Teuta Sadiku: Poetika e Ilirian Zhupës
Autenticiteti i rizomës poetike dhe topografia e natyrës në poetikën e Ilirian Zhupës.
Poezia e Ilirian Zhupës dallon për autenticitetin e saj – jo thjesht në kuptimin e sinqeritetit emocional, por si rikthim tek gjendja proteane [që ndryshon vazhdimisht ]e ekzistencës, tek ajo “pafajësi” ku njeriu e natyra nuk kanë ndarë ende kufijtë. Zhupa e ndërton këtë me një gjuhë të ngjeshur, por të kthjellët, ku nuk ka luks retorik por një ekonomi të ndjeshme fjalësh. Kjo e vendos poetin në një linjë të rrallë të traditës shqipe, afër poetëve që kanë synuar “përmasën ontologjike” të fjalës (si Lasgushi apo Kasëm Trebeshina në disa tekste), por e tejkalon atë me konceptualizimin rizomatik. Pra në poezinë e Ilirian Zhupës shohim autenticitetin dhe kthimin në pafajësinë proteane të ekzistencës.
Zhupa nuk prodhon thjesht poezi lirike; ai krijon një hapësirë të dendur ku subjekti poetik lëviz midis niveleve të ndryshme të përjetimit. “Dridhjet e kontaktit të jetës së brendshme me botën e jashtme” janë një element kyç: poeti nuk e shikon natyrën si peizazh të jashtëm, por si pjesë të një palimpsesti ku jeta e brendshme projektohet mbi terrenin. Kështu, natyra nuk është vetëm sfond, por një “tekst” që mbart pritjet, frustimet dhe historinë e njeriut shqiptar gjatë dhe pas monizmit. Pra kemi një diskurs të kondensuar dhe shumëdimensionalitet të subjektit poetik.
Në poezitë e tij, “natyra dhe jeta” përbëjnë një të vetme: peizazh dhe palimpsest. Palimpsesti sugjeron një shkrim mbi shkrim, një përpjekje për ta rishkruar botën mbi kujtesën dhe humbjen. Natyra është peizazh dhe palimpsest në poetikën e Zhupës.
Në këtë kuptim, tek Zhupa natyra është dhe kujtesë kulturore dhe përvojë intime. Për shembull, vargjet:
“Çdo ditë si për çudi ai zgjerohej para meje,
Zbriste shkallët e shtëpisë dhe bëhej udhë,
Fluturonte me zogjtë dhe bëhej çerdhe,
Gurgullonte me përroin dhe bëhej lumë”…
krijojnë një “rizomë” metaforike të ekzistencës: nga hapësira private (shkallët e shtëpisë) në hapësirën publike (udha), nga mikrokozmosi (zogu) tek makrokozmosi (lumi). Këtu poeti nuk përshkruan transformimin e natyrës, por transformimin e vetvetes nëpërmjet natyrës – kjo është një nga tiparet më të dallueshme të poetikës së tij.
Duke përdorur konceptet e Gilles Deleuze dhe Félix Guattari, sidomos “rizomën” dhe “gjeofilozofinë”, mund të lexohet Zhupa si poet që nuk e sheh natyrën si hierarki, por si rrjetim, si një linjë ikjeje ku çdo pikë lidhet me një tjetër pa qendër fikse. “Nga një farë ose një lis” – kjo metaforë bazë e Zhupës ngjan me modelin organik të interpretimit të materies që ofrojnë Deleuze dhe Guattari. Poeti nuk ndërton një pemë të vetme (strukturë vertikale), por një rizomë ku “shumëfishat” shtrihen horizontalisht, duke e bërë fjalën poetike jo “kulm” por “rrënjë” dhe “shtrirje”.
Imanenca – si koncept deleuzian – është thelbësor: natyra nuk është një “shkallë” drejt metafizikes, por është vetë metafizika e imanencës. “Toka është objekti i vërtetë i filozofisë” – kjo tezë, që e nënkupton edhe poetin e shndërron poezinë në një akt të tokëzimit (grounding) të fjalës.
Ku ndryshoj unë nga bimët dhe kafshët që piqen nën saçin e qiellit,
Nga mijëra gjallesa që gëlojnë në thellësitë e errëta të detit,
Nga mijëra bimë e pemë, që mbahen në tokë fort me rrënjë,
Për të ngritur mbi truall shatërvanët e tyre të gjelbër në këmbë.
