Ismail Kadare: Ra ky mort e u pamë
Kështu, përpara syve të të gjithë botës, popullit shqiptar i ra për pjesë të përjetojë një nga zezonat e rralla që kanë tronditur këtë planet. Që nga lozhat e tyre, të tjerët e ndoqën me javë e me muaj krusmën e tij. Shumica, me dhembje e brengë, disa me shpërfillje e të tjerë, më të paktë, me cinizëm. Kështu e panë si u godit me sëpatë, si u shkul nga themelet, si u rrëzua e si u ngrit prapë, duke iu marrë këmbët nga ai tmerr.
MBYLLJA
Këtu ndërpriten shënimet për Kosovën, tokën që deshën ta zbraznin nga populli i vet. Njëzet vjet më parë, gjatë vizitës sime në Prishtinë, mësova se ajo rrafshirë e gjerë paskësh qenë dikur e mbuluar nga ujërat.
Pastaj, kur erdhi koha e zbrazjes, një pjesë të ujërave e mori Deti i Zi, nëpërmjet Danubit, një pjesë deti Egje, nëpërmjet Vardarit dhe pjesën tjetër deti Adriatik, nëpërmjet Drinit të shkumëzuar.
Kam përfytyruar atëherë se si bashkë me valët iknin peshqit, molusqet, ngjalat, gjarpërinjtë, përbindëshat e ujit. Mbaronte kështu parahistoria e këtij trualli, dramë e natyrës, për t’i lënë vendin një drame më të egër, asaj të njeriut.
Kur erdhi, pra, ora e njeriut, ora e zbrazjes së Kosovës nga shqiptarët e vet, dy nga hullitë e mësipërme, ajo që çonte drejt Maqedonisë dhe tjetra drejt Shqipërisë, sikur të shkërbenin rrjedhat e moçme, u mbushën përsëri, këtë herë me vargje të shpërngulurish. Rrjedha e tretë, ajo e Danubit, u zëvendësua nga një kah i pamundur për ujërat, por i mundur për njerëzit: drejtimi i Malit të Zi.
Kështu, nëpërmjet tri grykave deshën të zbraznin Kosovën. Dhe ndodhi pastaj ajo që e dimë të gjithë: brenda një stine, shqiptarët jetuan një mrekulli të gjëmshme: ranë e u ngritën përsëri si në javën e Krishtit.
Përmes tri grykave që e zbrazën, Kosova u mbush përsëri. Një lëvizje e kundërt, nga ato që rrallëherë ndodhin në botë dhe që quhen “kthim i fatit”, ndaloi vdekjen e një populli. Shekuj më parë, në ag të qytetërimit, një ndeshje e kënduar prej Homerit ndihmoi për zgjimin e ndërgjegjes së botës antike.
Tri mijë vjet më pas, Kosova, si asnjë luftë tjetër, e trandi krejt njerëzimin modern.
Në këto shënime është dhënë një pjesë e këtij rravgimi.
Tiranë, mesi i tetorit, 1999.
(Fragmente të shkëputur nga libri “Ra ky mort e u pamë” i Ismail Kadaresë, Botimet Onufri).