Behar Metohu: Qirinjtë e ndezur në ballkon
Tregim
Ai ndjeu hapat e ndrojtura të saj ndërkohë që shkruante në kompiuter një shënim për porositë që vinin nga spitalet apo klinikat mjekësore për pacientët. Ajo po qëndrontë në heshtje dhe priste reagimin e tij. Ai ishte farmacisti në farmacinë më të afërt me shtëpinë dhe ajo kishte marrë orientimin nga doktori që ilaçet t’i merrte nga kjo farmaci pasi bëheshin edhe zbritje çmimesh dhe kishte oferta të vazhdueshme.
Ai ngriti kokën dhe e pa në sy. Ajo ishte një grua në të gjashtëdhjetat.
– Kam ardhur për porosinë e doktorit nga spitali. – foli ajo me një anglishte të çalë. Zëri i vinte i dobët me ndërprerje dhe me gulçime që tregonte shqetësimin dhe ngërçin që e kishte zënë. Ajo ndjente çdo lëvizje dhe fjalë që përhapej në farmacinë e qetë me pak njerëz.
– Kjo është receta me ilaçet që duhen. – Ajo la një letër të madhe me shënime dhe me disa firma e vula mbi tavolinë.
Farmacisti një djalë i ri, bardhosh me flokë të zezë e të qethur shkurt morri recetën dhe e lexoi. Ai bëri disa verifikme në kompiuter dhe me një anglishte të saktë i tha:
– Çdo gjë është në rregull, mbetet vetëm pagesa ju lutem.
Ajo e miratoi me një tundje të lehtë të kokës dhe në heshtje nxorri kuletën.
Ajo e falenderoi dhe u bë gati të largohej kur djali i ri e pyeti:
– Nga është origjina e burrit tuaj?
– Serbia, – tha ajo dhe e ndryshuar në fytyrë e vështroi me kurreshtje, – Pse? – vazhdoi ajo.
Djaloshi e dëgjoi me kurreshtje dhe i buzëqeshi. Ai bëri buzëqeshjen zyrtare që i kërkohej sipas rregullores.
– Kemi tridhjet vjet që ndodhemi këtu në SHBA. Erdhëm nga Bosnjë Herzegovina. Ndërsa ai ishte larguar nga Serbia disa vite para se të takohej me mua.
Djaloshi shikonte fytyrën e zbehtë dhe të lodhur të saj dhe donte të thoshte diçka, por një telefonatë i ndërpreu bisedën. Gruaja e përshëndeti me dorë dhe u largua me hapa të ngadaltë.
Ai ishte i ri në këtë detyrë si farmacist dhe megjithatë mjaft raste të sëmundjeve të pashërueshme, i kishte njohur dhe reagimet e njerëzve më të afërt të të sëmurëve, tashmë kishte filluar ti shikonte si diçka të zakonshme, por ai kishte filluar të kuptonte emëruesin e përbashkët të veprimeve të tyre, sidomos tek bashkëshortet. Sytë ishin pothuaj me shikim të njejtë, të lodhur, të zbehtë dhe kuptohej qartë humbja e shpresës. Kishte ndër to edhe lotë të fshehur që ishin gati në shpërthim. Por, ecja e tyre e lehtë si pa u ndjerë me këmbë sikur zvarriteshin apo hidheshin si me përtesë, ishte gjëja më e dallueshme. Prandaj tek pa që këmbët e saj u zhdukën ngadalë, pas portës që tingëlloi ëmbël, atij i doli nga shpirti një pshehrëtimë.
– Eh njerëzit e shkretë vrapojnë, ecin, çapiten kudo drejt një rruge, që nuk e dijnë se kur e ku do të ndalojë, – mendoi i përhumbur në mendime.
