Albspirit

Media/News/Publishing

Andrea Gudha: Mjekësia dhe mjeku




Imazhi publik i mjekut


Imazhi i mjekut, historikisht, ka qenë figurë “hyjnore”, e nderuar dhe e respektuar në popull.
Mbretërit në lashtësi, një ndër misionet e tyre ishte ajo e mjekut, p.sh. mbreti ilir Genti, etj. “Po nuk u bëre mbret, bëhu mjek”! Në Amerikë sot ekzistojnë të gjitha llojet e feve, por, të tërë bien dakort në një pikë: “Zoti dhe Mjeku ose, anasjelltas, Mjeku dhe Zoti”. 
Në Greqinë fqinje ekziston shprehja: “Ta kesh mirë me Perëndinë, me mjekun dhe me komshinë”.
Në Pandeminë Covid 19, mjekët u quajtën “Heronj”.

***

Historikisht, ndër shekuj, shkencëtarët (mjekë dhe filozofë) i ka preokupuar enigma për të përcaktuar sëmundjen tek njeriu. Ky përcaktim është dhënë në mënyra të ndryshme. Sigurisht, kjo ka qenë e ndërvarur nga niveli i shkencave në përgjithësi dhe nga botkuptimi filozofik, që ka dominuar tek shkencëtarët në epoka të ndryshme të zhvillimit shoqëror.
Mjekësia, dhe në ditët e sotme nuk është e sigurt dhe është e “dorëzuar” para emërtesës të saktë të diagnozës së sëmundjes. Në Mjekësi, për emërtimin e sëmundjes, shpesh, përdoret fjala “SINDROME” (grup i shenjave dhe simptomave mjekësore).  Mjeku, kur nuk është në gjëndje të përcaktojë diagnozën e sëmundjes tek pacienti, si “dalje nga situata” ai përdorë mbiemrin e çmuar “IDIOPATIKE” (e pa njohur).
Aulus Cornelius Celsus (mjek i famshëm latin c. 25 BC – c. 50 AD,) ka shkruar:
“Medicina lindi jo nga teoria, por teoria u gjend pas lindjes së mjekësisë praktike”.
“Klinika duhet të jetë pika nisëse për mjekësinë si shkencë”, ka thënë Ivan Petric Pavllov, një nga fiziologët më të shquar të kohës te shek. XX-të.
Lui Pastër citon: “Në fushën e vrojtimit shkencor, fati i ndrit mendjeve të përgatitura”.
Diploma në Mjekësi, de juro të bën mjek por, de facto është përvoja, që të bën mjek!
Në Fakultetin e Mjekësisë, studentëve, me përgatitjen e tyre teorike u hapet një dritare për t’u orientuar në rrugën e bukur e të vështirë të profesionit të mjekut.
Mjeku dhe shkrimtari i talentuar rus Vikenti Vikentjeviç Smidoviçi (shek. XX-të), me pseudonimin Veresajev, në librin e tij “Kujtimet e një mjeku” shkruan:
“Dita-ditës më shtrohej sa më i gjallë ky problem: ç’gabime të mëdha fshihen në një diplomë mjeku? A kam vallë të drejtë ta quaj veten mjek në bazë të kësaj diplome? Dhe kurdoherë jeta më detyronte të përgjigjesha me bindjen më të madhe “Jo, Jo! S’e kam këtë të drejtë”!
Teodor Bilrot, (kirurg i famshëm gjerman, shek. XIX-të) thotë:
“Vetëm një mjek i paskrupullt fare mund të pranojë të përdorë të drejtat që i jep diploma për të ushtruar profesionin, pa kaluar më parë spitalet”.
Dhe, Veresajevi dialogon: “Mirëpo, kush e ka fajin? Ne, jo! Le të jenë përgjegjës ata që e kanë organizuar punën aq keq sa të mos ketë zgjidhje tjetër”.
Zhvillimi intelektual i mjekëve të rinj zhvillohet jashtë shkollës, duke mësuar nga të sëmurët.
Kirurgu i dëgjuar gjerman Langenbek ka shkruar, duke ju drejtuar shoqërisë:
“Jemi të detyruar të mësojmë mbi ju dhe e fitojmë përvojën tonë vetëm me çmimin e jetës dhe të shëndetit tuaj”.

