë (padishahu turk),/ me një llafe gjithë thanë:/“Dale, se kemi fermanë,/ për venomet në Himarë,/ mutabiqe në divanë…”, f. 459), “Imarë, e zeza Imarë” (Imarë, e zeza Imarë,/hamedet e shkreta Çikë,/ përmbi male radhë-radhë,/ pesëqind vjetët e Turqisë… f. 491), këngë nga Piluri me rastin e Shpalljes së Pavarësisë, “Në Vlorë foli prefekti” (Në Vlorë foli prefekti,/ Osman Haxhiu Muhameti,/ vjen me vapor nga deti,/vjen Ismail Qemali,/ i vdekur a i sëmurë,/ mbushur duart me flamurë,…. f. 509) dhe shumë këngë të tjera mbi luftëra, kuvende që në traditën folklorike të Himarës vijnë dhe përmes këngëve për luftëtarë dhe luftëra.
Një arsye e madhe dhe e rëndësishme e Himarës janë lidhjet e gjakut dhe trashëgimia e familjeve të njohura, të cilat përveçse kanë qenë një shembull i mirë, kanë krijuar dhe rrethana përbashkuese në rastet e rëndësishme, pasi në traditën e shqiptarëve në përgjithësi, familjet e mëdha, siç janë Dukagjinët, Skurajt, Golemët, Arianitët, Kastriotët, Bushatlinjtë, Ali pashë Tepelena, familja e Ismail Qemalit, dhe shumë dyer të tjera të njohura, kanë shpenzuar pasuritë familjare për luftëra, kulturë dhe përparim: “Qeparo gurë stërralli” (…Me fise e sojë asllanë,/ që nderuarë e kanë./Në ballë ç’e kanë marrë,/ Bargjinajt soj Tërbaçi,/ s’i thonë njeriut plaçi,/…Edhe Gjikëbitajt tanë,/…Edhe kta Mertokajt tanë… f. 393), “Demave të Shqipërisë” (Demave të Shqipërisë,/ s’u shpëton lop’ e Turqisë,/ Ali Pasha lopë plakë,/ po të duash eja prapë, f. 25), “Qani, o male, qaj, o det” (Qani, o male, qaj, o det,/për Kapetanin më flet,/ kulloni si shpellat vetë,/ për Linjerosin e shkretë…., f. 26), kënga i kushtohet Andon Linjerosës, një ish-pjesëmarrës në Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës 1444, i shoqëruar me 300 kalorës. (“Doli dielli, qeshi moti”: (Doli dielli, qeshi moti,/ ç’u martua Kastrioti,/ Kastrioti ç’u martua,/ mori një sojlleshë grua,… f. 28) dhe shumë këngë të tjera që tregojnë për lidhje të tilla, mjaft të rëndësishme në jetën e Himarës. Si shumë vende të tjera shqiptare, një nga fuqitë dhe rrethanat e mbijetesës dhe në Himarë lidhet me praninë e fisit, e cila ka qenë një nga rrethanat dhe mundësitë për të përballuar jo vetëm mbijetesën apo kundërshtarin, por edhe eliminimin që kanë sjellë kulturat e huaja të ardhura në formë dhe mjete si pushtues dhe si kulturë:
Një nga fuqitë e brendshme, një mekanizëm i rëndësishëm dhe përtëritës në jetën e himarjotëve ka qenë dhe mbetur besimi, i cili në rrethana të vështira ka arritur të mbijetojë në format e njohura të ndërgjegjes, prandaj në burimet shkrimore, si dhe këngët e Himarës ka të dhëna dhe dëshmi mbi faltore të ndryshme: “Patriotët e mëmëdheut” (…Papa Seu meshën preu,/ me gëzim seç u rrëmbeu,/ e i puthi me ngadalë,/ si Çerçizë e Mihalë… f. 453), “Nivica një pun’ madhe”, (f. 199), “Zot i madh, zoti ynë”: “Zot i madh, zoti ynë,/ në malet në Vetëtimë,/ lëshon shtizat me gjëmimë,/na të lutemi nainë,/ mbae pakë terezinë,/ qëllo vetëm ligësinë…, (f. 34), “Në qish të mitropolitisë” (f. 59) dhe mjaft krijime të tjera, flasin dhe për vende ku janë ndërtuar kisha apo dhe forma të tjera të besimit. Pavarësisht kulturës së besimit, Himara ka krijuar një fuqi dhe harmoni kulturore, marrëdhëniesh dhe shkëmbimesh, jo vetëm ekonomike, por edhe kulturore, shpirtërore dhe të natyrave të ndryshme me fqinjët e afërt dhe më të largët, ku shquajnë ato ekonomike dhe ushtarake.
Emra kalash dhe kështjellash, dalin shpesh nëpër këngët himarjote, si dëshmi të epikës së qëndresës të bregdetasve që nga kohët e kaonëve, të kohës së Skënderbeut dhe në gjithë ngjarjet e mëvonshme të prijësve, të luftërave në Himarë dhe në Jugun e Shqipërisë, por pa harruar dhe mjaft kontekste dhe me Veriun e Shqipërisë, ku shquajnë dinasti të njohura që nga Dukagjinët, Kastriotët dhe të tjerë: “O Lëkurës, o i mjerë” (O Lëkurs, o i mjerë,/ ç’e pësove këtë herë,/ kujeja derë më derë,/ seç u dogje për tre herë,… f. 366), “Pa vështro se ç’thotë kalaja” (Pa vështro se ç’thotë kalaja,/ e vjetër sa ç’është dynjaja!/-Këto gërxhe, këto maja,/ mposhtën ushtri të mëdhaja,/ s’u dha kurrë Barbakaja,/ bën kërdinë Skutaraja…. f. 9), “Zhulat se ç’u mblodhe” (f. 354) dhe këngë të tjera që vijnë nëpër situata të caktuara luftërash.
