Avokat Brikena Bogdo: Colpo di grazia, Drejtësisë
Colpo di grazia i jepet në kokë, në agoni, drejt vdekjes së sigurt një individi apo edhe një grupi individësh. Colpo di grazia gjyqtarit, goditi kokën e drejtësisë, pushtetin e drejtësisë, sistemin e drejtësisë.
Ngjarja e vrasjes së gjyqtarit të Apelit është e pashembullt, e paprecedent edhe nëse kërkon nëpër anuale, apo shkrime. Në Itali, janë goditur prokurorë, për shkak të detyrës. Por ka një ndryshim, përveç faktit që janë goditur në rrugë, kurrsesi në sallën e gjyqit, ata janë goditur nga krimi, mafia. Në Itali, ishte drejtësia kundër krimit; në Shqipëri është krimi shtetëror, kundër shoqërisë shqiptare. Në rastin konkret, kemi një individ, pronar, që godet vendimin gjyqësor, sulmoi simbolin, drejtësinë, në një kronikë të një vdekje të paralajmëruar.
Kanë qëlluar në Gjermani, me armë, në sallën e gjyqit, kriminelin që ka përdhunuar vajzën e vogël. Ajo nënë e mjerë goditi kriminelin, jo gjyqtarin, sepse ka shpresë që shoqëria do të shpëtojë nga një individ kriminel. Por, kur individi e kupton që krimineli është ngritur në sistem shtetëror, në ç֛do qelizë të saj, ndihet i prangosur nga i tërë sistemi. Atëhere çfarë ndryshimi ka për të, një burg real, apo burg sistemi? Me një plumb ai goditi të gjithë sistemin 30 vjeçar, politik dhe të drejtësisë. Pronari i ri dhe i vjetër, themeli i shtetit demokratik dhe ligjor, ende pas 30 vjetësh është i penalizuar nga krimi shtetëror dhe krimi ordiner.
Ky është gjyqi më i fuqishëm që i është bërë ndonjëherë sistemit të drejtësisë, në Shqipëri.
Cili është vendimi i këtij gjyqi? Colpo di grazia, varrosja përfundimtare e këtij sistemi, që vetëm i drejtë nuk është. A ka shpresë? Me këtë regjim, jo. Përsa kohë, vetë kryeministri del dhe sulmon vendimin, ka sulmuar pavarësinë e tij. Edhe drejtësinë tashmë e kemi në duart e kryeministrit. I pari pushtetar në lindjen e Diellës dhe i pari në vdekjen përfundimtare të drejtësisë.
Vettingu? Ndryshoi, emrat por jo praktikat korruptive dhe padrejtësinë. Kam botuar shumë shkrime për probleme të sistemit të drejtësisë. Vetingu ndryshoi emrat jo sistemin. Themeli i një sistemi të fortë është cilësia e vendimeve gjyqësore. Në cilësinë e vendimeve, kyç është transparenca, publikimi i vendimeve. Gjermania, me sistem të fortë gjyqësor, është transparente për çdo vendim, duke e publikuar atë. Vendimet e padrejta, gjyqtarin e largojnë menjëherë nga sistemi. Çdo vendim i tij është i monitoruar. Në Shqipëri, vendimet duan muaj të zbardhen, jo më të publikohen në faqen e gjykatës.
Prona, krimi, drejtësia, media, shoqëria, shumëkëndëshi që tronditi 6 tetorin, kur u vra në sallën e gjyqit, gjyqtari që pritej të jepte një pretencë, për një pronë. Pushteti i rrit pronën pushtetarit, prona i rrit pushtetin krimit, krimi i rrit pushtetin medias, media rrit krimin, krimi shkatërron drejtësinë, drejtësia e shkatërruar vret shoqërinë. Kjo është tabloja e shoqërisë shqiptare prej 30 vitesh, që kulmoi me vrasje.
