Andrea Gudha: Mjekësia
Mjekësia është një “Dramë” e shkruar nga njerëzimi ndër shekuj. Mjeku duhet të luaj gjithmonë rolin kryesor gjatë gjithë jetës së tij në këtë dramë. Jo, rrallë herë, “Drama” ka përfundim tragjik…!
Hyrje
Mjekësia ose Medicina (lat. ars medicina = arti i shërimit) merret me shëndetin dhe parandalimin, njohjen edhe shërimin e sëmundjeve dhe lëndimeve.
“Mos bëj dëm” titullohet libri bestseller i neurokirurgut anglez i ditëve të sotme Henry Marsh, i përkthyer dhe i shqipëruar në mënyrë të përsosur nga eminenca e neurokirurgjisë shqiptare Prof. Mentor Petrela e Dr. Florian Dashi. Vetë titulli i librit është intrigues. Eshtë një libër histori njerëzore (mjek-pacient) i shkruar në formë novele, ku autori dhe përkthyesi, nëpërmjet ndjenjave të tyre profesionale e jetësore, flasin me një gjuhë të përbashkët për pacientët e për mjekësinë.
Henry Marsh citon:
“Mjekësia është propabilitet. Ne nuk mund të parashikojmë të ardhmen e pacientit me siguri. Ne shpesh bëjmë gabime, jemi të njëanshëm dhe gjykimi ynë nuk është i mirë. Ne nuk e kurojmë pacientin, por ne e ndihmojmë që të jetojë edhe ca vite më shumë”.
Dhe vazhdon:
“Në një botë ideale mjekësia është një mision, ku mjeku bën më të mirën për pacientët e tij. Jo për të bërë para! Në kushte ideale duhet të jetë shteti ai që duhet të paguajë shëndetin e popullit për hir të barazisë shoqërore”.
***
Mjekësia e shek. 21-të ka venë në pikëpyetje sistemet shëndetësore të trashëguara nga shek. 20-të.
Në shekullin e 21-të, pas vitit 2010, kemi një progres të jashtzakonshëm të shkencës së mjekësisë, fal Teknologjisë mjekësore dhe Industrisë farmaceutike. Por, Shkenca e Mjekësisë dhe Mjeku, sot, duken se janë nën ”pushtetin” e tyre! Problem sa shkencor e etiko-moral dhe, po aq i shtrirë në rrafshin psiko-social!
Europa, sot po përballet me një sërë sfidash të rëndësishme në fushën e shëndetësisë. Ajo përballet, nga njera anë me:krizën ekonomike, plakjen e popullatës e progresin teknologjik- virtual dhe, nga ana tjetër me: shëndetin e njeriut, që jeton në një botë globaliste e të ekonomisë së tregut dhe, që, është në vartësi financiare të progresit të teknologjisë mjekësore dhe të industrisë farmaceutike.
Në ditët e sotme, Sistemet Shëndetësore gjenden nën presionin e katër faktorëve revolucionarizues, që imponojnë, por edhe mundësojnë ndryshime substanciale për funksionimin sa më efikas të tyre:
- Faktori social, lidhet me evolucionin dhe demokratizimin shumëplanësh shoqëror, si përparësi e prioritet duhet të jenë të drejtat e individit lidhur me kujdesin shëndetësor.
- Revolucioni teknologjik i lidhur me novacionet e mjeteve, aparaturave, barnave, metodave e procedurave të reja shëndetësore në përputhje me etikën mjekësore.
- Revolucioni informatik, lidhur me progresin e sistemeve shëndetësore drejt modernizimit, ku një rol të rëndësishëm ka ndikuar kompjuterizimi (dixhitalizimi) i të gjithë hallkave të sistemit shëndetësor.
- Revolucioni menaxherial. Koncepti i trajtimit të shëndetit të njeriut si produkt i një institucioni shëndetësor dhe, kostua e lartë e teknologjisë mjekësore e asaj farmaceutike, sollën në krye të sistemeve shëndetësore, konceptin e menaxhimit shëndetësor, si faktor përcaktues të përballimit të kostos financiare të shërbimeve shëndetësore (kosto-efikasitet), që ofrohen në raport me burimet e disponueshme të çdo vendi, sado i zhvilluar qoftë…
Të katër faktorët e mësipërm treguan nivelin dhe fuqinë e tyre vepruese gjatë situatës emergjence në përballje me Pendeminë e Covid-19 në shtete të ndryshme, sa do të fuqishme që ishin, qoftë në SHBA, apo në kontinentin evropian!
***
Sistemi shëndetësor i një vendi është “pasqyrë” e Qeverisë së vendit. Shërbimi mjekësor është “pasqyrë ”e Sistemit Shëndetësor. Mjeku është “pasqyrë” e shefit të Shërbimit. Kryeinfermierja është “pasqyrë” e shefit të shërbimit apo klinikës!
