DËSHMORËT E POGRADECIT-LAVDI NË THEMELET KOMBËTARE
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Ka dalë nga shtypi më 11 tetor 2025 një libër i ri për dëshmorët: “Dëshmorët e Pogradecit”. Nuk ishte tharë ende boja e librit e kësaj tërësie unitare, e këtij libri që flet për ngjarje madhore të lavdishme të shqiptarëve për trevën pogradecare, që e kam lexuar në mënyrën më të shpejtë të mundshme. Nuk është vetëm respekt, mirënjohje për gjakun e derdhur të bijëve e bijave më të mirë të formacioneve partizane të Pogradecit gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare shqiptare, luftës më të organizuar dhe më të lavdishme, që u shkrua bindshëm në mesin e shekullit të kaluar. Është një detyrim brezash dhe do të jetë gjithmonë. Për dëshmorët është folur e shkruar në dhjetra qindra libra në më shumë se tetë dekada, sikurse janë “Yje të Pashuar” të Resul Bedos, “Dëshmorët e Atdheut”. libri zyrtare publikuar nga Ministria e Mbrojtjes në 100 vjetorin e shtetit shqiptar, “Dëshmorët e Atdheut në rrenjët e kombit shqiptar” etj. Libri për dëshmorët e Pogradecit është vijimësi dhe në një linjë në nderimin e dëshmorëve, që vlen të ndiqet nga Bashkitë e tjera.
Libri është edhe një dhuratë në përvjetorin e 30-të të OKDA-së, një ngjarje që meriton nderim dhe vlerësim të veçantë, një përpjekje serioze e pasardhësve të dëshmorëve në Pogradec. Ndërkohë që dega e dëshmorëve në Pogradec ka “përvetësuar” dhe ka një mbështetës, inicues dhe frymëzues për punë të mira dhe serioze për dëshmorët, Profesor Bernard Zotaj, i deleguar nga qendra e Organizatës së Dëshmorëve. Pogradeci ka ecur gjithmonë me trendin e kohës, është trevë plot vlera e vyrtyte edhe në ruajtjen e traditës, që ka ditur gjithmonë të nderojë dëshmorët si një pjesë esenciale e historisë kombëtare.
Bijtë e bijat mbrojtës të veprës së dëshmorëve kanë qenë të shumtë por ne do të sjellim në vëmëndje drejtuesit në tre dekada: Henrik Maliqi, Josif Vasili, Thanas Kokonoshi, Beshir Pëllumbaj dhe Eqbert Çami, drejtues që kanë qenë dhe mbetur pasuri për degën e dëshmorëve. Natyrshëm treva lindore shqiptare me publikimet e kohëve të fundit ka mbështetjen e pushtetit vendor, por puna përgatitore në realizimin e këtij libri ka dy njohës të thellë të dëshmorëve të Pogradecit ish-drejtuesin e OKDA-së së Pogradecit Josif Vasili dhe drejtuesin aktual Eqbert (Berti) Çami.
Pogradeci është një copëz e historisë luftarake të shqiptarëve, që është e mbushur me ngjarje të përgjakshme luftarake. Për gjakun e derdhur që të mbijetonte kombi i lirë dhe i pavarur u shkrua edhe “Dëshmorët e Pogradecit” që u kushtohet dëshmorëve të Bashkisë Pogradec, me konsulencën e Prof. Bernard Zotaj dhe Beshir Pëllumbaj me redaktimin e Istref Haxhillari dhe recensentë Jorgo Qirko dhe Kudret Durollarit, por edhe me mbështetje të plotë nga kryetari i bashkisë Ilir Xhakolli, bashkisë sponsore e librit.