Farmacisti ishte njëzet e tre vjeç dhe kishte lindur në SHBA. Prindërit e tij që vinin nga Shqipëria kishin treguar kujdes në shkollimin dhe edukimin e tij. Ata punonin të dy mbi dymbëdhjet orë punë në ditë nëpër dy lloje punësh për ta rritur dhe shkolluar sa më mirë. Dhe ai po jepte rezultatet e tij të para pas përfundimit të shkollës së mesme dhe kurseve për farmacist djaloshi ndërkohë ndiqte studimet në mjekësi. Ai ishte rritur me frymën e njerëzve që duhen respektuar dhe ndihmuar, kur ata kishin nevojë. I qetë dhe mjaft i komunikueshëm me klientët, ai kishte fituar respektin tek mjekët e spitaleve dhe klinikave të shumta private mjekësore, që kishte ai qytet bregdetar i Floridës.
Kaluan kohë pas atij takimi të parë dhe ai e pa atë gruan nga Bosnjë-Hercegovina disa herë të vinte tek farmacia. Një ditë i bëri përshtypje një detaj, që kurrë nuk e kishte vënë re më parë. Ajo mbante në krah një tufë me lule, të ndarë në dy pjesë të mbeshtjella me kujdes. Ajo kishte ndrruar edhe veshjen. Ngjyrat e çelura dhe një hije freskie në fytyrë e tregonte atë ditë të bukur nëntori se diçka kishte ndodhur për mirë, ndoshta kishte ngjallur shpresë. Sytë e saj atë ditë shkëlqenin. Ajo erdhi pranë tij me nxitimin e njeriut që nuk donte të vonohej. Prandaj i tha:
– Kjo është receta për sot. Ai sikur… – dhe ndali.
– Po?! – i tha djaloshi duke parë sytë e ngazëllyer të saj dhe seç ndjeu një gëzim të veçantë
– Ai, – vazhdoi gruaja, – sikur është më mirë dhe dhimbjet i ka shumë më të rralla. Ajo po fliste me të shpejtë, ndoshta ilaçet i kanë bërë shumë mirë.
– Po, kjo po më gëzon mjaft, – tha djaloshi dhe buzëqeshi gati si i çliruar nga një ankth.
– Po po është e vërtetë tha ajo, – dhe ngriti sytë lart sikur po shikonte qiellin, por në fakt sytë e qeshura të saj vështruan ndriçimin e neonëve. – Zoti e mbroftë. Djaloshi hodhi sytë tek lulet që mbante në duar gruaja dhe më pas vështrimet e tyre u kryqëzuan. Ajo u skuq pak në fytyrë dhe vazhdoi me rrëmbim, – Ai sot… ka ditëlindjen. Zoti ja shtoftë jetën. Dhe i ndau dy buqetat nga njera-tjetra. Kjo është për ju – tha ajo papritmas.
– Bleva dy qëllimisht. Të vlerësoj për gjithçka ke bërë.
Djaloshi u trondit nga kjo e papritur dhe nuk po depërtonte thellë në psikologjinë e gruas, që po fluturonte pothuaj nga ky entuziasëm i veçantë. Atij po i vinte çudi dhe nuk po kuptonte thelbin e këtij xhesti. Ndërkohë ai e pa në sytë e saj që po qeshnin dhe kuptoi mirësinë e një shpirti që kishte vuajtur, që kishte lënguar, që ishte cfilitur e lodhur në shumë ditë e netë, të asaj qenieje njerzore, që ishte përpëlitur nga dilemat e forta të mbijetesës, të pasigurisë, të pikë pyetje të mëdha dhe që nga gjithë kjo errësire dhe përpjekeje torturuese, ajo ndoshta po shikonte një vegim ndriçues, për shpirtin e saj të stërmunduar.
