Malmoe, shuhet poeti e publicisti Zenel Peposhi. Amaneti i fundit, të prehet në atdhe

Zenel Peposhi
Neritan Kolgjini
Shuhet Zenel Peposhi, me emnin letrar ZAP Lusna, poet, publicist, veprimtar i kauzës kombëtare, i burgosun politik, personalitet i njohun në Shqipni dhe në mërgim. Të premten e shkueme, me 3 tetor, i rrethuem me dashuninë e familjarëve e të afërmve, dhe frymën e fundit në Malmoe, në moshën 90 vjeçare, pas komplikacionesh shëndetësore. Kapërceu dyert e kësaj bote, për të shkue drejt përjetësisë. La mbrapa emnin e mirë, kujtimet, veprat e shkrueme. Zeneli ishte bir i familjes së madhe Peposhi të Lumës, prej shpisë së Xhepë Ramës. Mishëronte njëherësh njeriun e rezistencës kundër së keqes komuniste që kishte përfshi vendin, por edhe poetin e ndjenjave të holla e familjarin e devotshëm.
I rritun në nji familje të madhe, me histori e vepra kundër shkijeve, ishte i vetëdijshëm për misionin e çdo shqiptari, për rezistencë e angazhim për çlirimin e Kosovës. Gjithë korpusi i tij letrar e publicistik reflekton qartë idenë nacionaliste për liri e bashkim kombëtar.
Edhe pse jeta e tij qysh prej rinisë së hershme e deri në moshë madhore ka qenë e mbushun me shumë vuejtje, tortura e padrejtësi prej regjimit komunist në Shqipni, ai e ruejti fort shpirtin e poetit, si feniksi që rilind prej hinit të vet.
Në vitin 1957, gjithë familja e Zenelit arratiset jashtë shtetit. Del në Kosovë, (ish-Jugosllavi). Nis studimet në shkenca shoqërore. Fillon të shkruejë tregime letrare e poezi. Akuzohet nga autoritetet jugosllave për krijimtari me frymë antisllave.
I nxitun prej familjarëve por edhe për shkak të miratimit të një gjoja amnistie për të arratisurit,në 1959 rikthehet në Kukës. Nis punë në nji ndërmarrje shtetnore dhe regjistrohet në fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Student, në vit të dytë, arrestohet nga Sigurimi i Shtetit, tue e akuzu për krime politike. Nji prej akuzave ishte se gjoja ishte kthye nga Kosova, me prishë kooperativën bujqësore.
Mbas 7 muejsh hetuesi intensive, torturash e terrori psikologjik, gjykata e dënon për “tradhëti të lartë ndaj atdheut”, pa asnjë provë, me dëshmitarë fals, që nuk i njihte. Zeneli hedh poshtë të gjitha akuzat dhe nuk pranon vendimin e gjykatës. Megjithatë u dënue me 25 vjet burg politik.
Mars 1960, mbas vendimit të gjykatës dërgohet në repartin 313 të Tiranës e mandej transferohet në disa burgje e kampe pune si Burrel, Laç, Rubik, Elbasan, Fushë-Krujë, Vlorë për ta mbyllë kalvarin në burgun e Ballshit.
Me 17 dhjetor 1978, lirohet. Burgimi i tij zgjati 19 vjet, 3 muej e 10 ditë.
E dërgojnë me masë “dëbimi” në nji katund të Peqinit, Vashanj.
Prej këtu, asht arratisë me 31 maj 1979, në linjën kufitare që ndan Kukësin me Kosovën e Maqedoninë, përmes bjeshkës së Çajës.
Me 1 qershor 1979, del përfundimisht në Kosovë. Arrestohet përsëri prej autoriteteve jugosllave e dërgohet në kampin e refugjatëve në Podinska Skela të Beogradit.
Në gusht 1979, arratiset edhe nga Jugosllavia, e del në Austri, ku merr statusin e refugjatit politik.
Në tetor 1979, e marrin në Francë vllaznit e nipat e vet.
Nis me shkrue në shtypin e mërgatës, ku denoncon regjimin komunist në Shqipni, krimet e tmerret e përjetueme, vorfninë, shtypjen politike, mungesën e plotë të lirive njerëzore.
Në 1981, krijon organizatën “Fronti i Rezistencës Antikomuniste”, nëpërmjet të cilës zhvilloi shumë protesta e demonstrata kundër regjimit komunist në Shqipëri, por edhe kundër shtypjes serbomadhe në Kosovë.
Në 1982, zhvendoset përfundimisht në Malmoe të Suedisë, ku martohet dhe i lind një vajzë.
Ban pjesë në shoqatën “Kosova” dhe anëtar i bordit të revistës “Besa”. Angazhohet intensivisht me artikuj në gazeta e media të ndryshme. Shkruen poezi e zhanre të tjera letrare. Lidhet në korrespondencë me figura të njohuna të diasporës antikomuniste.
Mbas ramjes së regjimit komunist në 1990, boton volumet poetike “Dhimbjet e territ” 1993 dhe “Çiftelia e Lumës”, 2008. Kjo e fundit përfshin edhe nji përmbledhje në prozë, me titull “Ngjyra jete”.
Në prozë ka veprat “Me qenë a mos me qenë” – memuaristikë 2012; “Kronika e një jete në liri” – letërkëmbime, publicistikë, dokumente, 2016, si dhe librin autobiografik “Dasma e fundit në shtëpinë e Xhep Ramës”, 2023. Ka hartu edhe nji fjalor dygjuhësh Suedisht – Shqip.
Zeneli ishte poliglot, fliste lirisht gjuhët e hueja suedisht, anglisht, frëngjisht, rusisht, serbokroatisht dhe komunikonte disi edhe turqisht.
Me krijimtari letrare asht marrë që në bankat e shkollës, por jeta nuk ia mundësoi botimin dhe kontaktin me lexuesin dashamir të letrave.
Për miqtë e dashamirët e vet, Zeneli ishte si nji mal i mbuluem me vuejtje e rreziqe, por njiherësh edhe me nji brerore artistike të mbushun me ndihmesa letrare, publicistike, epistolarë etj.
Fati e desh që ai t’u mbijetojë kurtheve të jetës, përkitëzi të regjimit infernal komunist në Shqipni e ish-Jusgosllavi, e të dëshmojë ato që përjetoi mbi lëkurën e vet; ato që pa e mësoi. Shkoi në paqe dhe i nderuem, si nji shqiptar nacionalist, i denjë për emnin që bartte. Amaneti i fundit ishte të kthehej në tokën amtare, në Lusnën e tij të dashun. Atu ku prehet vëllai i vet, Kadri Peposhi, i ekzekutuem pa gjyq prej partizanëve komunistë në vitin e tmerrit, 1944. Ceremonia e varrimit do të mbahet në datën 10 tetor 2025, në Lusën.
Me Zenelin, njiherësh vdes edhe nji dëshmitar elokuent i horrorit komunist, tretet pa kthim nji pjesë e historisë së gjallë të këtij vendi, në kohën e sundimit të kuçedrës komuniste.