Rifat Ismaili: MAGJIA E POEZISË- I MBYLLUR NË NJË “BURG” FJALËSH
Shënime mbi librin me poezi të shkurtra të Elmaz Qerretit, titulluar “Burgosja e shpirtit”
Gjithnjë e më shumë, duke lexuar poezinē për të rritur të autorit Elmaz Qerreti, bindem për mjeshtërinë e penës së tij. Një poet që të mahnit me poezitë e tij për fëmijë, gjini të cilës iu ka kushtuar më tepër gjatë jetës dhe veprimtarisë së gjatë krijuese, por që s’ mbetet mbrapa për nga aftësia dhe frymëzimi edhe për poezinë që i dedikohet publikut madhor.
Elmaz Qerreti dallohet për poezinë e tij të veçantë, të kuruar gjer në detajet më të vogla; e thjeshtë, por e madhërishme brenda thjeshtësisë, me një stil modern dhe konçiz, pa teprica, pa dëngla, pa deklarata e pompozitet, e mbruajtur me talent e përkushtim. Poezisë së tij i vjen aromë poezie, me pak fjalë. Ashtu si trendafilat dhe karafilat harlisen në një kopësht të kuruar me dashuri, ashtu dhe vargjet e Emazit të sjellin aromë dashurie dhe simbolizojnë bukurinë duke rendur si kaprolle të guximshme drejt perfeksionit.
Asgjë nuk është perfekte në këtë botë, por poezia tenton të jetë. Ndaj ka qenë, është dhe do mbetet art elitar. Kohët e fundit Poezia êshtë gjymtuar, është përdhosur. Ka arritur gjer atje gjersa ta mohojnë këtë perëndeshë të mendjes vitale të njeriut. Duan ta bëjnë të zakonshme, por si mund ta bësh të zakonshme diçka që nuk ka lindur për të qenë e tillë? Mjeshtra të mëdhenj si Giovani Pascoli, Gabriele D’ Anunzio e qindra të tjerë e ngritën atë në piedestal, i dhanë targë përjetësie, por erdhën mijëra të tjerë që duan t’a bëjnë poezinë sikur mbillet në arë apo me inkubator dhe ta thjeshtojnë në atë mënyrë që të mos mbetet prej saj asgjë sublime.
Por mirë që ende ka poetē si Elmazi e mjaft të tjerë të ngjashëm me të që e duan dhe e mbrojnë Poezinë dhe janë idhtarë fanatikë të saj. Ata duan poezinë e vërtetë, atë që lind nga çdo pore e trupit, nga çdo shkëndijë e shpirtit, nga çdo frymëmarrje në ajrin magjik tē jetës, nga çdo tingull i padëgjuar që del nga honet e humbellat e mendjes.
“I gjithi jam te ti,
si trup, si frymë.
Dhe ti je tek unë
të dy jemi tym”.
(Poezia ” Tokë e qiell)
Elmaz Qerreti ështē i vëmendshëm në gjithka: asgjē si shpëton dot syrit dhe ndijimit të tij poetik. As edhe një rrahje flatrash natën , as edhe turmat e ndrojtura të reve të veshura me fustan nusëror, as padurimi i yjeve që shkojnë si krushq në dasmë,asgjë prej gjëje.
Por as veset njerëzore, as kontradiktat, mospërputhjet dhe mosbindjet, anarkitē dhe tradhtitë, utopitë dhe gjykimet e padëmshme. Ja si thotë ai në një poezi aq domethënëse, ku unë mora vetëm pak vargje për ilustrim:
“mbretëri pa mbret,
mbret pa mbretëri,
lavdi pa fitore,
fitore pa lavdi,
(Poezia ” Haxhi Qamili “)
Duke shfletuar librin e ri të Elmazit, nuk ke se si mos të befasohesh nga tematikat e ndryshme që ai i përcjell lexuesit. Ai trajton tema që nga lashtësia, duke përmendur emra filozofësh e luftëtarësh, gjer tek dashuria apo vetë koncepti abstrakt i jetës.