Të gjithë këto tablo dhe mozaikë të rëndësishëm mbi Himarën që krijon përmbledhja me këngë e Himarës shquajnë himarjotin me virtyte të njohura njerëzore, që nga zgjuarsia, trimëria dhe bujaria, si një refleksion i zhvillimeve urbane, ndërtimtarisë tipike-arkitekturore, trashëgimisë arkeologjike, e cila shpërfaqet në mjaft elementë anësorë të këngëve që janë kënduar dhe këndohen në Himarë.
Siç dhe mund të kuptohet, krahas luftërave dhe kronikave të gjerësishme që himarjotët kanë krijuar për këtë aspekt të vështirë jetësor, ata kanë qenë të lidhur fort dhe me një kulturë të hershme për mjedisin shoqëror, marrëdhëniet e brendshme dhe këngët e jetës. Në lirizmin e ngrohtë e përshkon këngën himarjote, e cila zë vendin e saj në jetën e tyre, ashtu siç janë dhe një numër i madh këngësh si në të gjithë këngët shqiptare për kurbetin, për dhimbjen, trimin e vrarë dhe vajin për të: “Korba ditë e korba natë” (Korba ditë e korba natë,/ vitin tetëdhjetë e shtatë,/ më erdhën pesë mandatë,/ tre një ditë e dy një natë,/ më therë brenda në xhan,…. f. 143), një këngë për një fatkeqësi në familjen e Haramajve, “Ç’dreq e pruri Sulltanë” (f. 144), “apo lirika të tjera si “Bregut, gurë-gurë” (Bregut, gurë-gurë,/ qaj, o Breg, e qaj, o lumë,/ ditë e zezë, dit’ e mërkurë,/stolisi Sofia kaurë./-Ku vete kështu, o burrë?/-Do vete Dukat, kam punë,/ -Merr dhe ismeqar, o lumë,/ se mos të vrasin mb’udhë./Mua në më vrafshin mb’udhë,/ti mua mos më qaj kurrë,/ dhe shami të zezë mos vurë…- Dukat-Vlorë, (f. 441). “Pse s’ha buk’ e pse s’pi verë” f. 7) një baladë në variantin e Imer agës, e njohur mjaft në Shqipëri, e cila në Himarë ka variantin e saj.
Himara ka dhe lirika të tjera të ngrohta të natyrës tradicionale të dashurisë dhe pezmit të hollë që ajo mbart në vetvete.
Këngët që ka sjellë në këtë përmbledhje të rëndësishme folklorike, kryesisht të këngës popullore nga Fane Veizi janë mbledhur aty ku janë kënduar, duke u dhënë atyre një vërtetësi të padiskutueshme dhe të rëndësishme si: Himarë, Pilur, Qeparo, Vuno, Dhërmi, Palasë, Kudhës, të cilët në jo pak raste valorizojnë në: Dukat, Gusmar, Kuç, Vlorë, pra, simotra të këtyre këngëve i gjen dhe në Labëri, për shkakun e rrethanave të përbashkëta historike dhe domenin kulturor valorizues.
Një dëshmi tjetër po kaq e rëndësishme është se këngët e mbledhura kanë një statistikë të saktë: 60 subjekte, kryesisht njerëz të moshuar janë burimi i këtyre këngëve të mbledhura që nga ai i vitlindjes 1864, i cili ia ka dhënë këngën sipas Ll. Çipës. Kjo pjesë e subjekteve dhe burimeve që kanë siguruar këtë prurje është mjaft interesante në fenomenin dhe praktikën e mbledhjes së këngëve popullore jo vetëm në Himarë, por në të gjithë mbledhjen e këngës popullore shqiptare. Ashtu siç janë të pakta këngët burimore dhe të tabanit për Skënderbeun dhe kohën e tij, për shkakun e agresivitetit kulturologjik të otomanëve në Shqipëri për 5 shekuj, të cilët kërkonin dhe kishin praktikën për të zhdukur çdo kujtim dhe simbolikë të tij, në këngën popullore himarjote kanë mbijetuar katër këngë që flasin për betejën e himarjotëve në vitin 1537 kundër Sulltan Sulejman Kanuniut, si dëshmi e historisë së Himarës, kundër otomanizmit dhe islamizmit, i cili i detyroi shumë himarjotë që të shkonin në zonat të thella malore për të ruajtur besimin e tyre, apo të shpërnguleshin nga Kurveleshi në brigjet e Himarës.
Sado që të shtrihemi në thellësitë dhe në gjerësitë e këngës himarjote, ajo në çdo rast të zbulon diçka për shkakun e historisë, e cila arrin të komunikojë nëpër kohë, për shkakun e referimeve dhe dëshmisë mbi origjinën e lashtë, autoktoninë e trimërinë e himarjotëve. Ajo pohon luftërat, bashkëluftëtarët himarjotë me Skënderbeun, betejat në brigjet e Jonit me Ali pashë Tepelenën, luftërat për krijimin e shtetit shqiptar, si me Bushatlinjtë dhe Gjolekën, luftërat dhe dëshmitë kundër Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit, mbështetjen e Lidhjes së Prizrenit, ndihmesën që himarjotët i kanë dhënë popullit grek në luftën për liri dhe pavarësi. Këto dëshmi i mbart dhe pleks në indin e vet kënga himarjote, që Fane Veizi i kushtoi 50 vjet për t’ua dhënë himarjotëve si pasaportë dhe kulturës shqiptare si dëshmi.
Tiranë-Vlorë, qershor 2000.