Poezi nga Elda Jorganxhi

Vendosa akoma më shumë të të dua
Pas një gjumi letargjik që doja të më tjetërsonte,
vendosa akoma më shumë të të dua.
Vendim në origjinë të arsyes sime.
Arsyeja ime, princip për të bazuar ekzistencën time dhe tënden. Dashuria,
pavarësisht vullnetit tim për të ekzistuar,
ishte jashtë dhe brenda meje.
Materia nga e cila ishim formuar.
Fillimi dhe fundi i qenies sime dhe tëndes.
Vendosa akoma më shumë të të dua.
Akoma më shumë të isha, akoma më shumë të ishim. Asgjë
s’mundej të na ndryshonte.
Arsyeja, nga unë e ti ishte krijuar.
Dashuria ekzistonte përtej vullnetit të hiçit për të ekzistuar
Dy zogj
Ishim dy zogj të bukur në kafaz,
aty kishim kyçur edhe qiellin.
Jashtë nesh bota plakej,
sa herë i fshihnim diellin.
Ky çast
Ky çast pa një emër. Frymëmarrje
e rënduar.
Një hapësirë kohe që do të zhduket në infinit, pa
një kujtim.
Zhytet në hiç ky çast pa një emër.
Qielli prapë po ngjyroset me ëndrra.
Mendja ime zbehet në tymin e kohës.
E njëjta skenë përsëritet.
Është prapë fresk, pastaj nxehtë,
pastaj gjethe, pastaj borë.
Në mjegull ndizet shpirti, e
prapë në mjegull shuhet.
Nostalgji për vdekjet e përditshme.
Zemra dëgjon jetën e shurdhohet
Verbohet edhe dita.
Në prag të mallit
Shkëndija nën gjuhë fjalët që s’të thashë. Zjarri
i shpirtit nuk shuhet nga era e kohës.
Zemra si kambane thërret emrin tënd. Jehona
humbet në rrugicat e qiellit.
Nuk prita asgjë më shumë veç
një hije tënden në prag.
Vitet pikojnë shi mallëngjimi.
Nuk prita asgjë më shumë veç
një fjalë tënden:
-Kam mall
Fluturat e heshtjes
Si flutura kujtimet erdhën.
Në krahët e tyre sa pyetje pa përgjigje.
Trishtimi në strehën e syve.
I qetë si fëmijë i braktisur me to zë e luan.
Zemra në myshk.
Rrahjet i mbulon gjelbërimi i ftohtë .
Qëndruan me shpresën e pranverës.
Me krahë të thyera ikën edhe sot.
Dashuri e heshtur
Kolona e shpirtit tim dridhet,
por nuk rrëzohet.
Udhëtimet drejt teje
janë ëndrra që duan të më shembin. Shëmbëlltyra
jote,
si hënë mbi detin e trishtimit,
E palëkundur ekziston brenda meje — një
dashuri e heshtur,
në themel të jetës.
Një dashuri kokëfortë
në themel të çmendurisë.
Më trondit,
por vetëm ajo më mban gjallë.
Si hënë mbi detin e trishtimit, më
shfaqesh ti…
Me hijes dhe dritës
Vetëm ecim në rrugicat e heshtura të ëndrrës së jetës, lidhur
me litarin e kohës kërkojmë askundin.
Çdo hap që hedhim një premtim i fshehur ndaj shpirtit, një
premtim që ora e mat pa mëshirë,
Rrëzimi dhe ngjitja ecin bashkë,
si dy hije të pandara mbi rrugicat e jetës.
Zvarritjet e së shkuarës ,na tërheqin ngadalë, por
ecim, gjithmonë ecim.
Ky takimi me vetveten kaq i pashmangshëm,
Premtimi i ardhshëm na mban pezull në pritje.
Rrugicat premtuan dritë,
por çdo kthesë ka errësirën e saj,
çdo takim me të renë, një provë,
një dialog i heshtur me kohën.
Pezull ecim vazhdimisht mes ëndrrës dhe realitetit. Rëndë mbi
supet tona,
por i domosdoshëm për të kuptuar lirinë, secili
hap që hedhim në heshtje.
Pezull, çdo ditë ngelet ajo që do ishte.
Pezull ngelet ajo që do donim.
Pezull jeta në rrjetën e ëndrrës së
pafundësisë.
Mendo për mua
Mendo për mua duke
parë hënën
në melankolinë e ëndrrave iluzore
i braktisur nga dëshira për të më gjetur përsëri në
net si kjo
ku i përkas qenies sate të
pavdekshme.
Duke lëvizur buzët e tua do të afrohem mbi
një re të një kujtimi të bukur,
te skuqja e qiellit tënd të dëshirave
brenda asaj goje
përqafuar nga dielli,
lagur nga dëshirat. Pastaj do të lutemi
bashkë
që koha të mos hedhë tutje
dhimbjen e kësaj dashurie, që për diçka do të shërbejë.
Ndoshta për të vdekur në mirazhin e fluturimit,
për të shënuar pafundësinë në një botë të shkretë,
për t’u arratisur nga meskiniteti i kësaj bote.
Kjo dhimbje do t’i shërbejë gjithsesi diçkaje.
Është ishulli ynë ku mund të ikim
nga frika e harresës.
Më e bukura që mund të gjejmë ende .
Mos më harro
Mund të më gjesh gjithmonë brenda teje brenda
meje.
Mos më dëno me jetë të shkurtër.
Bashkë
Një univers i vetëm
Përgjithmonë
Pulëbardha
Unë jam e bërë prej
copëzash qielli,
ku zogjtë e humbur të
mendimeve përrallore,
rrotullohen të lirë ndërsa
Zoti këndon.
Pastaj erdhe ti,
pulëbardhë e shpirtit që e
kuptove përbërjen time.
Nise të drejtosh fluturimin e
tyre
brenda shpirtit tim.
Më deshe butësisht,
vetëm ti dije të doje një
qiell.