Afrim Krasniqi: Retrospektivë, gusht 1998, Fatos Klosi
Retrospektivë, gusht 1998. Prokurori i Përgjithshëm akuzon dhe arreston gjashtë politikanë dhe zyrtarë të opozitës/ish qeverisë me akuzën e krimeve kundër njerëzimit! Prokurori doli në TV me disa shishe coca-cola të mbushura me lëng dhe i paraqiti triumfalisht si provë kryesore krimi. Akuza dështoi dhe të arrestuarit dolën (ishin) të pafajshëm. Dy ditë pas arrestimeve SHBA dhe BE fajësuan kryeministrin, ai mblodhi qeverinë (ku merr pjesë edhe kreu i SHISH Klosi) dhe kërkon sqarime. Thelbi, kryeministri thotë se nuk kishte dijeni, nuk ishte informuar dhe ministri i Brendshëm deklaron se akuzat janë absurde dhe të pamundura për tu provuar. Një “shtet” brenda “shtetit” ishte fajtor! Dy javë më pas, – shtatori 1998 dhe kryeministri gjeti strehim në MV para se të jap dorëheqjen.
Disa detaje kanë rëndësi: SHIK para 1997 akuzohej me të drejtë se ishte me orientim politik/partiak, saktë), por fjala e Klosit në qeveri tregon të njëjtën gjë, SHIK është 100% politik/partiak. Ai raporton aty me krenari e detaje sesi po ndiqen/përgjohen politikanët e opozitës.
Së dyti, arrestimi i të gjashtëve solli krizë të thellë politike dhe dështoi, duke provuar se akuza e Prokurorit ishte absurde, procesi politik dhe me kosto të lartë për vendin. Prokurori u shkarkua me vendim unanim të Kuvendit më 2002, por me reformën në drejtës u rikthye, sot drejton Magjistraturën dhe po bën Kodin Penal të Shqipërisë në BE (!).
Së treti, qeverisja gjithnjë ka qenë “çështje individuale” jo kolegjiale, jo institucionale. Ashtu ishte më 1998 (kryeministri nuk dinte gjë) ashtu edhe sot (kryeministri nuk di gjë çfarë s(bejnë) ministrat, këta të fundit nuk dinë gjë për vendimet e shefit).
Së fundi, tranzicioni ka krijuar mite e mite dhe heronj fiktivë. Hapja e arkivave dhe përballja me dokumentet/të vërtetat na ndihmon të kthehemi “me këmbë në tokë” dhe të kuptojmë më mirë përgjegjësitë, përgjegjësit, dështimet, gabimet, mitet e rreme dhe të njohim më mirë historinë e një elite politike arrogante dhe egoiste që nuk e kuptoi asnjëherë, (edhe sot ende nuk e kupton) konceptin e demokracisë, konceptin e shtetit (të së drejtës), të llogaridhënies dhe atë të shtetarit/integritetit në funksionit publik.
Kështu e nisëm!