Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Novobërda përballë përvetësimit kulturor


Mbretëria e Dardanisë shtrihej në hapësira të banuara nga dardanët, që sot përfshijnë Kosovën dhe pjesë të territorit të Ballkanit qendror. Para pushtimit romak, këto troje ishin të organizuara politikisht dhe ushtarakisht nga fisi ilir i dardanëve, të cilët kishin ndërtuar një mbretëri të konsoliduar me qendër në rajonin e Shkupit.
Dardanët ishin autoktonë, me kulturë të zhvilluar, ekonomi të bazuar në xehetari duke luajtur nje rol të rëndësishëm në historinë e Ballkanit antik, duke mbrojtur trojet e tyre dhe duke ndikuar në zhvillimet politike të rajonit.
Novobërda, e njohur edhe si Artana, ishte një nga qendrat më të lashta minerare në Dardani, e përmendur që nga shekujt IV–II para erës sonë.
E vendosur në një zonë të pasur me xehe të çmuara si argjend, ar, plumb dhe hekur, ajo ka qenë e shfrytëzuar nga dardanët shumë kohë përpara ardhjes së pushtuesve të huaj.
Pikërisht kjo pasuri e ka bërë Novobërdën një pikë strategjike për të gjitha fuqitë që synuan kontrollin e Dardanisë, duke filluar nga romakët, bizantinët, serbët dhe osmanët.
Gjatë sundimit romak, minierat e Novobërdës u shfrytëzuan intensivisht, duke ndihmuar në zhvillimin ekonomik të provincës. Po ashtu bizantinët vazhduan këtë traditë, duke e përfshirë qytetin në rrjetin e tyre tregtar dhe prodhues. Ndërsa ne mesjetë, Novobërda u shndërrua në një nga qendrat më të rëndësishme minerare të Ballkanit. Fortesa e saj, e cila daton nga shekujt XIII–XIV sipas Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, ka pësuar ndërhyrje arkitekturore në periudha të ndryshme,si bizantine, serbe dhe osmane.
Pretendimet se ajo është ndërtuar ekskluzivisht nga mbretërit serbë nuk mbështeten në burimet historike, pasi vendbanimi mbi Artanë përmendet shumë më herët, madje edhe nga autorë antikë si Straboni.
Në shekullin XV, minierat e Novobërdës prodhonin deri në 6,000 kilogramë argjend në vit, shpesh të përzier me ar. Pas pushtimit osman në vitin 1455, Novobërda vazhdoi të funksiononte si qendër xehetarie, por me kalimin e kohës, rëndësia e saj filloi të zbehej për shkak të ndryshimeve politike dhe ekonomike.
Pranë kalasë ndodhet edhe Kisha e lashtë katolike, një monument që dëshmon për praninë e hershme të komunitetit katolik në këtë zonë. Në këtë kishë është mbajtur meshë, duke rikthyer për një moment gjallërinë shpirtërore të një epoke të harruar.
Serbia ka tentuar ta përvetësojë këtë kishë si pjesë të trashëgimisë së saj, duke i shkruar madje edhe Vatikanit për ta paraqitur si objekt të traditës serbe. Këto përpjekje janë kundërshtuar nga institucionet kosovare dhe ekspertët e trashëgimisë, të cilët i kanë cilësuar si tentativa për falsifikim historik dhe përvetësim të identitetit kulturor.
Në vitet e fundit, Kalaja e Novobërdës ka qenë objekt restaurimi nga kompania serbe “Koto”, e cila ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në strukturën historike të saj. Sipas IKMM-së, punimet janë kryer në mënyrë joprofesionale, duke përfshirë përdorimin e ekskavatorëve në muret e kalasë, gjë që ka rrezikuar stabilitetin e saj.
Betonimi i artefakteve historike përbën shkelje të rëndë të standardeve ndërkombëtare për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe ka ngritur shqetësime të mëdha në komunitetin akademik dhe profesional.
Përveç dëmeve të parikuperueshme në strukturën e kalasë, janë raportuar edhe raste të zhdukjes së qindra artefakteve arkeologjike gjatë fazës së ndërhyrjes. Një pjesë e madhe e tyre janë betonuar nga kompania “Koto”, pa asnjë kriter shkencor apo konservues, duke u trajtuar si mbetje ndërtimi dhe jo si dëshmi të trashëgimisë kulturore. Kjo qasje ka dëmtuar rëndë autenticitetin e vendit dhe ka shkelur parimet themelore të ruajtjes së trashëgimisë. IKMM-ja ka kërkuar ndërhyrje nga UNESCO, duke paralajmëruar se këto veprime përbëjnë jo vetëm shkatërrim fizik, por edhe përvetësim të qëllimshëm të historisë.
Novobërda ,nëse nuk trajtohet me kujdesin dhe respektin që meriton, rrezikojmë të humbasim jo vetëm një monument, por një pjesë të rëndësishme të historisë sonë.
Ashtu si në rastin e Novobërdës, ku Serbia ka tentuar të përvetësojë trashëgiminë kulturore shqiptare, një tjetër shembull i ngjashëm është përvetësimi i Maqedonisë së lashtë nga Greqia dhe Maqedonia moderne. Historikisht, Maqedonia e lashtë nuk ishte greke dhe nuk kishte asnjë lidhje me sllavët, të cilët u shfaqën në Ballkan shekuj më vonë.
Sipas disa autorëve modernë, gjuha e Aleksandrit të Madh ishte e afërt me shqipen, çka përforcon idenë se shqiptarët janë pasardhës të drejtpërdrejtë të Maqedonisë së lashtë, e jo grekët apo sllavët.
Në kohën e Titos, u krijua identiteti “maqedonas” si një konstrukt politik, duke përvetësuar simbolet e Maqedonisë së lashtë për të ndarë shqiptarët nga rrënjët e tyre historike. Ky lloj manipulimi historik është pjesë e një strategjie më të gjerë për të zhveshur shqiptarët nga trashëgimia e tyre autoktone, një fenomen që shfaqet në forma të ndryshme në rajonin e Ballkanit.
Kjo përpjekje për zëvendësim identitar, qoftë në Novobërdë apo në Maqedoni, tregon nevojën për një qasje të re historike që rikthen në qendër të vëmendjes rolin e popujve autoktonë të Ballkanit, veçanërisht shqiptarëve, në formësimin e qytetërimeve të hershme.