– Ju falenderoj zonjë për vlerësimin tuaj dhe HAPPY BIRTHDAY burrit tuaj! – tha djaloshi duke prekur lulet që ajo ja afroi. Ai pa se ngazëllimi i saj u dyfishua dhe u fuqizua aq fort dhe aq admirueshëm, sa që pas fjalëve të saj: “Faleminderit biri im”, ajo shpërtheu menjëherë në lot gëzimi. Ai ndjehu se hapat e saj ishin të shpejta dhe më ritmike, të cilat u zhdukën pas portës që u mbyll.
* **
Kaluan disa kohë dhe ajo ndoshta do të dukej përseri për të bërë furnizimin e radhës me ilaçet e porositura. Ai e kishte parë në kompiuter emrin e të shoqit tashmë të ngulitur në memorien e tij. Ai kishte hyrë në listën e pacientëve ku vëmendja dhe kujdesi për trajtimin e sëmundjeve malinje ishin krejtësisht të veçanta. Ai kishte dalluar edhe orën e ardhjes së saj për tërheqjen e medikamenteve të përcaktuara nga doktori. Dhe ajo po afronte. Dozat ishin shtuar dhe aty kuptoi se sëmundja ishte duke u rigjallëruar. Ai e kuptoi menjëhere alarmin e kësaj situate. Priste të shikonte ardhjen e saj. Dita qëlloi me shi dhe trafiku i rënduar ndoshta pengonte ardhjen në kohë ose ndonjë arësye tjetër kishte ndikuar në vonesën e ardhjes së gruas. Ai për një orë do të ndrronte turnin dhe ndoshta porosia e radhës do të dorëzohej nga kolegu i turnit tjetër. Ai hidhte sytë nga xhami i dritareve ku ndodhej parkimi dhe tek porta. Priste se mos ajo tashmë do të shfaqej. Kaluan minutat e fundit dhe atij i hipi si një ankth në shpirt. Sytë e tij rrotulloheshin sa nga porta tek akrepat e sahatit. Ai doli atë pasdite me kokën e ulur dhe u drejtua nga vetura e tij. Shiu kishte pushuar dhe retë po hapeshin me shpejtësinë e një pantere të ndihmuar edhe nga era që frynte. Ai ndjeu një zbrazësi dhe dëshpërim. Nuk e kuptoi edhe vet pse po i ndodhte kjo gjë. Ai rriti shpejtësinë në autostradë sikur donte të largonte mendimet e këqia. Ndjeu këputje dhe mosdëshirë për të bërë gjë.
Kur u ngrit nga gjumi atë buzëmbrëmje të lodhshme e të merzitshme duke u munduar të harronte gjithçka përshendeti mamanë që po shihte televizor duke i thënë:
– Po dal pak nga deti me duhet të ajrosem.
E ëma e pa e habitur që i biri ishte kaq i heshtur atë mbrëmje.
– Mos u vono!- i tha ajo e shqetësuar.
– Jo jo, një shëtitje dhe do të kthehem.
Apartamenti ku jetonte me prindërit ishte një ndërtesë shumëkatëshe buzëdetit dhe shëtitjet ishin bërë rutinë në kohë pas kohë. Qielli ishte hapur dhe yjet dalloheshin qartë atë mbrëmje dhjetori. Dhe pak ditë festa e Krishtlindjeve do të mbulonte anembanë qytetit me ngjarjet e vogla festive nëpër familje. Zbukurimet do të dalloheshin lehtë anembanë kudo dhe kjo të sillte në mëndje ato episodet që do të ndodhnin nëpër familjet. Ai ndërkohë hodhi sytë nga godina përballë edhe ajo shumëkatëshe me ballkone të mëdha dhe me kolltuqe e ventilatorë që ndizeshin edhe gjatë atij muaji. Ai vazhdoi drejt buzës së detit. Dallgët po dëgjoheshin edhe më afër. Djaloshi u ul në një nga stolat aty pranë dhe vetëm mendonte fatin e asaj gruaje. Ai e dinte që një ditë ajo do të mbetej e vetme pa burrin e saj. Uroi që femijët t’ja lehtësonin sadopak dhimbjen që do ti sillte largimi i të shoqit.
