Ruzhdi Gole: Blu – gri – blu
Cikël poetik
FARËZA
Një stinë e vetme më djeg
edhe në ftohmë
më përvëlon veç një stinë,
e hershme pema
me fruta
shpejt e vonë
…ajo pemë tani çel thinj…
VETMOHIM
Asnjanjës
ndaj rrëmujave
asnjajës ndaj shkelmit,
asnjanjës
ndaj proletarëve
rreckamanë të rreshtit,
asnjanjës ndaj trumbetave
ndaj moshën aspak joshëse
ndaj himneve lapidare
gënjeshtra
të përkohshme
asnjanjës ndaj krismave
me plumb e me qejfe
asnjanjës ndaj njeriut
helmuar prej të vetëve.
Më shpejt se vdekja
paskam tjetër vdekje.
POSTË DHE KOPËSHT
Gëzohem në kopësht
në kopshtin aromë frutash,
gëzohem
rreth postës
uji shpërndan letra
të lagura
jo të squllura.
Gëzohem
nga fantazia e gjetheve
të cilat përqafen tek pema,
Gëzohem dhe nga vdekja,
(vërtet është e bukur?)
nga vdekja që të merr
veç emrin jo therrmat.
KOMETË
Rashë
dashje pa dashje
tek grackat e gradave
shpejt
e urreva fytyrën tjetër
e imja ish… afër kometës.
…dashjepadashje…
PA METAFORË
Shquaj erën që fiket, shterr në gjinj,
shquaj dritën që digjet nga flokët,
shquaj gurin që flet
për atin në brinjë
shquaj ullinjtë pa paqe
me kokrra plumbi
në torbë.
Shquaj ylberin mpakur që kërcen
pa asnjë ritmikë, metaforë,
shquaj Vlorën
që të ngjeth
ngjethet
detin e endjeve
pirë paprerë
pak nga pak
mrekulli
e gjorë.
LËNDIM
Betohem
për asgjë nuk betohem
veç njerëzorëve u kërkoj ndjesë,
të pabesëve u besova armët
rojet edhe trojet
shpendin mëngjes.
Mëngjesi kraharoi,
punëmbarat ia behën
me nektar të ri
plot thumba
të pabesët i njoha
ata i përlanë
i shkelmuan hojet
i vranë bletët e urta.
SHENJË
S’mund të eci më tej… por
edhe pak hapa më duhen
të mbërrij tek vendi i dëshiruar,
s’mund t’i hedh më tej sytë…por
duhet t’i picërroj të shoh
ku më është fshehur
kunadhja
e mbrëmjes,
krahun e paskam ngritur
e po i bëj shenjë udhës
t’i hap sytë para humnerës.
Mbrëmja e mbarë s’qenka sonte
por më e mbara, jo me ëndrra
por me vrulle të reja
njësoj dhe ndryshe
nga ata që dashuruan
dashurojnë sot
dëshiruar
përhera.
NDJESI, NDJESË
Katundi s’duket terr as kthjellët
dritaret rrallë pulitin qerpikët
porta ngrys pis,
pjergulla rrudh buzët
s’ka dorë njeriu
veriget t’ia vjelë,
marramendja
kund
s’gjen gisht.
Këtu
pak gjindje … fle
shpejt pallë ariu
buzë perëndimit
i gjithi musht,
ujërave kush
meloditë
s’ua ndihu, ngrinë
ndjesë pastë
ndjesë askush…
Pa ardhur dimri
çuditërisht na afrohen
verige ciklonesh në breg,
atje atje tej shoh portin
portin e rrudhur pa koje
me gjys’ rreze në tëmth
gjys’ cigare në vesh.
TYMËRA
Oxhaku shfryn keq nga brinjët
guf e gulçe pluhurin dinak,
mesnata
nxjerr nga xhepat
veten tinëz … kontrabandë.
Fabrika
rrahur keq
prej vjedhësve
përvuajtje gjer në sakrificë,
gjysma
e urisë
një kokërr veze
kokë e shtypur ajo e lavdisë.
Në mesnatë rrugënaja
nxjerr kartmonedhat
për t’argalisurin
mik armik
zot argat,
ai që vritet sonte
do të ngjallet
nesër
hero kontrabandë…
SEKONDA
Xixa
nga një xixëllimë
më shumë sy rreze
nesër
do të rrezatojnë
për dimrin e përtërirë
jo aq borëtar në të nesërmen…