Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Gjokutaj: Të gjithë jemi nga pak donkishotë

Shumica e të moshuarve priren të bejnë shpesh humor. Kështu ngjan të ketë qenë kurdoherë, por unë nisa ta vë re vetëm në rininë e herëshme. Kanë kaluar dekada e megjithatë edhe sot e kësaj dite nuk arrij t’i gjej një shpjegim shterues.
Fillimisht, me që isha në moshën kur njeriu pandeh se hyn thellë e fluturon lart e larg, gjeta një shpjegim cinik. Janë pleq të ezauruar thoshja, ndaj thërrasin në ndihmë shakanë. Të jesh serioz gjithë kohën kërkon nerva të forta.
Më vonë, duke u çapitur gjithnjë kësaj hullie, gjeta një shpjegim më të sigurt e më përgjithësues, se helbete po bëhesha filozof! Në kohën e tyre, thoshja, nuk kishte as estradë e as teatër, as radio e as revistë ‘Hosteni’, ndaj çdo gjë e bënin vetë, edhe humorin. Me një fjalë zakon i trashëgusr nga një kohë tjetër.
Vonë do ta kuptoja se edhe dëshira për të sendërtuar një kohë të tyre, që ndryshonte si nata me ditën nga koha jonë, nuk buronte aq nga realiteti sa nga nevoja për t’i dhënë zemër vetes sime, për të sfumuar dobësi dhe pasiguri që gjallonin thellë meje, djaloshit që ndihej burrë së jashtmi e kalama së brendshmi.
Kur u bëra me nipër e mbesa dhe pastaj me fëmijë u binda se humori për të vegjëlit është ushqim e shkuar ushqimit. Gjyshet e gjyshërit janë tërë sy e vesh ndaj nipërve e mbesave, i ndjejnë me lëkurë pëlqimet e tyre dhe ua plotësojnë në mënyrë thuajse të vetvetishme.
Më pas, si për shumë gjëra të tjera, do më vinte në ndihmë Don Kishoti. Do lexoja se shumë intelektualë të mëdhenj, në moshën e tretë, kur vinin re se sa pak nga ëndrrat e dikurshme kishin arritur të realizonin, identifikoheshin me soiliun e Mançës, personazhin ikonë që së jashtmi të shtyn të buzëqeshës, ndërkohë që së brendshmi të nxit të trishtohesh ngaqë e kupton se kokoshi i ëndrrave të dikurshme është katandisur një thelë.
Në analizë të fundit të gjithë jemi nga pak donkishotë. Dhe kur arrijmë ta kuptojmë këtë s’na mbetet veçse të qeshim, qoftë dhe së jashtmi. Më fisnikët prej nesh përpiqen që dhimbjet e qarjet e moshës t’i mbajnë për vete, kurse humorin dhe të qeshurën e ndajnë me të afërmit, sidomos me fëmijët, jetën e ardhme.