Ramsdell merr Nobelin në Mjekësi, ndërsa shëtiste në natyrë
Një fitues amerikan i Çmimit Nobel për Mjekësi e mësoi lajmin për nderimin e tij vetëm disa orë më vonë, ndërsa ishte duke shëtitur në natyrë. Imunologu Fred Ramsdell, nga laboratori “Sonoma Biotherapeutics” me qendër në San Françisko, fillimisht ishte i pakapshëm, pasi, siç njoftoi laboratori, ishte duke bërë një shëtitje në mal. Në një deklaratë dje ”Instituti Karolinska” në Stokholm njoftoi se Ramsdell, së bashku me kolegun e tij japonez Shimon Sakaguchi dhe shkencëtaren amerikane Mary Brunkow, do të marrin çmimin në dhjetor. Në momentin e njoftimit, në SHBA ishte ende mesnatë. “Ramsdell u kontaktua në mbrëmje, gjatë shëtitjes”, tha shefi i laboratorit. Ai arriti ta kontaktojë Ramsdellin në mbrëmje, tha zëdhënësja e shkencëtarit. Ajo i tha agjencisë se Ramsdell e kishte ndërprerë shëtitjen dhe ishte kthyer për në shtëpi. Edhe Brunkow fillimisht nuk iu përgjigj telefonatës nga Stokholmi. “Telefoni im ra dhe pashë një numër nga Suedia. Mendova se ishte ndonjë mesazh i padëshiruar, ndaj e çaktivizova telefonin dhe u ktheva të flija”, shpjegoi ajo më vonë. Ajo dhe bashkëshorti u zgjuan më pas nga gazetarët. Komiteti Nobel deklaroi se zbulimet e Ramsdell, Sakaguchi dhe Brunkow përbëjnë bazën për zhvillimin e trajtimeve të mundshme në të ardhmen për sëmundje si kanceri dhe çrregullimet autoimune. Çmimi më prestigjioz për studiuesit në fushën e mjekësisë ka një vlerë prej 11 milionë kronash suedeze (rreth 1.2 milionë euro)./atsh