Albspirit

Media/News/Publishing

REXHEP SHAHU: RA KY MORT E NUK U PANË

*
Erdhi tetori i Nobelit të Kadaresë. Por sivjet, nuk u ndot ajri, toka, qiella, letrat, gazetat, portalet, ekranet me urrejtje kundër Kadaresë, nuk u nxi qielli nga retë e rënda e të zeza të urrejtjes, nuk përtypën as mbllaçitën urrejtje urrejtësit. U tretën, i mundi Kadareja me vdekjen e vet. Nuk do t’i thonë më spiunët se ka thënë “jashtëqitja e kombit” për refugjatët, kur kurrë nuk e kishte thënë, kishte refuzuar të shkonte edhe në mitingun e urrejtjes ndaj shqiptarëve të ambasadave të 2 korrikut. Spiunët kishin detyrë të mos ia thonin emrin atij që e kish bërë atë deklaratë poshtëruese për shqiptarët që hynë në ambasadat e huaja më 2 korrik 1990. Spiunët thonin me kompetencë se është botuar në gazetën “Drita” më 11 maj 1990 deklarata e Kadaresë, ajo deklarata që do ta thoshte Kadareja më 2 korrik 1990, pra qenkësh botuar dy muaj para se të ndodhte 2 korriku i ambasadave e para se ta thoshte Kadareja…
Edhe ata që i silleshin rrotull dhe përfitonin nga Kadareja e që nuk e zbardhën shpifjen për deklaratën e 2 korrikut, nuk e botuan apo transmetuan filmimin a fjalimet në mitingun e Xhelil Gjonit për dy korrikun e 1990, tani sillen në lëmë të shkretë.
Ambasadori i turpit shqiptar nuk do të ketë më mundësi t’i shkruajë letër akademisë suedeze të Nobelit kundër kandidimit të Kadaresë që ai të mos e marrë çmimin Nobël në letërsi, për ta ruajtë dinjitetin, pastërtinë, virgjërinë e autoritetin e çmimit Nobël. Askush nuk na e tregoi atë letër urrejtje gjinokastrite ambasadoriale. Akademia e Nobelit nuk e tregon 50 vjet, po arkivi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë nuk është në dorë të Nobelit, nëse ka qenë letër zyrtare ambasadoriale.
Nuk na u bë e njohur ajo letër edhe pse e di dhe nuk besoj se gjithë ambasadorët e gjithë ministrat e jashtëm kanë qenë armiq të Kadaresë. Nuk na e tregoi as kryeministri ynë, që u shfaq i përgjëruar ditën e lamtumirës së Kadaresë.