Nga algat që lindin e vdesin për të mbajtur gjallë peshqit,
Që japin e marrin vetveten për shkak të njeri-tjetrit.
Nga krimbi i tokës dhe brumbulli që bën toptha balte,
Nga fluturat, bletët e mizat që shpërndajnë sëmundje e pjalme.
Nga kunadhja e kaftë dhe lepuri i hirtë i dëborës,
Që shtrohen në sofrën e grifshës, shqiponjës dhe sorrës.
Nga pema e frutit, nga pylli i egër që dua,
Që rriten për vete por edhe për mua. (Qielli im).
“Gjërat e vogla” që ai përmend nuk janë thjesht fragmente, por forca që bëjnë dhe zhbëjnë qenien humane, kur ajo shikon veten në pasqyrën e të vërtetave universale.
Metafora e lumit është veçanërisht e fuqishme tek Zhupa. Shprehja poetike është një “sipërfaqe lumi” që “aludon vazhdimisht në thellësitë padallueshme, ashtu si Vjosa”. Kjo figurë e shumëfishtë – sipërfaqja dhe thellësia – shpreh tensionin mes dukshmërisë dhe padukshmërisë, mes të thënës dhe të pathënës.
Gjëmon edhe flet, thërret e pisket
Dhe këngë dhe vaj dhe vdekje dhe jetë;
Dhe mjegull e lehtë dhe akull e vlagë
Dhe frymë që mbrun stinë dhe dorë që mbyll plagë;
Dhe foshnje motake dhe vajzë e sarritur,
Që puthet e ikën e vjen prapë papritur. (Baladë për Vjosën dhe për vete).
Gurgullima (tingulli) dhe rrjedhja (ritmi) krijojnë një aurë akustike ku fjala nuk është vetëm kuptim por edhe ngjyrim fonetik, pra një lloj “muzike imanente” që i jep lëvizje poezisë.
Zhupa e pranon hapur se “për të bërë poezi” i duhet “një alibi, një dhimbje, një vuajtje për të krijuar një aurë”. Ky pohim e afron me poetët modernë europianë që e kanë parë poezinë si “art të përvojës së dytë” – përpunimin estetik të dhimbjes. Por tek Zhupa nuk kemi një ekzaltim të vuajtjes; kemi një shndërrim të saj në fjalë që lëviz, që ka ngjyrim, që krijon hapësira të reja për përfytyrimin.
“Një shpend që këlthet nëpër erë / nuk është shpend, është njeri. / A s’jemi të gjithë nga pak / në klithmën dhe vrullin e tij?!” këto vargje janë shembull i konfirmimit të natyrës metafizike të gjërave natyrore. Zhupa shuan kufirin mes shpendit dhe njeriut, mes natyrës dhe humanes, duke e bërë çdo imazh një figurë të dyfishtë (mimesis dhe metafizikë).
“Më thërret një pemë / Një zog i ka rënë nga dega / Duhet të lë çdo punë e të shkoj ta ngre” kjo poezi e vogël sintetizon etikën e Zhupës: ndërhyrjen e njeriut në natyrë jo si pushtim por si përgjegjësi, një epope e vogël e përditshmërisë. Poeti shndërrohet në një aktor etik që e shikon natyrën jo si objekt por si bashkëqenie.
Zhupa e fillon krijimtarinë në vitet e monizmit (1978) dhe e zhvillon në dekadat që pasojnë, duke sjellë një “arkiv rizomatik” të përvojës shqiptare në tranzicion. Ai është ndër të rrallët poetë që bashkon traditën metaforike shqiptare me teoritë bashkëkohore të hapësirës, natyrës dhe materies. Poetika e tij është një ndërthurje e shtratit lokal (Tepelena, Shkodra) me gjeofilozofinë universale; një poezi ku fjala është rrënjë dhe shtrirje, ku metafora është rizomë dhe jo pemë, dhe ku natyra është jo vetëm objekt por subjekt që flet.
Në këtë mënyrë, veçantia e poetikës së Ilirian Zhupës qëndron në aftësinë për të shndërruar përvojën intime dhe natyrore në një topografi poetike dhe filozofike, duke ndërtuar një poezi të gjallë, me shumë shtresa, që sfidon ndarjet mes metaforës dhe materies, mes njeriut dhe natyrës, mes përditshmërisë dhe të përjetshmes.