Problemi i pronës filloi me regjimin komunist, si eksperiment historik “T’ua marrim të pasurve t’ua japim të varfërve”. Në fakt, qëllimi kryesor ishte, që në fund të këtij procesi vëllavrasës, pronari të ishte vetë shteti (realisht shtetarët). Edhe mbas viteve 90, paçka se retorika ishte në favor të pronës, ligji dhe realiteti, i shërbyen vetëm shtetarëve, si përfituesit real. Krimi shtetëror me forcën shtrënguese të ligjit, dhe forcës shtrënguese të shtetit, nuk ia ktheu kurrë pronën, ish-pronarëve. Ata u shndërruan në viktima të regjimit komunist, por edhe viktima të shtetit post-komunist, të pas 90-ës. Shpronësim, reformë agrare nën regjimin diktatorial hoxhian, reformë territoriale, reformë në drejtësi, nën regjimin post-komunist, diktatorial, autokratik, pas viteve 90, që prodhoi të njëjtën, vrasje të së drejtës së pronës, vrasje të lirisë, se çfarë do bësh me pronën tënde. Ligji, forca shtrënguese e shtetit, nën një shtet dikatorial, kriminal shtetëror, kriminalizohet, bëhet vegël e krimit, për interesa të krimit.
Pas viteve 90 “demokracia”, ishte flamuri që u përdor sërish, për vjedhjen e pronave të ish-pronarëve. Ligji 7501, apo ligje nëpërmjet të cilëve pushtetarët privatizuan fabrika e uzina, por që ishin në toka ish-pronarësh, të cilat nuk i morrën kurrë, u vunë në shërbim sërish të pushtetarëve. Këtu fillon edhe simbioza i shtetit kriminal të organizuar, me krimin ordiner.
Kjo simbiozë kulmoi në vitin 1997, ku u lejua nga shteti vjedhja masive e tokës, nëpërmjet zaptimit. Si reagoi shteti ndaj zaptuesve? I legalizoi ndërtimin, por jo tokën. Ish-pronarëve nuk ua ktheu tokën, por as zaptuesve, duke i mashtruar me legalizimin. Në fund nuk fitoi, as pronari, as zaptuesi. Ky mashtrim shtetëror 30 vjeçar kulmoi me vëllavrasje, gjakmarrje, hapi varre.
Çfarë mund të jetë një shtet, i ngritur mbi vjedhjen dhe krimin? Shtet kriminal i organizuar me ligje, por me emërtimin “Forca shtrënguese e shtetit”. Në këtë format shtetëror, ligji është i barazvlerësuar me vjedhjen e shtetit.
Pasi iu vodh prona me ligjin 7501, dhe ligje të tjera, pronarëve dhe ish-pronarëve, ju premtua sërish me ligjin mashtrues, kompensimi monetar. Po me ligj, u tkurr kompensimi monetar, për ish-pronarët, në shifra qesharake. Që të marrësh këtë kompensim financiar, duhet të japësh nën dorë, nga 20%, deri 50%. Ja ku u ngërthye krimi shtetëror, me krimin ordiner.
Me ligj u vendos që, ndërtuesit do të jepnin 3% të ndërtimit për banesa sociale. Po me ligj, u hoq dhënia e banesave sociale nga ndërtuesit, në mënyrë që ky 3%-ësh, ti jepet bashkisë, cash në dorë. Askush nuk e di se, ku shkon ky cash në dorë, se si përdoret nga bashkia. Ja ku u ngërthye sërish krimi shtetëror, me krimin ordiner, në një korrupsion masiv.
Të dy këto ligje do e zgjidhnin problemin edhe kompensimi financiar, edhe banesat sociale, që të mos kishim sot vrasje qytetarësh e gjyqtarësh. Ligjet kundër pronarëve, bashkëpunimi me krimin ordiner dhe korrupsionin, degraduan dhe do degradojnë edhe me shumë, në humbje jetë njerëzish.
Themeli i mbarëvajtjes së shoqërisë njerëzore është prona. Nëse e cënon këtë thelb, i ke vënë minat kësaj shoqërie. Vdekja e gjyqtarit është pasojë e vdekjes së pronës dhe e pronarëve.
Vdekja e gjyqtarit është pasojë e vdekjes së të drejtës së pronës. Shteti komunist dhe post komunist, armiq natyral të pronës private, e degraduan këtë shoqëri, deri në vrastare.
Çdo pushtet, historikisht ka synuar rrëmbim pronash. Lufta për pushtet, në themel ka luftën për prona. Pushteti kriminal rrëmben prona dhe forcon pushtetin, nëpërmjet pronës. Krimi shtetëror hoxhian, rrëmbeu pronat, nëpërmjet shtetëzimit. Krimi shtetëror i organizuar, sot e ka rrëmbyer pronën, nëpërmjet këtij krimi ordiner.