Libri është përmbledhje e luftërave dhe përpjekjeve të zhvilluara në trevën pogradecare. Në librin e shtypur nga botimet “M&B” duket një dorë sqimtare dhe e kujdeshme që edhe në kopertinën e librit ka përzgjedhur “mbështjelljen” e librit me tre përshkrime të kujdesshme: Ilir Xhakolli kryetari i Bashkisë Pogradec: “Libri “Dëshmorët e bashkisë Pogradec” është një përpjekje e Organizatës së Dëshmorëve Pogradec për të përmbledhur në një botim përkujtimor, dokumentar dhe referues, të gjithë ata burra dhe gra që dhanë jetën në periudha të ndryshme të historisë së Pogradecit dhe të kombit tonë për lirinë, pavarësinë, ndërtimin, zhvillimin e ruajtjen e shtetit të pavarur e modern shqiptar”; Josif Vasili ish-kryetar i Organizatës së Dëshmorëve të degës Pogradec në vitet (2007-2014), “ky libër u kushtohet luftëtarëve trima që ranë dëshmorë për çështjen e madhe të Pavarësisë dhe të Çlirimit të Atdheut e të popullit, Patriotëve, Heronjve dhe Dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të pasçlirimit e të demokracisë të Bashkisë së Pogradecit, familjeve të tyre, si dhe gjithë veprimtarëve që përjetësojnë emrin dhe veprën e dëshmorëve të popullit shqiptar”; Eqbert (Bert) Çami, kryetari i Organizatës së Dëshmorëve të degës Pogradec: “Çdo njeri ka vetëm një jetë dhe këtë jetë të vetme dëshmorët e sakrifikuan derisa u bënë fli për Atdheun e popullin. Me nderim të thellë edhe ne përkujtojmë 212 dëshmorët që prehen në varrezat e Dëshmorëve në qytetin e Pogradecit dhe që gjejnë pasqyrim në këtë libër që kemi shkruar për ta. Sakrificat dhe vetëmohimi i Reshit Çollakut, Kajo Karafilit, Liri Çomo, Hetem Linës, Muharrem Çollakut, Qani Lekës, Koli Gushos, Dhimitër Shkurtit, Mirash Gjokës, Meriko Selmanllari, Rahman Kadri e Refik Hamollit e shumë të tjerë që kanë qenë, janë e do të mbeten burim frymëzimi për ne të gjithe”.
Libri është një depërtim dhe analizim i gjithë dëshmorëve të Pogradecit, si një histori sakrifice dhe qëndrese, ku mjaft shkolla kanë emra dëshmorësh, por edhe rrugë që mbajnë emra dëshmorësh.
Libri ka synuar dhe gjykojmë se ja ka arritur që të sjellë për lexuesin një historik të shkurtër të degës së Dëshmorëve, drejtuesit në vite, por edhe lapidarët e bashkisë Pogradec që janë edhe tek libri “Lapidari”, ndërsa në pjesën fundore ka dokumente mbi dëshmorët, foto, dokumente arkivore, simbole dëshmorësh. Librin e bën tërheqës çdo faqe e tij pasi në çdo faqe është një foto dëshmori të gjitha të ripunuara, ndërsa në fund ka tri tabela që shpjegojnë të dhëna të plota për dëshmorët e Pogradecit.
Nuk ka histori shqiptare ashtu sikurse edhe pogradecare pa e lidhur me historinë e luftrave, me gjakun e dëshmorëve partizanë që jetën e bënë fli për Atdheun. Edhe përpara vitit 1939, qyteti kishte dhënë shtatë dëshmorë të Atdheut, njerëz me arsim e kulturë, edhe me arsim të lartë, këtu përmendim dëshmorët e Rilindjes Aleks Josif Andrea (1885-1915), Apostol Kollçaku (1891-1913), Bendo Sotir Shapërdani (1720-1780), At Dhimitër Anastas Misha(1900-1928), Gjokë Risto Pjetyri (Shqiptari) (1874-1908), Ismail Sheme Spaho ((1867-1911), Seit Bektash Caka ((1874-1911). Janë kurora e parë me dafina nderi për dëshmorët e rilindjes kombëtare që çel faqet e para të librit. Është një trashëgimi e shkëlqyer nga njeri brez në tjetrin e luftrave të vijueshme të shqiptarëve për ta transmetuar amanetin e brezave mbrojtjen e trojeve arbërore me çdo kusht me çdo sakrificë. Dëshmorët e Pogradecit në masën më të madhe janë të rinj por të evidentuar dëshmorët e kësaj treve, më i riu ka qenë 21 vjeç, ndërsa më i madhi në moshë 60 vjeç, një shëmbull burrërie, heroizmi dhe frymëzimi për brezat. Para, gjatë dhe pas LANÇ-it, Pogradeci ishte dhe