***

Tjetër është teoria në mjekësi dhe tjetër ndodh në praktikë. Mungesa e përgatitjes praktike nuk është aq e dëmshme në asnjë degë tjetër, sa është në mjekësi.
Organizmi i njeriut është një “Mikrounivers”, ku, çdo individ ka individualitetin e tij ndaj sëmundjes.
Një nga rregullat e artë të mjekësisë është që: i sëmuri duhet ekzaminuar nga koka tek këmbë për çdo gjë që, ai ankohet.
Në praktikë, shpesh mjekët e nënvlerësojnë këtë rregull dhe u duket qesharake, apo kohë e humbur që, kur pacienti paraqitet për vizitë mjekësore, ta vizitojnë të zhveshur dhe, me shumë kujdes të ekzaminojnë të gjitha sistemet, pavarësisht se pacienti p.sh.paraqet vetëm të vjella. Si mund të dëgjohen ralet e mushkërisë, kur mjeku vendos stetoskopin mbi teshat e pacientit…?!
Vetëm përvoja e gjatë në punë dhe jo, vetëm teoria e mësuar në libra, tregon dobinë e metodikës dhe të ekzaminimit të mësipërm.
Eshtë në eksperiencën e vendeve të përparuara që, çdo recetë dhe çdo diagnozë e vendosur nga mjekët e porsambaruar, të jenë të kontrolluara rreptësisht nga shefi i pavionit, më së pakti, për tre vitet e para të punës.
Mjekët e rinj bëhen të pavarur vetëm kur fitojnë besimin me rezultatet e punës së tyre dhe me fakte se, janë në gjendje për të kryer punë të pavarur dhe jo vetëm në bazë të diplomës së Fakultetit.

***

Shkenca e mjekësisë është e ndërthurur me shkencat e tjera dhe përparon njëherazi me avancimin e tyre dhe, mbi të gjitha, krahas me zbulimin e ligjeve të natyrës.
Detyra e mjekësisë sot është “të fitojë mbi natyrën”, duke i njohur ligjet e saj. Kjo gjë arrihet kur mjeku me shkencën e tij është aktiv e kreativ, dominues mbi natyrën.
“Kur do të mund të depërtohen të gjitha ligjet e natyrës, njeriu do të mund ta zotërojë krejt atë. Atëhere do të zhduken edhe të metat e terapisë së sotme, edhe prevenimi artificial i sëmundjeve; njeriu do të mësohet të zhvillojë fuqitë shëronjëse të organizmit, duke i bërë të pamposhtura…”, (Veresajev).
Kërkimet e mëvonëshme i detyruan shkencëtarët që “forcën” lëvizëse të natyrës ta zëvendësojnë me aktivitetin e sistemit nervor, duke e paraqitur këtë si një faktor kryesor në procesin e realizimit të sëmundjes (Psikologjia, shek, XIX-të).
Mësimi i mjekësisë, një nga shkencat më humanitare, nuk është i mundur të përparojë pa prekur ndjenjën njerëzore më të thjeshtë të pacientit dhe të afërme të tij: gjëndjen shpirtërore dhe psiko-sociale të tij, veçanërisht për shtresat e varfëra të popullatës.
Një mjek i mirë nuk mund të formohet pa marrë pjesë në autopsi, siç nuk mund të shkojë përpara dhe të zhvillohet edhe mjekësia vetë pa këtë shërbim.
Autopsia edhe, sikur i sëmuri të ketë vdekur nga sëmundja më e zakonshme ka rëndësi shumë të madhe për një mjek. Autopsia është “pasqyra” e punës së tij, ajo i tregon atij gabimet për të mos u përsëritur më. Nëpërmjet autopsisë dhe, në bazë të ekzaminimit klinik e laboratorik, mjeku gjykon dhe reflekton shkencërisht mbi sëmundjen, që ka trajtuar te pacienti i tij. Kualifikon veten e tij! Prandaj, jo më kot të vjetërit shkruanin për autopsinë:
“Hic locus est, ubi mors vitae succurrere gaudet” – “Këtu është vendi ku vdekja ndihmon për të kënaqur jetën”.
Bilroti ka shkruar:
“Sukseset tona kalojnë mbi male kufomash”.
Mendimi i autopsisë për prindërit është një paragjykim. Shpesh, për arsye subjektive dhe objektive, personeli mjekësor neglizhon për kryerjen e autopsisë, duke përfituar dhe nga mendimi i prindërve për autopsinë.
Autopsia e fëmijës së vdekur s’e pakëson dhimbjen e një nëne përkundrazi, e qetëson nënën kur do të mësojë sëmundjen e vërtetë (të lindur apo të fituar), që shkaktoi vdekjen e fëmijës së saj dhe, nëna do të jetë e parapërgatitur për ardhmërinë e saj.
Nga frika e autopsisë, shpesh herë prindërit apo familjarët ngulin këmbë që, të mos t’i shtrojnë fëmijët në gjendje të rëndë në spital ose, kur janë të shtruar në spital dhe janë në çaste agonie, kërkojnë që t’i nxjerrin nga spitali dhe të vdesin në shtëpi.
Para fëmijës së vdekur në spital, prindërit i luten personelit mjekësor:
“Ju tashmë e dini çfarë sëmundje ka patur fëmija. Përse ta torturoni edhe pas vdekjes”?!
Nuk harrohet vaji i Timofejevnës, shkruan Veresajevi, njerës nga heroinat e Nekrasovit mbi trupin e Diomushkës:

