Albspirit

Media/News/Publishing

Robert Aliaj Dragot: Serbi-Shqipëri, konflikti që i kalon kufijtë e kohës



Stadiumi i Leskovacit nxorri në sipërfaqe një paradoks të mrekullueshëm, njëkohësisht një heterotopi dhe një hartë të përsosur të shpirtërores ballkanike.
Në këtë enë monumentale betoni ku njëzet e dy lojtarët ndjekin një top në një ritual të përsëritur, u zhvillua mbrëmë një metafizikë e turbullt e kujtimeve. FIFA, me ligjet e saj dhe kartelat e verdha sheh këtu një “lojë”. Por në Ballkan, futbolli kurrë nuk ka qenë thjesht lojë, ai është një formë e arkaizuar e mbijetueses, një “homo sacer” i fushës së gjelbër, i shenjtëruar dhe i përçarë nga e njëjta hapësirë e shenjtë e jashtëzakonshme. Ai jetën e vë në lojë, por e bën këtë nën hijen e gjysmës së vdekshme të historisë.
Kjo është një ndeshje që të kujton se kufijtë e vërtetë nuk janë në harta, por në kujtesë. Janë reflektim i tensioneve ballkanike si metaforë historike që futbolli i nxjerr në sipërfaqe më hapur se çdo deklaratë mediokre politike.
Leskovaci vetë nuk është një vend i rastësishëm. Historia e Leskovcit daton që nga shekulli i 5-të para epokës së Krishtit, kur historiani grek Herodoti e përmendte si një vendbanim ilir.
Dhe ja, mbrëmë dy përfaqësuese erdhën në këtë vend për të përsëritur në një formë të kondensuar një konflikt që i kalon kufijtë e kohës.
Serbët (kjo rracë e pështirë, nuk do jap asnjë sekondë në këtë shkrim sjelljes së tyre barbare) e shohin si një mënyrë për të mbrojtur një territor simbolik, një kufi ekzistencial kundër “rrezikut shqiptar”. Kjo frazë fsheh brenda saj frikën e padukshme të humbjes së një narrativi historik, një dëshirë për ta mbajtur Kosovën si një shenjë të paprekshme në trupin e kombit.
Për ne ndeshja u shndërrua në një “akt dinjiteti”. Një mundësi për të ekzistuar me zë të plotë, për ta shkatërruar atë mur të padukshëm të paragjykimit dhe mosnjohjes, për t’u parë si të barabartë në një arenë ku të paktën teorikisht rregullat janë të njëjta për të gjithë.
Kështu, ajo që në sipërfaqe ishte garë sportive, në thelb është një teatër i thellë politik, një mënyrë për të riafirmuar më shumë kufijtë se futbollin.
Këto janë arsyet pse emocionet rriten deri në limitet e histerisë kolektive.
Dhe stadiumi bëhet i vetmi vend “i shenjtë” ku shpirtrat mund të flasin pa filtra, ku lojtarët kthehen në një simbol.
Ironia madhore qëndron pikërisht në përpjekjen për të riafirmuar kufijtë përmes një loje që nga thelbi i saj universal synon të shkatërrojë kufijtë.
Unë sigurisht si të gjithë e ndjeva kënaqësinë e egër të atij goli të shënuar, u hodha nga divani por menjëherë pas saj, ndjeva edhe dëshpërimin e vetëm një fitoreje kaq të pjesshme në vargun e halleve të jetës së përditshme. Jemi ne robërit e një kujtese kaq të kushtëzuar? Eshtë ky i vetmi sukses që na mjafon për mbijetesën tonë si komb? Një fitore për t’i dhënë më shumë karburant mitit tonë të krenarisë?
Edhe sa kohë stadiumi do të vazhdojë të jetë vendi ku fitojmë dhe humbasim shumë më shumë se tre pikë?