Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Dëshmorët e Pogradecit – një histori sakrifice dhe qëndrese

Libri “Dëshmorët e Pogradecit” që u kushtohet dëshmorëve të Bashkisë Pogradec, është përgatitur për botim nga Josif Sotir Vasili dhe Eqbert (Berti) Çami. Libri fillon me një hyrje, ku kanë shkruar kryetari i bashkisë Pogradec Ilir Xhakolli i cili thekson se “Dëshmorët janë memoria e qytetit Pogradec që jeton”, më tej me një “Homazh modest” nga ish kyetari i Organizatës së Dëshmoreve Josif Vasili dhe dy fjalë “Për librin “Dëshmorët e Pogradecit” nga kryetari aktual i Organizatës së Dëshmorëve Eqbert (Bert) Çami.

Në libër zënë vend një përmbledhje e luftërave të zhvilluara në bashkinë Pogradec si një homazh për përjetësimin e Dëshmorëve të Atdheut, për të vijuar me dëshmorë të Rilindjes Kombëtare dhe të Pavarësisë, dëshmorë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe dëshmorë nga viti 1945 deri më sot.

Libri vijon një analizë të dëshmorëve të Pogradecit, si një histori sakrifice dhe qëndrese, jep shkollat që kanë emra të dëshmorësh, si dhe rrugë që mbajnë emra dëshmorësh. E veçanta e librit ështe se aty përshkuhen dhe dëshmorë që familjet e tyre janë të ardhur në bashkinë Pogradec.

Libri përmban një historik të shkurtër të degës së Dëshmorëve të Pogradecit, si dhe drejtues të Organizatës së Dëshmorëve, dega Pogradec në vite. Vend zënë dhe lapidarë të Bashkisë Pogradec të pasqyruar në veprën “Lapidari”. Libri mbyllet me dokumente rreth dëshmorëve dhe foto të simboleve të dëshmorëve, si dhe tri tabela që shpjegojnë të dhëna për dëshmorët.

E veçanta e librit është se janë të ripunuara të gjitha fotografitë e dëshmorëve.

Historia e Pogradecit është e lidhur ngushtë me luftën për liri dhe me gjakun e bijve e bijave që dhanë jetën për atdheun. Që para vitit 1939, qyteti kishte dhënë shtatë dëshmorë të Atdheut, njerëz me arsim e kulturë, disa prej tyre të formuar edhe në universitete, që treguan se dashuria për lirinë dhe vendin ishte mbi gjithçka. Ata ishin në moshën më të bukur të jetës – më i riu vetëm 21 vjeç, ndërsa më i moshuari 60 vjeç – dhe lanë pas një shembull burrërie për brezat.

Me nisjen e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, Pogradeci u bë vatër e gjallë patriotizmi. Familje të tëra u lidhën me Luftën dhe me Partinë Komuniste Shqiptare, duke përqafuar thirrjen e Konferencës së Pezës. Në fshatra e qytet, njerëzit u ngritën, duke përkrahur çetat dhe formacionet partizane.

Në vitin 1941 ra dëshmori i parë i kësaj krahine, Selim Ali Gjona, që hapi rrugën e lavdishme të qëndresës. Një vit më vonë, në 1942 u flijuan Banush Vesel Minçe dhe Isuf Rushit Çollaku, duke dëshmuar se Lufta po merrte gjithnjë e më shumë jetë njerëzish.

Viti 1943 solli zgjerimin e madh të Lëvizjes. Në këtë vit, vetëm nga Pogradeci ranë 34 dëshmorë, ndër ta djem të rinj 16-vjeçarë e burra të moshuar deri në moshën 65 vjeç. Ishin me arsim të ndryshëm – disa me akademi ushtarake, disa me shkollë të mesme apo vetëm me shkollë fillore – por të gjithë kishin një ideal të përbashkët: çlirimin e vendit. Në Luftën e Pojskës, me komandant Reshit Çollakun, dhanë jetën 10 dëshmorë, ndërsa më 16 korrik 1943, tre luftëtarë të tjerë u pushkatuan nga fashistët italianë në rrugën automobilistike.