“NATË VERE
Nata po bluan misrin e yjeve
dhe sytë e mi, që u tretën pas teje.
Eja të gatuajmë në magjen e qiellit
brumin e bardhë të një reje”…
Tek kjo poezi kemi një çast të mrekullueshëm lirik. Koha kur poeti e sheh natën si një amvisë që bluan farën e dashurisë, dhe ai e fton të dashurën të ngjizin së bashku brumin e dashurisë , brumin e bardhë që shëmbëllen me retë. Një metaforë e ngrohtë ku natyra ndërthuret me ndjenjat sublime të poetit. Dëshira e tij për bashkim trupor e shpirtëror është në një farë mënyre edhe ajo çka do prej nesh vetë Perëndia. Të jetojmë të lumtur, të lodrojmë, të gëzohemi, të shtohemi e të ruajmë vazhdimësinë e jetës.
Por Elmazi s’ ka si të jetë indiferent edhe kur sheh dhe ndjen se shumë gjëra nuk shkojnë si duhet në këtë botë. Kur e vërteta fshihet e mbulohet, e mashtrimi dhe gënjeshtra marrin revansh. Kur gjërat absurde zëvendësojnë ato që i japin një kuptim jetës.
“ABSURD
Heshtin Ata,
që i dhanë jetë jetës,
trimëri trimërisë,
dinjitet dinjitetit,
krenari krenarisë,
dritë dritës,
zërit zë.
Flasim ne,
që s’dhamë asgjë”.
Në këto vargje kemi paradoksin e hendekut shoqëror: kush ka dhënë më shumë lihet pas dore, braktiset e harrohet, të tjerë që kanë bërë sehir, apo dhe më keq, kanë punuar nën rrogoz kundër shoqërisë, sot vlerësohen për hir idealesh artificiale e hipokrite. Nuk u’a japin fjalën të urtëve e të mençurve, por atyre që trumbetojnë lart e poshtë fjalë pa vend, broçkulla, premtime elektorale e mashtrime. Nuk flasin ata që duhet të flasin, por ata që fjalën e kanë shigjetë të helmatisur. Pra, vërehet një reflektim therës se si mosmirënjohja mbisundon dhe antivlerat shiten për vlera.
Por në shumicën e poezive Elmazi reflekton dhe shquhet për një ton meditativ. Shembujt janë të pafund, por mjafton një poezi e vogël me pak rreshta për të dhënë pasqyrimin e fuqishëm të asaj çka përjetojmë;
“JETA
Lotë kur linda,
lotë kur do të vdes.
Midis dy lotëve, një pikëz vesë”.
Vargjet paraqesin jetën njerëzore si një çast të shkurtër efimer, një çast i brishtë midis lindjes dhe vdekjes që simbolizohet nëpërmjet dy pikave të lotit. Ndërsa vesa është vetë jeta, që sikurse vesa thahet e tretet aq shpejt e pa lënë gjurmë, sikur të mos kishte ndodhur kurrë. Jeta, kjo gjë e çmuar por e përkohshme, që ka turbulluar me plot ndjesi planetin Tokë e që vazhdon të jetë e të mbetet një mister. Një reflektim i mençur filozofik i poetit që me pak fjalë poetike na rrëfen shumë mbi jetën dhe sekuencat e saj.
Në përfundim, Elmaz Qerreti është poeti i duhur, ai që i duhet bibliotekave tona, ai që u duhet fëmijëve nëpër shkolla, Elmaz Qerreti duhet dhe në tren duke përshkuar disa orë rrugë me librin e tij në dorë, e pse jo edhe në plazh, kur të gjithë të tjerët shtrihen në rërë dhe i shkelin syrin diellit, apo hyjnë të lozin me valët e nxehta të detit, ti shfleton librin dhe dehesh si me një gotë verë me “magjitë” poetike të këtij autori mjaft të pëlqyer prej të gjithëve.
Savona, 10 korrik 2025.