Nuk qahem / Që Zoti më mori djalin,
Po më vjen keq pse ata / U tallën me të?
Pse vallë si korba sterrë / Ja bënë copë-copë
Trupin e bardhë?…/ Si është e mundur
Që as Zoti, as Cari s’e mbrojtën dot?

Në praktikën e përditëshme të mjekut, në momente të caktuar ai ndeshet me “vdekjet e papritura”, të cilat mjekun e ngarkojnë me një përgjegjësi shkencore, ligjore, morale e sociale. Do të jetë bërja e autopsisë së kufomës dhe rezulati anatomo-patologjik, që do të sqarojnë shkakun e vdekjes dhe, do t’u japin përgjigje pyetjeve të shtruara nga komuniteti mjekësor, juridik apo publik dhe, vetëm kështu, mjeku kurues do të dijë të pozicionohet shkencërisht e moralisht ndaj tyre.

***

Formimi profesional kërkon gjithëmonë që, një mjek i mirë të karakterizohet në rradhë të parë nga vlerat më të mira njerëzore në përballje me sfidat e moralit të shoqërisë në tranzicion që, po kalon vendi ynë.
Një mjek i mirë, përveç formimit të tij teoriko-praktik, duhet të zotërojë artin e punës me të sëmurin dhe me skuadrën ndërdisiplinore (kolegët, infermieret, familjarët e pacientit etj), në saje të një formimi të plotë mbi sjelljet dhe rregullat e shkruara e të pashkruara të Deontologjisë dhe Kodit të Etikës.
Në themel të një kodi etik është parimi: mjeku, sëbashku me personelin tjetër mjekësor, që në kontaktin e parë me pacientin, duhet të justifikojnë besimin dhe sigurinë shëndetësore me sjelljet dhe veprimet e tyre.
Buzëqeshja, fjala e “ëmbël” dhe prekja me dorën e “ngrohtë” të mjekut, transmetojnë energji pozitive tek pacienti.
Një pikë kyçe e kodit është respektimi i dinjitetit njerëzor pa u ndikuar nga besimi, raca, ngjyra, seksi, bindjet politike apo shoqërore.
Eshtë e vërtetë që, çdo mjek ka zakonet e tij dhe sistemin e tij të vlerave, shpesh të bazuara mbi eksperiencën personale, traditën familjare dhe të mjedisit për rreth.
Pavarësisht nga kjo, një mjek i porsadiplomuar në praktikë duhet të përvehtësojë mbi të gjitha:
Normat etike, që bazohen në arësyetimin moral dhe, që reflektojnë gjykimin e vlerave. Vlerat janë ide ose besime, që mjeku i konsideron të rëndësishme dhe ndjehet i sigurt në punë.
Vlerat rrënjosen në përvojën individuale të çdo mjeku dhe avancojnë duke u bazuar në traditën e krijuar nga kolegët, mjekë paraardhës.