Pasi foli me dy shok të faklutetit ai bëri shëtitje paksa më i çliruar duke harruar gruan boshnjake dhe burrin serb të sëmurë. E ëma e morri në telefon. Dhe ai u bë gati të kthehej. Ishte vonuar disi dhe ora e vonë ishte e pazakonte për të. Ai zakonisht në këtë orë ulej në tavolinën e studimit për të ndjekur leksionet online dhe ato që jepeshin në auditor. Por atë mbrëmje ai nuk e kishte as dëshirën dhe as vullnetin të kryente atë ritual. Ai dalloi godinën e shtëpisë së vet dhe përballë saj godina ku vuri re se dritat ishin fikur të gjitha, por në distancë në një nga ballkonet e godinës përballë shtëpisë së tij pa disa flakëza qiriri që shndrrinin. Krishtlindjet kërkonin edhe pak kohë të vinin. Atij i bëri përshtypje ndezja e atyre qirinjve që ndodheshin të rreshtuar në ballkon. Ai pa edhe një dritë dhome gjysëm të errësuar. Po megjithatë u ngjit lart nëpërmjet ashensorit në godinen e vet…
Pas dy ditësh ndërkohë që po shënonte të dhënat e fundit të një porosie për një klient kërcet telefoni i farmacisë. Ai dëgjoi zërin e një gruaje që në fillim ishte pak i trashë dhe më shumë ngjante si zëri i një burri. Djaloshi në fillim u hutua, por më pas foli më i vendosur.
– Urdhëroni zonjë, keni ndonjë porosi?
– Jo jo… – dhe ajo nuk foli më.
– Noshta i keni rënë gabim numërit të telefonit, – vazhdoi djali.
– Jo jo… – tha ajo. Dhe zërin e uli fare dhe duke pshehrëtirë mes lotësh. Ju jeni ai djali që ju solla lule atë ditë?
– Po, – tha me nxitim djaloshi pasi mësoi se kush ishte pas telefonit, – më thoni me se mund t’ju ndihmoj zonjë. Si është yt shoq?
– Ai kaloi përtej… – Ajo u përtyp për të mbajtur emocionin.
– Më vjen shumë keq zonjë, – dhe djaloshit i ngeci fjala në grykë.
U krijua një heshtje e gjatë dhe askush nuk foli, por askush nuk po e mbyllte telefonin.
– Jam e pafat dhe e dënuar rëndë, – vazhdoi ajo,- tani jam edhe pa njeriun me të cilin kalova një jetë të tërë mes hallesh, por pa trashëgimtar. Ai më la një pasuri që nuk më duhet.- Pas telefonit u ndje përsëri heshtje.
– Zonjë e kuptoj hidhërimin tuaj, duhet të përmbaheni. Ju kujtoni momentet më të bukura me të.
Disa telefonata të tjera u ndjen më pas. Edhe ai i kërkoi ndjesë asaj se duhej të shkëputej.
Kur mbrriti në shtëpi, pasdite vonë, ndjeu një mbytësi, sikur dikush po e shtrëngonte nga gryka. Ai u përpëlit në peshtjellën e mendimeve, për gruan fatkeqe dhe doli në ballkon. Dielli ishte në të perënduar dhe pallati përballë kishte akoma ndriçimin e tij. Befas sytë i shkuan tek ballkoni ku një natë më parë kishte parë qirinjtë e ndezur. Ndriçimi i diellit perëndues nuk ja lejonte fort shikimin, por ai dalloi menjëherë se qirinjtë vazhdonin të ishin të ndezur dhe po digjeshin. Ai u trondit duke mos i besuar syve. Ishte vallë nderimi për shpirtin e burrit të asaj gruas që e telefonoi? Kaq pranë kanë qenë dhe asnjeri nuk e dinte?
7 tetor 2025, Vanderbilt- Naples FLORIDA.