Silvana Bega: Kurora ime e mbijetesës

Kush lufton me kancerin, nuk kthehet më kurrë e njëjtë!
As trupi, as shpirti, as mënyra si sheh botën.
Kush lufton me kancerin, nuk kthehet më kurrë i njëjtë.
As kur flokët bien. As kur fillojnë të rriten sërish.
Depresioni të ndjek si hija jote, trupi nuk është më i yti,
mendimet bëhen rrugë të errëta që s’të çojnë askund.
Nuk më ndodh mua!- mendon derisa Tetori rozë nuk është vetëm muaji i fjongove dhe sloganeve që duken aq bukur. Tetori kthehet në ulerimën që çdo grua ka për detyrë të kontrollojë gjendjen e saj, përfshirë këtu dhe TY.
Mendojmë: “Nuk më ndodh mua”.
Deri ditën kur fjalët e mjekut: “Diagnostifikoheni me kancer” të drejtohen Ty.
Dhe ti, Ti që ke kaluar çdo ditë duke u shqetësuar për të ardhmen, për shkollën, qeranë, punën… Çdo gjë, por kurrë për shëndetin! Ke munduar se ke kohë për gjithçka.
Por diagnostifikimi vjen vrullshëm me operacione, trajtime, ilaçe…
Pas një trajtimi vjen trajtimi tjetër!
Kur mbaron pyet veten: – A ia vlen? A ia vlen të njohësh ferrin për disa vite më shumë?
Po ia vlen! Ia vlen se ti je e fortë! Nëse jeta do të donte të të rrëzonte, duhej të kishte zgjedhur një kundërshtar tjetër!
Unë, nuk e fitova këtë luftë për t’u kthyer në të njëjtën grua! Dua të rilind, të jem më e bukur e më e fortë.
Sepse kush lufton me kancerin, nuk kthehet më kurrë i njëjtë.
Dhe nga ferri del vetëm ai që ka mësuar ta dojë dritën me gjithë shpirt.
P.S.: Ajo që shihni në foto nuk është paruke! Është kurora ime e mbijetesës!