Baron de La Brède et de Montesquieu, (shkrimtar, filozof francez, shek. XVIII), shkruante: “Nuk janë mjekët që na mungojnë, por është mjekësia, që na mungon”.
Në ditët e sotme kemi frikë se mos është e kundërta dhe, mund të thuhet: “Nuk është mjekësia, që na mungon, por na mungojnë mjekët e vërtetë”.
Evropa, po kërkon për të gjetur mënyra të reja për mundësitë e punësimit në Sistemin Shëndetësor. Kjo ka të bëjë me evolucionin e profesionit të mjekut në drejtim të edukimit dhe formimit profesional.
Në këtë mjedis mjaft të brishtë, Bashkimi Europian, si gjetje rrugëzgjidhjeje ndaj kësaj përballjeje, është i përqëndruar tek: Arsimi, Mësimdhënia dhe Formimi Profesional i detyrueshëm gjatë gjithë jetës. Këto probleme, sot janë të përbashkëta për vendet e zhvilluara, ndaj shtrohet një problem madhor para tyre që, Sistemet Shëndetësore të Komunitetit Evropian duhet “të harmonizohen dhe jo të njësohen”!
Bota sot kërkon jo vetëm specialistë të aftë nga pikëpamja profesionale, por edhe njerëz të mësuar, të aftë të vendosin analogji, të jenë kreativë, mbartës të krijimtarisë, gjë për të cilën kërkohet zotërimi i njohurive të përgjithshme profesionale e kulturore.
Që në vitin 1937, Rene Leriche ( kirurg, fiziolog francez) në leksionet e tij në Kolegjin e Francës, deklaronte: “Mjekësia, e tërhequr nga një vorbull zbulimesh, është si e trullosur. E dehur nga analizat dhe nga gjërat e reja, ajo aspiron për një minutë sintezë. Pa e pranuar, ajo ka frikë, ndien rrezikun, të cilit, nuk do të mund t’i rezistojë. Ky rrezik është harrimi i njeriut, që është objekti i saj, NJERIU, si një qenie njerëzore në një organizëm të vetëm prej “mishi dhe ndjenje”.
Dija, përvoja, gjykimi i shëndoshë i mjekut luajnë gjithnjë një rol kryesor në marrëdhëniet me pacientin. Kjo punë komplekse, sa profesionale e humane, nuk mund të kryhet asnjëherë nga një makinë elektronike, sepse ajo nuk mund të ketë asnjëherë “ndjeshmërinë, nuhatjen dhe syrin klinik”.
Mjekësia është në kërkim të përhershëm të arsyeve dhe të shkaqeve, që shpjegojnë pasojat në organizmin e njeriut. Vetë shkenca e mjekësisë nuk është shkencë ekzakte. Mjekësia është shkencë e integruar me të gjitha shkencat e tjera dhe ecën paralel me progresin e tyre. Kjo kërkon, që, dhe mjeku si profesionist i shkencës së mjekësisë, duhet të ketë një formim profesional integral dhe të plotësuar me kulturën e përgjithshme në praktikën profesionale.
Një dallim thelbësor duhet të bëhet midis kulturës së përgjithshme profesionale dhe kulturës të specializuar në një fushë të caktuar të mjekësisë. Mendja e kultivuar e një mjeku me kulturë të përgjithshme, pas observimit, anamnezës dhe vizitës mjekësore tek pacienti, ai, në njësinë e kohës, e grupon informacionin, e zgjedh dhe e përzgjedh, e analizon, e gjykon, e racionalizon, e përpunon dhe, krijon planin strategjik, që duhet të ndërmarrë tek pacienti. Specializimi në Mjekësi është një pasojë e detyrueshme dhe kusht i progresit të shkencës së Mjekësisë në përgjithësi. Sa më i ngushtë të jetë një specialitet, aq i domosdoshëm është zotërimi i tij, ashtu siç duhet.
Thuhet se specialisti di shumë në një fushë të ngushtë dhe ai mund të mos dijë atë çka nuk bën pjesë në specialitetin e tij.
Edgar Morin (filozof dhe sociolog francez, shek. XX-të) citon: “Specializimi është një sakatim i mendimit”. Disiplinat e specializuara në të vërtetë kanë prirjen ta copëzojnë organizmin e njeriut. Por, qeliza, indi, organi janë pjesë e së tërës, që përbëjnë në tërësi, nga ana organike dhe funksionale, organizmin e njeriut. Në mjekësi, vuajtja e një organi duhet vlerësuar si pjesë e gjithë organizmit të njeriut. Kjo kërkon sot kujdesin holistik ndaj organizmit të sëmurit dhe, jo, vetëm në aspektin biologjik.