*
Ditën e mortit ra shi, jo papushim shi, shi kadareian. Ra shi sa me la pluhurin e ajrit ne qiell, me ia pastrue udhën Atij që po ngjitej te ulej në fron në përjetësi.
Nuk ra shi sa duhet me la udhët, sheshet, tavolinat e pista e të zhulta të Facebook e rrjeteve sociale, gjirizet nga ku kishte shpërthye edhe ditën e vdekjes së tij urrejtja e kishin dalë minj që përhapin kolerë kundër dashurisë, kundër çdo kodi zakonor shqiptar e njerëzor që për të vdekurin nuk flitet keq në vdekje se një urtësi lumjane thotë kush ka dekë e ka hi në dhe, nuk ban më kuvend me ne…
Ra shumë pak shi për me la gjithë këto gjirize të mëdha urrejtje të verbër, urrejtje spiunësh, urrejtje komunistësh ekstremë, urrejtje serbësh ndaj Atij që ishte më trimi e më i dituri dhe i kish mundur të gjithë armiqtë gjithmonë me talent, punë e zgjuarsi.
Ata që nuk ia kanë lexuar librat, por e urrenin se e urrenin, që ia përmendnin vargjet për qenin e kufirit, vdekjen e Stalinit, veprën epike “Dimrin e vetmisë së madhe” i çmuar si kryevepër nga Hajni Bel me shokë, i kërkojnë shkrimtarit të jetë Ai çfarë nuk kanë mundur të jenë vetë ata në jete e kur Ai nuk bëhet ata, ai e mbron vajzën e tij, i del zot, ai u thotë rreptë gardianëve të moralit se nderi nuk është te vrima e shurrës, ai ndizte dritë shprese me veprat e tij për gjenerata me radhë prandaj ata, spiunë, enveristë, ish komunistë ekstremistë lëshojnë lukunitë e divizionet e mijve të gjirizeve të urrejtjes kundër Kadaresë.
Mjerim pa kufi, nuk ka shi që lan e pastron gjithë këtë urrejtje që derdhet nga gjirizet e urrejtjes edhe në këto ditë morti.
Mijtë e gjirizeve të urrejtjes nuk ia bëjnë dot gjyqin shkrimtarit të dashurisë që ia tregon botës Shqipërinë në 50 gjuhë. Çfarë mrekullie e magjie. U thotë se në Shqipërinë diktatoriale monstër, binte vazhdimisht shi, bënte mot i keq, ishte gjithmonë ftohtë, Shqipëria në regjimin komunist ishte dimër i acartë. Këtë nuk ia falnin as ia duronin komunistët të cilët donin që Kadareja ta paraqiste Shqipërinë pranverë socialiste.
Në tetorin e Nobelit shpërthente gurra e urrejtjes ndaj shkrimtarit. Urrejtja me tre kokë në një, urrejtja e serbëve ndaj tij se ai ua kishte shkërmoqë mitet dhe i kishte mundë edhe në betejat e fundit të luftës së fundit shqiptaro-serbe për Kosovën. Urrejtja e komunistëve të egër ekstrem që e kishin shpallur armik nga injoranca e padituria, të cilët ai i përqeshte dhe i ka bërë të pavdekshëm në veprën e tij. Urrejtja e sigurimsave e spiunëve të cilët ai i kishte sfiduar e mundë gjithë jetën.
Në tetorin e sivjetmë që shkrimtari ndërroi jetë dhe nuk mund të kandidonte për Nobelin, urrejtësit mbetën pa urryer, u mbeti urrejtja mes dhëmbëve të ndryshkur, u ngriu urrejtja në buzë. Shkrimtari vdiq por i mbeti më e shndritshme letërsia. Mbeti pa u urrye sivjet gjuha shqipe, letërsia shqipe, kultura shqipe.
Urryesit nuk dinë të lexojnë dashurinë e letërsinë e madhe kadareiane.

*
Ditën e varrimit nuk munda të shkoj pranë arkivolit, nuk munda të jem në spektaklin e pështirë qeveritar të varrimit të Kadaresë në koncertin e fundit të korbave.
Vuajta që nuk kemi një Hygo të mbajë fjalim në varrimin e Balzakut…
Kryeministri që e di se do të shuhet në harrim deshi të fitonte edhe atë ditë pak pavdeksi nga pavdekësia e Kadaresë.
Unë nga shtëpia vuaja se nuk mundja të isha pranë arkivolit me trupin e Kadaresë, ta merrja arkivolin në krah me miqtë shkrimtarë të Kadaresë, me adhuruesit e pafund të tij, ta mbanim arkivolin me trupin e tij në krahë nga aty tek shtëpia e tij në qendër të Tiranës, te ish Lidhja e Shkrimtarëve – shtëpia e shkrimtarëve që ua ka grabitë shteti, te shkonim me arkivol në krahë në bulevardin “Dëshmorët e kombit” që e ka bërë të madh për vogëlsinë tonë mbreti Zog, ta shihte ai për herë të fundit hotel Dajtin, të shkonim te Komiteti Qëndror ta shihte për herë të fundit atë godinë ku rrinte pashai i kuq që vrante e kthjellte, të shihte nëpunësit e “Pallatit të ëndrrave”, Ebuqerimat e zi…
Kjo më ka mbet peng.
Tirana do ta çonte deri te varri në krahë Ismail Kadarenë se askujt në botë Tirana e Shqipëria nuk i detyrohet më shumë se Kadaresë.
Por korbat qe u mbodhën e krrokuan ate ditë krrau, krrau, krrau, ta caktojnë dhe gropën e varrit dhe vendin e varrit pasi korbat e mendojnë varrin e tij si dyqan ku do të shitet lavdi e përjetësi për korbat. Por Ismail Kadareja nuk pyet për varrin, nuk i hy në punë varri. Ai eshte në libra, është tashmë në kujtesën e botës, në zemrat e mendjet e njerëzimit, është i pavdekshëm si Homeri, Shekspiri, Dante, Gëte.