Fillimi i shekullit XXI po favorizon plejadën e mjekëve, duke i informuar dhe i trainuar vazhdimisht drejt një profesionalizmi të vërtetë në shërbim të pacientit, duke u ndihmuar nga sukseset e Bio-teknologjisë dhe AI.
Sot, mjekësia është në “luftë” mes idealizmit profesional dhe komercialitetit mjekësor…!

***

Epilogu
Zhvillimi dhe riprodhimi i një kombi varet nga mirëshëndeti i popullatës. Në këtë strategji kombëtare për një Komb, rolin kryesor e luan Mjeku. Në Pandeminë Covid 19, OBSH, Qeveritë, instucionet dhe, sistemet shëndetësore në rafsh global, u dorëzuan para coronavirusit.
Në këtë fushë betejë MJEKET ishin në ballë të luftës me coronavirusin, duke sakrifikuar dhe Jetën! Mjekët u quajtën “Heronj”!
Mjekësia, sa kënaqësi të jep si profesion, po aq vuajtje mbart tek mjeku dhe, këto vuajtje janë të përditëshme dhe të përvitëshme, gjatë gjithë jetës së mjekut në bashkëjetesë me mjekësinë. Të përkujdesesh për të sëmurin do të thotë të vuash! Që të jeshë mjek dhe, të mbijetosh si i tillë, duhet të ndërtosh një “fortesë” rreth ndjenjave të tua për t’u rezistuar gjithë mësymjeve të përfshirjes emocionale, vuajtjeve dhe dhimbjeve të transmetuara nga pacienti. Kjo varet nga tipi i mjekut (“i ftohtë” apo “i ndjeshëm”) veçanërisht, në disa specialitete në mjekësi, si p.sh reanimacioni, kirurgjia, pediatria etj.
Mjekësia nuk është profesion i lehtë në jetën e mjekut! Mjekët janë qënie të brishta njerëzore. Mjeku, si ç’do qënie njerëzore, nuk është i imunizuar nga gabimet, nga vuajtjet apo nga dhimbjet e pacientit, nga frika e vdekjes…
Mjeku qëndron pranë shtratit të sëmurit për netë të tëra pa gjumë, ndoshta , pa i parë fëmijët e tij për ditë të tëra. Gjithmonë është në ankth për të sëmurin, që ka lënë në spital. Shpesh, dhe në raste gëzimi familjar, pas telefonatës, çohet menjëherë nga tavolina, duke i lënë njerëzit e familjes dhe miqtë e ftuar…
Që të jesh mjek dhe të kesh familje do të thotë që, dhe familja është në “urgjencë”. Situata vështirësohet në familje kur mjeku nuk kuptohet për profesionin e tij nga pjesëtarët e familjes. Krizë familjare! Kjo situatë e rëndon mjaft gjëndjen psikologjike të mjekut në ushtrimin e profesionit! Fatkeqësisht, jo, rrallë herë, familja shkatërrohet
E. Segal (klasicist amerikan i shekullit të XX ) tek romani “Mjekët” citon:
“Në SHBA, shkalla e vetëvrasjes ndër mjekët është tetë herë më e madhe se mesatarja kombëtare. Përqindja e varësisë ndaj drogës është njëqind herë më e madhe se mesatarja. Divorcet zenë shifrën më të lartë”.
Mjeku, krahas problemeve të tij personale e familjare, duhet të përballojë dhe të mbartë në vetvehte problemet e sistemit shëndetësor dhe problemet e shoqërisë në aspektin mjekësor, psikologjik, kulturor e ekonomiko-social të vendit ku punon. Për mjekun është “Infarct Miocardi” dhe, për shoqërinë është “Asfiksi”, kur roli i mjekut nuk vlerësohet dhe nuk motivohet nga institucionet përkatëse qeveritare të një vendi! Aq më keq, kur imazhi i mjekut shantazhohet dhe diskretitohet në media me të padrejtë…?!