***
Fakultetet e Mjekësisë janë shkolla profesionale
Misioni i Shkollës Mjekësore apo i Fakultetit të Mjekësisë është të plotësojë dy kërkesa të domosdoshme për studentët: Formimin profesional dhe formimin e mendjeve me kulturë të përgjithshme, pa neglizhuar as njerën e as tjetrën. Ato mësojnë jo vetëm “një dije” për shëndetin e njeriut por, gjithashtu, edhe njohuri të përgjithshme për mënyrën e të jetuarit, që luan një rol shumë të madh në artin e marrjes së anamnezës së të sëmurit: të pyeturit, observimi, reflektimi me gjykimin e shëndoshë dhe shpirtin kritik, me dhembshuri, me ndërgjegje dhe me respekt ndaj dinjitetit human. Programet mësimore në Fakultetin e Mjekësisë, metodologjia, pedagogjia e mësimdhënies dhe e mësimnxënies, infrastruktura didaktiko-pedagogjike, praktikat paraklinike dhe klinike, si dhe formimi i pedagogëve në Fakultetet e Mjekësisë, duhet të jenë gjithmonë në lëvizje, në vartësi të progresit shkencor dhe të kërkesave të kohës. Sot, në Evropë, modeli i formimit arsimor e profesional është i standardizuar me Kartën e Bolonjës. Por, Karta e Bolonjës jep vetëm orientimet dhe udhëzimet e aplikimit, por jo modelin. Kjo dobësi ndjehet veçanërisht në shkencat mjekësore…
Më poshtë, shkurtimisht, le të shohim evolucionin historik të kritereve të studentit për t’u pranuar në Fakultetin e Mjekësisë.
Deri në shekullin XIX, për t’u pranuar në Fakultetin e Mjekësisë, kërkohej matura me formim të përgjithshëm klasik.
Mësimi klasik, analiza gramatikore e shpjegimi i teksteve (llogjika) janë në gjendje t’i japin studentit mprehtësinë dhe zhdërvjellësinë e mëndjes, të nevojshme për të ushtruar mjekësinë.
Mjekët e mëdhenj të shekullit të XIX kanë mbetur të famshëm në saje të gjuhës të qartë dhe të përpunuar të veprave të tyre. Të huajt kur shkonin në Francë dhe, ishin të interesuar për mjekësinë, shkruanin:
“Është kurioze të vihet re se, këtu, në Paris, nuk duhet të shkosh në shkollën e drejtësisë dhe as në Sorbonë për të dëgjuar profesorë elokuentë, por në Fakultetin e Mjekësisë”.
R. Dumik citonte:
“Më të mëdhenjtë: Louis Paster dhe Klod Bernard që, përpara autoritetit të tyre ne duhet të përkulemi, shikonin te letërsia idetë e përgjithshme dhe pranonin se edukimi i lartë i mëndjes, që i detyrohet kulturës klasike, ishte i nevojshëm për vazhdimin e punëve të tyre”.
Shënim. Luis Paster dhe Klod Bernard bënin pjesë në Akademinë Franceze dhe në Akademinë e Shkencave Franceze. Në gjysmën e parë të shekullit XX, për të vazhduar studimet në Mjekësi, merreshin nxënësit nga maturat e filozofisë ose të shkencave natyrore, sepse një mjek, në radhë të parë, duhet të ishte i informuar për shkencat biologjike dhe për aspektet e ndryshme të jetës humane.
Shënim. Përveç intervistës gojore dhe rekomandimeve me shkrim, tek mjeku i ardhshëm i kushtonin rendësi pamjes së jashtme fizike, mënyrës së komunikimit, tonalitetit të zërit dhe, pasioneve artistike apo sportive.
Në gjysmën e dytë të shekullit XX, formimi mjekësor ka marrë një orientim tjetër. Konkursi për t’u pranuar në Fakultetin e Mjekësisë është kryesisht shkencor, që bazohet tek shkencat e natyrës: Biologjia, Kimia. Në shekullin e XXI-të kemi të bëjmë me një mjekësi moderne të sofistikuar, që punon në kushte tekniko-shkencore dhe etiko-morale krejtësisht të ndryshme në marrëdhëniet me pacientin.
***
Morali
Diploma në mjekësi të ndalon të shkelësh ligjin dhe të pengon të kapërcesh moralin! Morali është elementi principial ndërnjerëzor, veçanërisht në figurën e mjekut në ditët e sotme!
“Betimi i Hipokratit” në rradhët e mjekësisë gjeti aplikim në të gjitha shkollat mjekësore në Evropë deri në shek. XIX-të.