Viti 1944, viti i fitores, ishte edhe viti i sakrificës më të madhe: 125 dëshmorë të tjerë ranë në beteja, ndërsa në qershorin e atij viti u kryen masakra të rënda mbi popullsinë e pafajshme. Midis tyre ishin djem të rinj vetëm 16 vjeç, por edhe burra të moshuar deri 74 vjeç. Shumë prej tyre ishin të arsimuar, por shumica ishin fshatarë të thjeshtë, me shkollë fillore e të mesme, që kishin marrë armët për lirinë e vendit.

Nga qytetarët e Pogradecit dolën mjaft partizanë të rreshtuar në brigadat më të njohura të Ushtrisë Nacionalçlirimtare si në BrIVS (24 partizanë), në BrIS (13 partizanë) dhe në BrXVS (7 partizanë).

Pogradeci përjetoi edhe masakra të rënda: më 20 tetor 1943, kur gjermanët pushkatuan 12 qytetarë e luftëtarë në mes të qytetit; më 10 qershor 1944, në Llëngë, ku u pushkatuan 44 banorë; më 16 qershor 1944, në Dunicë, ku forcat ballisto-naziste pushkatuan 20 njerëz të pafajshëm.

Në këtë varg sakrificash, nuk mungojnë as emrat e grave dhe vajzave trime – pesë prej tyre u bënë dëshmore të Atdheut – si dhe dy bij të Pogradecit që u nderuan me titullin “Hero i Popullit”.

Por edhe pas Çlirimit, sakrifica nuk mbaroi. Për mbrojtjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Shqipërisë ranë 43 dëshmorë të tjerë, shumica të rinj rreth moshës 30 vjeç. Ata dhanë jetën në beteja kundër diversantëve dhe në krye të detyrës ushtarake, në qytete e krahina të ndryshme të vendit: nga Shkodra e Tropoja deri në Gjirokastër e Pogradec, nga Tirana e Durrësi deri në Përmet, Elbasan e Fier. Shumë prej tyre kishin qenë më parë partizanë në Brigadat e LANÇ-it, në BrIS (5 partizanë), në BrIVS (2 partizanë), në BrXVS (13 partizanë), në BrIIS (2 partizanë) dhe në BrXXS (2 partizanë), duke vazhduar betimin e dhënë për Atdheun.

Sot, kujtimi i dëshmorëve të Pogradecit është i gjallë në çdo cep të qytetit. Tre buste, pesë lapidarë, shtatë rrugë me emrat e tyre, si dhe pesë pllaka përkujtimore e mbajnë të gjallë kujtimin e sakrificës. Shumë shkolla në qytet e fshatra mbajnë emrat e tyre, gjithsej pesëmbëdhjetë institucione arsimore. Në serinë “Yje të pashuar” janë përjetësuar 18 prej tyre, ndërsa për të tjerë janë shkruar libra e kujtime që i ruajnë për brezat.

Varrezat e Dëshmorëve të Pogradecit gjenden 217 varre, ku prehen 212 dëshmorë të njohur me statusin e Dëshmorit të Atdheut. Prej tyre, 207 pushojnë në tokën e qytetit të tyre, tre në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë, ndërsa dy të tjerë në varreza publike.

Ky është homazhi më i madh që Pogradeci dhe Shqipëria u bëjnë bijve të saj: ata nuk vdesin kurrë, sepse gjaku i tyre është themel i lirisë sonë, dhe emrat e tyre janë të gdhendur përgjithmonë në kujtesën e popullit.

Libri “Dëshmorët e Pogradecit” pa dritën e botimit nën kujdesin e Bashkisë Pogradec dhe të kryetarit të bashkisë Ilir Xhakolli, si dhe të stafit dhe të këshillit bashkiak të cilët në vite ka një mirëkuptim dhe bashkëpunim të vijueshëm me Organizatën e Dëshmorëve.