ngeli vatër e patriotizmit, ku familje të tëra u lidhën fuqishëm me çetat e formacionet partizane. Fakt është se më 1941 ra dëshmori i parë i kësaj krahine, Selim Ali Gjona, një lavdi e shndritshme pogradecare. Më 1942 ranë Banush Minçe e Isuf Çollaku, duke dëshmuar se lufta kundër pushtuesit ishte një ndërmarrje e vështirë por e lavdishme. Vitet 1942 e sidomos 943 solli zgjerimin masiv të lëvizjes partizane të krijimit të formacioneve partizane, ku nga Pogradeci më 1943 ranë për Atdheun 34 dëshmorë, djem 16 vjeçarë, por edhe të burrëruar deri në 65 vjeç, ishin pjesë e të gjitha shtresave të shoqërisë, që kishin për ideal çlirimin dhe lirinë e vendit. Lufta e Pojskës, me komandant Reshit Çollakun, ku dhanë jetën 10 dëshmorë, është një epope e ndritur jo vetëm për Pogradecin për në rang kombëtar dhe që është sot një vend pelegrinazhi, për brezat e rinj, ka qenë dhe ka ngelur një stacion i rëndësishëm i historisë në trevën e Pogradecit, bizë liqenit të Ohrit. Në vitin 1944, që është edhe viti i fitores vendimtare pati edhe 125 dëshmorë të tjerë ranë në beteja për çlirim. Pogradeci si mbarëq vendi nuk shpëtoi nga masakrat nazifashiste ku në qershorin e atij viti u kryen masakra të rënda mbi popullsinë e pafajshme, që përfshinte 16 vjeçar deri në të moshuar deri në 74 vjeç. Ajka e qyetarisë pogradecare nxorri mjaft partizanë të rreshtuar në brigadat më të njohura të UNÇSH si 24 partizanë në BrIVS, 13 partizanë në BrIS dhe 7 partizanë në BrXVS si dhe në formacione të tjera.
Pogradeci përjetoi masakrën e 20.10.1943, kur gjermanët pushkatuan 12 qytetarë e luftëtarë; më 10.6.1944, në Llëngë, ku u pushkatuan 44 banorë; më 16.6.1944, në Dunicë, ku forcat naziste dhe bashkëpunëtorët e tyre kolaboracionalistë pushkatuan 20 banorë të pafajshëm. Gjithë të pushkatuarit nga fashistët në bazë të ligjit 109/2018 “Për statusin e dëshmorëve” meritojnë të shpallen dëshmorë të Atdheut ligjërisht. Në sakrificat shqiptare pogradecare gjejmë edhe emra të grave dhe vajzave partizane, ku pesë prej tyre janë dëshmore të Atdheut, ndërkohë që dy bij të Pogradecit janë nderuar me titullin “Hero i Popullit”. Edhe pas çlirimit, për mbrojtjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Shqipërisë ranë 43 dëshmorë, shumica të rinj rreth moshës 30 vjeçare që kanë rënë në të gjithë vendin: kundër diversantëve, në krye të detyrës ushtarake, në qytete e krahina të Shqipërisë, në Shkodër, Tropojë, Gjirokastër, Pogradec, Tiranë, Durrës, Përmet, Elbasan, Fier etj. Libri e bën kujtimin e dëshmorëve të Pogradecit të gjallë në gjithë qytetin që ka tre buste, pesë lapidarë, shtatë rrugë me emra dëshmorësh, pesë pllaka përkujtimore një vendvarrezë dëshmorësh, ndër 36 që ka Shqipëriae. Në serinë e njëzetë librave “Yje të pashuar” janë përjetësuar 18 prej tyre, ndërsa për të tjerë janë shkruar libra e kujtime që i ruajnë për brezat, por dhe janë frymëzim për brezat. Në Varrezat e Dëshmorëve të Pogradecit gjenden 217 varroshe dëshmorësh, ku prehen 212 dëshmorë të njohur me statusin e “Dëshmorit të Atdheut”. Fakt është se 207 prehen në tokën e Pogradecit, 3 në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë, 2 në varreza publike, por që e meritojnë të çvendosen eshtrat dhe të prehen aty ku thotë ligji. Libri është një risi e re, është homazh për bijtë e bijat e pavdekshëm të Pogradecit pasi gjaku i dëshmorëve është themel i lirisë dhe themeli i çlirimit. Libri “Dëshmorët e Pogradecit” është pjesë edhe e kujdesit bashkiak pogradecar, është dashuri, mirëkuptim dhe vlerë për OKDA-në e Pogradecit. Faleminderit OKDA-ja e Pogradecit për këtë botim sinjifikativ për Dëshmorët e Atdheut, për dëshmorët tuaj, dëshmorët tanë, dëshmorët e kombit shqiptar!