Roli i medias? Kryesisht mbas zgjedhjeve të 11 majit 2025, media është në krizën e saj më të thellë, e barazvlerësuar me televizionin e regjimit hoxhian. Ka një ndryshim, që krimineli më i madh në atë regjim ishte vetë pushtetari, duke pastruar skenën e krimit ordiner, për të formatuar kriminelin e madh shtetëror. Për pasojë, televizioni hoxhian i shërbente kriminelit gjigand, duke sfumuar krejtësisht, kriminelin e vogël ordiner. Në atë periudhë, askush nuk e imagjinonte që televizioni të transmetonte krimin ordiner, sepse u zëvendësua nga krimineli i madh, pushtetari hoxhian.
Ajo që më ka presionuar, muajt e fundit në media, është dominimi absolut i lajmeve të kronikës, me prezencën e vazhdueshme të krimit, vrasjeve, përdhunimeve, vetëvrasjeve të moshave të njoma. Ngjyrimi mediatik, aktualisht është zi, shumë më keq se në regjimin hoxhian, që ruante dukjen e jashtme.
Kjo prezenca e shtuar vjen, ose si pasojë e kriminalizimit absolut të shoqërisë, ku nuk ekziston asnjë lajm tjetër, për ti ofruar publikut, ose media e vënë nën thundrën e pushtetit absolut, me lajme krejt të censuruara, vrapon që të mbetet në skenën e shoqërisë, vetëm me këto lajme drithëruese. Por, ka një variant të tretë. Ankthi, frika në masë, është një mjet represioni, për shoqërinë, për ta lënë atë pa zë, pa reagim, të friksuar, brenda mureve të mbyllura.
Në fakt, statisikat tregojnë që, kur media ka lajme të shtuara krimi, ndikon në rritjen e këtij krimi dhe të mënyrës, se si kryhet krimi. Një mendje diabolike që e di efektin e medias, ndikimin në shoqëri të lajmeve, mund të keppërdori pikërisht lajmin e kronikës, për të rritur tensionin, frikën ankthin, terrorin, krimin, për interesa të tij, të shtypjes së shoqërisë. Sapo dëgjuam kryeministrin që të sulmonte drejtësinë, gjyqtarët. Ai doli kundër vendimeve gjyqësore, (dmth nëse është marrë një vendim nga IKMT, që të prishet një pronë, por ka edhe një vendim gjyqësor që të mos prishet, ky vendim të shpërfillet dhe të vazhdohet me prishjet).
Pati shumë reagime kundër këtyre propozimeve të kryeministrit, duke i konsideruar veprime, drejt një pushteti absolut.
Kreu i shtetit është në luftë të hapur me pronën private, me drejtësinë dhe vendimet e gjyqtarëve, për të vënë nën thundër edhe pushtetin e tretë, atë të drejtësisë. Ai, me vetingun, ka absolutizuar kontrollin edhe në gjyqësor. Por, po ndërmerr edhe hapa të tjerë, që të anashkalojë vendimet gjyqësore, për të dalë mbi to. Pra, një pushtet të ekzekutivit, mbi një pushtet tjetër, atë të drejtësisë. Kjo prish balancën e shtetit ligjor, që mbështetet te pavarësia dhe barazia e pushteteve.
Çfarë efekti do të ketë e gjithë kjo atmosferë shkatërrimesh, fyerjesh, ofendimesh, që fillon nga kreu i shtetit, duke përfunduar, tek ai adoleshenti, që hormonet ja çakordojnë mendimin dhe veprimin? Sa më i negativizuar pushteti, media, drejtësia, policia, aq me negativitet mbart shoqëria. Patjetër që do të kulmonte me vrasjen e një gjyqtari. Ai nuk është individ, është simbol, i një drejtësie në agoni. Vrasja e një gjyqtari është degradimi absolut i një shoqërie. Vrasësi nuk është individ, është indinjatë shoqërore, një plumb, që godet gabim.
Nuk vendoset e mira, drejtësia, nëpërmjet së keqes, vrasjes. Shoqëria shqiptare duhet të luftojë sot, më shumë se kurrë, për të mirën dhe drejtësinë.