Më vonë, erdhi duke u sfumuar… aq sa, në ditët e sotme është si “antikuar” në terrenin ku punon mjekësia e ku dominon materializimi i shpirtit njerëzor. Sipas një gojëdhëne thuhet: “Hipokrati kërkoi të pranohej në Shkollën e Mjekësisë së Harvardit për të vëzhguar se çfarë përparimesh ishin bërë në këtë profesion, që nga koha e tij. Hipokrati, kur u pyet nga komisioni se: “çfarë konsideronte si parimin themelor të mjekësisë”? Ai citoi vetveten me ndjenjë besimi të tepruar: “Të paktën, mos bëj dëm”! Me këtë përgjigje Hipokrati nuk u pranua në Shkollën mjekësore…?!
U bë goxha debat kolegësh mjekë rreth asaj se, çfarë duhej të kishte thënë Hipokrati. “Parimi themelor i mjekësisë së kohëve moderne është të zbulojë nëse pacienti ka siguracion shëndetësor…”?! ( E. Segal).
Episod
Në vitin 1991 kisha një problem shëndetësor. Më duhej të bëja disa analiza biokimike. Në pamundësi për t’i realizuar në spitalin e Gjirokastrës, ku unë punoja si mjek pediatër, kontaktova në telefon me mjekun laborant (grek) Dr. Mihal Pandeliu, i cili kishte laboratorin e tij privat në Janinë. Me sasinë e gjakut në epruvetë shkova në laboratorin e tij në Janinë. Në përfundim të analizave Dr. Mihali më dha rezultatin e tyre. Unë ju drejtova duke e falenderuar dhe, i afrova një sasi dhrahmish për punën e bërë e, aq më shumë, në laboratorin e tij privat. Dr. Mihali, me moshë rreth të 60 viteve, i skuqur në fytyrë, më përqafoi dhe me shumë dashamirësi më tha: “Midis mjekëve ne kemi një ligj të pashkruar, që duhet të ndihmojmë njeri tjetrin… Me profesionin e mjekut nuk mund të bëhesh kurrë i pasur, por e jeton jetën mirë…”!
***
Në ditët e sotme, në një Mjekësi të sofistikuar shtrohen pyetjet:
- Fakultetet e Mjekësisë, me programet mësimore dhe kurrikulat, a janë në gjëndje të formojnë studentë me njohuritë e duhura teoriko-praktike në përballje me ushtrimin e profesionit të mjekut në shek. e XXI-të?
- A i gjen mjekët të përgatitur nga ana profesionale dhe etiko-morale, që të përballojnë sfidat e mjekësisë së këtij shekulli!?
- Sistemet shëndetësore të një vendi, a i përgjigjen kërkesave të këtij progresi teknologjik me zhvillim galopant!?
- Robotika dhe Inteligjenca artificiale a mund të ketë ndjeshmëri dhe dinjitet human ndaj pacientit!?
- AI a ka besueshmëri, transparencë dhe siguri 100% për diagnozën dhe trajtimin e pacientit!? Sot inxhinjerët gjenerikë dhe AI po u zenë vendin mjekëve!? Bio-teknologjia, robotika dhe Inteligjenca artificial janë prioritare në Mjekësi. Mjekësia po bëhet gjithnjë e më e kushtueshme, duke qenë se po futen teknologji të reja. Por, edhe jetëgjatësia e njerëzve po rritet: 80, 90, 100 vjeç… Në epokën e re, që po jetojmë, objektivi i shëndetësisë moderne është Cilësia e Jetës dhe Dinjiteti human.
Mjekët, në ditët e sotme, duke qenë të varur nga teknologjia mjekësore, të kufizuar në kryerjen e procedurave mjekësore vetëm të specialitetit të ngushtë dhe, të angazhuar gjithmonë e më tepër me detyra administrative, veçanërisht me dokumentacionin e sigurimeve shëndetësore, i lënë pak kohë dialogut, kontaktit afektiv me pacientin dhe, aq më pak, kohës së studimit.
Shënim etik
“MJEK/E” është rrënjë emërore e fjalës “MJEKËSI”. Bazuar në terminologjinë mjekësore botërore dhe në fjalorin e gjuhës shqipe, kur studenti/ja ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë por, dhe kur ushtron profesionin me të sëmurët, si rregull duhet të quhet dhe të përdor fjalën verbale dhe të shkruar: “MJEK/E”dhe Jo, “DOKTOR” (Dr.)!
Fjala “DOKTOR” (Dr.) quhet personi/ja, që në studime pasuniversitare ka marrë “Diplomën e Doktoraturës” në mjekësi ose në degë të tjera si në: inxhinjeri, agronomi, filozofi, etj.
Informacion plus
Andrea Gudha: “Historia e Mjekësisë e ilustruar” 2013, Youtube.
Andrea Gudha: “ADN” e Historisë së Mjekësisë, Youtube.
Andrea Gudha: L’ADN de l’histoire de la medicine.