Selaudin Guma: Telefoni
Do dal lart në fajkua
n’buzë të Kaçrës do afrohem
telefonin do hedh rrëmbimthi
në gremina, thellë te honet.
Mbi zajet e thyera të granitit
që teposhtë rrokullisen vetë
dhe zhurmën e bëjnë rrapëllimë
që sot e miliona vjetë.
Le të zbërthehet telefoni
të shkoqen veglat tej e tej
karta smart nga vendi të dalë
dhe numrat e tij të shkrihe më retë.
Lë të ndëren mbi gërmadhë
dhe zhurmë të bëjnë si duan vetë
se bisedat janë si gurët
ca të ngrohta, ca për kjamet.
Më mirë rrapëllima e gurëve
që janë simfonia vetë
se sa kjo zile e telefonit
që na mbyll, na mban të shkretë.