Albspirit

Media/News/Publishing

Memet Koçi: “Për kë bien këmbanat”?


Teksa pija një kafe në një pasdite të freskët, të një dite vjeshte, aty pranë ndodhej një kishë. Mund të ishte edhe një xhami, por lokali ishte në pozicion të tillë. E teksa kthej gllënjkën e parë të kafes së nxehtë, dëgjohet këmbana e kishës. Mesa duket, ishte orari që ajo duhej të binte. Dhe befas, kjo këmbanë pati tingullin dhe zhurmën e asaj ndodhie që ndodhi ditën e djeshme brenda një zyre shtetërore, ndaj një përfaqësuesi e mbrojtësi të ligjit.
Që në gjenezën tonë si popull, ajo çka na ka përfaqësuar ka qenë nevoja për të mbrojtur territorin, qoftë edhe me shpata e qoftë me pushkë mbi supe. E sa më shumë kalonin vitet, kjo gjë kaloi nga ruajtja e territorit në oreksin që prijësit tanë, kohë pas kohe, patën për të zënë sa më shumë territor brenda territorit për veten e tyre, gjë e cila bëri që të lindnin armiqësi mes tyre. Kjo gjë bëri që të mos kishte bashkëpunim në shumë gjëra të rëndësishme dhe vendimmarrëse për vendin, në kohën e duhur.
Periudha komuniste bëri që të merrej ç’kishte e të ndahej më pas në forma të ndryshme përdorimi, gjë e cila solli patjetër pakënaqësi.
Me ardhjen e demokracisë, prona filloi të marrë trajtë tjetër. Filloi përplasja mes periudhave të ndryshme të qeverisjeve dhe formave qeverisëse në vendin tonë, që sillte kakofoni për të njëjtën pronë.
Në shumë komente të bëra nga njerëz të ndryshëm — qytetarë, të shkolluar e të pashkollë, të arsimuar dhe të paarsimuar, prindër dhe jo prindër — kishte një tendencë për të përkrahur autorin e asaj ngjarjeje të rëndë. Mund të quhet një nga ngjarjet më të rënda të periudhës sonë demokratike.
Ajo që të bën çudi është se ne si popull jemi të shtyrë gjithmonë drejt së keqes, drejt gjakut, armës dhe jo drejt ligjit e librit.
Nëse do të bëhej një sondazh, ku do të votohej me votë të thjeshtë mes një pistolete dhe një libri, tendenca, duke parë qasjen që ne kemi, do të ishte patjetër drejt të parës.
Të thuash me aq vendosmëri dhe me aq mllef e zemërim se “mirë iu bë” dikujt që humbi jetën, aq më tepër në vendin e tij të punës, duke e bërë atë “mirë”, qoftë edhe “keq”, është sa lebetitëse, aq edhe për t’u reflektuar.
Këmbana që ra pak më parë, në fillim të shkrimit, nuk bëri asgjë përveçse vuri në pah faktin se herë pas here, në situata dhe ngjarje të tilla, duhet një këmbanë e madhe që të buçasë fort e të na bëjë të ndërgjegjësohemi se nuk zgjidhen gjërat as me gjak, as me jetë të lëna përgjysmë, sepse ashtu e pamë si zgjidhje të fundit.
Vërtet, në këto vite ka pasur, ka dhe do të ketë padrejtësi. Ka pasur, ka dhe do të ketë neglizhencë, korrupsion e shumë gjëra të tilla, por a është kjo zgjidhja e problemit!? Aspak, sepse, pavarësisht ngjarjes, jemi po ne ata që themi nëpër komente “mirë iu bë” atij të ndjerit, që bëjmë padrejtësi ndaj kujtdo për të përfituar në kurriz të të tjerëve.
Jemi po ne që sulmojmë nga tastiera me komente jashtë normales, që atje në rrugë, në zyrë e kudo, na pëlqen të bëjmë korrupsionin, sepse duam të përfitojmë në mënyrë të padrejtë hakun e dikujt që e meriton atë gjë.
Një jetë e marrë në formën dhe mënyrën e tillë është këmbana që na bie çdo ditë në mëngjesin tonë, për të kuptuar se shpeshherë jemi shumë larg asaj që realiteti normal duhet të ishte.
Ndërsa toka, trualli e prona mbeti aty ku ka patur vendin, por e gjakosur…!